Drejtuesit e klubit Vllaznia tashmë e kanë ndarë mendjen se ku do të fokusohen me merkaton e tyre. Vendet fqinje të Kosovës dhe Malit të Zi do të jenë ato ku do ndalen për të kërkuar lojtarë cilësorë. Sa i takon futbollit malazez, drejtuesit kuqeblu kanë kohë që kontaktojnë me futbollistë dhe menaxherë të këtij vendi. Madje edhe ditën e djeshme ka patur sërish komunikime me ta. Fakti që tashmë ka filluar hedhja e firmave në kontratë, e bën më të mundshme nisjen e kontakteve dhe pse jo, firmosjen edhe me malazezët e kërkuar.

 

Por përveç tyre, mësohet se trajneri Zmijani, drejtori sportiv Grima dhe administratori Kalamishi, janë duke kontaktuar edhe me futbollistë kosovarë. Për këtë arsye, në ditët në vijim pritet që të vijnë disa futbollistë kosovarë për provë. Përveç kosovarëve e malazezëve, te Vllaznia mund të vijnë për provë, por ndoshta edhe për të firmosur menjëherë edhe futbollistë serbë apo ndonjë tjetër. Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se minimum 5-6 lojtarë të rinj do t’i bashkohen skuadrës në sezonin e ri.

Tashmë edhe pozicionet ku ata do të luajnë janë përcaktuar, teksa do të kërkohet marrja e një portieri, e një qendërmbrojtësi, e një mesfushori të qendrës dhe e dy sulmuesve. Nëse del edhe ndonjë futbollist tjetër i përshtatshëm dhe që bind për pozicionet e tjera, edhe mund të merret. Drejtues të klubit kanë saktësuar se deri në fundin e muajit qershor skuadra do të ketë marrë formë të plotë.

Komentet