Rragami-Bizi-Zhega! Më shumë se një legjendë është rrëfimi për treshen spektakolare dhe të famshme të futbollit shkodran e atij shqiptar.

Një karrierë e filluar me Vllazninë, pastaj transferimi te Partizani e Dinamo dhe sërish te klubi mëmë kur do të bashkohen për t'i dhënë atij qyteti e tifozërisë lavdinë dhe suksesin e merituar, por të munguar ndër vite.

Ndarja e papritur me Zhegën, çfarë bëjnë sot Rragami e Bizi dhe cila është historia e trios klasike, si perlat dhe artistët e vërtetë të një futbolli magjik, me fantazi e plot argëtim, të cilin "duhet me ken Zotni", – siç thonë në Shkodër, – që ta luash bukur atë. Dhe realisht të tre ashtu kanë qenë.

Vllaznia e vitit 1971. Nga e majta: R. Rragami, M. Vaso, P. Ndoja, H. Lekaj, R. Canga. M. Dedja. PoshtĆ« majtas: M. Zhega, I. Hoxha, Ƈ. Ndoja, L. KoƧobashi, S. Bizi

Vllaznia e vitit 1971. Nga e majta: R. Rragami, M. Vaso, P. Ndoja, H. Lekaj, R. Canga. M. Dedja. Poshtë majtas: M. Zhega, I. Hoxha, Ç. Ndoja, L. Koçobashi, S. Bizi

Fillimet, nga Shkodra në Tiranë dhe kthimi

Të tre janë të një plejade, ndonëse me pak ndryshime, ku Rragami e Zhega thuajse moshatarë, ndërsa Bizi pak më i vogël. Futboll me fëmijët e lagjes "Ndocaj", te Fusha e Topit të Vjetër, te Zona Industriale, pastaj me pionierët dhe të rinjtë.

Shkëlqejnë në Spartakiadat e moshave në Durrës, spikaten si talente nga trajneri Xhelal Juka, një "Xhavit Demneri" për Shkodrën bashkë me S. Danin, Rakiqin, I. Hoxhën, Doracajn, etj.

Vlerësohen e trajtohen më pas nga specialistët e njohur si M. Koxhja, R. Rusi, L. Alibali, Z. Bakalli, M. Dibra, etj., për të kaluar te Vllaznia si titullarë, por që shumë shpejt do të transferohen në Tiranë me dy skuadra të kryeqytetit: Rragami e Bizi për të kryer shërbimin ushtarak te Partizani, ndërsa Zhega si student universitar te Dinamo.

Rragami, mesfushori me numër 5

Me ekipin e parë të Vllaznisë luan nga fillimi i vitit '61 deri në dhjetorin e '64-ës, kur vjen në Tiranë për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak trevjeçar te Partizani. U ingranua menjëherë me ekipin dhe mjedisin, gjithmonë i pranishëm në formacionin legjendar të kohës me Panon në krye.

Një mesfushor elegant, njohës i lojës në mesfushë e sulm, me një vrapim të bukur. Deri në mesditën e 17 dhjetorit të 1967, kur Shqipëria barazoi 0-0 me Gjermaninë, të nesërmen rikthehet në Shkodër, sepse dëshiron të jetë pranë familjes. Pas pak ditëve luan në ndeshjen për Kupën Ballkanike Vllaznia-Beroe 4-0, duke realizuar edhe golin e parë me fanellën shkodrane.

Midis futbollistëve miq e shokë që kishte lënë, gjen edhe Bizin e ri, me të cilin do të lidhet duke projektuar mesfushën fantastike pak vite më vonë. Rragami do të ishte njëkohësisht futbollist-trajner në krah të Shaqirit, edhe kapiten deri ditën që largohet nga futbolli.

Shqipƫri-RF Gjermane 0-0. Nga e majta: Shllaku, Dinella, Kazanxhi, Bizi, Zhega, Jorgaqi, Rragami, A. Mema, T. Vaso, Gjianli, Pano.

Shqipëri-RF Gjermane 0-0. Nga e majta: Shllaku, Dinella, Kazanxhi, Bizi, Zhega, Jorgaqi, Rragami, A. Mema, T. Vaso, Gjianli, Pano.

