Ekipi i 17 vjeçarëve i Akademisë Vllaznisë ka siguruar sot edhe matematikisht titullin kampion të këtij edicioni. Titull ky që është i katërti rradhazi për të. Ka mjaftuar fitorja e sotme 2-1 ndaj Tiranës që ky ekip të shpallej kampion dy javë përpara fundit të kampionatit. Ndeshja është zhvilluar në fushën sportive "Reshit Rusi" dhe është ndjekur me shumë interes nga një masë e madhe tifozësh. Golin e parë të ndeshjes e ka shënuar Çinari pas ekzekutimit të një goditje dënimi. Me këtë gol është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes. Në të dytën ka shënuar edhe sulmuesi Kalaja ndërkohë që në fund të ndeshjes miqtë nga Tirana kanë ngushtuar rezultatin por vetëm kaq sepse ndeshja do fitohej nga Vllaznia. Me këtë fitore, ky ekip është ngjitur në kuotën e 73 pikëve duke qenë plot 10 pikë larg Tiranës së vendit të dytë.
Për t'u përmendur janë edhe disa statistika të tjera të këtij ekipi që në 28 javë kampionat ka arritur 23 fitore, 4 barazime dhe vetëm 1 humbje, me golaverazhin e shkëlqyer 77 gola të shënuar dhe vetëm 15 të pësuar. Interesant është fakti se ky ekip nuk e njeh shijen e humbjes që prej 23 ndeshjesh. Një meritë e padiskutueshme e të gjithë futbollistëve dhe në veçanti e dyshes së trajnerëve Entri Çaku dhe Nefail Zhejani. Për këtë dyshe trajnerësh ky është titulli i dytë rradhazi me këtë ekip ndërkohë që në sezonin 2009-10 kampionë kanë dalë trajnerët Elvis Plori dhe Samuel Nikaj ndërsa në sezonin 2008-09 trajnerët Kujtim Shaba dhe Elvis Plori.

Shkodra Sport