Nenkryetari Ritvan Troshani garanton të gjithë për një ekip të madh, më 26 gusht krijohet shoqëria aksionare

Bashkia Shkodër sërish dje ka garantuar të gjithë pjesëtarët e klubit të futbollit “Vllaznia” se kontratat e tyre do të zbatohen deri më një. Ka qenë nënkryetari i saj Ritvan Troshani, që e ka deklaruar një gjë të tillë në konferencën për shtyp që ka dhënë ditën e djeshme. “Kontratat e futbollistëve dhe stafit drejtues do të zbatohen përpikërisht siç janë të nënshkruara. Ato do të përballohen me fondet disponibël të bashkisë. Nëse ata nuk janë të mjaftueshme, do të kërkojmë rishikim të buxhetit për pjesën e mbetur të vitit.

Po ashtu, kemi besim se do të ketë donacione të ndryshme nga njerëz të biznesit, do të mblidhen lekë nga reklamat, tifozët etj. Të jeni të sigurt se çdo gjë ka për të shkuar në mënyrën e duhur,” - ka thënë ai. Mbetet t’i besojmë këtij përfaqësuesi të bashkisë edhe për atë se, nisur edhe nga shembujt e bashkive të tjera, shpesh ata kanë treguar se kur duan, nuk është e vështirë të gjenden fonde. Megjithatë, një gjë është e qartë: Drejtuesit e Bashkisë Shkodër ende nuk e kanë të qartë se çfarë i pret.

Frika Nënkryetari Troshani dje ka thënë se do rishikohen kontratat dhe, po ashtu, ka deklaruar se të gjitha pagesat tani e tutje do bëhen përmes bankës, çka do të thotë që rrjedhimisht çdo lek që do hidhet, do jetë i tatueshëm. Kjo është në fakt një gjë e mirë, por askush nuk e ka të qartë se si do veprohet nëse një futbollist nuk pranon të qëndrojë nëse do paguhet në këtë mënyrë. Po ashtu, askush nuk e ka të qartë nëse futbollistëve me pretendime duhet t’u jepet leje-kalimi për të shkuar në një skuadër tjetër. Megjithatë e rëndësishme është që në Shkodër ka filluar të bëhet një punë serioze për krijimin e shoqërisë aksionare.

Shoqëria aksionere “Më 26 gusht do të kalojmë në këshillin bashkiak miratimin e kalimit të klubit të futbollit “Vllaznia” në shoqëri aksionare. Nisur edhe nga kërkesa e federatës për të licensuar klubin në formën e duhur deri më 31 gusht, besoj se do të jemi në rregull me këtë hap ligjor për shndërrimin e klubit. Është vendosur që Bashkia Shkodër të jetë aksionarja e vetme për momentin, teksa do të merret parasysh ajo çfarë kërkon ligji për një ofertë private, duke hedhur kapitalin fillestar prej 2 milionë lekësh të rinj, që është vlera minimale për krijimin e një sh.a-je. Kemi bërë gati statutin dhe aktin e themelimit dhe në lojë do të jenë 2000 aksione me vlerë 1 mijë lekë secili. Kjo do të jetë vlera paraprake e krijimit të aksioneres, më pas do mbarojë vlerësimi i aseteve dhe i gjithë bilancit të klubit dhe në fazën e dytë do të bëhet shitja e aksioneve te donatorë të ndryshëm,”- ka thënë numri 2 i bashkisë.

Donatorët Ajo çfarë po insistohet është që në të ardhmen t’u bëhet ftesë rreth 100 donatorëve për të qenë pjesë e aksionares dhe pika më e rëndësishme e statutit është ajo që secili aksionar që arrin të paktën vlerën 5% të aksioneve, të ketë të drejtën të kërkojë auditimin e shoqërisë aksionare në çdo moment. Emërtimi i aksionares është vendosur të jetë “Klubi i futbollit Vllaznia sh.a”, ndërkohë që stadiumi do mbetet pronë e bashkisë dhe nuk do të llogaritet në vlerën e kësaj shoqërie që do të krijohet. Pavarësisht këtyre gjërave, ajo çfarë shihet është një dëshirë e drejtuesve të Bashkisë Shkodër për t’i bërë mirë gjërat.

Komentet