Vllaznia e ka shfrytëzuar në maksimum periudhën dyjavore të pushimit, të imponuar nga impenjimi i kombëtares në ndeshjet e para eliminatore të Botërorit 2010, ndaj Suedisë dhe Maltës

Por, tashmë, me rikthimin në aktivitet të kampionatit shqiptar të futbollit, duket se edhe qëllimet e shkodranëve janë më të qarta: Do të jenë në vijën e parë të frontit të luftës për titullin kampion të Shqipërisë.

Një gjë e tillë është bërë e njohur pikërisht dje nga trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Agim Canaj, i cili është prononcuar në prag të ndeshjes së javës së tretë, që shkodranët do të luajnë nesër në “Loro Boriçi”.

 “Vllaznisë i ka bërë mjaft mirë ndërprerja e kampionatit, për shkak të ndeshjeve të ekipit tonë kombëtar”, ka nënvizuar tekniku Canaj. Kemi pasur një ekip të reduktuar, por edhe dendësia e ndeshjeve na i kishte vështirësuar situatën.

 Dy ndeshje në javë, në total pesë ndeshje të forta. Po ashtu kemi pasur edhe disa dëmtime në skuadër. Pushimi ka qenë domethënës, edhe sepse kemi shtrirë ngarkesën fizike, duke arritur t’i japim formë optimale skuadrës”.

Kuqeblutë e kanë shfrytëzuar në maksimum këtë kohë, për të përgatitur sfidën e radhës me Apoloninë. Por trajneri Canaj shikon përtej kësaj pengese të radhës, duke paralajmëruar rivalët se Vllaznia do të jetë në luftën për titull.

“Dy ndeshjet e para na bëjnë optimistë për të ardhmen, thotë Canaj. Tre futbollistët e ardhur janë ingranuar disi më mirë me ekipin. Lojtarët e ardhur kanë treguar vlera, por do të përmirësohen akoma edhe më shumë me kalimin e kohës.

Ndaj Apolonisë do të kërkojmë tri pikët”. Sipas numrit një të stolit të kuqebluve, ekipi është në një formë vërtet të mirë. Sipas tij, ky ekip i ka mundësitë të jetë në luftën për titull në këtë sezon të ri.

“Skuadra është në formën e saj optimale dhe me lojtarët në dispozicion mendoj se e kemi potencialin e nevojshëm për të synuar trofeun e kampionit të Shqipërisë në këtë edicion”, thekson trajneri i Vllaznisë, i cili tashmë duket se e ka hedhur pas periudhën e vështirë.  
 

Komentet