Takimi me fqinjët e Besëlidhjes nuk është marrë lehtë nga ekipi i Vllaznisë. Drejtuesit e klubit kuqeblu, por dhe vetë lojtarët, për takimin e radhës të Kupës së Shqipërisë kërkojnë që mbi të gjitha të ketë seriozitet në lojë. Ndoshta të gjendur në favorin e një goli të shënuar në fushën kundërshtare, detyra e shkodranëve në këtë takim duket se do të jetë më e lehtë. Megjithatë tekniku Mirel Josa ka kërkuar nga lojtarët vetëm një moment qetësie dhe i është rikthyer punës për takimin e kupës. Loja pa kompromis e ekipit të Besëlidhjes në takimin e parë, por edhe problemet që kuqeblutë kanë pikërisht me ekipet e vogla në këtë sezon, sidomos në fushën e tyre, e bëjnë jo krejt të lehtë këtë takim. Për këtë takim, ekipi kuqeblu ka filluar përgatitjet menjëherë pas takimit me korçarët. Madje që në seancën e parë ditën e diel, ekipi ka qenë i plotë në përbërje, duke krijuar përshtypjen që fitorja e arritur në Lezhë, nuk është gjithçka për ta. Vetë lufta e fortë sportive që kanë treguar në takimin e parë lezhjanët i ka motivuar më shumë për të qenë më të vëmendshëm në këtë takim, për të mos lënë asnjë shteg për mëdyshje në drejtim të kualifikimit. Ndërkohë që një fakt tjetër, ku kuqeblutë tregojnë seriozitetin e tyre për këtë prag ndeshje me Besëlidhjen, mësohet të jetë edhe formacioni që tekniku kuqeblu Mirel Josa do të ketë sot në fushën e lojës. Ashtu si në takimin e parë për kupë, ku, nisur edhe nga dëmtimet dhe të dënuarit, të cilët ishin të pamundur për të qenë në fushën e lojës, tekniku Josa edhe këtë herë, me shumë pak ndryshime, ka përzgjedhur më të mirët e mundshëm. Ndoshta mund të preferohet përsëri një gjendje gatishmërie në stol i goleadorit Sinani, ndërkohë që në këtë pozicion mund të jetë Sukaj që këtë takim mund ta ketë si kolaudim për transfertën e Kavajës. Ndërkohë që mund të ketë pak frymëmarrje edhe për dyshen e mesfushës, Osja e Lici, që mund të jenë të gatshëm për takimin e kampionatit. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit mësohet se nuk do të ketë ndryshime. Pavarësisht se vetëm pak ditë më vonë do të kenë një transfertë tejet të vështirë me ekipin e Besës, përsëri numri një i pankinës kërkon që në radhë të parë të sigurojë kualifikimin në kupë ndaj Besëlidhjes.

Formacioni i mundshem:

Bishani, Teli, Delain, Kapaj, Beqiri, Nallbani, Hoti, Lika, Sukaj, Kaçi, Jusufi.

Ndeshja fillon ne oren 14:00 ne stadiumin Loro Boriçi.

Komentet