FINANCAT
Në prononcimin e tij për “Sport Ekspres”, administratori i klubit kuqeblu deklaron se situata financiare është në nivelet e duhura dhe nuk do të ketë asnjë problem në këtë drejtim. Ndër të tjera ai bën të ditur se futbollistët e Vllaznisë kanë ende pa marrë një rrogë e gjysmë, por shumë shpejt, kësaj çështjeje do t’i jepet zgjidhje, madje që në ditët në vijim. E rëndësishme për Kalamishin është garancia financiare që do të ketë Vllaznia për periudhën në vazhdim, për të cilën thotë se do të jetë mbledhja e kësaj fundjave e Këshillit Bashkiak, ku do të kalohet me votim unanim shuma që kërkohet për mbarëvajtjen e aktivitetit futbollistik të klubit. Përpara se të votohet shuma prej 75 milion lekësh të vjetra, me kërkese të vetë anëtarëve të Këshillit Bashkiak, në këtë mbledhje do të raportohet një informacion i plotë teknik në lidhje me aktivitetin e klubit kuqeblu për sezonin futbollistik që sapo u mbyll si dhe argumentimi për destinacionin e shumës tjetër të re që pritet të miratohet. Për këtë të fundit, Kalamishi shton se kjo shumë do të përdoret për vijueshmërinë normale të aktivitetit të klubit të futbollit si dhe në veçanti skuadrës së parë, pa u ndikuar aspak nga situatat e procesit të zgjedhjeve vendore.
MERKATO– Në fjalën e tij, Kalamishi nuk lë pa prekur edhe temë ne merkatos së verës, me optimzëm se në sezonin e ardhshëm tifozëria shkodrane do të ketë rastin të shijojë një Vllazni europiane. Optimizëm ky që i buron edhe nga projektet ambicioze që grupi i punës së bashku me stafin teknik me në krye trajnerin Zmijani ka hartuar gjatë këtyre ditëve në lidhje me merkaton. Ndonëse për momentin nuk kanë dëshirë të zbulojnë saktësisht emra konkretë, për Kalamishin e rëndësishme është se trajneri Zmijani po vijon kontaktet me disa futbollistë të kampionatit shqiptar, pjesë e të cilëve janë edhe shkodranët. Por, krahas kësaj në listën e merkatos figurojnë edhe emra të tjerë të rekomanduar nga menaxherë të ndryshëm për futbollistë që do të vijnë për provë nga kampionatet e huaja. “Siç është bërë e ditur edhe më parë, në ndryshim nga ekipet e tjera që nuk janë pjesë e Kupave të Europës, Vllaznia do ta nisë përpara të gjithave stërvitjen kur me datë 15 qershor do të starton me seancën e parë. Në vijim, dita-ditës stafi teknik do të vijë duke e plotësuar skuadrën me lojtarët e duhur, ndërsa kemi projektuar që në merkato të sigurojmë shërbimin e 4-5 futbollistëve cilësorë që realisht duhet të bëjnë diferencën. Do të ndërhyjmë duke afruar të paktën nga një element cilësor në çdo reparte. Duke shpresuar se gjithçka do të na shkojë mbarë në formatimin e skuadrës, ne jemi të bindur se Vllaznia e sezonit të ri futbollistik do të jetë patjetër një skuadër konkurruese dhe pretendente për t’u renditur në zonën e katit të sipërm të tabelës së klasifikimit, zonë e cila ka të gjitha alternativat që të çon në kupat e Europës”, përfundon administratori i klubit shkodran, Neritan Kalamishi.
5 PËRFORCIME Premton administratori i klubit shkodran, Neritan Kalamishi se do të kryejë Vllaznia gjatë merkatos së verës.
Sport Ekspres
Komentet