Penalltitë rekord

Ka shumë ndeshje që i konsideron të jetës, si me Vllazninë, Partizanin dhe me Kombëtaren.

Por, në karrierën e tij vetëm njëra është unike, ajo ndaj Besës në finalen e dytë të Kupës së Republikës, luajtur në Shkodër në vitin 1872. “Kishim humbur të parën 2-0 në Fushën e Vjetër të Kavajës, madje me dy gola të pësuara në fund të lojës. Për takimin e kthimit, Shkodra kishte dy javë që vetëm për atë ndeshje diskutonte.

U grumbulluam në stadium në katër dhoma fjetje në tribunën qendrore, shpesh pa gjumë nga zhurmat që vinin nga rruga. Stërvitje me orë të zgjatura me Pualin Ndojën nga pika e penalltisë, pasi sipas rregullores vetëm një lojtar i gjuante ato kualifikuese.

Vllaznia-GenƧerbirligi, Kupa Ballkanike 1968. Majtas nĆ« kĆ«mbĆ«: K. Gjoni, Zhega, H. Lekaj, F. Ƈapaliku, Z. Dani, R. Rragami, M. Dedja. Ulur majtas: I. ƇeƧo, S. Bizi, N. Gjergji, H. Puka

Vllaznia-Gençerbirligi, Kupa Ballkanike 1968. Majtas në këmbë: K. Gjoni, Zhega, H. Lekaj, F. Çapaliku, Z. Dani, R. Rragami, M. Dedja. Ulur majtas: I. Çeço, S. Bizi, N. Gjergji, H. Puka

Ditën e ndeshjes, Shkodra, Pjaca ishte e mbushur me të ardhur, zyrtarë, drejtues të futbollit, gazetarë. E gjithë Shqipëria i kishte sytë dhe veshët tek ekrani, radio dhe në 'Vojo Kushi' që ishte mbushur 3 orë para fillimit të takimit. Nuk kishte asnjë vend bosh, tifozë të hipur edhe sipër murit rrethues. Na duhej të përmbysnim rezultatin, çka nuk ishte e lehtë, pasi Besa kishte një skuadër mjaft të mirë", kujton Rragami. Pastaj takimi me arbitrin Ramiz Pregja të FIFA-s dhe dy penallti nga një në secilën pjesë që Rragami i kthen në gol. Me shifrat 2-2, shkohet në shtesë, pastaj rituali i 5 penalltive të ekzekutuara me saktësi, gjakftohtësi nga Rragami në portën veriore, pa gabuar asnjë. Kupa fitohet nga Vllaznia, ndërsa fama i takon atij.

Gjithmonë përforcim te Partizani

Edhe pse në Shkodër, lidhja Rragami- Partizani ka qenë e fortë edhe për disa vite pas, sepse ka qenë shumë i preferuar dhe vlerësuar nga ky klub, duke e marrë si përforcim në takime ndërkombëtare:

Fillimisht në shtatorin e 1968-ës, kur luan në dy sfidat ndaj FC Torinos në Kupën e Kupave 1-0, 1-3 ndaj Beroe të Stara Zagorë për Kupën Ballkanike duke u shpallur kampionë të Ballkanit me klube në vitin 1970; në kualifikimin historik Advidaberg-Partizani 1-1, 0- 2 dhe pastaj në sfidën e paharruar Partizani-Vaker Insbrug: 2-3 dhe 1-2, ku mesfusha e Partizanit është e një klasike shkodrane: Shllaku- Rragami-Bizi. Janë vitet '70, kur Partizani është fitues i dyfishtë: Merr titullin pas një kohe të gjatë disavjeçare, si dhe Kupën e Republikës me trajner, një tjetër shkodran: Loro Boriçi.

Çfarë bën sot Ramazan Rragami

Gjatë karrierës nuk i është ndarë dhe profesionit si mësues i edukimit fizik. Ndonëse në pension, Zani ka ndryshuar shumë pak.

