Skuadra e Vllaznisë është duke menduar seriozisht që për sezonin e ardhshëm futbollistik të jetë një pretendente serioze në të dy kahët, Kupë e kampionat. Në kampin shkodran kanë filluar të qarkullojnë shumë zëra në lidhje me lojtarët që janë kontaktuar nga drejtuesit për të qenë sërish pjesë e skuadrës. Natyrisht që është herët për të biseduar për gjëra konkrete por hallkat e para të tratativave kanë nisur të marrin jetë. Ndriçim Shtubina, Blazho Rajoviç, Gerhard Progni dhe Arenc Dibra janë lojtarët e tjerë që qarkullojnë si alternativa për të qenë pjesë e kuqebluve. Duke u ndalur tek secili lojtar, Shtubina është ndër emrat kryesor. Kjo për shkak se ai e ka shprehur vetë që ka një dëshirë për të luajtur sërish me Vllazninë. Madje mësohet se lojtari ka patur një bisedë me drejtuesit e kuqebluve për një veprim të tillë. Të shumta janë mundësitë që Shtubina të rikthehet në Shkodër pasi lojtari ka ftohur ndjeshëm dhe raportin me trajnerin e tij tek Flamurtari, Shkëlqim Muça. Përveç kësaj arsye, Shtubinës mund t’i plotësohen dhe kërkesat financiare për të ardhur nga Vlora, kërkesa që ai sipas të gjitha gjasave i ka bërë të ditur dhe drejtuesve shkodranë. Më shumë i dëshiruar pas Shtubinës, mbetet qendërmbrojtësi Blazho Rajoviç. Ai ka luajtur dy sezone me kuqeblutë dhe sigurisht ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në skuadër. Në një bisedë të shkurtër, Rajoviç nuk e mohon se ka sërish dëshirë për të luajtur meVllazninë. Aq më tepër që në Shkodër ka kaluar një periudhë të mirë të karrierës së tij. Kërkesat e tij kryesore janë ato financiare. Por duhet parë dhe mënyra se si do të bien dakort me presidencën e Flamurtarit e cila nuk e lëshon shumë lehtë Rajoviçin.

Dy alternativa të tjera jo të pa rëndësishme është Progni dhe shkodrani Dibra. Progni luan aktualisht me skuadrën vlonjate, por nga kampi shkodran mësohet se ai ka patur një bisedë me Vllazninë. Ditën e ndeshjes ndërmjet Vllaznisë dhe Flamurtarit ka qenë i pranishëm dhe babai i Prognit. Në lidhje me këtë futbollist, drejtuesit shkodranë nuk kanë dhënë shumë detaje duke u mjaftuar me faktin se puna ka filluar për sezonin e ri futbollistik. Përveç mesfushorëve dhe mbrojtësve, Vllaznia është duke menduar për të afruar dhe sulmues të mirë në skuadër. Pas Prognit, në planet e kuqebluve është dhe shkodrani Arenc Dibra. Ky i fundit ka qenë në kontakte me kuqeblutë që në merkaton e janarit por nuk u arrit një marrëveshje me të për shkak së skuadra e Besëlidhjes me të cilën luan aktualisht nuk e lejoi kalimin e tij.

Sport Ekspres

Komentet