Një ndër tre emrat e dalë dje nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, si anëtarët e rinj të Bordit Mbikëqyrës të klubit “Vllaznia”, është edhe ai i Admir Telit. I vetmi ish- futbollist, prandaj emri i tij natyrisht që zë vend, ngaqë e njeh këtë fushë më mirë se shumë të tjerë, ndaj mund të japë një gjykim apo mendim për situatën. Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare ka lënë përfundimisht Azerbajxhanin, ku luajti për disa vite me radhë, dhe bashkë me të ka lënë edhe futbollin. Ka vendosur t’i thotë lamtumirë në moshën 34-vjeçare kësaj loje magjike, kur ndoshta mund të vazhdonte sërish, por ka thënë “jo”.

Megjithatë, nuk e kanë lënë të qëndrojë shumë larg futbollit. I rikthyer të jetojë në Shkodër, pranë familjes së tij, ish-mbrojtësi është propozuar për të qenë pjesë e Bordit të Vllaznisë dhe ai ka thënë “po”, sepse ka dëshirë ta ndihmojë këtë skuadër për t’u rikthyer në nivele të larta. Teli është kontaktuar nga “Telesport.al” dhe kuptohet që për momentin nuk ka se çfarë të flasë më shumë, por është mjaftuar me pak fjalë, kur ka thënë: 
“Unë falënderoj kryetarin e Këshillit Bashkiak, z.Xhemal Bushati, që më telefonoi dhe më propozoi të isha pjesë e Bordit të Vllaznisë dhe natyrisht që nuk mund t’i thoja “jo”, sepse kishim të bënim me skuadrën time të zemrës.

Tashmë jam pjesë e këtij bordi dhe kuptohet që do të mundohem të bëj më të mirën, për aq sa mundem. Sigurisht, do të them atë që mendoj se është e drejtë dhe nëse fjala ime do të dëgjohet, natyrisht që do të jem i lumtur. E rëndësishme është që njerëzit e sportit, ata që e duan Vllazninë, në një mënyrë apo në një tjetër t’i qëndrojnë pranë asaj dhe ta ndihmojnë për të dalë nga kjo situatë ku ndodhet. Nuk është në nderin tonë, as të Shkodrës, kjo gjendje e Vllaznisë. Prandaj, me detyrën e re, në të cilën jam zgjedhur, do të insistoj për një ndryshim sa më të shpejtë të situatës. Kaq si fillim, sepse në ditët në vazhdim, pasi të jemi mbledhur e diskutuar, mund të thuhet më tepër se çfarë do të ndryshojmë te Vllaznia”.


Teli në bord, Sinani në Këshill, Grima në staf, duket se djemtë kuqeblu janë rimbledhur sërish pranë skuadrës dhe duan t’i japin një zgjidhje. Por, në fakt, të vetëm ata nuk mund të bëjnë asgjë. Duhen të gjithë faktorët të mblidhen dhe t’i japin një zgjidhje ashtu si duhet këtij klubi me traditë në futbollin shqiptar.

telesport.al
 

Komentet