Kapiteni i kuqebluve, pavarësisht renditjes aktuale, pohon se ekipi nuk do të dorëzohet kurrsesi, të paktën për një vend në Europë
Në kupë duket më afër, ndoshta ngaqë është tashmë në 8 skuadrat më të mira të saj dhe, për rrjedhojë, mund të ketë njëlloj pretendime me shtatë të tjerat për ta fituar këtë trofe. Amarildo Belisha, kapiteni i Vllaznisë, megjithatë, mendon se skuadra e tij i ka shanset për të pretenduar edhe për kampionat. E ka thënë këtë gjë në konferencën e djeshme për shtyp, kur ka deklaruar:
“Edhe në kampionat nuk mendoj se do të jemi larg. Por e rëndësishme është për ne të kapim ritmin dhe të krijojmë një qëndrueshmëri në rezultate dhe në lojë. Ndoshta në kupë për momentin jemi më mirë dhe e kemi arritur kualifikimin për turin tjetër. Them që në kampionat kemi shumë për të bërë dhe besoj se me këto ndeshje që na kanë mbetë deri në fund të fazës së parë të marrim maksimumin e pikëve dhe të jemi në grupin e pretendentëve deri në janar.”
Përvoja e tij si futbollist e bën të mendojë se gjërat po shkojnë mirë në skuadër edhe pas ndryshimit të trajnerëve. Madje Belisha mendon se me ardhjen në krye të skuadrës të trajnerit Vata, shumë gjëra kanë ndryshuar për më mirë, ngaqë ai po fut gjëra të reja në radhët e saj, por 30 vjeçari nuk hedh poshtë edhe punën e bërë nga trajneri i mëparshëm, Mirel Josa prandaj shton:
“Për mendimin tim, janë dy trajnerë me emër. Josa ka bërë një punë të mirë me ekipin, ndërkohë që Vata mendoj se ka sjellë një energji të ri. Një frymë ndoshta europiane në mënyrën e stërvitjes dhe mendimit për lojën. Nuk duhet të presim shumë nga kjo mënyrë. Mendoj se profesori po fut një entuziazëm në ekip dhe frytet do të vijnë me çdo kusht më vonë.”
Aktivizimi Kapiteni aktual i kuqebluve nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, me Apoloninë dhe Skënderbeun, ngaqë ka qenë i dëmtuar. Periudha e riaftësimit të tij ka shkuar mirë dhe në ndeshjen e së mërkurës për kupë me Dinamon ka luajtur 90 minuta. Kjo ndeshje, sipas trajnerit Vata, ka qenë një test për lojtarët që nuk kanë gjetur hapësirat e duhur dhe për të kapur ritmin e grupit.
Vetë trajneri është shprehur se nuk ka mbetur shumë i kënaqur nga disa prej lojtarëve, por pa dhënë emra. Në bazë të kësaj logjike, ata mund të mos jenë pjesë e formacionit as për ndeshjen e radhës me Tomorin. Por Belisha nuk ndihet i shqetësuar me këtë gjë. Për të e rëndësishme është që ai e ka kaluar dëmtimit dhe është i gatshëm për të luajtur. “Për sa i përket aktivizimit tim, është në dorën e trajnerit.
Unë ka disa ditë që po stërvitem rregullisht me ekipin. E rëndësishme për mua është të jem në 100% e formës sime. Të tjerat i di trajneri Vata,” – është shprehur numri 8 i skuadrës shkodrane. Ajo që ka më shumë rëndësi tashmë është sigurisht kalimi me sukses i ndeshjes së radhës, asaj që do luhet të hënën ndaj Tomorit.
Për Belishën, mundësitë për të marrë pikë në këtë ndeshje ekzistojnë, prandaj shprehet: “Për sa i përket rëndësisë së ndeshjes, është një ndeshje decizive për ne. Shkojmë për të marrë një rezultat pozitiv. Do të bëjmë maksimumin që t’ia arrijmë qëllimit. Mendoj se grupi dhe mundësitë janë, ndaj nuk kemi pse të mos synojmë marrjen e pikëve në këtë ndeshje.”
Komentet