Page 1 of 8

Intervista

Posted: Sat, 05 Feb 2005 , 13:53
by vllaznia1919
Bici: Kam dhënë prova se di të fitoj

Humbja në ndeshjen ndaj Tiranës natyrisht që nuk i ka pëlqyer askujt në Shkodër, qoftë ky edhe vetë pjesëtar i skuadrës së Vllaznisë. Në stërvitjen e pasdites së djeshme, e para pas ndeshjes, të gjithë futbollistët kuqeblu janë parë të ndihen fajtorë për atë zhgënjim që i dhuruan vetes, por mbi të gjitha tifozërisë së tyre. Analiza 30 minutëshe që stafi drejtues i ekipit ka zhvilluar me futbollistët, bëhet e ditur se është shoqëruar me kritika të mëdha nga ana e Bicit për lojtarët e tij. Kuptohet ndarja e përgjegjësive në kësilloj rastesh është e barabartë, megjithatë ata që luajnë në fushë natyrisht që gjithmonë marrin kritika më të mëdha. Në këtë mes nuk qëndrojnë jashtë as drejtuesit e stolit, të cilët duhet pranuar që kanë marrë kritika shumë të mëdha nga ana e shumë tifozëve. Për Bicin është normale të thuhet se përgjegjës për humbjen janë të gjithë, por jo sa të shkohet deri atje saqë të thuhet se faji për humbjen bie vetëm mbi trajnerin. Një përcaktim i tillë mund të ketë dalë nga goja e disa prej atyre që janë zhgënyer shumë mbrëmjen e ftohtë të së mërkurës. Sipas këtyre njerëzve, trajneri nuk ka ditur të gjejë ashtu siç duhet mënyrën e të luajturit kundër bardhebluve. Por ky konstatim kundërshtohet në mënyrë të hapur nga vetë "timonieri" i Vllaznisë, Vasil Bici. Duke folur për "Sportin shqiptar", pasditen e djeshme, ai ka theksuar një fakt që nxjerr më së miri në dukje aftësitë e tij trajnuese. "Vjet në të njëjtën kohë, kur drejtoja Dinamon, brenda 35 ditëve e kam mundur Tiranën 4 herë, madje edhe duke i shënuar nga 3 gola për ndeshje. Ky trajner pra jam unë dhe nuk ka sesi të kritikohem se na mundi Tirana në Shkodër. Unë e kam përsëritur shpesh, Vllaznia nuk i ka kualitetet e duhura për të pretenduar për të mundur një Tiranë. Mjafton të shohim dy rastet e golave që pësuam për të kuptuar edhe diferencat që kemi në ekip. Në rastin e golit të parë, Ahi nuk e ka të qartë se detyra e tij ishte të mbyllte zonën, prandaj edhe Patushi nuk e pati të vështirë të shënonte, ndonëse ai nuk është lojtar që di të godasë topin me kokë. Po ashtu, edhe te goli i dytë, unë e kam kritikuar shumë Alcanin, i cili mban përgjegjësinë për pësimin e tij. Kaq besoj se mjaftonte për t'i dhënë fund pretendimeve tona në këtë ndeshje. Duke gabuar në mënyra të tilla dhe duke mos e pasur skuadrën të kompletuar siç duhet, nuk mund të bëhej fjalë për të përmbysur rezultatin," ? shprehet trajneri i shkodranëve. Në këtë mënyrë, humbja natyrisht që do të ketë shumë pasoja edhe sa i takon pretendimeve të saj në të ardhmen. Vendi i dytë mund të quhet absurditet ndoshta tani, në një kohë që edhe vendi i tretë vihet në rrezik pas zgjimit të Dinamos. Për të mos ndodhur kështu, kuqeblutë duhet të reagojnë, sepse edhe kohë kanë në dispozicion.

Posted: Sun, 06 Feb 2005 , 13:01
by vllaznia1919
Abilio: U jemi borxhli tifozëve shkodranë

Duhej të kishim fituar të paktën për tifozët tanë të mrekullueshëm. Ata meritojnë më tepër." Kjo është deklarata e sulmuesit të Vllaznisë, Abilio, në lidhje me ndeshjen e humbur tri ditë më parë kundër Tiranës. Nga ajo ndeshje nuk ke çfarë të kujtosh asgjë të bukur nga loja e kuqebluve. Për ta nuk ka funksionuar asnjë repart dhe kjo pranohet edhe nga Abilio, që thotë: "Kjo ndeshje është për t'u harruar sa më parë. Nuk kemi dhënë asgjë nga ajo që duhej të jepnim. Në lojën tonë nuk ka funksionuar asnjë repart. Edhe ne, si sulm, nuk kemi bërë asgjë për të shënuar, ose më mirë nuk kishim çfarë të bënim. Sa herë që kapnim topin, kishim përballë 4 apo 5 lojtarë të Tiranës, që ishte shumë e vështirë të çaheshin. Më vjen shumë keq për gjithë ata tifozë që kishin ardhur në stadium, të cilët na mbështetën me të gjitha forcat, por ne i zhgënjyem. Sinqerisht që më vjen shumë keq për ta." Humbja me bardheblutë, për momentin duket se e ka ulur edhe moralin e ekipit, aq më tepër kur edhe pretendimet e shkodranëve në kampionat tashmë janë lëkundur. Për ta do të jetë shumë e vështirë arritja e vendit të dytë, ndërsa nuk është i sigurt as vendi i tretë, duke parë ngjitjen e Dinamos. Këtë e pranon edhe vetë Abilio, i cili sheh më tepër drejt Kupës së Shqipërisë. "Vërtet do ta kemi të vështirë në kampionat. Me luhatjet që po tregojmë, vendi i dytë do të jetë shumë i vështirë për t'u arritur. Prandaj më shumë si objektiv duhet të kemi fitimin e kupës. Por edhe kjo nuk është e lehtë, përkundrazi shumë e vështirë. Aty nuk lejohet as më i vogli gabim. Pastaj shpresoj që me skuadrën të jenë edhe Junior, si dhe dy rumunët. Na janë larguar shumë lojtarë, Ziambo, Singbo, Leandro dhe së fundi edhe Salihi, prandaj na duhen edhe këta lojtarë," ? shton më tej ai. Ndërprerja e kampionatit, në njëfarë mënyre do t'u shërbejë kuqebluve për të analizuar gabimet e bëra deri tani dhe për t'i korrigjuar. Kjo duhet të ndodhë deri para ndeshjes së radhës me Partizanin, e cila konsiderohet shumë e vështirë. Këtë e pranon edhe vetë Abilio, që ka luajtur disa sezone me të kuqtë. "Unë do ta konsideroja shumë të vështirë ndeshjen me Partizanin. Vërtet kjo skuadër është poshtë në renditje, por ju e shihni që përbërja që ka ky ekip është shumë e mirë dhe herët a vonë ka për të arritur rezultate pozitive. Shpresoj që kjo të mos ndodhë në ndeshjen me ne, të cilën duhet ta vlerësojmë shumë," ? shton më tutje autori i 11 golave në këtë kampionat për Vllazninë. Me këta gola të shënuar, natyrisht që pas largimit të Salihit dhe Fortuzit, ai është një nga pretendentët kyesorë për fitimin e "Këpucës së artë". Por vetë Abilio shprehet se ky nuk është ky objektivi kryesor i tij, megjithëse edhe jo për t'u neglizhuar, prandaj në fund do të thoshte: "Nuk mendoj shumë nëse shpallem apo jo golashënuesi më i mirë. E rëndësishme është të shënoj sa më shumë gola, për të ndihmuar Vllazninë në arritjen e objektivave. Duke qenë kështu, ndoshta edhe mund të shpallem edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit."

