Ndërsa futbollistët e Vllaznisë pushojnë, drejtuesit kuqeblu janë në krye të detyrës. Ndonëse për momentin ende nuk bëhet asgjë e ditur në lidhje me lëvizjet konkrete në merkaton e verës, kontaktet parapërgatitore me futbollistë të veçantë thuajse ka çdo ditë. Burime të besueshme brenda klubit bëjnë me dije se emri që është përfolur ditët e fundit është ai i Edon Hasanit, mesfushorit mjaft teknik që për skuadrën e Kukësit. Falë golit spektakolar që i shënoi Laçit në finalen e Kupës së Shqipërisë, ai bërë që emri i tij të jete ndër më të preferuarit e tifozerisë kuksiane. Por, nisur edhe nga opsioni që ka në kontratën me Kukësin, lojtari ka mundësi që sezonin e ri futbollistik të bëjë edhe ndonjë zgjedhje tjetër, ku më e mundshmja është ajo e rikthimit te kuqeblutë.
Oferta – “Po, është e vërtetë, jam në bisedime me Vllazninë”, thotë përmes telefonit Edon Hasani duke iu përgjigjur interesit të “Sport Ekspres” në lidhje me lakimin e emrit të tij për t’u rikthyer sërish në skuadrën e tij mëmë. Më tej ai sqaron, se ka pasur një telefonatë nga drejtuesit e Vllaznisë, madje duke cituar me emra drejtorin sportiv Armir Grima dhe teknikun Luan Zmijani, prej të cilëve ka mësuar se ato preferojnë që ai të bëhet pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri futbollistik. Sipas tij, takimi i kërkuar nga drejtuesit kuqeblu nuk u bë i mundur të realizohet më tepër për faktin se ai prej disa ditësh vazhdon të shoqërohet nga një gjendje aspak e mirë shëndetësore, gjë e cila lidhet edhe me ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë. “Nuk ka të bëjë me ndonjë dëmtim fizik, por me një gjendje gripale shumë të rënduar që e pata që përpara ndeshjes me Laçin, e cila nga dëshira për t’u aktivizuar u përkeqësua edhe më shumë”, sqaron Hasani që edhe tani aktualisht është nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e mjekut. Nga ana tjetër ai sqaron se takimi, Vllaznia-Hasani nuk u realizua këtë javë edhe për faktin se një pjesë e drejtuesve të Vllaznisë gjenden me një shërbim pune jashtë vendit. Gjithsesi ai pranon se me fillimin e javës që vjen takimi do të realizohet dhe gjasat janë që mirëkuptimi të arrihet. Në këtë mënyrë, 23-vjeçari Edon Hasani, i cilësuar si një ndër futbollistët më të talentuar të Akademisë Vllaznia, ndër të parët që së bashku me Bekim Balën iu dha dora e besimit të aktivizimit që në moshën 17-vjeçare me ekipin e parë të rikthehet sërish në shtëpi “Si çdo shkodran është vështirë t’i thuash jo Vllaznisë dhe në këtë mënyrë oferta e ardhur në drejtimin tim këtë radhë do të merret seriozisht në konsideratë”, ka mbyllur Hasani deklaratën.
Komentet