Ndeshjet mes Teutës dhe Vllaznisë, gjithnjë e në çdo kohë, kanë ngjallur interes dhe janë karakterizuar nga një luftë e fortë sportive. I tillë pritet të jetë ky takim edhe në këtë sezon. Pavarësisht se në pamje të parë durrsakët kanë dhënë shumë pak në këtë fillimsezoni dhe pozita e tyre nuk është ajo që pritej, përsëri për kuqeblutë mbetet një përballje e fortë. Numri një i ekipit shkodran, kapiteni Armir Grima, që duket se i ka kaluar problemet që hasi para takimit me Kastriotin, ai i jep një vlerësim total këtij kundërshtari, ndërsa në krahun tjetër Grima kërkon që të ruhet edhe vazhdimësia. E thënë më shkurt, kërkohet vetëm fitorja. Në përballjet e viteve të fundit të shkodranëve me Teutën, sidomos në Durrës, fitorja ka qenë tabu për kuqeblutë. Pavarësisht se janë arritur disa barazime, një rezultat fitoreje ka kohë që nuk është shkruar për ta. Ndoshta kësaj here pikërisht kjo tabu kërkohet të thyhet. “Ne tani kërkojmë të ruajmë vetëm vazhdimësinë në rezultatet tona”, deklaron Grima. Ndërkohë që kapiteni vijon mendimin e tij: “Pavarësisht se përballë do të kemi një ekip që nuk është si ai i vitit që shkoi, përsëri përballë nesh do të sjellë në fushën e lojës më të mirën e vet, dhe kjo do të vështirësojë edhe më tepër punën tonë në këtë sfidë. Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër për këtë takim, veçse të kërkojmë fitoren e të bëjmë më të mirën në fushë. Kësisoj, që me një rezultat të tillë të thyejmë edhe tabunë e kësaj fushe për skuadrën tonë”, nënvizon në deklarimin e tij për gazetën “Panorama Sport” portieri i Vllaznisë, Armir Grima. Ndërsa ajo që duket se ka ndryshuar në këto javët e fundit pranë shkodranëve është gjendja psikologjike. Megjithatë kjo është vetëm njëra anë, pasi duket se pranë ekipit është rritur ndjeshëm edhe ana fizike e tij. Mbase kjo e bën edhe më optimist kapitenin kuqeblu të kërkojë më të mirën nga kolegët e tij në fushën e blertë: “Them se tani ndihemi mirë në aspektin psikologjik dhe po ashtu nuk ka munguar puna që të fitojmë vetveten në aspektin e përgatitjes fizike. Prandaj, kjo gjë ndoshta më bën më optimist se mund të shprehim në maksimum vlerat tona".

Panorama Sport

Komentet