Posted: Mon, 07 Feb 2005 , 14:47
by vllaznia1919
Teli: Kupa, objektivi që i ka mbetur Vllaznisë

"Objektivi kryesor i Vllaznisë tani është fitimi i Kupës së Shqipërisë." Kjo është deklarata e njërit prej lojtarëve kryesorë të formacionit shkodran, pikërisht e mbrojtësit Admir Teli. Ai e pranon faktin se lufta për vendin e dytë thuajse ka marrë fund. Vetë diferenca prej tetë pikësh me elbasanasit, natyrisht që është shumë, aq më tepër që forma e kuqebluve nuk është më e mira. Këtë e tregoi edhe ndeshja e fundit me Tiranën, e cila është për t'u harruar sa më parë. Duke folur për gazetën në lidhje me këtë ndeshje, Teli thotë: "Me Tiranën nuk shfaqëm asgjë nga vlerat tona të vërteta. Në "Loro Boriçi, luajtëm si një skuadër e rëndomtë dhe, me përjashtim të emrit, nuk kishim asnjë ndryshim nga Laçi. Luajtëm pa motiv dhe për rrjedhojë ia bëmë shumë të lehtë fitoren Tiranës," thotë 23-vjeçari shkodran. Takimi me Tiranën ka vërtetuar edhe një fakt tjetër. Atë që Vllaznia po vuan gjithmonë e më tepër në lojën e saj, për shkak të mungesës së kualiteteve. Madje thuhet se vetëm 5 apo 6 lojtarë janë ata që realisht duhet ta përfaqësojnë këtë skuadër. Duke qenë kështu, të luash përballë 11 lojtarëve të motivuar të një kundërshtari, natyrisht që puna bëhet mjaft e vështirë, ndaj dhe Teli bën thirrje për të ndryshuar. Të paktën për të mos humbur edhe vendin e tretë në kampionat, por duke pretenduar edhe fitimin e kupës. "Mundësitë tona për të kapur vendin e dytë janë pakësuar shumë, aq më tepër që ne po kalojmë edhe disa probleme kohët e fundit. Megjithatë, jo çdo gjë ka përfunduar në këtë drejtim dhe ne duhet të bëjmë maksimumin deri në fund. Pastaj, kemi edhe kupën. Shanset për fitimin e saj janë të mëdha, ndaj ky do të jetë objektivi ynë kryesor. Por edhe për këtë nuk do të jetë e lehtë, sepse, para së gjithash, duhet shumë punë dhe sakrificë. Përveç Tiranës, të gjitha skuadrat e tjera janë njësoj. Duke qenë se nuk kemi ndonjë ndryshim të madh, vetëm me përkushtim maksimal mund të jemi të suksesshëm këtë sezon," thotë në fund mbrojtësi i Vllaznisë. Ekipi shkodran ka vuajtur shumë në këtë sezon nga mungesa e një stabiliteti në mbrojtje. Vendosje të ndryshuara herë pas here dhe lojtarë të shumtë që janë provuar, megjithatë, shumë gola të pësuar dhe shumë gabime të bëra. Dikush fajëson vetëm lojtarët e mbrojtjes, ndërsa dikush tjetër ekipin në tërësi që nuk di të mbrojë. Shembulli më i fundit i bashkekzistencës së të dy këtyre faktorëve ishin golat e pësuar në ndeshjen e fundit me Tiranën. Prandaj jo më kot Teli bën thirrje për përkushtim maksimal të të gjithë ekipit për të mos e çuar dëm një sezon të tërë.

Posted: Thu, 17 Feb 2005 , 14:44
by vllaznia1919
Belisha: Vllaznia është brenda objektivave

Në pragndeshjen me Elbasanin, atmosfera në radhët e ekipit të Vllaznisë duket më se normale. Pas barazimit dhe lojës së mirë kundër Partizanit, optimizmi në radhët e kuqebluve është rritur dukshëm. Thënë më ndryshe, te ky ekip nuk është më ajo gjendja e krijuar pas humbjes së dy javëve më parë. Këtë e pranon edhe një nga lojtarët më të mirë të formacionit shkodran, pikërisht Amarildo Belisha. Duke folur për "Sportin shqiptar," i përzgjedhuri edhe nga trajneri Brigel në grumbullimin e fundit kundër Ukrainës, thotë që Vllaznia mund të bëjë më tepër në rrugën e saj të pretendimeve. "Në ndeshjen kundër Tiranës nuk kemi dhënë asgjë nga vetja jonë dhe, për pasojë, morali pas kësaj ndeshjeje nuk ka qenë ai i duhuri. Por kundër Partizanit, të dielën, ekipi dha maksimumin e tij, bëri një lojë të bukur dhe të kujdesshme, duke e merituar plotësisht jo vetëm pikën që morëm, por edhe fitoren. Për fatin tonë të keq, edhe në këtë ndeshje, gjyqtarët dolën hapur kundër nesh, duke na e mohuar të drejtën për të fituar. Jareci e bëri gjithçka në mënyrë të hapur dhe, për rrjedhojë, punët shkuan ashtu. Megjithatë, jam shumë i bindur se ekipi ka për t'i përmbushur objektivat që ka, sepse përkushtimi nga të gjithë ne është maksimal," ? shpjegon 23-vjeçari shkodran. Roli i tij në lojën e kuqebluve shpeshherë ka qenë vendimtar. Aktualisht, Belisha është duke kaluar një formë shumë të mirë sportive, kështu që me lojën e tij në mesfushë është një garanci më tepër për trajnerin Bici. Sipas vetë atij, që skuadra të arrijë objektivin e vet, duhet që secili prej lojtarëve të japë 100 % të mundësive të tij, prandaj dhe shton: "Vllaznia është ende brenda objektivave të saj, si në kampionat, ku të paktën vendin e tretë mund ta ketë më se të sigurt, po ashtu edhe në kupë, ku jam shumë i sigurt se Shkumbinin do ta kalojmë në këtë tur, për të menduar pastaj edhe për fitimin e këtij trofeu. Megjithatë, duke e parë që skuadra jonë nuk ka përbërje shumë cilësore, ngaqë në disa reparte kemi dobësi, duke pasur kundër edhe gjyqtarët apo dhe faktorë të tjerë, na mbetet që secili prej nesh të japë maksimumin e mundësive të veta." Këto deklarata natyrisht që duhet të merren parasysh nga të gjithë pjesëtarët e Vllaznisë, pasi sezoni gadualisht po i drejtohet fundit dhe tashmë nuk lejohen më gabime. E tillë është edhe ndeshja e kësaj të shtune kundër Elbasanit, që do të luhet në "Loro Boriçi". Sipas Belishës, ky takim është i një rëndësie të veçantë, pasi përballë do të jetë një kundërshtar shumë i fortë. "Për disa kohë, në fillim të sezonit, unë jam stërvitur me këtë skuadër dhe e di mirë se sa të vendosur janë pjesëtarët dhe drejtuesit e saj për të qenë të suksesshëm në këtë sezon. Ata do të vijnë për të fituar edhe në Shkodër, por ky është edhe objektivi ynë. Vllaznia nuk mund të bëjë të njëjtin gabim siç bëri me Tiranën dy javë më parë dhe jam i sigurt se do të fitojmë," ? thotë në fund mesfushori i kuqebluve, Amarildo Belisha.

