E shtune 5 Tetor 2008, Stadiumi "Selman Stermasi", Tirane


 Dinamo - Vllaznia


1 - 1

Shënues : Smajli (autogol) 15' / Dhembi 59'

Dinamo:

Kotorri, Haliloviç, Pisha, Graniç, Nikoliç (Diop 90′), Poçi, Ferraj, Allmuça, Jusufi (Çapja 70′), Plaku (Sefa 79′), Petriçeviç. Trajner: Z. Daliç

Vllaznia:

Grima, Smajli, Lici (Osja 36′), Bashiç, Belisha, Sinani (Hoti 86′), Kaçi, Boadu, Beqiri (Doçi 46′), Nallbani, Dhëmbi. Trajner: A. Canaj

Kartone te verdhë : Doçi, Ferraj

Kartone të kuq : -

Gjyqtarë : K.Meta, E.Doda, A.Pregja (Tiranë)


Radiografia:


3′-Skemë e shkodranëve nga goditja standarde dhe Liçi peshkon Dhëmbin në zonë, i cili shërben saktë për Sinanin, por në momentin e fundit kapiteni Pisha ndërhyn duke qenë deciziv, pasi numri 9 i Vllaznisë ishte pranë golit.
15′- Allmuça merr një pasim të shkurtër nga goditja e këndit dhe godet fort në hyrje të zonës, në pozicion disi të prirët; aty mbrojtësi kuqeblu Smajlaj është i pafat tek sa devijon topin që përfundon në rrjetë. 1-0 për vendasit.
18′- Petriçeviç me një inkursion personal futet në zonë dhe godet me të majtën, por Grima është i sigurt në pritjen e tij.
19′- Beqiri brenda zonës godet me kokë, por topi kalon afër shtyllës së djathtë pingule të Kotorrit.
22′- Sërish shkodranët kapin në befasi mbrotjen blu nga goditja standarde dhe Dhëmbi merr një top të bukur në zonë, rrotullohet, por edhe njëherë në momentin e fundit kapiteni Pisha largon rrezikun nga porta e tij.
31′- Nallbani me të majtën, por pret portieri Kotorri.
40′- Haliloviç nga jashtë zone godet fuqishëm dhe topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portës së mbrojtur nga Grima.
41′- Dhëmbi në zonë godet fluturimthi, por jashtë.
42′- Plaku kalon Grimën, por ndërhyn Beqiri dhe largon rrezikun.
43′- Petriçeviç provon me të majtën, por sërish pret Grima.
44′- Nikoliç shërben bukur për Plakun nga e majta, por sulmuesit me numër 11 i mungon kontakti final me topin pak metra larg portës.
45′- Boadu, pas një rrëmuje, godet brenda në zonë, por jashtë.
50′- Allmuça godet fuqishëm nga distanca, por grushton Grima.
56′- Boadu me një të djathtë të bukur nga jashtë zone është fare pranë golit, por iniciativa e afrikanit përfundon jashtë.
59′- Aksion model i shkodranëve, i cili starton nga këmbët e kapitenit Sinani, që shërben saktë me të djathtën për Boadu. Krosimi i numrit 11 të shkodranëve është i saktë dhe aty Dhëmbi nuk fal, duke e dërguar topin me kokë në rrjetë. 1-1.
62′- Jusufi tenton me një gjuajtje ne formë krosimi, por pret pa probleme Grima.
70′- Boadu godet sërish brenda zone, por nuk gjen kuadratin blu.
85′- Nikoliç bën 2 tentativa brenda në zonë, por nuk shënon.
90′- Kundërsulm i Vllaznisë dhe Boadu i lirë në zonë nuk arrin të shënojë, pasi gjuajtja e tij përfundon në traversë.

Komenti:

