Këmbë e krye drejtuesit e Vllaznisë të paktën për thuajse 2 vitet e fundit kanë shkelur ligjin dhe tashmë për herë të parë aludimet ose akuzat bëhen fakte. “Star Plus” në mënyrë ekskluzive ka arritur që të sigurojë raportin paraprak të auditimit të brendshëm që ka bërë bashkia Shkodër për klubin Vllaznia kryesisht në dy vitet e fundit.

Mosrespektimi nis që me statutin teksa raporti i auditit thotë se: “nuk ka një përcaktim të qartë të kompetencave të këshillit mbikqyrës dhe administratorit. Në statutin e shoqërisë nuk është përcaktuar qartë vendimarrja lidhur me kryerjen e shpenzimeve përfshirë pagat, sigurime, shpenzime operative, investime, shpërblime, kontrata shërbimi. Në vendimin nr 41 dt. 19.07.2014, Këshilli Bashkiak në cilësinë e asamblesë i jep kompetencë kryetarit të bashkisë për emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës veprim i cili bie ndesh me nenin 135 të ligjit “për shoqërite tregtare”. Klubi i futbollit Vllaznia nuk ka miratuar rregullore të brëndshme funksionimi përfshirë të drejtat dhe detyrat sipas hierarkisë së drejtimit, rregullat e funksionimit të vendimmarrjes, rregullat e zbatimit të proçedurave financiare, rregullat e funksionimit të anës teknike përfshirë rekrutimin dhe stërvitjen e sportistëve, të drejtat dhe detyrimet e sportistëve, kriteret për kontraktimet e sportistëve”. Duke vlerësuar drejtimin raporti i auditit bën me dije se: “nuk është dokumentuar mbikqyrja nga Këshilli Mbikqyrës dhe admistratori. Veprim që bie në kundërshtim me nenet 105/134/166 të ligjit ”Për shoqërite tregtare” dhe nenin 22 dhe 30 të Statutit të shoqërisë”. Për vitin 2012 drejtimi i shoqërisë është realizuar nga administratori i saj i cili ka marrë vendime, pa u konsultuar me këshillin mbikqyrës, pa patur një program të veprimtarive të miratuar. Nuk janë përpiluar dhe miratuar programe afatshkurtër dhe afatgjatë për planin stërvitor, planin financiar, planin organizativ, llogaridhënien, informimin lidhur me aktivitetin e kryer. Nga ana e administratorit janë marrë vendime dhe njëkohësisht janë ekzekutuar prej tij duke vepruar në kundërshtim me organizimin e shoqërisë në sistemin e dy niveleve.
AUDITI: TEK VLLAZNIA NË 2012 ADMINISTRATORI PA PROGRAM
Nga ana e administratorit nuk janë kryer vlerësime të punës së kryer si nga ana teknike sportive ashtu edhe nga ana profesionale si dhe nuk ka informuar me shkrim organet më të larta lidhur me mbarëvajtjen e punës në Klubin e futbollit Vllaznia. Nuk ka funksionuar sistemi i monitorimit nga sektori i sportit pranë bashkisë Shkoder, detyrë e cila ka qënë e përcaktuar në rregulloren e bashkisë. Sa i përket menaxhimit të buxhetit nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se klubi i futbollit Vllaznia nuk ka përpiluar një projekt buxhet, ku të përcaktoheshin qartë të gjithë zërat e shpenzimeve, përfshirë paga, sigurime, shpenzime operative, investime, shpërblime etj. Asambleja, konkretisht këshilli bashkiak nuk ka miratuar politika tregtare të shoqërise, duke vepruar në kundërshtim me nenin 135 i ligjit të shoqërive tregtare. Nuk është përpiluar dhe miratuar plani i buxhetit për kryerjen e aktivitetit të klubit, dhe të gjitha shpenzimet e kryera janë bazuar në iniciativa personale të administratorit të shoqërisë. Sipas raportit të auditit për mos përpilimin dhe mos miratimin e buxhetit mbajnë përgjegjesi ish- administratori Fatos Gjyrezi, administratori Neritan Kalamishi dhe Përgjegjesi i financës Denis Fani. Lidhur me menaxhimin e të ardhurave për akordimin e fondeve nuk është paraqitur analizë lidhur me destinacionin që do të kenë si dhe për fondet e mëparshme të miratuara nuk është raportuar lidhur me përdorimin e tyre. Për 2014-ën totali i të ardhurave është 532 milion lekë të vjetra dhe për 8 muajt e këtij viti 427 milion lekë të vjetra. Tek akademia Vllaznia nuk ka një vendim ku të përcaktohet, bazuar në treguesit ekonomik lidhur me caktimin e tarifave që paguajnë lojtarët çdo muaj. Nuk është lidhur kontratë me lojtarët e akademisë, lidhur me të drejtat dhe detyrimet ndërmjet palëve. Për të kaluar tek biletat gjatë 2014-ës përdorimi i tyre është bërë nga një person i trëtë i cili nuk ka qënë punonjës i klubit, si dhe nuk ka patur një marrëveshje kontraktuale në formën e një agjenti. Këto veprime bien në kundërshtim me Udhëzimin e Ministrisë së Financave “Për menaxhimin e aseteve në sektorin publik”. Disa firma nuk kanë kryer pagesën për reklamën e përfituar në stadiumin “Loro Boriçi”. Raporti i auditit vijon më tej me menaxhimin e shpenzimeve teksa thotë se klubi Vllaznia nuk ka miratuar planin e shpenzimeve dhe janë kryer bazuar në iniciativa personale të administratorit të klubit. Janë kryer shpenzime pa u bazuar në dispozitat ligjore apo në rregullore të miratuar nga organet eprore.
