I ardhur për të shpëtuar Vllazninë në momentet më të vështira të saj, pas javës së pestë të sezonit futbollistik 2009-2010, Roland Luçi nuk e ka patur të gjatë qëndrimin e tij tek pankina shkodrane. Pas 12 javësh kampionat, Luçi do të mësonte rreth orës 22:30 të së mërkurës, se është shkarkuar nga drejtimi i pankinës shkodrane, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të realizuar nga bordi drejtues i Vllaznisë, me kërkesë të presidentit Valter Fushaj, menjëherë pas ndeshjes me Flamurtarin. Një gjest i tillë nuk është pritur mirë nga Luçi, i cili nuk e ka konsideruar të drejtë që të njoftohej për largimin e tij me anë të mediave, ndërkohë që në rrugë zyrtare nuk kishte asgjë konkrete. Gjithsesi, ish-futbollisti i Vllaznisë i viteve ’80, tashmë ish-trajneri i skuadës shkodrane, e ka pritur i qetë vendimin, duke theksuar faktin se gjithçka ka qenë e planifikuar më përpara.
- Profesor, keni ardhur si shpëtimtar tek Vllaznia, por jeni larguar si një dështim nga drejtimi i Vllaznisë. Cili është mendimi juaj?
- Jo, nuk mund të them se kam ardhur si shpëtimtar, apo jam larguar si i dështuar. Përkundrazi, unë jam munduar ta bëj punën time sa më mirë dhe mendoj, se me forcat që kemi pasur kam ndryshuar diçka tek ekipi i Vllaznisë.
- Vendimi për largimin tuaj është marrë mbrëmjen e së mërkurës në orët e vona të natës. Si e keni pritur ju këtë vendim të bordit drejtues të Vllaznisë?
- Nuk ishte ndonjë veprim i papritur, që të më surprizonte mua. Të them të drejtën, unë kam qenë i përgatitur për çdo veprim.
- Pra ju e keni pritur këtë vendim. Atëherë, çfarë mendimi keni ju për bordin drejtues që mori këtë vendim?
- Presidenti është ai që ka marrë vendimin, që unë të vij në Shkodër. Presidenti është ai që ka marrë vendimin që unë të largohem nga Vllaznia. Është e drejtë e presidentit të klubit Vllaznia të marrë vendimin. Në fakt ka kohë që flitet dhe unë jam në dijeni të atyre që është biseduar për një largimin timin. Kështu që nuk ka pse të ketë ndonjë gjë të veçantë, në këtë vendim që ka marrë klubi. Vendimi si duket ka qenë i vendosur me kohë. Ditën e mërkurën, vetëm sa ka marrë formën zyrtare.
- Përflitet që është vepruar pas krahëve tuaj, për lagimin nga pankina shkodrane. Sa është e vërtetë kjo?
- Pas krahëve? Varet si e merr këtë. Pas krahëve është marrë një vendim që unë e kam marrë vesh nëpërmjet mediave. Mund të ishte vepruar në një formë më të rregullt. Kurse përsa i përket atyre pëshpëritjeve që kanë qarkulluar vazhdimisht në Shkodër, nëse ato janë të vërteta, atëhëre del që më të vërtetë është punuar pas krahëve.
- Tashmë që ju jeni një ish-trajner i Vllaznisë. Ç’farë nuk shkonte me Vllazninë, pas gjithë këtyre javëve që e keni drejtuar?
- Bordi drejtues, me këtë vendim që ka marrë tregon se nuk e njeh ekipin që ka në dispozicion. Kanë qenë të pakënaqur me trajnerin aktual. Kanë qenë të pakënaqur me paraardhësin tim Lika, por si duket mendojnë që më këtë grup lojtarësh që ka Vllaznia, ka mundësi shumë më tepër dhe faji është i trajnerëve. Trajneri tjetër pasardhës, nëqoftëse nuk e ndryshon grupin aktual të lojtarëve, të pakën disa pika, atëherë do të shohin, nëse me të vërtetë unë edhe Lika jemi fajtorë në këto rezultate që ka marrë skuadra.
- Ju mendoni që lojtarët nuk kanë qenë të aftë për të luajtur me uniformën e Vllaznisë?
- E theksova, jo të gjithë. Meqë po më jepet rasti, unë dua t’i falenderoj të gjithë për kohën që kemi punuar së bashku, pasi jemi munduar të bëjmë më të mirën.
- Menjëherë pas largimit tuaj është përfolur, se trajner i Vllaznisë mund të jetë Edi Martini. Mund të mendojmë, se ka patur disa lëvizje nga një mik i juaji?
- Unë nuk e di a është Edi Martini. Nëqoftëse do të jetë më të vërtetë ai, unë do të kisha dëshirë që ta dëgjoja propozimin nga bordi drejtues.
- Pak ditë përpara shkarkimit tuaj, presidenti Fushaj ka kërkuar ndihëm e Martinit si specialist, për të vëzhguar disa lojtarë për merkaton e Vllaznisë. Mendoni që ky ishte një sinjal për largimin tuaj?
- Unë mund ta komentoj këtë “lloj mekratoje” që ka ndërmend të bëjë presidenti i Vllaznisë, si qytetar i thjeshtë, që jep shkak për thashetheme dhe kjo ndoshta është edhe një nga shkaqet që kanë qarkulluar thashetheme të ndryshme në Shkodër.
- A ju ka mbetur ndonjë peng, që nuk e keni realizuar dot në drejtimin e Vllaznisë?
- Jo nuk më ka mbetur. Mendoj se misionin tim e kam kryer më së miri me mundësitë që kemi patur. Gjithsesi dua të sqaroj të gjithë, që unë në Shkodër nuk kam ardhur për para, por për të bërë diçka të mirë për ekipin tim të zemrës.
- Mendoni se do të riktheheni përsëri si trajner i Vllaznisë, apo ndonjë skuadre tjetër në Shqipëri?
- Jo, si trajner nuk rikthehem më në Shqipëri. Por nuk është se do të shkëputem nga futbolli, ashtu siç nuk e kam bërë për shumë vite të tjera.