Posted: Fri, 18 Feb 2005 , 14:46
by vllaznia1919
Abilio: Partizani "shpëtoi", por jo Elbasani

Përgjegjësia mbi Abilion dhe Sinanin për ndeshjen e nesërme me Elbasanin është shumë e madhe. Për brazilianin, që luan në vijën e parë të kuqebluve, detyra është të shënojë edhe ndaj skuadrës që thuhet se ka mbrojtjen më të fortë të kampionatit. Megjithatë, për futbollistin në fjalë, ky fakt nuk përbën ndonjë shqetësim shumë të madh. Sipas tij, për të shënuar është e vështirë ndaj çdo kundërshtari, jo vetëm ndaj Elbasanit. "Nuk mendoj se duhet të na shqetësojë fakti që Elbasani mund të ketë mbrojtjen më të fortë. Për mua, ashtu si për çdo sulmues tjetër, shënimi i golit është i vështirë ndaj çdo kundërshtari, duke përfshirë këtu edhe Laçin. Secili mundohet të bëjë më të mirën e tij, megjithatë, mendoj se edhe në këtë ndeshje, së bashku me Sinanin, kemi për të dhënë gjithçka që Vllaznia të fitojë," - thotë sulmuesi brazilian. Abilio, në ndeshjen e fundit me Partizanin, shënoi të vetmin gol për skuadrën e tij, por që nuk mjaftoi që ajo ta fitonte ndeshjen. Megjithatë, vetë braziliani, që tashmë e njeh mirë kampionatin shqiptar, është i mendimit se edhe një pikë ndaj një kundërshtari si Partizani nuk ishte pak. Madje, sulmuesi që duket se ka ende pak nostalgji për skuadrën e kuqe, nuk mendon se Elbasani është skuadër më e mirë se Partizani. "Mendimi im është se Elbasani nuk bën ndonjë diferencë të madhe në fushë me Partizanin, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë pikë se ky i fundit. Meqenëse Vllaznia barazoi dhe ishte shumë pranë fitores në Tiranë kundër Partizanit, kuptohet që do të fitojë me çdo kusht ndaj elbasanasve, aq më tepër që ne do të kemi përkrah një publik tepër të zjarrtë. Tifozeria shkodrane është një garanci më tepër edhe për ne në fushë," ? shton më tej autori i 12 golave në këtë kampionat me fanellën kuqeblu.
Në këtë mënyrë, teksa Abilio duket më se i kënaqur me ecurinë e tij te Vllaznia, mendon se shanset për të mos dalë duarbosh nga ky sezon janë ende në lojë. Megjithatë, sipas brazilianit, për t'ia arritur kësaj nuk do të jetë e lehtë, pasi nuk duhet gabuar në asnjë moment, duke nisur nga ndeshja e nesërme me Elbasanin, për të cilën Abilio është shumë i bindur se do të fitohet nga skuadra e tij. "Jam shumë i bindur se do të dalim të fituar në këtë ndeshje. Te të gjithë lojtarët ekziston optimizmi dhe besoj se nuk do të gabojmë ashtu siç bëmë para dy javësh me Tiranën. Këtë radhë gjërat do të jenë më ndryshe dhe nuk besoj se do të zhgënjejmë sërish," ? është shpehur në fund braziliani Abilio Dos Reis.

Posted: Fri, 18 Feb 2005 , 14:49
by vllaznia1919
Bici: Kupën në Shkodër pas 18 vjetësh

Barazimi i fundit në "Qemal Stafa" me Partizanin ka mjaftuar që shkodranët të heqin dorë edhe nga vendi i dytë në kampionat. Përballë këtij "dorëzimi", trajneri i Vllaznisë, Vasil Bici, realist në gjykimin e gjendjes dhe pozitës së dy ekipeve të para, nuk mendon se ndaj Elbasanit duhet hyrë në fushë me duart lart. Ndeshja e nesërme me verdheblutë do të luhet në stadiumin "Loro Boriçi", ndaj shkodranët kanë rastin më të mirë për t'iu afruar vendit të dytë. Përveçse duhet ta fitojnë këtë sfidë, kuqeblutë duket se do të bëjnë edhe "nxehjen" në prag të ndeshjeve të kupës, trofe i cili ka dalë në plan të parë për Vllazninë. Trajneri Vasil Bici e njeh mirë historinë e këtij klubi 86-vjeçar dhe e di po aq mirë se, prej 18 vjetësh, Vllaznia nuk e ka fituar kupën. Midis shumë gjërave që thotë në intervistën për "Sportin shqiptar", trajneri Bici premton se do ta sjellë këtë trofe në Shkodër. ? Bici, një barazim 1-1 me Partizanin në Tiranë. Sa ju kënaq ky rezultat? ? Normalisht, kur ke mundësi për të marrë më tepër, nuk ke sesi të kënaqesh. Me Partizanin zhvilluam një ndeshje përgjithësisht të mirë, por, për fatin tonë të keq, gjyqtarët na penguan të fitojmë. Kjo ishte hera e tretë brenda këtij sezoni, që po në Tiranë, gjyqtarët na vjedhin pikët. Për këtë gjë ata po dënohen nga federata, por ne nuk na intereson kjo, sepse pikët që po lëmë për faj të tyre nuk na kthehen më. Njëkohësisht po lind edhe një fenomen tjetër. Këta gjyqtarë, të cilët dënohen, menjëherë pas shlyerjes së dënimit, sapo t'u jepet rasti, kërkojnë të hakmerren ndaj Vllaznisë. ? Sa punë ju ka prishur barazimi me të kuqtë? ? Çdo pikë e lënë, na prish punë, por dy pikët që humbëm ndaj Partizanit e thelluan shumë diferencën me Elbasanin. Kjo do të thotë se, si Tirana, ashtu edhe Elbasani, janë thuajse të pakapshëm prej nesh. Na mbetet të luajmë fort deri në fund për të mos e lëshuar vendin e tretë, por gjithmonë me shpresat se jo gjithçka ka përfunduar edhe për sa i takon vendit të dytë. ? Sipas fjalëve që thatë, i takon që Vllaznia të luajë jo shumë e motivuar nesër me Elbasanin... ? Jo, nuk është kështu. Vllaznia, të paktën në Shkodër, gjithmonë është e motivuar për të fituar ndaj çdo kundërshtari. Besoj se kështu do të ndodhë edhe këtë javë me Elbasanin, i cili është një ekip shumë e mirë dhe jo më kot qëndron në vendin e dytë. Megjithatë, Vllaznia është e vendosur për ta fituar ndeshjen. Vërtet nuk mund t'ia marrim vendin e dytë Elbasanit, por, gjithsesi, për ta mundur në Shkodër e kemi për detyrë. ? Përveç vendit të tretë në kampionat, a mendoni se për ta mbyllur me sukses këtë sezon, më shumë shanse keni për të fituar kupën? ? Kjo vetëkuptohet. Kupa është objektivi ynë parësor. Shkodrës, ky trofe i mungon që prej 18 vjetësh dhe, po t'ia dhuronim këtë vit, do të ishte një gëzim shumë i madh për të. Për t'ia arritur kësaj, para së gjithash, duhet të tregohemi shumë të fortë në ndeshjet që do të zhvillojmë në Shkodër. Po të ndodhë kështu, ju siguroj se kupa këtë vit do t'i takojë Vllaznisë.

Posted: Tue, 22 Feb 2005 , 14:47
by vllaznia1919
Bici: Vllaznia tani të shohë përpara

