Duket e çuditshme, por në situatën e vështirë në të cilën është zhytur Vllaznia, ka ende nga ata njerëz që mbeten optimistë. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, portieri Miroslav Vujadinoviç u shpreh i sigurt për fitoren, “një fillim i mirë nga dalja e situatës së vështirë”, siç përkufozn ai. Ndonëse me krizën e sulmuesve që ka përfshirë skuadrën pas bojkotit të Sukajt dhe vështirësitë e skuadrës në shënimin e golit, rikthimi i malazezit mes shtyllave përbën një lajm veçanërisht të mirëpritur për Vatën. “Duhet të marrim maksimumin e pikëve të mbetura dhe kur të vijë janari, të bëjmë llogaritë”. Mbase nga porta e ka të vështirë të shohi ndryshimin, por për Vujadinoviç, “Vllaznia mbetet e njëjta me apo pa Sukajn”.
- Vujadinoviç, prej shumë javë keni patur probleme fizike. A jeni i gatshëm për të luajtur ndaj Tomorit?
- Jam shumë i gatshëm. Kam patur një gjendje fizike jo të mirë dhe pas ndeshjes me Bylisin nuk kam qenë në formë. Por, tani jam duke arritur nivelin tim më të mire, i cili ndryshe nga sa mund të mendoni, është shumë i rëndësishëm për një portier.
- Ndeshja e radhës me Tomorin, një skuadër që luan për objektiva të tjera nga tuaja. Si e shikoni sfidën?
- Çdo ndeshje ne duhet të hyjmë me qëllim që të marrim tri pikë. Pra, edhe me Tomorin ne do të synojmë të arrijmë fitoren. Pavarësisht se Tomori ka arritur një rezultat pozitiv në transfertë me Flamurtarin dhe janë në luftë për të mbijetuar ne do të kërkojmë të marrim ma të mirën.
- Në krahasim me vitin e kaluar, paraqitjet e deritanishme të Vllaznisë janë shumë më të dobëta. Pjesërisht edhe për faj të pasigurisë në mbrojtje?
- Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në rezultatet tona të dobëta. Ne portierët jemi gjithmonë në qendër të vëmendjes, por përshembull, kemi qenë 20 ditë pa trajner portierësh. Janë shumë arsye për një paraqitje të tillë jo të mirë. Gjithsesi, shpresoj që gjërat të përmirësohen dhe ne të kemi një ecuri më positive duke nisur nga janari
- Sa është e aftë Vllaznia, sipas mendimit tuaj, që të realizojë pretendimet e këtij sezoni?
- Unë jam mësuar që të luaj për një ekip që është pretendent për titull kampion dhe të marrë pjesë në Europë. Ndaj dhe Vllaznia është një ekip që ka gjithmonë këto pretendime, edhe pse për momentin mund të dukemi të shkëputur në renditje. Vetëm kështu mund të motivohemi më shumë të gjithë. Megjithatë, është e qartë që objektivat do të varen nga tre ndeshjet e ardhshme.
- Sipas jush, çfarë ndryshimesh ka sjellë Vata në skuadër?
- Unë jam një lojtar profesionst dhe duhet të bëj punën time, pavarësisht atij që drejton skuadrën. Janë drejtuesit e skuadrës dhe ka njerëz të tjerë që merren me këto vlerësime. Megjithatë, mendoj se ndryshimi i trajnerit ka sjellë një impakt pozitiv në skuadër.
- Një Vllazni pa Sukajn dhe me të rinj. Si ju duket kjo skuadër?
- Vllaznia është një ekip që përmban një numër të madh lojtarësh të rinj. Në ndeshjen ndaj Skënderbeut, në formacion ka patur vetëm katër lojtarë që kanë luajtur ndeshje në kupat e Europës. Ndaj nuk mund të presim rezultate të menjëhershme dhe shumë të mira. Duhet kohë që këto talente të zbulohen. Por, mund të them se Vllaznia qoftë me Sukaj apo pa Sukaj, ajo gjithmonë mbetet e njëjtë.
Sport Ekspres
Komentet