Qendërmbrojtësi brazilian mund të firmosë që sot, ndërsa priten 3 brazilianë të tjerë, që do të testohen në fazën përgatitore në Ulqin

Mbrojtësi brazilian Denis Viana Da Silva mund të konsiderohet zyrtarisht blerja e parë e Vllaznisë në këtë merkato janari. Ai është një nga lojtarët e preferuar nga ana e trajnerit Vata dhe për rrjedhojë drejtuesit e klubit e kanë bërë realitet blerjen e tij. Në fakt, nuk ka qenë e lehtë marrja e tij, sepse më parë është dashur të arrihet akordi me presidentin e Bylisit, Besnik Kapllanaj, që zotëron kartonin e këtij futbollisti.

Kjo gjë tashmë duket se është arritur dhe mbrojtësi brazilian mbërrin sot në Shkodër. Drejtuesit e klubit shkodran kanë mbyllur çdo gjë sa i takon kontratës së tij dhe po ashtu merret vesh se i kanë prerë edhe biletën e avionit. 25-vjeçari në këtë mënyrë mund të quhet plotësisht futbollist i Vllaznisë, sepse do udhëtojë me të drejt Ulqinit për fazën përgatitore bashkë me ekipin. Për të tjerët ende nuk ka një objektiv të qartë se çfarë do bëhet. Dimo kthen përgjigje ditën e shtunë nëse do vijë apo jo.

E po ashtu edhe tre futbollistët e Tiranës, Bala, Lika e Dushku janë para faktit se çfarë do bëjnë, do qëndrojë te bardheblutë apo do kërkojnë një skuadër tjetër. Megjithatë, Denis Viana Da Silva nga dita e sotme mund të quhet zyrtarisht pjesë e Vllaznisë, sepse nga Bylisi tashmë nuk ka më asnjë pengesë.

Drejtuesit e saj kanë rënë dakord me presidentin Kapllanaj dhe lojtari pritet të firmosë për 2.5 vjet me skuadrën shkodrane. Nëse gjatë kësaj periudhe ai do shitet në një skuadër tjetër, atëherë klubi Vllaznia do të përfitojë 50 për qind të vlerës së kartonit dhe po kaq edhe Bylisi. Ky është akordi i arritur mes palëve dhe ata duken të kënaqura. Da Silva është kërkuar me ngulm nga ana e trajnerit Vata, që e konsideron qendërmbrojtësin më të mirë të kampionatit shqiptar.

Përballë një bindjeje të tillë, të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një lojtar shumë të rëndësishëm për të ardhmen e kuqebluve dhe për këtë arsye, ata mendojnë të firmosin për 2 vjet e gjysëm me të. Çdo gjë duket gati vetëm për firmë dhe ajo ndoshta do hidhet që sot, në mënyrë që lojtari të jetë i qetë përpara nisjes së stërvitjes me skuadrën e tij të re. Por përveç Da Silvës, po sot mbërrijnë në Shkodër edhe tre futbollistë të tjerë brazilianë.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se ata kanë një moshë 20-24 vjeç dhe luajnë nga një në secilin repart të fushës. Dje të tre këta futbollistë kanë mbërritur në Turqi dhe sot në mesditë do jenë në Rinas për të marrë menjëherë pastaj rrugën për në Shkodër.

Këta futbollistë do jenë në provë për disa ditë me kuqeblutë, megjithëse menaxherët që i kanë sjellë janë të mendimit se niveli i tyre është i lartë dhe prova do kalojë me sukses dhe ata do mbeten te Vllaznia. E rëndësishme është që brazilianët kthehen në Shkodër. Da Silva një herë është e sigurt që do qëndrojë. Për të tjerët mbetet për t’u parë.

 

Sporti Shqiptar

Komentet