Një ditë pas publikimit të çështjes së problemit të kontratës së mesfushorit me klubin kuqeblu në “Sport Ekspres”, lojtari është larguar drejt Maqedonisë, ndërsa pranon se është ndjerë i rrezikuar. Asnjë reagim nga drejtuesit shkodranë, të cilët heshtin
Jasir Selmani largohet nga Vllaznia. Ende pa nisur aventurën e tij me shkodranët, mesfushori që u afrua në këtë merkato vere ka lënë dy ditë më parë qytetin e Shkodrës, në kushte që ai i cilëson si të rrezikshme për sigurinë e tij fizike. “Ditën e shtunë u prezantova në stërvitje. Edhe pse unë isha i padëshiruar nga stafi teknik dhe drejtuesit e klubit u paraqita në përgatitjet para ndeshjes ndaj Teutës, duke respektuar kontratën, e cila sigurisht që ishte fiktive”, deklaron fillimisht Jasir Selmani.
Pas publikimit të çështjes së tij me klubin e Vllaznisë në “Sport Ekspres”, ku shqiptari nga Maqedonia pohonte se ishte mashtruar nga drejtuesit e Vllaznisë me një kontratë që nuk ishte regjistruar sipas rregullave të federimit në FSHF, 24-vjeçari pranon se tashmë ka plotësuar kërkesën e klubit për të mos qenë pjesë e kuqebluve. “Edhe pse nuk arrita ta merrja dokumentin që kërkoja nga ana e klubit, të cilët dëshironin largimin tim, këtë gjë e kam bërë për një arsye të thjeshtë:
U ndjeva i rrezikuar! Ndoshta mund të duket si e ekzagjeruar, por mënyra se si m’u kërkua të lija banesën ku qëndroja me të fejuarën time nga ana e drejtorit teknik, Amir Grima ishte shumë e vrazhdë. Në momentin që isha duke zhvilluar stërvitje veçmas grupit (të shtunën), drejtori teknik i skuadrës më kërkoi të lija ambientin sportiv, sepse sipas tij nuk kisha punë te Vllaznia. Ma bëri të qartë se nëse nuk do të largohesha vetë do të më detyronin ta bëja një gjë të tillë me forcë”, tregon për “Sport Ekspres”, Jasir Selmani.
Tashmë mesfushori 24-vjeçar nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë, duke e konsideruar këtë aventurë të tij me kuqeblutë si një mashtrim të madh. Selmani pranoi në një intervistë për gazetën se drejtuesit e klubit shkodran dhe trajneri Luan Zmijani i kishin kërkuar të linte ekipin, me arsyetimin se ai nuk i kishte bindur. Por i vetëdijshëm se kishte nënshkruar një kontratë me Vllazninë, mesfushori që nënshkroi për 2 vjet me kuqeblutë më 30 qershor, iu kërkoi krerëve të klubit që t’i dorëzonin me shkrimin largimin nga klubi dhe dokumentacionin që kishte dorëzuar nga ish-skuadra ku u aktivizua sezonin e shkuar.
“I kërkova të largohesha sipas të gjitha rregullave, sepse nuk doja që të diskutohej më pas se kisha marrë paratë që më takonin dhe isha larguar nga klubi. Doja që të ndaheshim sipas marrëveshjes, duke anuluar kontratën me konsensus, por drejtori teknik Amir Grima më pohoi se nuk kisha një të tillë. Nënshkrimi i saj rezultoi fiktiv, pasi nuk e kishin çuar për ta regjistruar në FSHF sipas rregullave”, deklaroi Jasir Selmani në intervistën e botuar në numrin e ditës së shtunë në “Sport Ekspres”.