Dita e djeshme ka qenë shumë e zhurmshme. Takime mes takimesh e në fund lajmi që në fakt pritej. Valter Fushaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Vllaznisë. Nuk ka mundur të durojë më. I lodhur nga heshtja e bashkisë, nga mungesa e donatorëve të tjerë, ai ka vendosur të largohet. Takimi i djeshëm me kryebashkiakun ka qenë frytdhënës, megjithatë ish-presidenti tashmë është konsultuar me familjarët e tij dhe në fund ka marrë vendimin e dhimbshëm, atë të dorëheqjes. E ka bërë këtë edhe publike në konferencën për shtyp që ka organizuar me njerëzit e medias në orën 15:30 të ditës së djeshme në sallën e konferencave për shtyp të hotel “Colosseo”.
- Zoti Fushaj, keni thënë se sot (dje) do të vendosni për fatin tuaj. Cili është ai?
- Po, prandaj dhe ju kam mbledhur sot. Kjo është konferenca më e vështirë që kam organizuar këto 8 vitet e fundit që jam pranë Vllaznisë dhe pikërisht për të marrë një vendim të dhimbshëm për mua personalisht. Nga sot, jap dorëheqjen nga posti i presidentit të klubit të futbollit “Vllaznia”. Gjatë ditës së sotme kam pasur një tjetër takim me kryetarin e bashkisë, takim që ishte i katërti me të, ka qenë takimi më me bonsens që kemi zhvilluar, por kjo nuk mjafton për të zgjidhur situatën e krijuar. Një situatë që ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve dhe donte edhe më shumë përgjegjësi nga të gjithë palët. Këtë gjë nuk e pashë dhe prandaj po largohem.
- Thatë që takimi ka qenë i frytshëm, atëherë përse po largoheni?
- Takimi ka pasur disa gjëra të mira, por nga ana tjetër duhet ta dini se kontributi që Bashkia Shkodër ka dhënë për klubin e futbollit “Vllaznia” ka qenë jashtëzakonisht minimal. Më i dobëti në 20 vite demokraci. Kjo është e papranueshme, por ajo çfarë më bëri më tepër të largohem është deklarimi në media i drejtuesve të bashkisë se në momentin e krijimit të shoqërisë aksionare të gjithë njerëzit do të jenë të barabartë. Kurrsesi s’mund të jemi të tillë, as unë dhe aq ata që kanë sponsorizuar para meje. Prandaj dhe gjithnjë do të kërkoj që kontributet e mia në vite të njihen. Unë i njoh ligjet dhe i zbatoj, ashtu siç i zbaton kryetari i bashkisë, por kurrsesi aksionarët nuk mund të jenë të barabartë në këtë rast. As nuk kam kërkuar 51 % të aksioneve, siç mund të jetë thënë. Thjesht kam kërkuar të më njihet kontributi im.
- Ekziston ndonjë shans për t’u rikthyer?
- Po e jap dorëheqjen në mënyrë të vetëdijshme dhe kjo do të thotë se nuk kam dëshirë të vazhdoj më të jem në këtë post. Por nga ana tjetër, kurrsesi nuk mund të pranoj ta lë Vllazninë në rrugë të madhe. Më është thënë se ka njerëz që janë të gatshëm të marrin përsipër sponsorimin e skuadrës. Ja ku e kanë, ta marrin. Unë prandaj nuk desha të bëhesha pengesë për askënd, po largohem. Ndoshta e bëjnë më mirë këtë punë, por të jenë të qartë se të njëjtat pengesa kanë për të pasur. Nëse nuk ka njerëz tjerë që duan të sponsorizojnë, mjafton për drejtuesit e bashkisë të më bëjnë një telefonatë dhe unë kthehem për ta mbajtur si donator deri në janar kur të krijohet shoqëria aksionare. Nuk mund ta braktis kollaj, sepse sidomos këto pesë vitet e fundit, kam kontribuar për Vllazninë si të ishte një pronë e imja dhe nuk mund të heq dorë kollaj prej saj.
- Çfarë do të bëhet me kontratat e futbollistëve?
- Asnjë prej futbollistëve nuk ka pasur kontratë me mua, por me klubin. Si të tilla, ndonëse unë largohem, ato kontrata mbesin në fuqi dhe prandaj u bëj thirrje lojtarëve, por edhe stafit drejtues të vazhdojnë punën dhe të jenë të qetë sa u takon kontratave që kanë të nënshkruara, sepse drejtuesit e ardhshëm do t’i zbatojnë një më një.
- Pas 8 vitesh te Vllaznia, tani që largoheni, për çfarë ju vjen keq?
- Më vjen keq që nuk fitova titullin kampion para dy sezonesh, sepse ishim shumë pranë tij, por u luftuam nga shumë drejtime dhe madje edhe nga njerëz me pushtet. Më vjen keq që nuk arritëm të kualifikoheshim sivjet në turin e tretë të Kupave të Europës ndaj Thunit për të hyrë në histori. Këto janë gjërat që do të më mbesin peng për periudhën që kam drejtuar Vllazninë.
- Një mesazh për tifozët e Vllazninë në këtë largim tuajin?
- Dua t’u them se janë njerëzit më të përkryer që ka Vllaznia, janë njerëzit më të mrekullueshëm të saj dhe një pasuri e madhe. Në këto 8 vite që unë jam pranë kësaj skuadre, vetëm në një moment kemi pasur diçka të vogël me ta, kur në një ndeshje kanë thirrur “presidenti ik”, ndërsa për periudhën tjetër kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Unë u bëj thirrje edhe njerëzve që do të vijnë në krye të klubit të mos i lënë asnjëherë pas dore këta tifozë.
- Po Akademia?
- Kemi punuar shumë për të arritur aty ku ajo është sot dhe për rrjedhojë ka notën 10 në gjithçka. Është bërë një punë kolosale dhe, ndonëse e mira nuk ka fund, besoj se duhet të na falenderojnë të gjithë ata të rinj, prindërit e tyre për mundësinë që u kemi dhënë për të veshur fanellën e Vllaznisë. Prandaj drejtuesit e rinj kurrsesi nuk duhet ta lënë pas dore kujdesjen për brezin e ri. Për të mos harruar edhe punën që kam bërë për transformimin e skuadrës, teksa janë larguar lojtarë me shumë kontribut në vite për Vllazninë, për t’u hapur rrugë të rinjve dhe kjo nuk ka qenë e lehtë.
- Nëse jua kërkojnë rikthimin, mund ta bëni një hap prapa?
- Për Valterin nuk ka rikthim. Më vjen mirë që Vllazninë nuk e lashë në rrugë të madhe, siç e kam marrë unë para 5 vitesh, kur e gjeta atë vetëm me 4 futbollistë, pa kushte stërvitore dhe me shumë gjëra të tjera jo në vendin e duhur. Tashmë çdo gjë funksionon dhe me pak investim edhe skuadra është gati për kampionat.
- Mendoni se do vijë kush për ta marrë këtë skuadër?
- Njerëz të biznesit ka sa të duash në Shkodër dhe nëse ata kanë shprehur dëshirën për ta marrë, ja ku e kanë. Valter Fushaj nuk është më. Por shpresoj që ata të cilët do vijnë, të jenë njerëz që e duan Vllazninë, ngjyrat kuqeblu të saj.
Sporti Shqiptar
Komentet