Dinamo 1967

Dinamo 1967. Nga e majta: N. Jareci, Gjinali, Çutra, Zhega, Çeço, S. Gjoci, J.Rama, L. Vorfi, S. Jareci. Ulur majtas: Stamo, Saraçi, Dauti, Beliu, Ç. Hysi

Vazhdon të jetë elegant, i mbajtur, ashtu si dikur kur luante. Një regjim absolut, i matur, i dashur dhe i sjellshëm si gjithmonë. Ruan ende kujtimet me të gjithë futbollistë e trajnerë që ka luajtur, në veçanti me Panon, Jankun e Haxhiun, pa harruar edhe spektatorët, lojtarët e stafet teknike te Vllaznia e në Kombëtare.

Gjysh nga dy vajzat dhe djali, i cili nuk e trashëgoi profesionin e të atit, Rragami një pjesë të mirë të kohës e kalon në Shkodër, pastaj në Tiranë, por edhe në Greqi, apo Amerikë, gjithmonë duke lëvizur.

E ndjek futbollin dhe vijon të jetë pasionant pas tij.

Zhega, futbolli ka edhe një merceolog

Zhega, i datëlindjes 1946, me një nisje sportive në Shkodër, vijuar me Dinamon dhe kthimi pasi përfundoi studimet. Ndonëse klubi kryeqytetas tentoi ta mbante, ishte dëshira e tij dhe kërkesa e popullit sportiv të Shkodrës që e detyroi Ministrinë e Brendshme ta kthente pa hezitim.

Me Dinamon e Jarecit, Çeços, Dautit, Hysit, etj,. e lidh një pjesë e rëndësishme e karrierës së shkëlqyer të tij si futbollist, golashënues, titullar, madje edhe lojtar i Kombëtares në ato vite kur edhe Zhega është protagonist absolut, si dhe një titull kampion në tavolinë pas përjashtimit të 17 Nëntorit (1967).

Por, shumë më e madhe, më e famshme e pasur me trofe e kupa është pjesa e dytë e karrierës, ajo shkodrane. Në Shkodër e pritën me shumë entuziazëm, dashuri e simpati, gjithmonë i duartrokitur.

Ndërsa ishte punonjës në Drejtorinë e Veshmbathjeve në NTUS-in e qytetit si merceolog, edhe në fushë ishte një futbollist model, shënues e protagonist në dhjetëvjeçarin e paharruar '70-'80, ku arrin dhe kulmin e karrierës, gjithmonë me numrin 10 në fanellë.

Luante me të dyja këmbët, nuhatës, lojtar zone dhe shënues i gjithanshëm, edhe pse mbulohej nga mbrojtësit më të mirë të kohës: me kokë, këmbë, në ajër, në dyluftim, driblues dhe njohës perfekt i portës kundërshtare.

Autor i golave me vlerë historike

Si goleador i shquar te Dinamo, Vllaznia, disa prej tyre spektakolarë krejtësisht në repertorin universal të tij janë shumë, por ato "të mëdhatë" që ka realizuar me klube janë dy: kundër Ajaksit, ndonëse luan me Vllazninë, merret si përforcim nga 17 Nëntori për sfidën e shtatorit të 1970 për Kupën e Kampioneve, zhvilluar në "Qemal Stafa".

Dhe nuk ka zhgënjyer, duke shënuar golin e barazimit në fundlojë, atë 2-2 ndaj kolosëve te ardhshëm të futbollit botëror që udhëhiqnin ndeshjen me shifrat 2-0. Ndërsa goli tjetër, po në Kupën e Kampioneve, këtë herë ndaj një skuadre me famë, e lojtarë kalibri si Austria e Vjenës në përbërje me shumë titullarë të botërorit argjentinas. 2-0 në ndeshjen e parë në "Vojo Kushi" në shtatorin e ’78-ës dhe triumfi ka firmën e Ballgjnit e Medin Zhegës, tashmë në kufijtë e maturimit, por edhe në limitet e sakrificat e fundit të karrierës, pasi është 32 vjeç.

Dëmtimi dhe rikuperimi që habiti mjekësinë

Sapo kthehet te Vllaznia, pëson një dëmtim shumë të rëndë. Madje, në kampionatin e parë, kur janë të tre në formacion dhe skuadra përgatitet për një sezon gjigant, do të mungojë në pjesën e dytë të tij. Pikërisht në fund të vitit 1971, ndërsa është në formë, realizon gola decizivë, vjen dëmtimi i papritur, shumë serioz.

