Skandali/ Ngjarja pas ndeshjes me Flamurtarin më 11 prill
Gjyqtari: Duka na tha se Bylisi s’duhet të fitonte
Presidenti ballshiot, Kapllanaj, zbulon SMS-në e Biçaku
Zbulohet mesazhi i një prej gjyqtarëve të futbollit, që tregon manipulimin e mundshëm të ndeshjeve të kampionatit shqiptar. Në këtë superskandal, protagonist kryesor është anësori Emiljano Biçaku, presidenti i klubit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, dhe gjyqtari Albano Janku. Të përmendur në komunikimin mes këtyre të fundit,janë as më pak e as më shumë, por drejtuesit e institucionit të futbollit shqiptar.
Gjyqtarët komunikojnë me presidentin e Bylisit, në emër të kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe shefit të sektorit të garave, Ilir Shulku. Esenca e mesazhit, dërguar në numrin personal të presidentit të Bylisit, që zbuloi këtë skandal, është se “bluzat e zeza” kanë marrë urdhër nga FSHF-ja për manipulimin e ndeshjes Bylis-Flamurtari, e vlefshme për javën e 27-të të Superiores.
Por si kanë rrjedhur ngjarjet? Ai që hedh dritë dhe fakte është presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj. Ky i fundit tregon për “Panorama Sport”, gjithçka që ka lindur pas ndeshjes Bylis-Flamurtari (1-1), e zhvilluar më 11 prill në stadiumin “Adush Muça”. Më parë, Kapllanaj ka kërkuar sqarime te gjyqtarët, në lidhje me ndeshjen, në të cilën ekipi ballshiot ka pasur shumë pretendime për gjykimin. Presidenti Kapllanaj bën të ditur bisedën nëpërmjet telefonit dhe mesazhit me anësorin Emiljano Biçaku dhe kryesorin Albano Janku.
Mesazhi i anësorit
“Tri ditë pas ndeshjes Bylis-Flamurtari, më konkretisht më 14 prill ora 14:52, më ka dërguar një mesazh asistenti i takimit, Emiljano Biçaku. Dhe për këtë jam gati të përballem në çdo kanal televiziv dhe ta vërtetoj, e deri në gjykatë, sepse në mesazh flitet hapur”, thotë fillimisht Kapllanaj. Asistenti i kolegjiumit të Tiranës, Emiljano Biçaku, në numrin personal të presidentit të klubit ballshiot, ka shkruar këtë mesazh, që tregohet nga vetë Besnik Kapllanaj. “Po të kesh burrëri, merru me Armand Dukën dhe me Albano Jankun, jo me mua, se s’të erdhi e keqja nga unë. Po deshe të provosh korrektësinë time që nuk kam gjë me ty, më merr ndonjë ndeshje jashtë. Leri këto lloj presionesh dhe shiko njerëzit që ta kanë me të keq. Tung”, shkruhej në mesazhin e dërguar nga anësori Biçaku, i cili ka qenë bashkë me kryesorin Albano Janku dhe asistentin Dritan Salaj, në ndeshjen e 11 prillit të zhvilluar në Ballsh.
Urdhri për ndeshjen
Numri një i klubit ballshiot tregon edhe për telefonatën me anësorin Biçaku, ku dolën në skenë emrat e presidentit të FSHFsë, Armand Duka dhe shefit të sektorit të garave, Ilir Shulku. Sipas Kapllanajt, i cili referohet Biçakut, për ndeshjen Bylis-Flamurtari është dhënë urdhër nga vetë presidenti Duka, që nuk duhet të fitonte ekipi ballshiot. “Pas mesazhit që ai më dërgoi, unë kam komunikuar vetë me Biçakun, duke e pyetur: “Si është ky mesazh?” Ndërkohë, ai më ka treguar se Albano Jankut i kishte thënë Ilir Shulku, që me urdhër të Armand Dukës, me patjetër nuk duhet të fitonte Bylisi. Nëse ndodhte e kundërta, ata do të kishin probleme”, pohon Besnik Kapllanaj.
