Terapia finale në Athinë

19 mars 2014 ka qenë data kur në orët e mbrëmjes futbollisti shkodran Arlind Kalaja ka dalë nga salla e operacionit, ndërkohë që gjithnjë sipas stafit mjekësor që bëri ndërhyrjen e duhur në pjesën e gjurit, për t’ia bashkuar skuadrës Arlindit do t’i duheshin rreth pesë muaj rikuperim, gjë e cila ka ndodhur më herët. Duhet thënë se seancat e terapisë kanë qenë mjaft intensive. Fillimisht me ushtrime noti në pishinë, pastaj me ushtrime komplekse aerobie në palestër dhe më pas edhe me ecje sportive, gjendja e sulmuesit ka ardhur në përmirësim e sipër. Athina, është etapa e fundit në programin rikuperues për Kalanë. Siç e bën të ditur vetë futbollisti në një prononcim për “Sport Ekspres”, ai do të niset sot drejt Greqisë ku sipas një marrëveshje me një staf profesional mjekësor sportiv, do t’i nënshtrohet një programi special themelor rikuperues që pritet të jetë edhe vendimtari në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Kalasë.

 

Bashkimi me skuadrën

në mesin e qershorit

Duke u bazuar te deklarata Kalasë, bashkimi i tij me skuadrone Vlaznisë pritet të jetë në mesin e qershorit. Kështu ai bën të ditur se për udhëtimin drejt Greqisë ka vënë në dijeni stafin teknik, të cilit gjithmonë duke parashikuar që periudha dy javore e përgatitjes rikuperuese speciale në Greqi do të shkojë mirë, ai e ka programuar rikthimin në Shkodër në mesin e muajit qershor, periudhë kjo që nga vetë drejtuesit e Vllaznisë është planifikuar si fillimi i seancave stërvitore për sezonin e ardhshëm. “Edhe pse pas operimit të 19 marsit, mjekët më deklaruan se do të më duhet rreth pesë muaj periudhë rikuperuese për t’u rikthyer. Por kanë qenë mjekët të cilët duke më testuar ecurinë pozitive progresive rikuperuese gjatë kësaj periudhe me kanë inkurajuar një rikthim të mundshëm më shpejt”, thotë Kalaja, i cili shpreson se me bashkimin e tij me skuadrën rreth mesit të qershorit në bashkëpunim edhe me stafin mjekësor kuqeblu do të testojë parametrat e tij nëse është i gatshëm t’i bashkohet grupit në stërvitjen e plotë apo jo. Gjithsesi, në mbyllje Kalaja shton se pavarësisht afatit kohor, dy javë para apo më pas, e sigurt është se rikthimi i tij në ekip është i pashmangshëm, duke qenë një alternativë e fortë për trajnerin Zmijani.

Sport Ekspres

Komentet