Ai që ndoshta e ka kërkuar më shumë se askush tjetër fitoren ndaj Elbasanit, natyrisht që mund të ketë qenë trajneri i Vllaznisë, Vasil Bici. Kuptohet, "timonieri" është gjithmonë njeriu që shënjestrohet për çdo rezultat negativ, ndërsa tifozëria shkodrane nuk do t'ia falte një zhgënjim të dytë radhazi, pas atij me Tiranën, aq më tepër kur në këtë rast bëhej fjalë edhe për ndonjë mundësi të lënies së ndeshjes. Për të gjitha këto, pas ndeshjes, më i gëzuari nga të gjithë është dukur pikërisht Bici. "Unë sapo kam dëgjuar ato që thuheshin për lënie të ndeshjes, kam mbledhur skuadrën dhe ua kam bërë të ditur të gjithëve se ky fakt do të na shtynte më tepër për ta fituar ndeshjen. Jam i kënaqur që ia arritëm, sepse mbi të gjitha treguam se jemi një ekip me vlera," thotë drejtuesi i stolit shkodran. Për të marrë tri pikët ndaj Elbasanit, natyrisht që nuk ka qenë e lehtë, sepse presioni ka qenë tepër i madh. Bici paragjykohej për çdo lëvizje, por mbi të gjitha ajo që u ka lënë shteg njerëzve për të folur ka qenë zëvendësimi i Abilios. Këtë të fundit, trajneri i Vllaznisë e quan taktik dhe është i kënaqur që nuk krijoi probleme për ekipin. "Vendosëm të zëvendësonim Abilion, i cili kishte harxhuar shumë, sepse rezultati ishte 2?1 për ne dhe Elbasani po na bënte shumë presion. Për këtë qëllim futëm në lojë një mesfushor, që do të thotë se largimi nga fusha i Abilios ka qenë thjesht taktik," shpjegon vendimin e tij Bici. Ndërkohë, ajo që konsiderohet kyçi i suksesit të kuqebluve në këtë ndeshje ka qenë edhe vendosja disi më ndryshe e skuadrës në fushë. Përpos asaj që edhe mbrojtja në këtë 90-minutësh ka marrë përgëzimet e rastit për lojën që ka zhvilluar. Bici nuk i kursen lëvdatat me këtë rast, teksa thotë: "Qëllimi ynë që para ndeshjes ka qenë të sigurojmë në radhë të parë prapavijën. Për këtë qëllim, në këtë ndeshje edhe vendosja e ekipit ka qenë disi më ndryshe nga radhët e tjera, duke i kushtuar më tepër rëndësi mbrojtjes. Por nga ana tjetër, fjalë të mira më duhet të adresojmë edhe për lojtarët e këtij reparti. Kraja ka qenë shumë i saktë në të gjitha ndërhyrjet e tij me kokë, po ashtu edhe Teli e Alcani kanë zhvilluar një ndeshje shumë të mirë." Ndërkohë, kjo ndeshje tashmë është lënë pas, teksa për Vllazninë puna duhet të vazhdojë, pasi ndeshje edhe më të vështira janë në prag. "Diferenca me Elbasanin prej 7 pikësh është e konsiderueshme, për mendimin tim, dhe do të jetë e vështirë për ta rikuperuar. Por neve na mbetet të shohim përpara, për të vlerësuar çdo ndeshje në maksimum. Përpara kemi dy ndeshjet me Shkumbinin, të cilat janë po kaq të vështira sa kjo me Elbasanin, prandaj do të bëjmë ç'të jetë e mundur për t'i kaluar me sukses," - thotë në fund të prononcimit të tij trajneri i Vllaznisë, Vasil Bici.

Posted: Wed, 23 Feb 2005 , 14:45
by vllaznia1919
Sinani: Vllaznia ka ende objektiva në lojë

Ngjitja e Vllaznisë më lart në renditje është një detyrë shumë e vështirë për ne. E rëndësishme është të vazhdojmë të grumbullojmë sa më shumë pikë." Ky është mendimi i njërit prej lojtarëve kryesorë të formacionit shkodran, pikërisht sulmuesit Vioresin Sinani. Për të, e rëndësishme është të mos gabohet shumë në ndeshjet që kanë mbetur deri në fund të sezonit. Shumëkush ka menduar se Vllaznia e vërtetë që duhet të jetë ajo e ndeshjes së fundit me Elbasanin. Një skuadër që ka luajtur plot sedër dhe dëshirë, nga e cila erdhi dhe fitorja. Viori, duke folur për "Sportin shqiptar", e pranon që përgjegjësia mbi të dhe shokët e tij të ekipit është shumë e madhe, prandaj dhe thotë: "Jemi të vetëdijshëm se kemi një përgjegjësi shumë të madhe mbi shpinë. Me kontigjentin aktual të lojtarëve që kemi duhet patjetër të mos dalim pa gjë nga ky sezon. Na kërkohet vendi i dytë dhe do të bëjmë çmos që të arrihet, megjithëse, për mendimin tim, kjo do të jetë shumë e vështirë, ngaqë Elbasani nuk do të hapë rrugë. Nga ana tjetër, të mos harrojmë se edhe Dinamo, që është pas nesh, nuk do të heqë kollaj nga pretendimet e saj për vendin e tretë. Vërtet janë 5 pikë diferencë, por nëse nuk jemi në një moment të mirë, ajo nuk është asgjë. Pastaj vëmendja jonë është edhe nga kupa, ku shanset janë më të mëdha për ta fituar." Ndërkohë, për të marrë frymë nuk ka kohë. Ndeshja me Shkumbinin për kampionat është zhvendosur të premten dhe kuqeblutë janë duke u bërë gati për këtë sfidë, duke mos e pasur shumë mendjen te ndeshja e së mërkurës për kupë, kur këto dy ekipe do të ndeshen sërish me njëri-tjetrin. Për Sinanin, mes këtyre dy takimeve ka edhe nuk ka lidhje, por ajo çfarë kërkohet janë rezultatet sa më pozitive në to. "Unë nuk shoh se kanë lidhje shumë këto dy takime. Në të parin, përveç fitores dhe tri pikëve, nuk vlen asgjë tjetër. Ndërsa në të dytin, duke qenë se është ndeshje kupe, patjetër që do të shikohet me tjetër sy, pasi vetë karakteri i ndeshjeve të kupës është i tillë. E rëndësishme është që te të dy këto ndeshje do të kërkohet maksimumi prej nesh,"shton më tutje numri 9 i shkodranëve. Fituesi i "Këpucës së artë" në sezonin e kaluar duket se më tepër se te golat, në këtë kampionat e ka mendjen tek arritja e objektivave që ka klubi. Duke qenë se në ekip janë të paktën lojtarët që marrin përsipër shumë gjëra, i bie që Sinani dhe tre?katër lojtarë të tjerë të ekipit të marrin përsipër më shumë gjëra se sa duhet. Megjithatë, një sakrificë të tillë për klubin në të cilin bën një dekadë që luan, ia vlen. Prandaj dhe Sinani vazhdon të punojë dhe të japë maksimumin e tij në shërbim të ekipit.

Posted: Fri, 25 Feb 2005 , 14:21
by vllaznia1919
Gjokoviç: Shkumbini, kundërshtar i vështirë

Karriera futbollistike e Asim Gjokoviçit, natyrisht që kulmin e saj e ka në Shkodër, pasi ai është shpallur kampion para 4 vjetësh me Vllazninë, ndërkohë që pretendon që po me këtë skuadër t'i gëzohet ndonjë tjetër trofeu. Malazezi me origjinë shqiptare është rikthyer në Shkodër në merkaton e janarit. Me ardhjen e tij, mesfusha shkodrane duket se nuk po e vuan shumë mungesën e Leandros, për më tepër që Gjokoviçi luan mirë në fazën mbrojtëse, pikërisht aty ku Vllaznia kishte më tepër nevojë. Pas fitores së fundit me Elbasanin, shkodranët i janë përveshur punës për dy ndeshjet e radhës me Shkumbinin. Vështirësia e këtyre takimeve është e madhe, pasi peqinasit në fushën e tyre do të bëjnë ç'është e mundur për të dalë fitimtarë. Këtë e pranon edhe Asimi, i cili, duke folur për takimin me Shkumbinin, i paralajmëron shokët e skuadrës se nuk do ta kenë të lehtë. "Kam mendimin se Shkumbini është një skuadër shumë e fortë dhe vështirë se mundet në fushën e saj, prandaj duhet ta vlerësojmë si duhet këtë ndeshje. Nuk kam qenë në radhët e Vllaznisë në fazën e parë, kur ajo ka fituar 5-3 në Peqin, por mendoj se këtë herë do të jetë shumë më e vështirë për ne, aq më tepër që në stolin e kësaj skuadre është një trajner i njohur si Sejdini. Duhet shumë seriozitet në ndeshjen e së shtunës, për të menduar më pas edhe për të mërkurën,"shprehet ai. Ndërkohë, edhe kuqeblutë nuk do të shkojnë me mendje të fjetur në Peqin. Ata e kanë kuptuar drejt vështirësinë e takimit dhe gjatë gjithë javës i kanë përveshur mirë mëngët në stërvitje. Çdo seancë është shoqëruar nga grinta dhe kjo gjë, sipas mesfushorit Gjokoviç, është një tregues i mirë. "Të them të drejtën, gjatë gjithë kësaj jave më ka bërë përshtypje mënyra se si të gjithë shokët e kanë zhvilluar stërvitjen. Grinta e treguar gjatë saj besoj se është një tregues i mirë për të menduar se në Peqin do të japim vlerat tona të vërteta. Megjithatë, kjo nuk është gjithçka. Ajo çfarë duhet të mendojmë të gjithë ne, është përgjegjësia për fatet e Vllaznisë. Prej nesh kërkohet të mos dalim duarbosh dhe besoj se mund t'ia arrijmë,"vijon më tej Gjokoviçi. Ai dhe Belisha japin garancinë e duhur për kuqeblutë në mesfushë. Ata kanë formuar një duet shumë interesant, i cili ka pasur merita në shumë prej rezultateve pozitive të Vllaznisë. Tani e tutje, jo vetëm mbi ta, por mbi të gjithë lojtarët e tjerë të skuadrës kuqeblu, përgjegjësia do të jetë më e madhe.