Dinamo ndalet sërish në kryeqytet. Kësaj herë ka qenë një skuadër e mirëvendosur në fushën e blertë si Vllaznia e Shkodrës, e cila mund të kishte arritur edhe fitoren në fundit e takimit. Në fillim Dinamo shfaqet pak sa e ndryshuar në formacionin e saj për vetë zgjedhjet e teknikut Daliç. Aktivizimi i Haliloviçit në krahun e djathtë në vend të Sinës dhe ai i Jusufit, i cili vetëm me një ditë stërvitje pas grumbullimit në kombëtaren e moshave kroate, nuk mund të sillte ndonjë “risi” në lojën e kampionëve. Ndërkohë që shkodranët zbrisnin në fushën e blertë me formacionin e tyre më të mirë. Ndeshja e ditës së djeshme në “Selman Stërmasi” ka qenë tepër e synuar nga të dyja skuadrat dhe ka dhuruar emocione për të pranishmit në stadium. Raste të shumta në të dyja portat respektive, sidomos në fundin e pjesës së parë, kanë gjallëruar 90′ e përballjes Dinamo-Vllaznia. Por në fund, të dyja skuadrat nuk kanë marrë më shumë se 1 pikë në barazimin 1-1. Në fillim vendasit do të gjenin rrugën e rrjetës në minutën e 15-të me anë të një autogoli të Smajlit, pas një gjutje të Allmuçës. Ndërkohë që shkodranët reagojnë me lojën e tyre sulmuese. Dallon kapiteni Sinani dhe mesfushori Dhëmbi. Në fund të pjesës së parë shkodranët sigurojnë raste të pastra shënimi, por në disa momente pasaktësia e tyre dhe në disa të tjera merita e mbrotjes dinamovite, kanë bërë që skuadrat të shkojnë në dhomat e zhveshjes me avantazhin 1-0 të Dinamos në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë shkodranët e nisin me një zëvëndësim, ku Beqiri ia lë vendin Doçit që vendoset në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërkohë që Berisha rreshtohet në qendër të mbrotjes përkrahë kroatit Bashiç. Pjesa e dytë është më e mirë për fituesit e kupës një sezon më parë. Aksion pas aksioni kuqeblutë të “nxitur” dhe nga trajneri i tyre Canaj janë më të rrezikshëm, ndërkohë që Dinamo “çalon” në lojën e krahut të djathtë, ku mungesa e pashpjegueshme e mbrojtësit Sina, ka krijuar një “hendek” në prapavijën blu. Gjithashtu dhe loja sulmuese e bluve nuk është ajo më e mira, kur Petriçeviç shpeshherë triblon vetveten dhe dorëzon topin tek kundërshtarët e tij, ndërkohë që Plaku i ardhur nga një gjendje gripale nuk është në ditën e tij më të mirë. Vllaznia me anë të një aksioni model arrin të barazojë rezultatin në 1-1, ku Dhëmbi shënon brenda zone me kokë. Dinamo përpiqet të kalojë sërish në avantazh, por loja e saj është tepër e diktuar nga kundërshtarët shkodranë, të cilët në fundin e takimit marrin në dorë frenat e lojës, duke i’u afruar dhe golit të dytë në minutat shtësë, kr Boadu i vetëm me Kotorrin ka goditur traversën. Dinamo vazhdon të kalojë një “ngërç” në lojën e saj edhe pas fitores ndaj Lushnjës një javë më parë në transfertë. Ky është barazimi i tretë për kampionët në fushën e tyre, pas atyre të arritur më parë ndaj Teutës dhe Elbasanit. Në javën e shtatë kampionët do të përballen në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës udhëheqëse të superligës.

Zlatko Daliç, trajner i Dinamos:

Të dyja skuadrat kanë zhvilluar një lojë shumë të mirë. Fitorja mund të arrihej nga të dyja skuadrat. Ne kaluam të parët në avantazh, por nuk mundëm ta ruanim atë. Tashmë mendojmë për ndeshjen me Tiranën. E përgëzoj skuadrën e Vllaznisë për ndeshjen e mirë. Nuk mund të flas që tani për ndeshjen me Tiranën, pres të kalojnë disa ditë dhe do të zhvilloj një analizë më të thellë me lojtarët e mi, më pas do të mendojmë për sfidën e rradhës. Fusha ishte shumë e rënduar, por ne ishim në avantazh. Me pësimin e golit morali jonë ra ndjeshëm dhe nuk mund të arrimin tek fitorja. Nuk e mendoj largimin nga Dinamo. Unë e kam thënë që në fillim që s’kam ardhur pë të qëndruar 1 apo 2 muaj, por pë të qëndruar gjatë.

Agim Canaj, trajner i Vllaznisë :

"Ju e patë dhe vetë që sot (dje) Vllaznia doli e humbur nga ky barazim. Po t’i referohemi zhvillimit të ndeshjes, pas golit ishim pak të turbullt në lojën tonë. Por më pas ne e zhvendosëm lojën dhe gjithçka foli për ne. Në pjesën e parë dominuam në mesfushë si me lojën në bllokë, por edhe nga krahët duke krijuar 3 apo 4 raste të pastra shënimi, por fati s’ishte me ne. Në pjesën e dytë u futëm për të mos dalë të humbur, pasi i kishim mudësitë. Pjesa e dytë ishte më e mirë se e para për ne. Ishim fare pranë fitores. Megjithatë, luanim përballë skuadrës kampione në fuqi, një ekip me potencial, por gjithsesi, sot(dje) Vllaznia ka dominuar në fushën e blertë.

Te Veçanta :

- Arbitri kryesor, Kridens Meta, për një moment është detyruar të fusë në xhepin e tij logon zyrtare të FSHF-së, e cila gjatë takimit ka përfunduar në tokë.
- Trajneri Agim Canaj, në përfundim të ndeshjes ka shkuar në dhomën e skuadrës së Dinamos për të përshëndetur ish-lojtarët e tij, por edhe kolegët dinamovitë.
- Mesfushori Igli Allmuça ka kontesutar si gjatë takimit, por edhe në fundin e tij, gjykimin e anësorit Doda. Ky i fundit ka hasur dhe reagimin e tifozerisë vendase në fund të ndeshjes.
- Në stadiumin “Selman Stërmasi” ishin të pranishëm, veç tifozerisë vendase, dhe ata të ardhur nga Shkodra, të cilët në fund janë larguar të kënaqur nga kryeqyteti.


Sporti Shqiptar

Komentet