Dërgohet në Rumani, ku qëndron gjashtë muaj. Ndërsa mjekët pasi kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale i kanë prerë shpresat, për Zhegën rikuperimi do të jetë tejet i vështirë, por jo i pamundur. Falë vullnetit të tij, rikthehet autoritar dhe protagonist në fushë deri në ditën që e mbylli karrierën. Një kapiten i vërtetë, gjithmonë në krye të sulmit, deri kur u shkëput nga futbolli aktiv.

Një ndëshkim i papritur

Është e pabesueshme nëse i rikthehesh sot Medin Zhegës dhe tronditesh kur mendon se ai nuk jeton më. Ishte një ndarje e papritur, madje e pabesueshme, për forcën, dëshirën dhe aktivitetin fizik që ushtronte.

Gjithçka ndodhi në Kanada, ku ishte për një vizitë, por që fatkeqësisht do të rikthehej në Shqipëri, në kushte shëndetësore, që për atë e familjen do të ishin më shumë se një vuajtje pa fund deri në frymën e fundit të tij, në momentin më kulmor të jetës. I martuar me dhe me dy fëmijë, diplomuar në Fakultetin Ekonomik, me profesionin merceolog, Zhega ishte një intelektual i vërtetë i futbollit shqiptar.

I shkolluar, trajner i kualifikuar, shumë komunikues, njohës i disa gjuhëve të huaja, me një kulturë të gjerë, tejet i përgatitur, mjeshtër në lojë e në jetë, Zhega la pas gruan dhe dy fëmijët, Beneti e Kreshniku. Madje, ky i fundit luajti për disa vite, por pa mundur ishte një Zhegë i dytë.

Bizi, talenti i madh shqiptar

Sabah Bizi, i lindur në vitin 1948, është një ndër talentet e rralla që ka parë futbolli shqiptar, produkt i atij shkodran. Me numrin 9, pas debutimit e shkëlqimit te Vllaznia në Kupën e Republikës të vitit 1965, karriera e tij do të shpërthente fuqishëm dhe pa u ndalur në Kombëtare e te Partizani, për t’u rikthyer me bujë te Vllaznia, së cilës do t'i japë shpirtin, bashkë me të edhe triumfet e dëshiruara.

Rragami me Partizanin, i katƫrti nga e djathta

Rragami me Partizanin, i katërti nga e djathta

Shumë elegant, lojtar i bukur, me kokën lart duke e udhëhequr topin pa e parë atë, luante me të majtën, por i përdorte shumë mirë të dyja këmbët, me një hap të gjatë galopant, inteligjent, me një shikim periferik si askush tjetër, madje shumë i ri për sigurinë që transmetonte, me këdo që luajti dhe kundër të gjithëve.

Një "asistman" i shquar për kohën, por edhe golashënues. Lider i vërtetë në Kombëtare, te Vllaznia e Partizani, i palodhur dhe plot fantazi ka qenë ajo çka ai transmetoi me lojën e tij.

Te Partizani e pëlqen Petrit Dume

Është afirmuar te Vllaznia, në përfaqësuese, kur në vjeshtën e vitit 1968, grumbullohet me Partizanin që e merr si përforcim para takimit me FC Torinon. Pas këtij momenti do ta mobilizojnë për të kryer shërbimin ushtarak, pasi pëlqehet nga drejtuesit ushtarakë, në veçanti nga gjenerali i pasionuar Petrit Dume.

Qëndroi dhe luajti si titullar për tri vite me Partizanin, madje protagonist në të gjitha takimet, me gola, lojë të bukur e spektakël, i dashuruar shumë nga publiku kryeqytetas. Në krah të Panos, Jankut, Canit, Thakës, Brahos, Ballukut, Bajkos, Berishës, Muhedinit, Ziut, Shllakut, kampion Ballkani me Klube, kampion dhe fitues i Kupës së Republikës, pa harruar fitoret 1-0 me FC Torinon, kualifikimi historik ndaj Advidaberg dhe ndeshjet Partizani-Vaker është bilanci i tij me klubin ushtarak.