Telefonata me Jankun
Pasi konsumon gjithçka me anësorin Biçaku, presidenti i Bylisit i telefonon gjyqtarit ndërkombëtar Albano Janku, i cili gjykoi ndeshjen kundër Flamurtarit.
“Unë menjëherë, - thotë Kapllanaj, - kam telefonuar Jankut, duke i komunikuar mesazhin e Biçakut, që ai ta vërtetonte. Albano më tha fillimisht që kjo nuk është e vërtetë. Më pas ia dërgova mesazhin që më kishte nisur Biçaku, vetë Jankut në numrin e tij. Pasi e lexoi më tha për Biçakun që ‘ia tregoj unë atij plehrës’.”
Përjashtimi dhe e kaluara
Natyrisht që më pas “kokë turku” do të bëhej asistenti Biçaku, i cili sipas rrëfimit të presidentit të Bylisit, Kapllanaj, është përjashtuar menjëherë. “Mesazhin që më dërgoi Biçaku, gjyqtari Albano Janku ia ka përcjellë menjëherë shefit të garave, Ilir Shulku. Dhe kësisoj, Emiljano Biçaku pezullohet direkt për shkak të sekreteve që i nxjerrë shefave të tij”, thotë Besnik Kapllanaj, i cili tregon edhe për pasojat e së kaluarës, më konkretisht me gjyqtarin Tanush Latifi. “Edhe sikur të gjykonin drejtë, Janku me Biçakun, ashtu siç gjykoi Tanush Latifi në takimin me Apoloninë më 5 prill, që përfundoi në barazim pa gola, do të pezulloheshin. Tanush Latifin nuk e fusin më në short dhe e kanë pezulluar në heshtje Ndoshta e kanë lënë që ta sjellin këtë radhë në Ballsh, që të arbitrojë për të ndrequr gabimet. Të na godasë ne dhe të vazhdojë gjykimet normalisht”, ironizon Kapllanaj.
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit reagon pas deklaratave nga kampi ballshiot
Përgjigjet Duka: Akuza emocionale
“Të gjitha skuadrat janë të barabarta, s’ka tendencë ndaj asnjë ekipi. Do të prishej gara”
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka hedhur poshtë akuzat që vijnë nga drejtuesit e klubit të Bylisit, sipas të cilëve, kreu i institucionit të futbollit dhe vartësit e tij po punojnë kundër skuadrës ballshiote.
Ai i ka cilësuar deklaratat e drejtuesit Kapllanaj, si të nxituara dhe emocionale.“Klubet janë të gjitha të barabarta për federatën dhe askush nuk ka tendencë që të penalizojë një skuadër të caktuar. Kjo është anormale dhe e pakuptimtë, dhe me sa kam vënë re unë deri tani, nuk ka pasur asnjëherë një tendencë të tillë, – ka thënë Duka për ‘Panorama Sport’. – Sigurisht që kritika dhe ankesa për gjyqtarët ka pasur e do të ketë gjithnjë, sepse jo të gjithë mund të kënaqen, por ky është një fenomen që ndodh kudo. Ne si drejtues federate përpiqemi që të minimizojmë gabimet e gjyqtarëve dhe të ndikojmë në përmirësimin e punës së tyre, por e kemi të pamundur t’u mohojmë njerëzve të ankohen”.
Përgjigja
“Për federatën dhe për të gjithë administratën e saj, një gjë është e qartë: të gjithë anëtarët e FSHF-së janë, konsiderohen dhe trajtohen si të barabartë. Ndaj askujt nuk punohet me tendencë”, ka deklaruar Duka. Ai la të kuptohej se deklarata e bërë nga drejtuesi i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka qenë emocionale dhe jo e menduar me qetësi, edhe për shkak të momenteve aspak të mira që po kalon skuadra ballshiote.