Posted: Mon, 28 Feb 2005 , 14:33
by vllaznia1919
Belisha: Edhe një herë për Shkumbinin

Vllaznia, të premten e javës që kaloi tregoi edhe një herë tjetër se në Peqin është "këmbëmbarë". Në gjithë këto vitet e fundit, vendësit nuk arrrijnë t'i fitojnë ballafaqimet me shkodranët dhe kjo u vërtetua edhe në këtë sezon. Në të dy ndeshjet e luajtura në fushën e Peqinit, shkodranët kanë dalë fitues, ashtu siç kanë fituar edhe në ndeshjen tjetër të luajtur në "Loro Boriçi". Në bazë të kësaj logjike të krijohet përshtypja se edhe të mërkurën Vllaznia do ta ketë të lehtë përballë po këtij kundërshtari. Ndeshja e radhës kujtojmë që nuk është për kampionat, por e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, njëri prej protagonistëve të formacionit kuqeblu, Amarildo Belisha, duke folur për "Sportin shqiptar", mendon ndryshe. Sipas tij, të mërkurën nuk do të jetë kaq e lehtë fitorja, pse jo, që ai dhe shokët e tij do të ishin të kënaqur edhe me një barazim. "Fitorja ndaj Shkumbinit të premten nuk besoj se do të ketë ndonjë privilegj për ne për ndeshjen e së mërkurës. Përkundrazi, e mendoj këtë takim shumë të vështirë, sepse peqinasit tashmë nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë një dështim të dytë të tyre brenda pak ditësh. Prandaj, që të jem i sinqertë, e mendoj shumë më të vështirë të mërkurën. Por meqë është ndeshje kupe, nuk do të ishte çudi që të kënaqeshin edhe me një barazim. Kjo nuk do të thotë se nuk do kërkojmë fitoren, por, e përsëris, meqë është ndeshje kupe, kemi edhe një mundësi të dytë në Shkodër për t'u kualifikuar," ? shprehet numri 8 i kuqebluve. Loja e këtij lojtari në ndeshjet e fundit ka qenë vërtet vendimtare për Vllazninë. Vetë pozicioni i tij në fushë (luan në qendër të mesfushës) është i rëndësishëm dhe Belisha ka ditur të japë maksimumin gjithnjë. Duke iu rikthyer edhe një herë fitores së fundit në Peqin dhe thellimit të distancës me Dinamon e vendit të katërt, Belisha do të shprehej: "Natyrisht që na erdhi mirë për barazimin e Dinamos. Diferenca me të ka shkuar në shtatë pikë dhe kjo na jep njëfarë qetësie. Nga ana tjetër, nuk mendoj se e kemi siguruar përfundimisht këtë vend. Janë edhe 11 ndeshje për t'u luajtur dhe nuk i dihet. Ashtu siç shpresojmë ne ende vendin e dytë, ashtu edhe Dinamo kërkon të na kalojë, prandaj duhet të bëjmë më të mirën deri në fund." Në mes të kampionatit ndërkohë janë tani edhe ndeshjet e kupës, një tjetër objektiv i shkodranëve. Të mërkurën, për të dytën herë radhazi brenda pak ditësh, shkodranët do të udhëtojnë drejt Peqinit dhe i vetmi merak i Belishës për sfidën e dytë përballë kësaj skuadre është gjykimi. "Ne vërtet fituam të premten, por ajo ku dua të ndalem unë është gjykimi. Na ka dëmtuar shumë, aq më tepër që na u mohua edhe një gol më se i rregullt i Abilios. Prandaj shpresoj shumë që të mërkurën të mos kemi gjykim të tillë. Le të fitojë më i miri, por jo që fituesi të përcaktohet nga gjyqtari. Kjo është ajo që kërkojmë ne," ? ka thënë në fund mesfushori i preferuar edhe nga Brigeli, Amarildo Belisha.

Posted: Tue, 01 Mar 2005 , 14:37
by vllaznia1919
Bici: S'do ta kemi të lehtë me Shkumbinin

Fitorja të premten në Peqin e ka ngrohur shumë trajnerin e Vllaznisë, Vasil Bici. Ai tashmë e sheh shumë të arritshëm vendin e tretë në kampionat, por meraku i tij është në tjetër vend. Kuptohet, te kupa, që është dhe objektivi kryesor i kuqebluve. Për këtë kompeticion, shkodranëve do t'u duhet të kthehen sërish nesër në Peqin, për të provuar edhe një herë forcat me vendësit. Bici mendon se këtë herë do të jetë shumë më e vështirë se radhën e kaluar, prandaj është duke e përgatitur skuadrën për këtë.
- Ja si shprehet në intervistën e tij trajneri i Vllaznisë, Vasil Bici: Profesor, e vështirë fitorja me Shkumbinin për kampionat, apo jo?
- Çdo fitore apo ndeshje ka vështirësinë e vet, aq më tepër kur luan në Peqin përballë një skuadre që motivohet shumë edhe nga tifozëria e saj. Duke qenë kështu, mendoj se në fitoren e së premtes patëm edhe pak fat. Shënuam falë edhe një gabimi të portierit kundërshtar, por mund të kishim shënuar edhe një herë tjetër me anë të Sinanit, duke mos harruar që na u mohua edhe një gol më se i rregullt i Abilios. Megjithatë, edhe Shkumbini bëri shumë presion dhe na vuri herë pas here në vështirësi. E rëndësishme është që e fituam atë ndeshje.
- Diferenca tani me Dinamon ka shkuar në 7 pikë. Kjo do të thotë se vendi i tretë tashmë është i siguruar për Vllazninë?
- Ende asgjë nuk ka përfunduar. Dinamo ka një ekip shumë të mirë dhe do të bëjë maksimumin për të na arritur.
- Por ju thoni që Elbasani i vendit të dytë, që ndodhet po 7 pikë larg Vllaznisë, do të jetë shumë i vështirë për t'u arritur?
- Shiko, ne ende nuk kemi hequr dorë përfundimsht nga pretendimet tona për vendin e dytë, ashtu siç nuk heq dorë as Dinamo për të tretin. Përballë kësaj situate, secili duhet të jetë koshient për forcën dhe mundësitë reale të ekipit të tij. Duke menduar kështu, mund t'ju deklaroj se do të ishte e pafalshme që të mos e menaxhonim vendin e tretë. Diferenca prej shtatë pikësh të jep mundësi edhe për ndonjë gabim, ashtu edhe për ta ruajtur atë.Nesër, ndërkohë, sërish në Peqin. E mendoni më të vështirë këtë herë?Sinqerisht që është e tillë. Peqinasit, edhe për nga natyra e tyre, nuk do t'i pranonin kurrë dy humbje radhazi brenda pak ditësh në fushën e tyre. Për pasojë, edhe ata do të luajnë më fort, por ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe do të bëjmë maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv.
- Kjo do të thotë se do të luani edhe për një barazim?
- Vllaznia do të luajë për të marrë më të mirën në këtë ndeshje. Duke qenë kështu, nuk mund të them se do të luajmë për barazim, apo fitore. Dikush mund të mendojë se edhe një humbje minimale me një gol është rezultat i favorshëm. Por unë do të thosha që edhe një gol shpeshherë është vendimtar në ndeshjet e kupës. Favori ynë është që kemi pastaj edhe 90 minuta të tjera në dispozicion në Shkodër, çka është një faktor pozitiv për ne.
- Së fundi, e shihni Vllazninë në gjysmëfinale?
- Patjetër që e shoh. Kupa është objektivi ynë kryesor dhe duhet t'i karikojmë të gjitha "bateritë" tona për këtë kompeticion. Prandaj dhe jemi duke e vlerësuar në maksimum ndeshjen e nesërme në Peqin, pasi kupa për ne nis nga Shkumbini.

