Vllaznia - Kastrioti 3-1
Shënues: Gocaj 28', Vajushi 59', Belisha 66' / Sefa 67'
Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Danaj, Sykaj, Popoviç (17' Karakaçi), Gocaj, Belisha, Hasani, Bardulla, Sukaj, Vajushi Tr. M. Josa
Kastrioti: Halili, Caca, Hoxha, Mallota, Xhafa, Muçollari, Alikaj, Sefa, Xhihani, Turdiu, Plaku. Tr. R. Ndreu
Gjyqtarë: A. Kastrati, N.Sterkaj, F.Thorja
Vllaznia arrin të fitojë 3-1 ndaj Kastriotit të Krujës në ndeshjen e tretë miqësore pas Kupave të Europës. Në pjesën e pare, tekniku Josa ka aktivizuar formacionin më të mirë të mundshëm. Vllaznia është shfaqur e përqendruar në maksimum për shkak se Josa ka kërkuar të njohë defektet dhe problemet që duhen riparuar para fillimit të sezonit të ri. Në 28' Gocaj do të mendojë për zhbllokimin e rezultatit, ndërsa skuadra mike nuk është parë fare në fushën e lojës gjatë fraksionit të parë të saj. Për kuqeblutë, Sukaj e Bardulla kanë patur raste për të dyfishuar rezultatin. Kjo pjesë loje rezultoi fatale për mbrojtësin e majtë të Vllaznisë, Popoviç, i cili u detyrua të linte fushën e lojës pas një dëmtimi në kokë.
Në pjesën e dytë, trajneri Josa aktivizon gjithë lojtarët e tjerë që ka patur në stol. Por pavarësisht kësaj, nuk kanë munguar dhe dy gola të tjerë me anë të Vajushit dhe Belishës, që trefishuan rezultatin. Për miqtë, Sefa do të shkurtonte në rezultatin përfundimtar 3-1. Për Vllazninë ndihet nevoja e përforcimit në krahun e majtë të mesfushës dhe një sulmues, por nuk përjashtohet mundësia e afrimit të një qendërmbrojtësi tjetër.
Josën e kënaq loja e kuqebluve
Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në ndeshjen miqësore ndaj Kastriotit, duke treguar një rritje të cilësisë së lojës në karahasim me dy ndeshjet e para të zhvilluara ndaj Mamurrasit dhe Besëlidhjes. "Skuadra reagoi mirë dhe kjo më kënaq. Nuk ka rëndësi rezultati, por mënyra e lojës dhe se si lojtarët zbatuan detyrat e dhëna. Kjo na bën që ne të jemi optimistë, pasi kemi treguar gjëra të mira dhe po krijojmë një formacion stabël" ka thënë ai.