“Unë mendoj se deklarata dhe qëndrimi i mbajtur nga drejtuesit e Bylisit është pasojë e një periudhe të sikletshme që po kalon kjo skuadër. Nuk mund të them asgjë më shumë se kaq”, ka theksuar Duka.
Kampionati
Kreu i institucionit të futbollit ka vlerësuar punën e bërë nga FSHF, duke thënë se kampionati ka ecur siç duhet dhe gara ka qenë shumë deri në këtë fazë të sezonit.
“Për ne është e rëndësishme që të ketë garë korrekte dhe sa më shumë rivalitet. Në këtë aspekt mendoj se gjërat kanë shkuar si duhet dhe FSHF i ka kryer mirë detyrat e saj, ndonëse gjithnjë ka vend për përmirësime”, ka deklaruar presidenti i FSHF-së.
U takua me kreun e FSHF-së, tani s’gjykon më
Pas Bylisit, përjashtohet anësori
Edhe pse nuk ka dalë ende zyrtarisht nga institucioni i futbollit, burime kofidenciale pranë këtij të fundit, kanë bërë të ditur për “Panorama Sport”, se menjëherë pas skandalit, asistenti Emiljano Biçaku është përjashtuar nga gjykimi. Këtë e tregon edhe java e fundit e kampionatit shqiptar, ku ai, si një prej asistentëve elitarë dhe që mban stemën e FIFA-s, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë nga ndeshjet. Ndërkohë, me të marrë vesh për këtë skandal, mësohet se shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, ka thirrur në një takim urgjent në FSHF, vetë asistentin, gjithashtu në praninë e drejtuesit të gjyqtarëve, Plarent Kotherja.
Burime të sigurta në federatë konfirmojnë gjithashtu, se po në këtë ditë, Biçaku është takuar edhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Pas ballafaqimeve të Biçakut me drejtuesit e FSHF-së në lidhje me këtë ngjarje, tashmë mbetet për t’u thënë se ai thuajse i ka dhënë lamtumirën gjykimit. Gjithsesi, zyrtarisht pritet të mësohet diçka më tepër në ditët e ardhshme, edhe pse përjashtimi i tij nga gjykimi duket i sigurt
Kotherja, në dijeni të SMS-ve të Biçakut
Shefi i gjyqtarëve: Nuk mund t’i komentoj mesazhet. Do takohem me arbitrin
Plarent Kotherja, shefi i sektorit të gjyqtarëve në FSHF, ka pohuar se është në dijeni të “mesazheve” të Biçakut, por ka thënë se nuk është i informuar sa duhet për përmbajtjen e tyre.
“Po, jam në dijeni të këtij mesazhi të gjyqtarit Biçaku, por nuk e di saktësisht se çfarë shkruhet aty – ka pohuar Kotherja.– Kam kontaktuar me arbitrin para disa ditësh dhe ramë dakord që të takohemi këtë javë për të diskutuar për këtë çështje”.
Emiljano Biçaku mësohet se “de fakto” është pezulluar deri në fund të sezonit nga arbitrimi, por shefi i gjyqtarëve nuk ka dashur të japë detaje.
“Nuk mund të them asgjë më shumë për këtë arbitër. Do të flas me të dhe më pas do të marrim një vendim, por për momentin nuk jam shumë në brendësi të situatës”, është shprehur Kotherja.
Biçaku cilësohet si një nga gjyqtarët më me perspektivë, madje shpeshherë gjatë këtij sezoni, ai ka marrë elozhe nga zyrtarët e FSHF-së, për punën që ka bërë. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar që arbitri t’i nënshtrohet një “dushi të ftohtë”, nga ana e zyrtarëve të federatës, për shkak të komunikimit që ka pasur me drejtuesit e skuadrës së Bylisit. Gjatë këtyre ditëve pritet një tjetër takim mes drejtuesve të FSHF-së dhe arbitrit Biçaku, të paktën kështu ka thënë Kotherja.
Panorama Sport