Situata te Vllaznia në pragndeshjen me Apoloninë nuk ka qenë shumë entuziaste ditët e fundit. Dëmtimet e njëri pas tjetrit të disa titullarëve të skuadrës kuqeblu, e vunë jo pak në siklet trajnerin Agim Canaj. Ky i fundit mundohej “të arnonte” në formacionin bazë me të cilin do të ndeshej me fierakët. E ndërsa gjërat deri të enjten ishin në rregull deri diku, nuk mund të thuhet e njëjta gjë pas kësaj dite. Kjo ngaqë pikërisht në seancën e zhvilluar në pallat të sportit, Elvin Beqiri, mbrojtësi i kuqebluve dhe njëkohësisht i kombëtares sonë, ka pësuar një dëmtim muskulor. Dje ai nuk është stërvitur me skuadrën dhe prania e tij në ndeshjen e sotme me Apoloninë është në dyshim të madh. Madje gjasat janë që ai të mos luajë. Duke qenë kështu, gjërat vështirësohen më tepër për Vllazninë, aq më tepër që luan në transfertë. Vetë Beqiri, në një prononcim të djeshëm për gazetarët, e ka shpjeguar kështu problemin e dëmtimit të tij: “Në stërvitjen e së enjtes kam ndier shqetësime në kofshën e djathtë dhe është pikërisht i njëjti vend ku kam pasur një dëmtim edhe në fazën e parë, sërish në ndeshjen ndaj Apolonisë. Me shumë mundësi nuk do të jem pjesë e skuadrës për këtë ndeshje, megjithatë shpresoj se ata që do të luajnë, ta bëjnë siç duhet detyrën dhe Vllaznia të arrijë një rezultat sa më të mirë.” Por Beqiri nuk është i vetmi që do të mungojë në këtë ndeshje të sotme. Bashkë me të janë edhe katër lojtarë të tjerë që do të mungojnë dhe kësisoj pasojat duken edhe më të mëdha te stafi drejtues, që është në hall të madh për ndërtimin e formacionit. Megjithatë, mbrojtësi shkodran i përfaqësueses ka besim se edhe pas kësaj jave, skuadra e tij do ta ruajë vendin e parë që ka në tabelën e renditjes. “Sigurisht, mungesat kanë ndikimin e vet, por besoj se skuadra do të japë më të mirën në fushën e lojës dhe do ta ruajë vendin e parë që ka në renditje edhe pas kësaj jave. Vllaznia ka objektivat e saj dhe sigurisht që në çdo ndeshje do të kërkojë fitoren, pavarësisht se do të luajnë të gjithë titullarët apo jo. Unë besoj shumë në ruajtjen e vendit të parë sërish,” ka thënë Beqiri. Në këtë mënyrë, gjërat në kampin shkodran nuk janë ashtu siç duhej të ishin. Për rrjedhojë, mbrojtësi i qendrës së saj u bën thirrje shokëve të skuadrës të bëjnë më të mirën e mundshme në këtë ndeshje, në mënyrë që tifozët kuqeblu të vazhdojnë t’i gëzohen vendit të parë.

E ardhmja e Beqirit, asgjë konkrete
Elvin Beqirit i mbaron në janar kontrata që ka me Vllazninë dhe për rrjedhojë, pas kësaj periudhe, ai normalisht që është një lojtar i lirë. Bisedimet me presidentin Fushaj kanë nisur prej kohësh për një zgjatje të kontratës, të paktën deri në qershor të vitit të ardhshëm, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. I pyetur në lidhje me këtë çështje, vetë Beqiri dje ka thënë se ka filluar ndaj tij edhe interesimi prej disa skuadrave të huaja, por deri tani çdo gjë është vetëm në kuadrin e fjalëve. “Kam pasur disa kontakte, por asgjë konkrete. Me këtë punë është duke u marrë menaxheri im, ndërkohë që sa u takon marrëdhënieve me Vllazninë, mund të them se do të ulem sërish të bisedoj me presidentin Fushaj, të dëgjoj ofertën e tij dhe më pas të shohim se si do të vendos,” - thotë Beqiri.

Komentet