Posted: Sat, 05 Mar 2005 , 11:58
by vllaznia1919
Vllaznia, shansi për të shënuar Abilio

Dy fitoret e fundit ndaj Shkumbinit e kanë rritur shumë moralin në radhët e ekipit shkodran. Dy ndeshje që, përveçse kanë përforcuar pozitat e Vllaznisë, si në kampionat, ashtu edhe në kupë, kanë treguar se, ashtu si vitin e kaluar, kuqeblutë kulmin e tyre e kanë në javët e fundit të sezonit. Edhe në radhët e shkodranëve të shumtë kanë menduar se skuadra e tyre duhej të kënaqej edhe me një barazim në ndeshjen e dytë kundër Shkumbinit. Por nuk ka menduar kështu braziliani Abilio dhe shokët e tij. Falë edhe një zgjuarësie të trajnerit Bici, Vllaznia ka arritur të mposhtë për të 10-tën herë radhazi peqinasit.Golashënuesi më i mirë i ekipit kuqeblu, Abilio thotë:"që me këtë fitore është shumë i kënaqur. Jo vetëm sepse fituan, por edhe sepse ai e mbajti premtimin për të shënuar edhe ndaj Shkumbinit. "Shumëkush mund ta ketë quajtur surprizë edhe këtë fitore tonën, por mendimi im është se ne e fituam edhe moralisht këtë ndeshje. Sa për golin tim, jam shumë i kënaqur që shënova dhe i dhashë fitoren ekipit, por edhe për faktin se kisha premtuar se do të shënoja ndaj Shkumbinit. Këtë e bëra në fakt edhe në ndeshjen e kampionatit, por goli im u anulua në mënyrë të padrejtë. Po ashtu, në ndeshjen e kupës kam humbur një rast shumë të mirë në pjesën e parë, por nuk mund të qëndroja pa shënuar dhe ia arrita," - shpjegon braziliani. Ndërsa sot, kundër Laçit, duket se Vllaznia do të ketë një provë shumë të lehtë. Dy fitoret e fazave të tjera, 7-0 dhe 7-1, me siguri që do të shoqërohen edhe me një tjetër të tillë në ndeshjen e sotme. Trajneri Bici ka shumë të ngjarë që në pjesën e parë të takimit të sotëm të aktivizojë disa prej lojtarëve të rinj, por kjo mund të ndodhë vetëm në pjesën e dytë. Kuqeblutë, pas ndeshjes në Peqin të mërkurën, një ditë më pas e kanë bërë pushim dhe përpara ndeshjes me Laçin janë stërvitur vetëm dje paradreke. Nisur edhe nga shiu që ka rënë gjatë gjithë ditës, kjo seancë është zhvilluar e shkurtuar dhe në të kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët. Nga sa është vërejtur, duket se te Vllaznia nuk ka asnjë lloj nënvleftësimi për ndeshjen kundër Laçit. Shkodranët nuk e çojnë në mend një mundësi për të lënë pikë në këtë ndeshje. Kështu të paktën mendon mesfushori Belisha, që thotë: "E rëndësishme për ne është të vazhdojmë serinë e fitoreve dhe ta ruajmë këtë moment pozitiv që po kalojmë. Jam i bindur se me Laçin nuk do të gabojmë dhe as që nuk e çoj ndër mend një hap fals." Duke qenë kështu, me siguri që ballafaqimi i sotëm me laçianët do të jetë një mundësi e mirë edhe për Abilion për të shënuar të tjerë gola dhe për të kapur kreun e golashënuesve më të mirë.

Posted: Tue, 08 Mar 2005 , 12:08
by Admin
Bici: Për vendin e dytë flasim pas Lushnjës


Ndeshja e së shtunës së kaluar ka qenë e vetmja që ai nuk ishte në stolin shkodran dhe kjo për arsye shëndetësore. Megjithatë, Vasil Bici ka qenë në "Loro Boriçi", ndonëse jo fizikisht. Përmes "Radios +2" dhe televizionit "A1", si dhe përmes kontakteve të herëpashershme me telefon me pjesëtarët e stafit të tij, ai është njohur me rezultatin e ndeshjes në momente të ndryshme. Ndërkohë që prej së dielës, ndonëse gjendja e tij shëndetësore ende nuk është përmirësuar plotësisht, ai është sërish në krye të kuqebluve. Ja si shprehet ai në një intervistë të tij :
- Profesor, gripi ende nuk ju paska kaluar, apo jo?
- Që pas ndeshjes së të mërkurës në Peqin kam qenë shumë i sëmurë, prandaj mungova në ndeshjen me Laçin. Megjithatë, kam qenë në dijeni të gjithë asaj çfarë ndodhte në Shkodër.
- Nuk mendoni se duhej shënuar më pak ndaj Laçit?
- Të them të drejtën, nga njëra anë, edhe unë i këtij mendimit isha. Por kurrë nuk mund t'i thuash sportistit që të mos bëjë më gola. Kam dëgjuar që shumëkush e ka paragjykuar Vllazninë për këto gola të shënuar kundër laçianëve, por unë do të thosha diçka. Nuk ka pse t'i vijë keq askujt, sepse në fund të fundit, në futboll ai më i keqi gjithmonë ndëshkohet. Pastaj është edhe ajo tjetra, Vllaznia po 8 gola i ka shënuar para pak vitesh edhe Flamurtarit të madh, 6 i kemi shënuar edhe Teutës në këtë kampionat. Po ju them edhe diçka tjetër: nëse Vllaznia do të jetë dobët në një ndeshje, kundërshtari do të mundohet t'i bëjë sa më shumë gola, për këtë të jeni të bindur.
- Vendi i tretë duket i sigurt pas kësaj jave, ndërkohë që tashmë edhe 5 pikët me Elbasanin mund të rikuperohen...
- Sa për Dinamon, edhe kur diferenca ka qenë 5 pikë, kam menduar se nuk do të na arrinte, jo më tani që ka shkuar në 10 pikë. Ndërsa për Elbasanin mendoj se ka ende shumë kohë për të treguar nëse mund ta arrijmë apo jo. E rëndësishme është që të mos gabojmë ne. Për të ndodhur kështu, shumë të rëndësishme unë shoh ndeshjen e radhës kundër Lushnjës. Nëse e kalojmë me sukses edhe atë, atëherë do të flasim bashkë.
- Katër fitoret e fundit radhazi tregojnë që skuadra juaj është duke kaluar një moment të mirë?
- Mund të jetë edhe kështu. Te të gjithë lojtarët është rritur besimi se mund t'i arrijmë objektivat që kemi. Dhe kur ndodh kështu, edhe suksesi vjen. Por njëkohësisht e rëndësishme është të mos tolerojmë për asnjë moment, sepse tani nuk ka më kohë për të riparuar gabimet.
-Së fundi, a e konsideroni normale për një kampionat futbolli një diferencë kaq të madhe mes ekipeve të para, sa kjo e kampionatit tonë, kur mes vendit të parë dhe të katërt ka një diferencë prej 23 pikësh?
- Për mua është normale, sepse thuajse kështu është në gjithë kampionatet e huaja, në Spanjë, Angli etj. Prandaj edhe për ne nuk ka pse të jetë ndryshe, sepse renditja përcakton shumë gjëra në vetvete.

