Vllaznia arrin marrëveshjen me mbrojtësin kosovar, Adnan Haxhaj. Prezantimi i tij para mediave do të bëhet sot. Futbollisti në fjalë vjen nga skuadra e Prishtinës dhe tashmë do të mbrojë ngjyrat kuqeblu, të skuadrës me emër e traditë në futbollin shqiptar. Haxhaj ka lindur më 16 shtator 1988 dhe ka qenë titullar me skuadrën e kryeqytetit kosovar. Paraqitjet e tij kanë lënë mbresa te drejtuesit e Vllaznisë, që kanë nxituar t’i bëjnë ofertë dhe ta kenë përforcim të radhës për sezonin e ri. Gjithashtu, mësohet se edhe mesfushori i ri, Lorik Arifi (Trepça) pritet të firmosë me skuadrën shkodrane, e cila këto ditë po kryen përgatitjet për edicionin e ardhshëm në Mal të Zi.

Kujtojmë se dje, Vllaznia ka luajtur miqësoren e parë në përgatitoren e kësaj vere. Ndaj malazezëve të Zetës, kuqeblutë janë mundur me rezultatin minimal, 1-0. Fatin e ndeshjes e ka vendosur shqiptari nga Mali i Zi, Shkrepi, që ka shënuar golin e vetëm në minutën e 83-të të saj. Miqësorja është luajtur në stadiumin e qytetit të Tuzit të Malit të Zi dhe është ndjekur me interes nga një numër i konsiderueshëm tifozësh, kryesisht shqiptarë të këtij qyteti, por edhe të shkodranëve, që kishin udhëtuar enkas për të ndjekur këtë ndeshje.

Trajneri Zmijani nuk ka patur të gatshëm të gjithë futbollistët për këtë miqësore, sepse mbrojtësi malazez, i ardhur para pak ditësh, Cicmil, ka ndier disa shqetësime në këmbë. Sulmuesi malazez, Paviçeviç, ka luajtur vetëm 30 minuta, sepse nuk ka qenë në formën e tij më të mirë. Ra në sy paraqitja e mirë e portierit të Vllaznisë, malazezit Dragojeviç, që me disa ndërhyrje të bukura, bëri që ekipi i tij të mos pësonte gola të sigurtë.

 

Komentet