Deri të enjten, ditë kur mbaron afati pesëditor i biznesmenit në fjalë, Këshilli i ri Bashkiak i Shkodrës nuk do të nisë punë. Bashkë me të, as kryetarja e ardhshme, zj. Voltana Ademi. U mendua ndoshta që mandatimi i këshillit të ri të bëhej pikërisht sot, por nuk ka ndodhur kështu. Deri në fundin e kësaj jave, apo edhe në fillimin e javës tjetër, nuk do të ketë asnjë mbledhje. Për rrjedhojë, asnjë shqyrtim të kërkesës së Safet Gjicit. Logjika është e thjeshtë: Kryetari formal ende në detyrë, Lorenc Luka, nuk ka asnjë kompetencë ta shqyrtojë atë.

 

Kryetarja e re, Voltana Ademi, duhet të nisë njëherë punën, pastaj të shohë se çfarë bëhet në institucionin që do drejtojë dhe natyrisht që çështja e futbollit nuk është e para që ajo do marrë në dorë për të zgjidhur. Në rrethana të tilla, i bie që Gjicit të mos i kthejë kush përgjigje, ndërsa Vllaznia duhet të presë deri në janar për ndryshimin e situatës. Periudhë kjo mëse e mjaftueshme për të studiuar gjithë ç’po ndodh te ky klub dhe për të parë edhe anën ligjore për afrimin e biznesmenëve të ndryshëm pranë këtij klubi.

Komentet