Ndeshja miqësore që Vllaznia ka lu ajtur dje me ekipin e Dajtit, nuk mund të konsiderohet për të si test për takimin e radhës, ku skuadra shkodrane do të presë më 14 shtator në stadiumin “Loro Boriçi” Apoloninë. Për mbrojtësin lezhjan, Dritan Smajli, kjo miqësore ka qenë vetëm në kuadrin e ruajtjes së formës nga lojtarët. Kundërshtari që kuqeblutë kanë pasur përballë nuk ka qenë i denjë për një ekip që kërkon të jetë në majën e Superligës. Megjithatë, për Vllazninë ky takim ka vlejtur sadopak për të evidentuar e për të parë më nga afër një pjesë të lojtarëve, të cilët nuk kanë pasur mundësinë të shprehin siç duhet vlerat e tyre. “Për mendimin tim, ky takim nuk është një test për ekipin tonë para sfidës me Apoloninë, sepse disniveli mes dy skuadrave ishte i ndjeshëm. Megjithatë, kjo miqësore na ka vlejtur për të ruajtur formën sportive, - thotë fillimisht Smajli. - Ekipi ynë momentalisht gëzon një gjendje të kënaqshme. Gjithashtu edhe ecuria jonë në kampionat, të paktën deri tani, ka qenë mjaft e mirë. Sezoni nisi i mbarë, prandaj duhet të përpiqemi që të ruhet ky ritëm. Kështu, ajo që kërkohet është vlerësimi maksimalisht i çdo ndeshjeje. dhe kur e them këtë, i referohem pikërisht takimit të javës, me fierakët e Apolonisë. Mendoj se në këtë përballje të vështirë, ne do të dimë të vazhdojmë rrugën e nisur dhe të jemi akoma më mirë se në dy sfidat e para”, thekson më pas mbrojtësi i Vllaznisë. Në dy ndeshjet e luajtura gjer tani në kampionat, forma e lezhjanit nuk ka qenë ajo më e mira, por kjo nuk e ka dekurajuar aspak atë që të kërkojë nga vetja maksimalen. Madje ai e premton një gjë të tillë: “Pavarësisht se nuk kam arritur më të mirën time në këto javë, përsëri ajo që mund të them është se për Vllazninë do të kërkoj të jap më shumë se 100% të formës sime. Këtë besoj se do ta arrij shumë shpejt”. Mirëpo lojtarin që tekniku Canaj e ka vendosur në krahun e djathtë të mbrojtjes shkodrane, duket se nuk e shqetëson një gjë e tillë, pasi për të e rëndësishme është që në çdo pozicion të tregojë më të mirën. “Nuk ka shumë rëndësi në ç’pozicion luaj në fushën e blertë.
E rëndësishme është në atë pozicion ku luaj, të tregoj më të mirën time. Pra, unë kërkoj që të jap kurdoherë maksimumin. Dhe nëse trajneri më kërkon, do të luaj edhe në portë”, përfundon mbrojtësi lezhjan i kuqebluve, Dritan Smajli. Gjithsesi, në këtë takim miqësor me Dajtin, shkodranët kanë bërë detyrën në të gjitha repartet e tyre, duke treguar se formën e mirë që kanë pasur në startin e sezonit janë duke e ruajtur në vazhdimësi.

Panorama Sport

Komentet