Urdhër i Mehmet Shehut, rikthimi i bujshëm

Mund të kishte qëndruar te Partizani, pasi pëlqehej jashtë mase nga ushtarakët e lartë të kohës, të cilët kishin edhe forcën për ta mbajtur. Por, pas një vizite të kryeministrit Mehmet Shehu në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, ndërsa kërkon realizimin para kohe të objektivave, dikush nga salla i kërkon që të ndërhyjë për të sjellë në Shkodër Sabah Bizin.

I painformuar dhe jo njohës e dashamirës i futbollit, pyet se kush është Sabah Bizi, duke e menduar se duhet të jetë inxhinier i mirë dhe habitet kur i thonë se është futbollist shkodran dhe po kryen shërbimin ushtarak me klubin e Partizanit.

Me urdhër të tij, në shtator i vitit 1971, Bizi kthehet përfundimisht në Shkodër, menjëherë pas takimeve Partizani- CSKA e Sofjes (0-1, 0-3) për Kupën e Kampioneve.

Çfarë bën sot legjenda

Karriera e tij post-futbollistike vijoi si trajner në nivele modeste. I martuar me Ficin, gjimnastja me të cilën u dashurua kur ajo ishte në Mjeshtërinë Sportive në Tiranë dhe ai te Partizani, ishte djali i Sabah Bizit që vazhdoi rrugën e tij, madje edhe ky i konsideruar si talent kur luajti me Vllazninë, por pa mundur të marrë famën e të arrijë majat e të atit.

Bizi, kapiten i ekipit Shpresa nĆ« njĆ« takim nĆ« Greqi. Nga e majta: Berisha, Seferaj, Ahmedani, Bizi, R. IbĆ«rshimi. Ulur majtas: ƇeƧo, Pernaska, Janku, F. Sejdini, Thaka, A. Ƈela

Bizi, kapiten i ekipit Shpresa në një takim në Greqi. Nga e majta: Berisha, Seferaj, Ahmedani, Bizi, R. Ibërshimi. Ulur majtas: Çeço, Pernaska, Janku, F. Sejdini, Thaka, A. Çela

Bashkë me futbollin e luajtur, ka qenë edhe mësues i edukimit fizik, aktualisht jeton në Shkodër, afër të 70-ve, është në pension, ka një jetë normale, pak problem me shikimin, por gjithmonë i rrethuar dhe i respektuar jo vetëm nga shkodranët, por nga e gjithë Shqipëria sportive.

Tejet korrekt në fushë ku luajti si mesfushor, sulmues, por edhe si "i lirë", asnjëherë kartonë, marrëdhënie miqësore me të gjithë, gjithmonë me numër 9 në fanellë.

Triumfet me Vllazninë e Xhod Shaqirit

Në formacionin tradicional shkodran, atë pas viteve '60, në një ndeshje kampionati me 12 skuadra të vitit 1964, muaji qershor, në "Qemal Stafa" ndaj Partizanit, Vllaznia luan me:

Dushaj (Rexha), Gjoni, Çapaliku, Djepaxhia, Rragami, H. Kraja (Basha), Koçobashi, Preza, Zhega, S. Dani, Rakiqi. Ndërsa Rragami-Bizi janë bashkë në periudhën janar-qershor të '68-ës kur në 11-shin shkodran janë: Dani, Çapaliku, Gjoni, Dedja, Rragami, Lekaj, Gjergji, Cukali, Çanga (Koçobashi), Bizi, Puka. Zhega dhe Rragami u bashkuan te Vllaznia në fazën e parë të sezonit 1969- 1970, kur në finalen e Kupës së Republikës, në mars 1970, Partizani-Vllaznia 4- 0, shkodranët paraqiten me: Ndoja, Çapaliku, Cukali, Dedja, Rragami (Hoxha), Leka, Koçobashi, Rakiqi, Çanga, Zhega, Dani.

Ndërsa Bizi do të vijë në shtator pas një viti, për ta kompletuar treshen, si titullarë të padiskutueshëm të skuadrës e tifozërisë së një Vllaznie që projektuan trajnerët Xhod Shaqiri e Xhelal Juka, kampionë në sezonin 1971-72, 1973-74, 1977-78 si dhe të Kupës së Republikës në tre sezone: 1972, 1979, 1981.

