Post
by Skodrinon » Wed, 13 May 2009 , 20:37
Kapiteni u kundërpërgjigjet akuzave të trajnerit. “Luaj pa pará dhe me gjilpëra”
Devi Muka: Kola na hoqi Kupën
“Gaboi në lëvizjet taktike. Është tendencioz, s’e do Tiranën, ka qëllime personale”
I shokuar nga ato që ka dëgjuar dhe në një farë mënyre i bindur se ishtrajneri, Agustin Kola, i ka rezultuar
i pabesë, kapiteni i Tiranës, Devi Muka, kundërpërgjigjet, jo vetëm duke u mbrojtur, por edhe duke u përpjekur të sqarojë të vërtetën, e cila sipas tij, e sheh ish-teknikun si fajtor për humbjen e Kupës së Shqipërisë, një njeri përçarës dhe me ndikim negativ në skuadër, madje duke shtuar se Kola në deklaratat e tij ka një qëllim të ligë, që nuk u shërben interesave të skuadrës dhe bardhebluve në tërësi. Por Muka është dhe diplomat në përgjigjen e vet,
pasi në fjalët e tij nuk ka urrejtje, por mëshirë dhe për më tepër e thotë nën zë: “Nuk është e denjë për mua të bëj
rrugaçin pas disa deklaratave të shëmtuara”.
Ish-trajneri Agustin Kola ka deklaruar në një emision sportiv se ju jeni e keqja e Tiranës dhe shkaktari kryesor
i problemeve në ekip. Cila është përgjigja juaj për këtë akuza të rëndë?
Është me të vërtetë një akuzë tepër e rëndë, që është jo vetëm e nxituar, e pabazë, por edhe dashakeqe dhe e
ligë në mendësinë e saj. Jam i shokuar dhe nuk e prisja një gjë të tillë nga Kola, pasi në skuadër e kemi dashur të
gjithë, kemi dhënë për të maksimumin dhe di që çdokush në grup e ka dashur si vëlla të madh. Turp i madh për të
që mundohet të justifikojë zhgënjimin e tij, duke përbaltur të tjerët. Ra me sa duket në të njëjtin nivel që e kanë bërë dhe disa të tjerë, madje e teproi më shumë, pasi akuzat e tij nuk më cenojnë vetëm mua, por skuadrën në
tërësi dhe ata që e mbështesin këtë ekip. Veprimin e tij e konsideroj imoral, të papërgjegjshëm dhe atë vetë me
karakter të dobët.
Ju thoni që ai ka zhgënjyer në drejtimin e skuadrës. Keni argumente?
Humbëm Kupën e Shqipërisë. Secili nga ne mori përgjegjësitë e veta, por duhet ta pranojmë me të madhe se, skuadra zhgënjeu në fitimin e Kupës, pasi Kola bëri lëvizje taktike të gabuara dhe për këtë nuk ka specialist në
kampionat të thotë të kundërtën.
Disa shembuj konkretë?
Po ja, hoqi nga fusha Osmanin, që po luante mjaft mirë dhe çuditërisht futi në krahun e djathtë të mbrojtjes
Muzakën, një lojtar që nuk luan në këtë pozicion. Më pas spostoi Agollin dhe po të shohësh me kujdes, në momentin që u bënë lëvizje të tilla ne pësuam golat. Ai pati ego personale dhe tani që nuk e realizoi kërkon fajtorët, në një mënyrë që askush nuk mund ta perceptojë. Ndihem i zhgënjyer prej tij.
Ka thënë hapur se ju jeni ai, që emëroni dhe shkarkoni trajnerët te Tirana…
Skandaloze të mendohet dhe besohet një gjë e tillë. Populli ka një fjalë të urtë: “S’ke ç’i bën gomarit e i bie samarit”. Trajnerin te Tirana e vë dhe e shkarkon ai që derdh paratë, por Kola me sa duket nuk është as
mirënjohës ndaj atyre që i dhanë besimin dhe mbështetje të pakufishme. Nuk i thanë një herë një fjalë të keqe, përkundrazi, i lanë dorë të lirë sa askujt tjetër më parë dhe po ua them hapur se ka pasur liri të plotë në të gjitha lëvizjet që ka bërë.
Si kanë qenë më parë raportet tuaja me ish-trajnerin.
Jua thashë, e kam respektuar dhe e kam dashur. Kur e dëgjova në ritransmetim emisionin dhe pashë gazetat
mbeta pa mend, me sinqeritet. Kam protestuar ndonjëherë kur më ka zëvendësuar, por si burrat jam kthyer në stol
e i kam dhënë dorën. Nuk besoj të jetë kjo një arsye e urrejtje së tij. Pastaj ju e dini mirë që edhe lojtarë të mëdhenj në botë protestojnë shpesh për këtë. Para pak ditësh Kristiano Ronaldo ishte në qendër të vëmendjes,
por vetë Fergusoni e justifikoi. Kola më dha dorën pas takimit me Flamurtarin e na përgëzoi të gjithëve, por tani s’e di pse e bën këtë. Me të vërtetë është papërgjegjshmëri.
Është mburrur se ka gjetur stadiumin bosh, por e la plot…
Mua nuk më takon të komentoj punën e tij deri në detaje të tilla, por stadiumin nuk na e la plot, por të boshatisur
(kujtoni Shkumbinin). Megjithatë, ne do ta mbushim përsëri.
