Ka përfunduar kampionatin e kaluar në përbërje të Flamurtarit, por për sezonin e ri, drejtuesit e Vllaznisë kanë vendosur ta kthejnë në skuadrën e tyre Nevian Canin, i cili nga specialistët konsiderohet si ndër sulmuesit më të shpejtë në kampionatin shqiptar. Burime zyrtare pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se Cani figuron në listën e teknikut Canaj për sezonin e ri futbollistik, edhe pse sulmuesi nuk mori pjesë në testimin e parë, sepse ishte i dëmtuar. E vërteta është se Nevian Cani po vuan një dëmtim që nga fundi i sezonit të fundit, kur luajti në përbërje të Flamurtarit. Sipas futbollistit shkodran, dëmtimi iu përkeqësua shumë më tepër pasi, me dëshirën për të kontribuar për skuadrën vlonjate, edhe pse jo i rikuperuar plotësisht, u aktivizua në fushën e lojës. Dhe pasojat e asaj pakujdesie reflektohen tani, kur atij i kërkohet të jetë në dispozicion të teknikut Agim Canaj. Në vend që të jetë në stërvitje, Cani udhëton çdo ditë për në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, duke u kuruar te specialistët e atjeshëm. Ky problem e ka distancuar për momentin nga zbatimi i planeve të kuqebluve. Megjithatë, tekniku Canaj, në një bisedë që patëm me të, edhe pse thotë se dëmtimi i ligamentit të Nevianit është serioz dhe ka për t’i nxjerrë punë atij për mundësinë e aktivizimit, shpreson në normalizimin e situatës, duke pasur dëshirë ta ketë në përbërje të skuadrës në këtë sezon, si një alternativë serioze për sulmin kuqeblu. Vetë Cani, i cili ka qenë titullar edhe në kombëtaren U﷓21 të Bushatit, edhe dje pasdite ka bërë të njëjtën gjë si çdo ditë tjetër, duke u paraqitur në klinikën mjekësore sportive të Podgoricës, ndërsa shprehet i kënaqur për vlerësimin që ka patur nga drejtuesit e Vllaznisë. Megjithëatë, ai konfirmon se në adresë të tij ka patur oferta edhe nga klube të tjera të kampionatit shqiptar, njëra prej të cilave është nga kryeqyteti. “Vetë gjendja e ime më privon nga mundësia e të avancuarit më tej, por duke shpresuar se do të bëhem më mirë, atëherë do të jetë më komode për të komunikuar edhe me skuadrat e interesuara. Gjithsesi, Vllaznia ka përparësinë më të madhe, jo vetëm për faktin se është skuadra nga ku dola si futbollist, por ngaqë kam bindjen se ka ardhur koha të jap atë që duhet për të dhe për sportdashësit e mrekullueshëm që na mbështesin” ka përfunduar për “Sport Ekspres” sulmuesi 21-vjeçar Nevian Cani, gjithnjë duke shpresuar se gjendja e tij fizike do të përmirësohet dhe ëndrra e tij do të bëhet realitet.

Sport Ekspres

Komentet