Edhe në ndeshjen e nesërme ndaj Partizanit, skuadra shkodrane sërish do të ketë shumë mungesa. Disa janë të pamundur për të luajtur, të tjerë nuk janë në formën e duhur, për shkak të disa problemeve shëndetësore dhe kjo ka bërë që hallet për trajnerin Luan Zmijani të jenë të shumta. Duke folur në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes, ai gjithsesi, ka shprehur besimin e tij të plotë se skuadra do të japë më të mirën e saj në fushën e lojës.

“Kemi përballë një kundërshtar, i cili në përbërje të tij ka dy formacione, por kjo nuk do të thotë se ne do heqim dorë nga kërkesa jonë për të marrë pikë, ndonëse sërish do kemi probleme me formacionin. Katër lojtarë dhe pikërisht Krymi, Bardulla, Ahmeti dhe Dyca nuk janë 100 për qind në formën e tyre më të mirë si rrjedhojë e dëmtimeve që kanë patur apo dhe i disa viroza që po i shqetësojnë ditët e fundit. Ndërkohë, Sosa ende nuk është në parametrat e duhur fizikë, Martinez ka një dëmtim ndërsa Sefa siç dihet ende nuk ka zgjidhur problemet me Bylisin. Pavarësisht këtyre problemeve ne do të kërkojmë pikë ndaj Partizanit. Do mundohemi të mbrohemi me sukses dhe të kundërsulmojmë shpejt për ta gjendur të papërgatitur kundërshtarin”,– ka thënë ai.

Problematika në këtë pragndeshje duket e madhe, megjithatë, Zmijani është i bindur se edhe mund t’ia dalin. 
“Situata pas dy humbjeve që kemi pësuar kuptohet që nuk është e mirë, por mund t’ia dalim. Në radhët e ekipit të Partizanit janë edhe dy futbollistë shkodranë e kjo kuptohet se na vështirëson disi punën tonë, sepse e njohin Vllazninë, por edhe ne e njohim lojën e tyre dhe nuk mendoj se kjo përbën ndonjë avantazh të madh. E rëndësishme është të japim më të mirën tonën dhe të marrim rezultatin e duhur”,– ka thënë në fund të prononcimit të tij trajneri i skuadrës shkodrane, Luan Zmijani.
 

Komentet