Trajneri i Vllaznisë, Luan Zmijani, nuk duket aspak i shqetësuar nga humbja e pësuar në miqësore në Tuz ndaj ekipit malazez të Zetës. Në një prononcim për “telesport.al”, ai ka thënë se rezultati i kësaj miqësoreje nuk ka patur aspak rëndësi, por testimi i shumë prej lojtarëve të ardhur për provë apo dhe për të parë gjendjen e lojtarëve të tjerë që janë pjesë e skuadrës.

Miqësorja – “Humbja nuk më shqetëson aspak. Ne sapo kemi filluar stërvitjen dhe gjatë këtyre ditëve jemi marrë më shumë me testimin e lojtarëve. Faza e vërtetë përgatitore nis javën tjetër dhe prandaj në të do të përqendrohemi te puna me kontigjentin që do të mbajmë në skuadër. Natyrisht që miqësorja ndaj Zetës nuk është e para, pasi do të zhvillojmë edhe të tjera në vazhdim, që do të na shërbejnë në përgatitjet tona. Skuadra në miqësore nuk ishte e plotë, pasi kishim edhe probleme dëmtimesh. Dy futbollistët malazezë që kanë ardhur, mbrojtësi Cicmil dhe sulmuesi Paviçeviç kanë ndjerë shqetësime muskulare, si pasojë e stërvitjes që zhvillojmë në tapet sintetik dhe natyrisht që na duhet të gjejmë në vazhdim një vend tjetër për t’u stërvitur, sepse ky është një problem edhe për futbollistët e tjerë“- ka thënë numri 1 i pankinës shkodrane.

Prurjet – Ai ka folur edhe për blerjen e fundit, atë të kosovarit Haxhaj, ndërkohë që ka lënë të kuptohet se në ditët në vazhdim do ketë edhe të tjera përforcime, prandaj ka shtuar: “Jam shumë i kënaqur që Haxhaj ka firmosur për ne. E kemi ndjekur prej kohësh dhe me të mendojmë se kemi kompletuar repartin e mbrojtjes. Në ditët në vazhdim besoj se do të vijnë edhe kontrata të tjera, me lojtarë të repartit të sulmit, por edhe të mesfushës dhe në këtë mënyrë skuadra do nisë të formatohet dhe të bëhet gati për sezonin e ri futbollistik. Te ne po vijnë lojtarë të shumtë për provë, por deri më tani asnjë nuk më ka bindur. Në ditët në vazhdim do të vijnë edhe të tjerë, por kuptohet, do qëndrojnë vetëm ata që e meritojnë“.
 

Komentet