Është shprehur shpesh se e do Tiranën me shpirt, duke nënkuptuar se të tjerët (ndoshta për ju) nuk e duan si ai. Ç’mendim keni?
Ç’të thuash për këtë. Kur e dashka kaq shumë, pse atëherë del e shan skuadrën dhe drejtuesit pasi iku? Pse nuk i shau më parë? Unë po ua them hapur se deklaratat e tij nuk e ndihmojnë skuadrë në misionin e saj për titullin.
Ai mund të “zbrazej” pas kampionatit, se kështu tregonte se e do ekipin. Por jo, jo, nuk e do aspak. E ka dashur
për interesa personale. Deklaratat e tij e tregojnë qartë këtë.
Si është e mundur që shumë teknikë, pasi largohen nga ekipi, vjellin vrer ndaj grupit, veçanërisht ndaj jush? Pse
nuk e bëjnë më parë këtë, gjatë kohë që drejtojnë?
Ja, për këtë duhen pyetur. Nuk e di, por Devi Muka dhe shumë lojtarë të tjerë kanë punuar me shumë trajnerë
dhe kanë ndaj tyre respekt. Pse nuk flasin keq Fatmir Frashëri, Sulejman Mema, Mirel Josa, Shkëlqim Muça apo
Astrit Hafizi? Sepse janë profesionistë në kuptimin e plotë të fjalës. E kuptojnë grupin, e njohin futbollin dhe e duan Tiranën. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme.
Jo vetëm Kola, por edhe gjetkë është thënë se keni krijuar në skuadër një ambient komod për vete dhe bëni si të doni…
Absolutisht. Shkurt fare e dua me shpirt Tiranën. Kam bërë një betim para tifozëve dhe dashamirësve të këtij klubi
dhe do ta mbaj atë premtim. Betimi im është bërë vite më parë dhe unë nga Tirana nuk iki. Unë dija të kaloja edhe
te Flamurtari, në shtëpinë time. Do të merrja më shumë, shumë më tepër, do të kisha një ambient ndoshta shumë
herë më të mirë, por nuk e kam bërë dhe s’do ta bëj, pasi Tirana është për mua gjithçka.
Mendoni se këto akuza vijnë në një moment “stuhish” për skuadrën?
Nuk mendoj se është kjo çështja. Të jesh në radhët e Tiranës është një presion i jashtëzakonshëm, si për lojtarët
dhe për drejtuesit. Kërkohet shumë, jashtëzakonisht shumë. Por Kola nuk e mbajti dot këtë presion. Tirana është
një anije e madhe dhe unë si kapiten i saj nuk e lë kurrë atë të mbytet, pavarësisht këtyre akuzave që ngjajnë me dallgë e stuhi.
Si duket të gjitha këto lindën pasi skuadra zhgënjeu në Kupë, ndryshe sot nuk mund të flitej kjo çështje, apo jo?
Patjetër. Është e vërtetë. Madje, unë do ta pyesja Kolën: Po sikur ta fitonim Kupën, a do t’i thoshte të gjitha këto?
Kola është si ai, që kur i lind djalë thotë “të më rrojë” (nëse do ta kishte fituar Kupën), por nëse lind vajzë thotë
“t’ju rrojë” (pra na e hodhi ne fajin për humbjen). Edhe një pyetje tjetër kam: Nëse e fitojmë titullin, çfarë do të thotë?
Ju keni qenë i dëmtuar, por keni bërë shumë premtime para tifozëve. Çfarë u thoni tani atyre?
Shiko, ndoshta shumë vetë nuk e dinë që unë nuk marr asnjë lek nga Tirana. Unë nuk paguhem, por prapë luaj. Unë vija nga dëmtimi dhe po luaj në fushë falë gjilpërave që po bëj në këmbë. Është një sakrificë e madhe, por e bëj, pasi u kam bërë një premtim tifozëve dhe do ta mbaj. Fjalët e Kolës duhet të na motivojnë më shumë për të fituar titullin. Me këto që tha, ai tregoi se nuk karakter dhe mbetet i pandreqshëm. Dashuria e tij për Tiranën është e rreme. Këtu ndahen rrugët e mia me Kolën, pasi dashuria ime për ngjyrën bardheblu është e pakufishme dhe nuk lidhet nga interesi.
Si i përjetoi deklaratat e ish-teknikut
Në radhët e ekipit janë ndjerë keq kur kanë parë në media deklaratat e ish-trajnerit Kola, madje nuk kanë munguar edhe reagimet, ku lojtarët, edhe pse nuk kanë dashur të bëhen publikë, kanë kritikuar qëndrimin e Kolës ndaj kapitenit Muka dhe për më tepër e cilësojnë të paekuilibruar. Një pjesë prej tyre mendojnë se Kola po zbraz mllef
për mosarritjet e tij dhe pranojnë se ai ka bërë gabime taktike, që i kanë kushtuar synimeve të skuadrës. Ka shumë të rinj dhe pjesëtarë të tjerë të ekipit që pranojnë se gafat taktike të ish-trajnerit nuk duhen justifikuar me deklarata të tilla të pavend. Me pak fjalë, në skuadër janë të një mendimi që Kola u nxitua dhe gaboi me deklaratat
e tij.
Panorama