Madje, në sezonin e fitores së dyfishtë kampionat-kupë, ai 7-1-72 mbetet një sezon spektakolar i një Vllaznie dominuese thyese e hegjemoninë e skuadrave kryeqytetase duke i rivalizuar pa kompromis ato ku kontributi i treshes Rragami-Bizi-Zhega është i jashtëzakonshëm (ndonëse Zhega, i dëmtuar rëndë, mungoi në fazën e dytë të tij). Bashkë me ta, do të jenë edhe P. Ndoja, M. Dedja, H. Lekaj, M. Mani, V. Plumbini, S. Dani, Ç. Ndoja, E. Rakiqi, M. Zhega, l. Koçobashi, I. Hoxha, S. Duraj, R. Çanga, Z. Basha, H. Puka M. Qerraj, M. Vaso, A. Hafizi, F. Paçrami, E. Hafizi, I. Sukaj, L. Basha, G. Boshnjaku, F. Borshi, F. Axhani, L. Vukatana, S. Gruda, por edhe Kolec Kraja, trajneri që e drejtoi Vllazninë në fitoren e Kupës së Republikës së vitit 1981.

Zhega me bluzƫn e Vllaznisƫ

Zhega me bluzën e Vllaznisë

Te Vllaznia, për Kupën Ballkanike

Në vitin 1968, të tre janë në përbërje të Vllaznisë që luan në Kupën Ballkanike ndaj Genclerbirligi e Kostancës. Madje në të gjitha sfidat Rragami e Bizi janë në formacion, ndërsa me kërkesë të Xhod Shaqirit, merret nga Dinamo si përforcim dyshja Zhega-Çeco, pasi njihej rendimenti që kishin te klubi kryeqytetas për kohën, ku janë edhe në kulmin e formës.

Në Rumani, pasi ka luajtur me skuadrën e Kostancës, Vllaznia ka vazhduar të qëndrojë edhe disa ditë duke zhvilluar një miniturne, në të cilin Rragami-Bizi-Zhega janë protagonistë.

Sa pa fat në Kupën e Kampioneve

Ndonëse kampionë të vendit, Vllaznia dhe treshja e famshme nuk kanë mundur të luajnë së bashku në Kupën e Kampioneve, atë të vitit 1972-73.

Motivi ishte dhe mbetet ende sot një banalitet e padrejtësi që vetëm shteti i asaj kohe mund t’i aplikonte për klubet e tij: Pas një turneu në Kosovë të ekipit të volejbollit të Vllaznisë, pas të cilit u fol se kishin marrë dhurata, çka nuk lejohej sipas shtetarëve, vjen dënimi disavjeçar nga Komiteti Shtetëror i Sporteve për mospjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare për të gjithë Klubin Shumësportësh “Vllaznia”, duke përfshirë edhe skuadrën e futbollit, madje kjo në prag të takimit me austriakët e Rapid Vjenës.

Pas tre vitesh, sërish të pafat: Shorti i Gjenevës përball Vllaznia- Dinamo e Moskës. Refuzohet pasi politika nuk lejonte ndeshje me rusët e sërish skualifikim. Për të ardhur në sezonin 1978-79, Kupa e Kampioneve, turi i parë: Vllaznia-Austria e Vjenës 2-0 dhe 1-4.

Në kombëtare, tjetër kapitull

Rragami 21 dhe Zhega 19 vjeç kanë të përbashkët debutimin në kombëtare: Në vitin 1965, kur të dy, të sapoardhur te Partizani e Dinamo, trajneri Z. Konci i aktivizon në takimin Zvicra-Shqipëria 1-0. Të fundit Rragami e luan me 3 nëntor 1973, në Tiranë, Shqipëri-RD Gjermane 1-4 me një total 18 ndeshje- 1 gol, ndërsa Zhega e mbyll më shpejt për shkak të dëmtimit.

Pikërisht në Karlsruhe, më 12 qershor të 1971, RF Gjermane-Shqipëri 2-0 do të jetë sfida e fundit e tij me përfaqësuesen: 9 ndeshje 2 gola. Sabah Bizi pak më ndryshe: debutoi me përfaqësuesen në moshën 17-vjeçare, më 8 prill në 1967, në Dortmund, RF Gjermane- Shqipëri 6-0 për ta mbyllur në miqësoren Shqipëri-Algjeri 3-0 në tetor të vitit 1976, gjithsej 13 ndeshje.

