Vendimi për ta marrë në skuadër Ilir Nallbanin ka rezultuar i suksesshëm. Ata që e kanë rekomanduar afrimin e tij te kuqeblutë kanë goditur me të vertetë në shenjë. Një gjë të tillë e përligj paraqitja e tij, përfshirë edhe 90 minutëshin e fundit të luajtur në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës. Sipas specialistëve që e ndoqën nga afër ndeshjen, ka spikatur si ndër më të mirët në fushë. Një formë të tillë, edhe në mesjavën e kaluar në stadiumin “Beslidhja” të Lezhës, ku jo vetëm goli spektakolar i tij, por dhe loja plot rendiment morën vlerësime pozitive. “Nallbani po luan mjaft mirë, duke e justifikuar plotësisht besimin që patëm tek ai në merkaton e janarit”, thotë për të, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj.

Vetë Nallbani, i pyetur për ndeshjen e së dielës së kaluar në Vlorë, vlerëson luftën e fortë sportive: “Kemi qenë shumë pranë fitores, por edhe ata patën mundësi ta bënin një gjë të tillë në fund të ndeshjes, kështu që them se barazimi ka qënë rezultati më i drejtë”, thotë Nallbani, që gjithsesi, nuk lë pa përmendur edhe gjykimin e ndeshjes. “Për hir të së vërtetës, ato që ka shprehur Lika një ditë më parë në “Sport Ekspres” janë më se të vërteta”, shton Nallbani duke konfirmuar edhe një herë se dy rastet e golave të shënuar nga Flamurtari në portën e Vllaznisë janë shoqëruar me faulla të sulmuesve vlonjatë, ndërkohë një faull flagrant ka qenë edhe ndërhyrja ndaj Licit, në momentin e goditjes së topit në drejtim të portës vlonjate.

Emocionet e Pavarësisë

Iliri ka qenë në fushë të dielën, kur po nënshkruhej Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. “Në Vlorë kemi mbërritur që prej së shtunës në darkë, dhe sapo jemi futur në dhomë, së bashku me Ilirin, jemi “gozhduar” pranë ekranit të televizorit për të ndjekur zhvillimet në Prishtinë”, thotë Alban Jusufi, kosovari tjetër i Vllaznisë. Dhe, këto emocione i kanë shoqëruar dy kosovarët e Vllaznisë edhe gjatë paradites të së dielës. U ka bërë përshtypje edhe përgatitja për festë e vlonjatëve, që kanë shpalosur një flamur gjigant në tapetin e stadiumit. “Pse me ju rrejtë, aty e kam psur mendjen gjatë të gjithë kohës. Edhe në pushim, në dhomat e zhveshjes, pyeta shokët që ishin me radio në vesh”, shton Iliri, që nuk lë pa përmendur thirrjet dashamirëse nga tribunat e tifozëve vlonjatë, që në disa raste kur ai ishte në zotërim të topit brohoritnin për Kosovën.



Sport Ekspres

Komentet