Posted: Wed, 09 Mar 2005 , 14:03
by vllaznia1919
Alcani: Jam gati për Lushnjën

Mbrojtësi i kuqebluve Alert Alcani do të jetë në fushë këtë të shtunë në ndeshjen kundër Lushnjës. Një dëmtim i tij në brinjë gjatë një përpjasjeje në ndeshjen me Shkumbinin ka bërë që lezhjani të ndiejë dhimbje. Për këtë qëllim, ai ka pushuar të shtunën e kaluar, kur Vllaznia u ndesh me Laçin, por nga ana tjetër ka garantuar se do të jetë i gatshëm për këtë javë. "Futbolli kështu e ka. Dëmtimet, përplasjet janë pjesë e tij, por kjo nuk do më pengojë që të luaj në këtë ndeshje. Mund të kem pak shqetësime, por asgjë për t'u shqetësuar," thotë Alcani. Në këtë mënyrë, trajneri Bici do të ketë mundësi të përzgjedhë më të mirën vendosje për ndeshjen e vështirë në trasfertën kundër Lushnjës. Problem mbetet vetëm Abilio, i cili po kalon një gjendje gripale.

Posted: Thu, 10 Mar 2005 , 14:59
by vllaznia1919
Shehi: Në Lushnjë nuk na vlen barazimi

Rezultatet e fundit pozitive të Vllaznisë e kanë bazën edhe te siguria që ka sjellë mbrojtja në lojën e kësaj skuadre. Kështu të paktën mendon njëri prej titullarëve të saj, pikërisht portieri Orges Shehi. Duke folur për "Sportin shqiptar", durrsaku i njohur flet hapur për progresin që sheh në lojën e skuadrës, pjesë e së cilës është në javët e fundit. Mbi të gjitha, sipas tij, e rëndësishme është që është rritur besimi te suksesi. Kjo gjë ka sjellë njëkohësisht edhe një konsolidim të të gjitha reparteve, mbi të gjitha atij të mbrojtjes, që në dy fazët e para të këtij kampionati ka qenë mjaft problematik. "Siç e dini, në dy fazat e para kemi pasur shumë vështirësi në mbrojtje. Loja e saj nuk ishte aty ku duhej edhe për faktin se lojtarët që u aktivizuan nuk u harmonizuan me njëri-tjetrin. Një herë luante Singbo, një herë tjetër vendosej Oliveira dhe për pasojë nuk ishte ajo lojë që pritej. Nuk po ndodh kështu në ndeshjet e kësaj faze, ku loja mbrojtëse është konsoliduar. Këtë e tregon edhe fakti që kemi pësuar shumë pak gola në këto ndeshjet e fundit,"shpjegon Orgesi. Vetë loja e këtij të fundit, si i fundit i prapavijës shkodrane, ka qenë ajo që pritej prej tij. Shehi mbetet një nga portierët më të mirë të kampionatit shqiptar dhe këtë po e vërteton më së miri edhe gjatë këtyre 8 muajve që ndodhet në Shkodër. Me një portë të sigurt prapa, kuptohet që edhe pjesë tjetër e skuadrës është më e sigurt. Ndërkohë, kampionati ka hyrë në një rrugë shumë të vështirë tashmë. Janë ndeshjet e fundit të sezonit dhe secila prej skuadrave është duke u munduar të marrë sa më shumë nga ky sezon. Këtë pretendon edhe Vllaznia, e cila ka në lojë edhe luftën për fitimin e kupës, por edhe për vendin e dytë në kampionat. Për Shehin, diferenca 5-pikëshe me Elbasanin është shumë e vështirë për t'u rikuperuar, por jo e pamundur. Këtë e shpreh edhe në fjalët e tij: "Detyra jonë do të jetë të pretendojmë deri në fund për të kapur Elbasanin. Pesë pikë nuk janë pak, por, nga ana tjetër, meqë në lojë janë edhe 30 pikë, atëherë pse të mos pretendojmë edhe ne për vendin e dytë? Do të ishte vërtet sukses i madh për Vllazninë po të kapte këtë vend, pa harruar që në lojë kemi edhe kupën. Kësisoj, shanset tona janë edhe më të madha për të mos dalë duarbosh nga ky sezon." Ndërkohë, të shtunën, shkodranët i pret një ndeshje mjaft e vështirë, ajo e trasfertës kundër Lushnjës. Kjo fushë, kohët e fundit, për kuqeblutë nuk ka qenë e mbarë, por, megjithatë, sipas Shehit, edhe këtë herë Vllaznia nuk do të ishte e kënaqur vetëm me një barazim. "Nuk do të shkojmë në Lushnjë për të barazuar. Vllaznia e sivjetme është e bazuar mbi një lojë të hapur dhe sulmuese, madje në çdo takim ne kemi hyrë në fushë vetëm për fitore. Kemi barazuar vetëm një ndeshje me Partizanin dhe nuk kemi pse të synojmë për të barazuar në këtë ndeshje në Lushnjë. Një pikë nuk na vlen, prandaj do të shkojmë në "Roza Haxhiu" për fitore," - përfundon mendimin e tij Orges Shehi.

Posted: Tue, 15 Mar 2005 , 12:07
by Admin
Sinani: Vllaznia, hija e vetes në Lushnjë



Humbja e Vllaznisë në Lushnjë ka qenë e pafalshme. Të paktën ky është mendimi i të gjithëve, që mbështetet edhe nga vetë pjesëtarët e skuadrës shkodrane. Ajo është reflektuar edhe në analizën e zhvilluar dje pasdite, ndërsa e rëndësishme është që të vijë kthesa. Sipas njërit prej pjesëtarëve të formacionit shkodran, pikërisht sulmuesit Vioresin Sinani, ajo paraqitje në "Roza Haxhiu" nuk ka një justifikim të saktë. Për të, ai dhe shokët e tij të skuadrës duhej të kishin luajtur krejt ndryshe nga sa luajtën, sepse edhe mundësitë ishin, prandaj thotë: "Pritej më shumë nga ne. Për këtë jemi të vetëdijshëm, por edhe ne nuk e kuptojmë pse luajtëm pa impenjim. Ishte një mundësi e mirë për t'iu afruar Elbasanit, që, për fatin tonë të mirë, edhe kjo skuadër gaboi këtë javë, duke mos e rritur diferencën me ne. Kjo gjë na jep shpresë për javët e ardhshme, për të pretenduar deri në fund për vendin e dytë. Por e përsëris, për ta menduar atë, natyrisht që nuk duhet të luajmë kurrsesi si në Lushnjë." Humbja e fundit nuk pritej nga ana e tifozërisë shkodrane. Ajo mendonte që Vllaznia do të bënte një paraqitje shumë të mirë, nisur edhe nga momenti i mirë që po kalonte. Katër fitoret e fundit radhazi e kishin rritur entuziazmin në radhët e shkodranëve, por ja që erdhi sërish humbja. Duke folur sërish në lidhje me atë paraqitje zhgënjyese në ndeshjen e fundjavës që kaloi, Viori ndalet edhe te një fenomen që po vërehet jo vetëm te Vllaznia, por në përgjithësi te të gjitha ekipet e kampionatit tonë. "Kur thashë që nuk i di arsyet pse luajtëm aq dobët në Lushnjë, u nisa prej asaj se nuk kishte ndonjë gjë të dukshme. Por ajo që dua të nënvizoj është loja plot oshilacione e të gjitha skuadrave të kampionatit tonë. Kështu është jo vetëm Vllaznia, por edhe Tirana, Elbasani, Dinamo etj. Disa ndeshje të mira, pastaj disa të dobëta e kështu me radhë. Kjo vjen ngaqë kampionati ndoshta është i gjatë dhe shkakton lodhje të madhe te sportistët. Sa na takon ne, kjo lodhje ndoshta është në parametra më të mëdhenj, ngaqë jemi një grup prej 7-8 lojtarësh që kemi mbajtur barrën kryesore të ekipit, duke u aktivizuar thuajse gjithnjë," - shton sulmuesi i njohur i këtij klubi. Megjithatë, çdo gjë ka kaluar tashmë. Pas analizës së djeshme, kuqeblutë i janë përkushtuar maksimalisht ndeshjes së kupës me Shkumbinin. Kualifikimi është shumë pranë për shkodranët, megjithatë ata vetë e kanë të qartë se nuk duhet marrë lehtë. Këtë e pranon edhe Sinani, që në fund do thoshte: "E rëndësishme për ne është të kalojmë Shkumbinin. Ne vërtet kemi fituar në ndeshjen e parë, por të mos harrojmë se nuk ka përfunduar asgjë. Duhet t'ia bëjmë hyzmetin deri në fund dhe të kualifikuar do të jemi vetëm të mërkurën pasdite. Vetëm pasi të ndodhë kjo, atëherë mendoj se ndeshja e dobët me Lushnjën është lënë pas dhe do të fillojmë të mendojmë pastaj për atë me Teutën."

