Me shumë xhentilesë, njëkohësisht edhe keqardhje, dje Mirel Josa ka folur për mediat dhe ka marrë rrugën drejt Tiranës. Një rrugë pa kthim, teksa ka marrë bagazhet e tij në makinën e një miku dhe ka ikur. Duke ndier keqardhje për punën e lënë në mes, megjithatë ai është i pastër në ndërgjegjen e tij, sepse është munduar të bëjë më të mirën e mundshme. Në fjalët e tij gati ka pasur edhe lot, teksa ka thënë fjalët më të mira për njerëzit që e kanë mbështetur. "Publiku i Shkodrës do të mbetet gjatë në zemrën time,"ka thënë ndër të tjera në prononcimin e tij për gazetarët ish trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, që më tej jep këtë intervistë:

Josa, si e pritët vendimin për shkarkimin tuaj?

Të them të drejtën, jam ende i dëshpëruar nga ky fakt. Megjithatë, puna nuk eci ashtu siç e kisha menduar dhe një largim imi ndoshta ishte më i logjikshmi, për t'i hapur rrugë skuadrës në kthimin e saj te rezultatet. Pse nuk eci skuadra?

Si çdo skuadër tjetër, edhe Vllaznia ka problemet e veta, por unë nuk kam ndër mend të merrem fare me to dhe të hedh vrer për ndonjë gjë që nuk funksionoi siç duhet. Ashtu siç erdhi, unë sezonin e kaluar vazhdova punën e një trajneri tjetër, kështu shpresoj që edhe trajneri që do të vijë te Vllaznia të lërë gjurmë të mira, mbi të gjitha ta kthejë këtë skuadër te fitoret. Ajo që nuk mund të rri pa e thënë para largimit është fakti se mbështetja asnjëherë nuk më ka munguar sa kam qenë në Shkodër, si nga ana e presidentit, lojtarëve, publikut dhe të gjithëve. Falënderoj stafin tim, Armandon, Avenirin, mjekun dhe masazhatorin, me të cilët jemi marrë vesh më së miri. Njëkohësisht dua të falënderoj edhe personelin e hotelit ku kam qëndruar. Pra, e kam ndier veten si në shtëpinë time dhe këtë publik të Shkodrës nuk kam për ta harruar kurrë.

Ju vetë mendoni se ishte i drejtë largimi juaj?

Në komunikimin që kam pasur me presidentin Fushaj i kam thënë vetëm kaq: "Bëj atë që është më e mirë për skuadrën". Kuptohet që trajneri në kësi rastesh është i pari që largohet dhe unë nuk jam shumë pishman për këtë gjë. Kjo sepse jam munduar të bëj më të mirën gjatë kohës që kam qenë në drejtimin e Vllaznisë, kam punuar me ndershmëri dhe devotshmëri. Për këtë arsye, shpresoj shumë që skuadra me trajnerin e ri të dalë sa më shpejt te rezultatet, njëkohësisht i uroj presidentit Fushaj suksese në punën e tij. Me ndryshimet që ka bërë, i them vetëm kaq: Zoti i dhëntë mbarësi! Sa më takon mua, mendoj se e kam lënë një gjurmë në këtë skuadër, por se si është kjo gjurmë, e mirë apo e keqe, le ta gjykojnë të tjerët.

Vetë presidenti Fushaj është shprehur se ju në njëfarë mënyre jeni i tradhtuar nga lojtarët. Si e gjykoni një deklaratë të tillë?

Jo, nuk bëhet fjalë as për tradhti dhe për asgjë tjetër. Po të ishte kështu, unë nuk do të vija sot t'i takoja futbollistët, të përshëndetësha me ta dhe t'u uroja mbarësi në punën e tyre. Madje i bëj thirrje publikut shkodran t'i mbështesë këta lojtarë, sepse do të jenë po ata që do ta nxjerrin Vllazninë nga kjo situatë.

Ka ndonjë shans për kthim vendimi dhe qëndrim tuajin sërish në Shkodër?

Siç e shikoni, unë kam bërë gati bagazhet e mia dhe po nisem për në Tiranë, që do të thotë se edhe unë kam karakterin tim. Lëvizja tashmë është bërë dhe nuk ka kthim prapa. Mua vetëm më vjen keq, siç e thashë, që nuk e çova punën time deri në fund.

Së fundi, do ta shohim Josën në një stol tjetër shpejt?

Për momentin dua të pushoj pak, sepse e kam të nevojshme këtë gjë. Pra, nuk do të kërkoj menjëherë të gjej një skuadër tjetër, që gjithsesi kur t'i vijë kohë do të jetë vetëm skuadër pretendente.

 

Sporti Shqiptar

Komentet