Katër janë takimet që i gjejmë së bashku me ngjyrat kuqezi: Për herë të parë më 12.11.1967 në Beograd, Jugosllavi- Shqipëri 4-0 (Rragami me Partizanin, Bizi me Vllazninë dhe Zhega me Dinamon); 17.12.1967, Tiranë, Shqipëri-Rf Gjermane 0-0; 14.10.1970 në Katovicë, Poloni-Shqipëri 3-0 (Rragami i Vllaznisë, Bizi i Partizanit, Zhega i Vllaznisë) dhe për herë të fundit me 13.12.1970 në Stamboll, Turqi-Shqipëri 2-1 ku Rragami e Zhega luajnë me Vllazninë, ndërsa Bizi me Partizanin. Në të gjitha takimet, trajner ka qenë Loro Boriçi, një tjetër mjeshtër i madh i futbollit shkodran e atij kombëtar.

Golat e famshëm me kuqezinjtë

Në total janë tre që kanë firmën e Zhegës dhe Rragamit. I pari, ai ndër më historikët e futbollit shqiptar, i shënuar gjysmëshekulli më parë, realizuar në ato përfaqësimet e para të europiane që ishin tejet të vështira, me mungesë të theksuar eksperience, i takon 24 nëntorit 1965 në "Qemal Stafa", ku luhet për EKB "Angli 1966", Shqipëri-Irlandë V 1-1.

Një ditë me kohë të keqe, në një stadium të tejmbushur për të parë Bestin e famshëm, skuadra e të cilit ka kaluar në avantazh në 58' me Irvine.

Por, do të vijë minuta e 77-të kur një i ri, i panjohur, vetëm 18-vjeçar në ndeshjen e tij të dytë me kombëtaren me emrin Medin Zhega, pas një harkimi nga e majta, me kokë i zhytur thuajse ngjitur me tokën, ka barazuar nga porta e qytetit, rezultat që i eliminoi irlandezoveriorët nga botërori anglez.

Sërish Zhega është autor i barazimit 1-1 me Poloninë në majin e vitit 1971, kur shënon në minutën e 11-të duke barazuar golin e shpejtë të polakëve realizuar nga Banas në fillimlojë.

Ndërsa Ramazan Rragami e ka të stilit të tij që ka edhe vlerën e fitores: Shqipëri- Finlandë, tetor 1973, minuta e 5-të, ai ka shënuar nga pika e penalltisë, specialiteti i tij dhe 1-0 e gjithë loja.

Ndaj Gjermanisë, e para dhe e fundit për Bizin

Ky është një detaj i veçantë në marrëdhëniet e Sabah Bizit me skuadrën kombëtare. Nga viti 1967, kur Boriçi e aktivizoi në Dortmund kundër Gjermanisë së Bekenbauerit, Overat e Gerd Mylerit, do të kalojnë shumë vite, sërish Loro Boriçi do të grumbullojë po kundër Gjermanisë në ndeshjen e 4 prillit të vitit 1981 (0-2 për RF Gjermane, dy gola të Shusterit), kur ai është 33 vjeç.

Në dilemën që ta pranojë apo jo ftesën dashamirëse të trajnerit legjendar që i kishte aktivizuar si asnjë tjetër 19 vjeç me përfaqësuesen 15 vite më parë, Bizi vjen në kombëtare me shpresën se Boriçi do të gjejë mundësinë për ta aktivizuar. Por, jo! Kur ka dëgjuar formacionin dhe ka parë se realisht mundësitë për të luajtur ishin thuajse minimale, e ka "braktisur" përfaqësuesen pa zhurmë e bujë duke u rikthyer në Shkodër. Këtu është edhe fundi kuqezi i tij.

Rragami largohet nga futbolli, i dorƫzon fanellƫn Astrit Hafizit

Rragami largohet nga futbolli, i dorëzon fanellën Astrit Hafizit

Nuk pati fat, pasi në kulmin e formës, gjatë viteve '70-'80 bashkë me atë brez lojtarësh të talentuar, u godit nga pezullimi i gjatë i futbollit shqiptar nga aktivitetet ndërkombëtare.

