Dhe në fakt, klubi si rrallëherë ia ka plotësuar të gjitha dëshirat trajnerit. Ndoshta skuadra ka pak mangësi vetëm në repartin e mbrojtjes por në gjithë të tjerët është "e blinduar" me lojtarë. Kështu në portë është malazezi Dragojeviç dhe i riu Sherri ndërkohë që shpejt do të rikuperohet nga operacioni që ka kaluar edhe Selimaj. Në mbrojtje janë tre të ardhurit, malazezi Cicmil, kosovari Haxhaj dhe beratasi Arbri ndërsa janë edhe shkodranët Marku, Hakaj, Gurishta, Pjeshka, Borshi e Ruqi. Në mesfushë ndërkohë ka jo pak alternativa. Duke filluar nga katër blerjet e bëra, ato të kosovarëve Ahmeti e Lushtaku, të tiranasit Sefa dhe të serbo- bosnjakut Haxhibuliç. Pa lënë mënjanë edhe Bardullën, Krymin, Shtubinën, Kapaklijën, Dycën dhe Kalajën që do kthehet shpejt pas dëmtimit që ka patur. Ndërkohë edhe sulmi ka jo pak alternativa, me uruguajanin Sosa, paraaguajanin Martinez, malazezin Paviçeviç dhe libanezin Kdouh si dhe me të riun shkodran Çinari. Këto janë 25 futbollistët që do të përfaqësojnë Vllazninë në sezonin e ri dhe kuptohet që përgjegjësia e tyre do jetë e madhe për të arritur rezultatet që jo vetëm drejtuesit e klubit duan, por mbi të gjitha të tifozëve që janë të etur për ta parë këtë skuadër të shkojë drejt suksesit. A do munden kuqeblutë të jenë pretendentë në sezonin e ri? Për këtë duhet të presim.

Komentet