Sfida e radhës për Vllazninë, e cila do të zhvillohet në transfertë ndaj Teutës, nuk mund të konsiderohet kurrsesi një ndeshje e lehtë për ekipin shkodran. Pas dy rezultateve që mund të konsiderohen pozitive për kuqeblutë, të arritura nëpërmjet barazimit pa gola me Tiranën dhe me fitoren ndaj Kastrioit, skuadra e Vllaznisë tashmë po përjeton më në fund një atmosferë në ekip. Kjo, natyrshëm, ka sjellë dhe shtimin e oreksit dhe entuziazmin për shkodranët. Pavarësisht se kundërshtari i radhës për kuqeblutë nuk është ai me të cilin u përballën sezonin e kaluar, përsëri për ekipin shkodran duhet të ketë më tepër vlerësim e respekt. Për mesfushorin e Vllaznisë dhe ekipit Shpresa të Shqipërisë, Gilman Lika, përballja e së mërkurës ndaj Teutës në transfertë pritet si një përballje mjaft e vështirë për shkodranët. "Pavarësisht se përballë do të kemi një ekip që nuk është në ato nivele të sezonit të shkuar, përsëri në të tilla takime Teutës ka ditur të tregojë mirë vlerat që ka. Ndoshta edhe vetë domosdoshmëria që ka kjo skuadër për pikë në këto momente aspak të mira që po përjeton do të na e vështirësojë këtë sfidë. Për mua, dhe të njëjtën gjë do të thosha edhe për ekipin, kjo sfidë do të jetë tepër e vështirë për t'u kaluar ashtu siç ne dëshirojmë, pra me sigurimin e tri pikëve. Teuta ndodhet në pozita të vështira në klasifikim e si rrjedhojë do të bëjë të pamundurën në këtë përballje me ne", ka komentuar mesfushori i Vllaznisë, Lika, realist e me këmbë në tokë sfidën me durrsakët. Ndërkohë mesfushori i kuqebluve shprehet optimist për atmosferën pozitive që duket se është rikthyer në kampin shkodran. "Duhet theksuar se ndihemi mjaft mirë, sidomos në aspektin psikologjik para kësaj ndeshjeje. Por kjo është vetëm njëra anë, pasi ndihemi shumë mirë në fakt në çdo aspekt. Ndoshta kjo do të jetë ana jonë pozitive në këtë takim. Gjithashtu dua të them se, si unë, ashtu edhe Beqiri, të cilët kemi qenë të dëmtuar, tani ndihemi shumë në formë, ndërsa të dëmtime pranë ekipit fatmirësisht nuk ka pasur. Pra, ne jemi të gatshëm dhe ajo çka duhet të shfaqim është shumë mirë e ditur. Edhe pse Teuta duhet vlerësuar maksimalisht, mund të them se ajo nuk do të na pengojë aspak për të arritur objektivin tonë, fitoren. Tani na duhen vetëm pikët dhe vazhdimësia, prandaj takimi i Durrësit duhet të kalohet me sukses nga ana jonë, dhe për këtë unë jam optimist", ka përfunduar mesfushori i Vllaznisë, Gilman Lika.

Sport Ekspres

Komentet