“Ju po thoni që Vllaznia ka shënuar vetëm 27 gola në 36 ndeshje kampionat. Çfarë doni më tepër për të treguar kampionatin e fundit të kësaj skuadre. Ka patur një sulm shumë të dobët, ku vetëm Soza mund të marrë deri diku notë kaluese. Ndoshta nuk ka qenë faji i sulmuesve që nuk janë shënuar më shumë gola, sepse gjërat merren në tërësi, por unë merrem me ta, ngaqë kam luajtur vetë në atë repart. Prej shumë e shumë vitesh Vllaznia është shquar për sulmuesit cilësorë. Në fund të kampionatit, në mos golashënuesi më i mirë, një sulmues i saj ka qenë në vendet e para në renditjen e golashënuesve ndërsa sivjet duhet të kalonin shumë e shumë radhë për të mbërritur te Soza me vetëm 7 gola të shënuar” – thotë Sinani.
“Për të ndërtuar një ekip cilësor, duhet patjetër të kesh edhe sulmues cilësorë në skuadër. Por në kampionatin shqiptar konstatoj se vetëm 2-3 futbollistë janë nga ata që bëjnë diferencën, si Pejiç, Raçiç e Bakaj. Këta futbollistë kuptohet që janë në treg, kanë marrë oferta dhe do jetë e vështirë për Vllazninë për t’i marrë. Por drejtuesit e saj kanë një shans të madh. Në Shkodër gjendet këto ditë Xhevahir Sukaj, i cili nga sa kam mësuar, tashmë është një futbollist i lirë dhe ka shprehur dëshirën për t’u veshur kuqeblu. Unë kam respektin maksimal për këtë futbollist dhe do të gëzohesha shumë nëse ai do të kthehej te Vllaznia, sepse me të golat janë të garantuar. Drejtuesit e klubit duhet të bëjnë luftë ta marrin, t’i bëjnë një ofertë të mirë, le t’i gjejnë ku të duan paratë, sepse ndryshe nuk bëjnë ekip”, – shton Sinani.
Megjithatë, në vetvete ai nuk është entuziast për ndryshimin e situatës te klubi ku lindi dhe u bë i njohur. Për më tepër, që tashmë është kohë zgjedhjesh dhe askush nuk duket se e ka mendjen te futbolli. Për këtë arsye, ai në fund thotë: “Pavarësisht dëshirës që ne kemi për ta parë mirë këtë skuadër, nuk jam shumë optimist për të ardhmen. Vllaznia ka kaluar jo pak probleme këto 4 vitet e fundit dhe tashmë kjo situatë duhet larguar. Ka ikur kohë që të kemi vetëm debate të tilla ‘më tha bashkia’, ‘i tha bashkia’, etj. Dikush duhet t’i dalë për Zot kësaj skuadre. Se si mund të ndodhë kjo, e dinë ata që drejtojnë bashkinë apo të tjerët që do vijnë pas tyre pak ditë më vonë”.
“Konstatoj se shumica e ekipeve kanë filluar të bëjnë planet për sezonin e ri. Kanë filluar kontaktet me lojtarët, po firmosin kontrata, ndërsa te ne askush nuk dëgjohet. Dikush e ka mendjen te zgjedhjet, dikush te fondi që pritet të miratohet dhe kështu ditët kalojnë. Ata nuk do t’i presë më askush, as Sukaj që është shkodran. Prandaj gjërat duhen ndryshuar një orë e më parë, për të mos qenë vonë nesër, sepse kampionatin e ardhshëm e shoh shumë të vështirë për Vllazninë”.