Asnjë kompromis me ish-skuadrat

Të tre kanë një kapitull të veçantë e të rrallë, siç janë takimet e Vllaznisë, kundër ish-skuadrave si Partizani e Dinamo, duke luajtur pa asnjë kompromis ndaj tyre: Rragami, i sapokthyer në Shkodër pas Partizani-Torino, i marrë si përforcim me të kuqtë, ka fiksuar një gol spektakolar, atë të barazimit në ndeshjen Vllaznia- Partizani 2-2, madje në portën e Mikel Jankut, mikut të tij.

Edhe Zhega, po në "Vojo Kushi", ka realizuar golin e fitores 2-1 të Vllaznisë ndaj Dinamos duke u dhënë shkodranëve Kupën e Republikës, atë të vitit 1979.

Ndërsa Bizi e ka pak ndryshe: Në Tiranë, ndeshje kampionati, Partizani-Vllaznia 2-0 pjesa e parë. Në të dytën, pas një harkimi të Hafizit, Bizi ka realizuar golin e barazimit nga porta e qytetit, madje duke shënuar me kokë, që habiti "Qemal Stafa"-n.

Largimet: Sa emocion për publikun shkodran!

Rragami ishte i pari: Vllaznia-Labinoti 2-2, në shtator të vitit 1975.  Fanellën ia dorëzoi Astrit Hafizit, një tjetër protagonist i mesfushës shkodrane. Po atë ditë janë larguar nga futbolli edhe H. Lekaj e L. Kçobashi, dy figura qendrore dhe historike të klubit në vitet ’70.

Pas Rragamit, shiriti i kapitenit kalon te Zhega, i cili e mban deri në shtatorin e vitit 1979, para takimit Vllaznia-17 Nëntori, kur bën xhiron tradicionale në "Vojo Kushi" i duartrokitur pafundësisht nga spektatorët e pranishëm.

Dhe i fundit Sabah Bizi: Në shkurtin e vitit 1982, në sfidën Vllaznia-Dinamo, edhe Bizi ka ulur siparin. Këtu përfundon cikli i njërës prej tresheve më të famshme të futbollit kombëtar, Rragami-Bizi-Zhega, ndër më spektakolaret që kanë parë stadiumet shqiptare.

Shkolla shkodrane e trajningut

Janë shquar, madje shumë edhe në këtë drejtim. Nga stoli i Vllaznisë dhe në kombëtare gjithmonë protagonistë: Nga Jakova, Boriçi, pastaj Rragami, pastaj Hafizi dhe Zhega, deri edhe rekordmenë:

A. Hafizi 25 ndeshje, L. Boriçi 20, Zhega 13, Jakova 5, në total 61 ndeshje zyrtare së bashku, të gjithë nga shkolla shkodrane. Vetëm sekondat e fundit kanë ndëshkuar padrejtësisht formacionet e Hafizit dhe Zhegës në dy sfidat historike me Gjermaninë. Sigurisht edhe Ramazan Rragamin, njeriu që drejtoi skuadrën në kualifikimin historik e të bujshëm pas barazimit 1-1 në Trirer të RF Gjermane, me ekipin Shpresa në nëntorin e vitit 1983.

Sabah Bizi, kapiten i Partizanit

Sabah Bizi, kapiten i Partizanit

Një rezultat që eliminoi gjermanët dhe e dërgoi për herë të parë Shqipërinë në çerekfinalet europiane të kësaj moshe.

Epilog

Treshja Rragami-Bizi-Zhega është pjesë e një epoke të rëndësishme jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe atë njerëzor e historik, e cila u krijua nga ndërthurja e universalitetit, aftësive individuale që zotëronin të harmonizuara, e transformuar në mënyrë të përkryer në shërbim të skuadrës për më shumë se 15-20 vite.

Të admiruar, respektuar nga publiku, kudo e kurdoherë korrektë, të sjellshëm, asnjëherë problematikë me arbitra e kundërshtarë, shumë popullorë, në "Kafen e Madhe" ose te Turizmi bashkë me tifozë do t’i gjeje, aq të thjeshtë e komunikues ishin. Për çfarë shfaqën e demonstruan, kanë qenë dhe mbeten kolosë në fushë e në jetë.

Burimi: Panorama Sport
Autor: Uvil Zajmi

 

Komentet