Vucaj: Një ditë do të rivesh fanellën e Vllaznisë
Mesfushori i Flamurtarit është në dëshirat e drejtuesve shkodranë, por ka kontratë me vlonjatët. “Më ka telefonuar trajneri Zmijani dhe do ta takoj gjatë këtyre ditëve”.
Erjon Vucaj është dëshira e madhe e Vllaznisë në këtë merkato vere. Edhe pse janë në dijeni që skuadra e Flamurtarit ka nën kontratë mesfushorin, drejtuesit shkodranët e kanë emrin e lojtarit në krye të listës së merkatos. Një gjë të tillë e ka deklaruar kohë më parë për “Sport Ekspres” administratori i klubit Neritan Kalamishi, ndërkohë që edhe tani ndan të njëjtin mendim, kur pohon për “Sport Ekspres”, se Vllaznia do të bëjë gjithçka për kthyer në “shtëpi” mesfushorin Vucaj. Sipas Kalamishit, ata janë të vetëdijshëm që marrja e afrimi i Vucajt te Vllaznia ka një kosto jo të vogël financiare, por një gjë të tillë nisur nga pesha dhe kontributi që pritet të japë ai për skuadrën kuqeblu, po shihet me përparësi nga ana e Bordit Mbikëqyrës për të siguruar shumat e nevojshme në këmbim të rikthimit të tij me uniformën e skuadrës së qytetit të tij. Jo vetëm për Vucajn, por edhe për disa emra të tjerë, brenda dhe jashtë vendit të programuar në këtë merkato, klubi Vllaznia pritet të mbështetet edhe nga ndonjë sponsor të cilët për sezonin e ri futbollistik kanë deklaruar se do të jenë pranë skuadrës.
Deklarata – “Unë e kam thënë edhe herë të tjera sa herë që është lakuar emri im për t’u bërë pjesë e Vllaznisë, që dëshira e ime asnjëherë nuk ka munguar që ta vesh sërish këtë fanellë”, shprehet Vucaj nga plazhi i Velipojës ku po kryen disa ditë pushimi nën shoqërinë e një rrethi të afërt shokësh, mes të cilëve edhe sportistë. Sipas tij, nëse deri më tani nuk është arritur një gjë e tillë, pengesë janë bërë skuadrat e tjera që kanë këmbëngulur më tepër për të pasur shërbimin e tij, ku në këtë rast vlen të përmendet sidomos presidenti i Laçit Pashk Laska, i cili e ka pasur Vucajn një ndër lojtarët e preferuar. Edhe për rastin konkret Vucaj thotë se interesimi i Vllaznisë vazhdon të jetë prezent dhe për këtë krahas deklaratave mediatike të administratorit të klubit kuqeblu Neritan Kalamishi, ai bën të ditur se ka pasur edhe një telefonatë me trajnerin aktual të Vllaznisë Luan Zmijani. Vucaj thotë se kjo telefonatë e Zmijanit ka qenë rreth një muaj më parë, por duke qenë se atëherë të dy palët ishin të angazhuar me javët e fundit të kampionatit, biseda u la të zhvillohej në momentin më të përshtatshëm pas mbylljes së sezonit. “Në këto kushte, duke qenë se për disa ditë do të jem këtu në Velipojë shpresojmë të gjejmë kohën dhe momentin e duhur që takimi dy palësh mes nesh të realizohet”, thotë Vucaj duke mos nguruar të vlerësojë interesimin e teknikut Zmijani. Nga mënyra se si shprehet, duket qartë se Vucajt nuk i mungon dëshira për një rikthim në Shkodër, aq më tepër që një gjë të tillë ia kërkojnë prej kohësh edhe vete tifozët, pa lënë mënjanë edhe familjen. Megjithatë, Vucaj sërish nxjerrë në skenë kontratën që e ka të lidhur edhe për një vit me Flamurtarin, gjë për të cilën duhet të merren vesh të dy klubet përkatëse. Gjithsesi, për Vucajn, problemi në fjalë ka kohë për t’u zgjidhur, pasi stërvitjet me Flamurtarin i nis në ditët e para të korrikut, periudhë kjo e favorshme edhe për Vllazninë, që njihet edhe me rezultatet e zgjedhjeve vendore.
Komentet