Kohë lëvizjesh te Vllaznia, ndonëse ende nuk ka nisur zyrtarisht puna për sezonin e ri. Drejtuesit e klubit kanë vendosur të lënë të lirë sot mesfushorin Bekim Dema. Ky i fundit ka patur një kontratë dyvjeçare me klubin, e cila ishte e vlefshme edhe për sezonin 2015-16, por në të ka patur edhe një pikë ku shkruhej se pas përfundimit të sezonit të parë, palët do të kenë të drejtë të negociojnë për vazhdimin apo jo të kontratës.

 

Lajmi është konfirmuar nga vetë faqja zyrtare e klubit shkodran. Duket se ka qenë trajneri Luan Zmijani ai që ka ndërhyrë në këtë mes. Fakti që ai nuk e ka patur në planet e tij si titullar për sezonin që vjen, ka bërë që edhe vetë lojtari të kërkojë për t’u larguar. 22-vjeçari ka mbërritur sot paradite në zyrat e klubit dhe ka biseduar me administratorin Kalamishi dhe në fund të kësaj bisede, është rënë dakord që kontrata dypalëshe të ndërpritet.

 

Pas kësaj, mesfushori ka marrë lejekalimin dhe tashmë nuk do të ketë të bëjë më me Vllazninë. Ende nuk dihet se ku do ta vazhdojë karrierën, edhe pse ndoshta ky largim nga skuadra që e rriti, i ka ardhur disi i papritur. Në sezonin e fundit Dema është aktivizuar në 23 ndeshje, kuptohet jo në të gjitha titullar, duke qenë në fushë për 1343 minuta, pa arritur dot të shënojë gol, ndonëse luan si mesfushor qendre.

 

Trajneri Zmijani, i cili e ka patur në dispozicion në 12 ndeshjet e fundit të kampionatit, mesa duket, ka pritur më shumë prej tij dhe për këtë arsye, ka vendosur që të mos bazohet tek ai për të ardhmen. Largimi i Demës në njëfarë mënyre përkon me ardhjen e mundshme të një tjetër mesfushori shkodran, Abaz Karakaçit, por ky i fundit ndonëse ditën e hënë do të dalë në stërvitje me ekipin, ende nuk dihet saktësisht nëse do firmosë apo jo me kuqeblutë.

Komentet