AUDITI: KONTRATAT TEK VLLAZNIA TË PARREGULLTA
Për të kaluar tek kontratët me lojtarët apo trajnerët në raportin e auditit nënvizohet se këto kontrata për sezonin 2014-2015 nuk kanë të shkruar bazën ligjore që ka të bëjë me të paktën referencën e kodit civil, kodit të punës, ligjit për proçedurat tatimore dhe ligjit për sigurimet shoqërore. Administratori i klubit ka vepruar me iniciative personale në vendosjen e çmimit në kontratë. Në kontratë nuk është përcaktuar dëmi mbikontraktor që shkaktohet nëse lojtari largohet në kundërshtim me pikat e kontratës. Ndërmjet lojtarit dhe klubit duhej të ishte lidhur kontratë punë në të cilën duhej të përcaktoheshin qartë paga mujore, kohëzgjatje e stërvitjes, detyrimet për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi. Në kontratë ka të përcaktuar vetëm çmimet ndërsa nuk është përcaktuar detyrimi ligjor për sigurimet shoqërore. Për vitin 2014-2015 janë lidhur kontrata me 11 shtetas të huaj, ndërsa në vitin 2015-2016 janë lidhur 10 kontrata me shtetas të huaj. Për këto persona nuk disponohet leje qëndrimi dhe leje pune duke vepruar në kundërshtim me ligjin “Për të huajt”. Për sezonin 2015-2016 Darko Paviçeviç i kontraktuar me vlerë kontrate vjetore 29.200 euro nuk ka luajtuar asnjë nga 5 ndeshjet e zhvilluara deri tani. Natyrisht jo vetëm për auditin por për këdo është një absurditet. Sa i përket fazës përgatitore në Slloveni raporti i auditit bën të ditur se nuk ka patur një plan paraprak të grumbullimit, nuk ka të bashkëlidhur listën e personave që kanë marrë pjesë në grumbullim si dhe nuk ka faturë tatimore dhe është vepruar me iniciativë personale të klubit. Për grumbullimet e ekipit jashtë qytetit të Shkodrës, janë 8 raste ku drejtori sportiv Armir Grima nuk ka bërë asnjë kërkesë me shkrim për akomodimin si dhe listën e personave të grumbulluar. Shkelje ligjore ka edhe tek shpenzimet për ushqimin e lojtarëve të huaj. Ka shkelje flagrante me karburantin që drejtuesit e klubit e kanë hedhur në makinat e tyre në një kohë që klubi nuk ka një automjet e po ashtu shkelje flagrante ka edhe me shpenzimet e transportit, me shifra jo të vogla por 548 mijë lekë të reja për karburantin dhe afro 3 milion e 300 mijë lekë të reja me transportin. Shkelje ka edhe për shpërblime të veçanta që shkojnë 402 mijë lekë të reja. Shkeljet vijojnë me bileta avioni 206 mijë lekë të reja për të vijuar po ashtu me qeranë për fushën stërvitore të Vllaznisë 1 milion e 226 mijë lekë të reja duke qenë se nuk ka kontratë dypalëshe e as procedura prokurimi dhe as urdhër për kryerje të shpenzimeve apo në njërin rast mungojnë edhe faturat tatimore. Ne vitin 2014 në dy raste janë bërë tërheqje dhe njëkohësisht pagesa nga ish- administratori Fatos Gjyrezi dhe përgjegjësi i financës Denis Fani me vlerë 600 mijë lekë të reja, këto veprime nuk janë kanalizuar me arkë, por janë kryer menjëherë pagesa. Këto veprime janë në kundërshtim me ligjin e menaxhimit financiar dhe kontrollit.
AUDITI: PËRGJEGJËS PËR SHKELJET TEK VLLAZNIA ADMINISTRATORËT
Për të gjitha këto shkelje raporti i auditit ripërsërit se përgjegjës janë ish-administratori Fatos Gjyrezi, administratori aktual Neritan Kalamishi dhe përgjegjësi i financës Denis Fani. Për te gjitha shpenzimet e kryera për periudhen Janar 2014- Korrik 2015, nuk është miratuar buxhet, nuk janë organizuar prokurime publike, nuk janë qartësuar shpenzimet në mënyrë analitike, fatura e shitësit është nënshkruar nga përgjegjësi i financës, i cili njëkohësisht ka ekzekutuar dhe shpenzimin, nuk është përpiluar urdhër nga administratori Neritan Kalamishi për kryerje shpenzimesh.
AUDITI: TEK VLLAZNIA VEPRIME NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN
Në përfundim raporti i auditit thotë se bazuar në të dhënat e deritanishme situata paraqitet me menaxhim në kundërshtim me interesat e shoqerisë, veprime të pajustifikuara, veprime në kundërshtim me dispozitat ligjore. Këto veprime kanë nevojë për hetime të mëtejshme nga organet e specializuara.

Star Plus TV

Komentet