Vllaznia është duke u përgatitur që të realizojë një blerje shumë cilësore. Bëhet fjalë për mesfushorin malazez me tipare sulmuese, Nenad Brnoviç, një futbollist që ka luajtur më parë edhe për përfaqësuesen e ish-Jugosllavisë (6 ndeshje), si dhe për atë Serbi & Mal i Zi (9 ndeshje, të fundit kundër përfaqësueses italiane). Drejtuesit shkodranë kanë biseduar me lojtarin në fjalë dhe i kanë propozuar atij një kontratë deri në fund të këtij sezoni, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Vllaznia i ka bërë ofertën konkrete lojtarit dhe brenda këtyre ditëve pritet që ai t’i bashkohet skuadrës, në “shtëpinë e tij”, në Mal të Zi në fazën përgatitore dhe të firmosë.
Brnoviç, 31 vjeç më 18 janar, luan si mesfushor i përparuar. Është 1. 77 cm i gjatë dhe ka një karrierë të pasur futbollistike. Këtë sezon ai ka luajtur në kampionatin iranian për vetëm fazën e parë me skuadrën e Mes Sarcheshmeh. Në karrierën e tij bie në sy aktivizimi në skuadra si Zeta, Partizani në Kroaci dhe Buduçnost në kampionatin malazez. Ai ka arritur që në karrierën e tij futbollistike si mesfushor të shënojë 27 gola në afro 300 ndeshje zyrtare. Shifrat do të kishin qenë edhe më të larta, porf karriera e tij ka patur një ndërprerje të gjatë – mars 2006 deri korrik 2008 – si pasojë e një thyerje të këmbës së djathtë.
Sipas drejtuesve të skuadrës shkodrane, arritja e marrëveshjes me një futbollist të tillë do të ishte një avantazh i madh për skuadrën dhe një përforcim cilësor në repartin e mesfushës.
Sport Ekspres
Komentet