Posted: Fri, 18 Mar 2005 , 14:21
by vllaznia1919
Bici: Vllazni, s'na lejohen më gabimet!

Kualifikimi i Vllaznisë ndaj Shkumbinit ka qenë shumë i vështirë. Barazimi 2-2 për pak sa nuk i ka vënë për tokë kuqeblutë, të cilët gjithsesi e shohin veten në gjysmëfinale të kupës. Fitorja në ndeshjen e parë ka qenë përcaktuese dhe për rrjedhojë ka bërë që ata të nëpërkëmbin edhe fitoren 2-0 të pjesës së parë të ndeshjes së kthimit. Megjithatë, lëshimi i lojës së tyre ka qenë evident dhe për pak sa shkodranët nuk i dhanë lamtumirën këtij kompeticioni. Gëzimi i trajnerit Bici pas ndeshjes ka qenë i madh. Por njëkohësisht ai ka qenë edhe i zemëruar me lojtarët e tij. Vetë mënyra e lëshimit të lojës, duke vënë në rrezik gjithçka, e kishte alarmuar teknikun e shkodranëve. Kualifikimin ndaj peqinasve Bici e konsideron me fat e kjo shprehet edhe në fjalët e tij, kur thotë: "Fatmirësisht, u kualifikuam. Nuk ishte e lehtë për ne, ndërkohë që nuk na falet edhe mënyra se si e lëshuam lojën. Shkumbini është një skuadër që më lehtë mundet në Peqin sesa jashtë dhe skuadra jonë nuk e kuptoi këtë. E rëndësishme është që u kualifikuam." Për Vllazninë, ky kualifikim nuk ishte gjë tjetër veçse një punë e kryer. Të gjithë janë të vetëdijshëm se kupa duhet fituar dhe kjo tregohet edhe nga propoganda që vetë pjesëtarët e kësaj skuadre kanë bërë prej kohësh. Por për të fituar kupën nuk do të jetë e lehtë. Detyra është shumë e vështirë dhe këtë e ka kuptuar edhe vetë trajneri Bici, që shprehet: "Nuk ka më ndeshje të lehta. Nuk të toleron askush. Më të fitosh në trasfertë dhe të vësh në diskutim rezultatin në fushën tënde. Tani shkalla e vështirësisë është shumë më e lartë dhe për rrjedhojë duhet të punojmë për të gabuar sa më pak." Për të shkuar në finalen e majit të gjithë kanë besim se kjo mund të ndodhë. Skuadra në vetvete ka forca, pavarësisht se në momente të veçanta ajo shpërfytyrohet. Pikërisht për këtë qëllim, për të mos ndodhur më kështu, edhe drejtuesit e presidencës shkodrane kanë vendosur të jenë më pranë skuadrës. Ata kërkojnë motivimin maksimal të lojtarëve për ta mbyllur me sukses këtë sezon, por kuptohet jo me ndeshje si këto të Lushnjës apo e fundit me Shkumbinin. Nga ana tjetër, trajneri Bici ka bërë thirrje për të harrruar gjithçka ka ndodhur dhe për t'u ndalur te ndeshja e radhës për kampionat me Teutën. "Shkumbini apo dhe Lushnja tani duhet të lihen pas. Na presin sfida të tjera më të vështira dhe prandaj duhet të qetësohemi. Kishim 24 orë në dispozicion për ta bërë këtë gjë dhe pas saj natyrisht që duhet të mendojmë për ndeshjen me Teutën. Në të kurrsesi nuk duhet ta llogarisim humbjen. Mundësitë janë dhe shpresoj që skuadra të shprehet ashtu si duhet në fushën e lojës," - përfundon trajneri lezhjan i kuqebluve.

Posted: Sat, 19 Mar 2005 , 14:37
by vllaznia1919
Teli: Përmes Durrësit kalon vendi i dytë

Kualifikimi i Vllaznisë nuk ka sjellë ndonjë atmosferë kushedi se çfarë në kampin shkodran. Ai ishte i pritshëm, për më tepër që shkodranët e patën fituar ndeshjen e parë në Peqin. Megjithatë, duke qenë se ndeshja e kthimit nuk dhuroi gjë tjetër veç barazimit, drejtuesit e Vllanisë kanë folur me tone kritike ndaj skuadrës. Kjo gjë është bërë me qëllimin e mirë që ajo të reflektojë për ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit, të cilat janë të gjitha të vështira, duke filluar nga kjo e sotmja me Teutën, e cila nis edhe fazën e katërt dhe të fundit njëkohësisht të këtij kampionati të gjatë. Detyra e kuqebluve është të mbledhin sa më shumë pikë, për të pasur sa më shumë të tilla në renditjen përfundimtare. Vetëm duke menduar kështu mund të pretendohet deri në fund edhe për vendin e dytë në kampionat, për t'u lënë pastaj radhën edhe pretendimeve në kupë. Sa i takon ndeshjes së sotme kundër Teutës, djemtë e Bicit e dinë fare mirë se çfarë i pret. Durrsakët janë të favorizuar se edhe ata vijnë pas kualifikimit për në gjysmëfinale të kupës. Po ashtu, fakti që ata luajnë në fushën e tyre është shumë përcaktues, pasi ky është një faktor determinant për futbollin shqiptar. Megjithatë, futbollistët e Vllaznisë i kanë vënë objektiv vetes të paraqiten në një mënyrë krejt ndryshe nga ajo e një jave më parë në Lushnjë. Këtë e shpreh në fjalët e tij edhe mbrojtësi i njohur i kësaj skuadre, Admir Teli, i cili tha: "Objektivi ynë është të marrim pikë në Durrës. Ne e dimë se nuk do të jetë e lehtë, por do ta tentojmë këtë gjë. Mendoj se do të bëhet një lojë e bukur, ku do të fitojë ai që do të gabojë më pak. E rëndësishme për ekipin tonë është të bëjmë të harrohet sa më parë ndeshja e javës së kaluar me Lushnjën. Ajo ka qenë një ndeshje shumë e dobët, e cila nuk duhet përsëritur, prandaj dhe këtë do të kërkojmë sot në Durrës". Për ndeshjen e sotme për të gjithë pjesëtarët e Vllaznisë ajo duhet konsideruar finale më vete, ashtu siç do të kërkohet deri në fund. Diferenca me vendin e dytë, që mbahet nga Elbasani, vazhdon të jetë 5 pikë dhe e rëndësishme është për kuqeblutë që kjo diferencë të mos ndryshojë edhe pas kësaj jave. Presidenca e klubit shkodran ua ka vënë si kusht kryesor futbollistëve luftën deri në fund për vendin e dytë. Këtë e shpreh edhe mbrojtësi Teli, i cili në fund do të shprehej: "Normalisht, përderisa vendi i dytë është ende në lojë, nuk ka pse të mos e kërkojmë deri në fund. Kjo edhe për të plotësuar atë dëshirë të presidencës sonë, për t'u ngjitur sa më lart në renditje dhe për të marrë sa më shumë nga ky sezon."

Posted: Tue, 22 Mar 2005 , 14:33
by vllaznia1919
Çela: Bicit do t'i respektohet kontrata

"Pas shumë diskutimesh vendosëm të pranojmë dorëheqjen e Vasil Bicit, por për të mos lënë ekipin pa trajner, siç e shihni, e kemi zgjedhur menjëherë. Ai është Agim Medja. Njëkohësisht njoftojmë se Vasil Bici, për të gjithë ne, gjatë kohës së drejtimit të tij të Vllaznisë, ka kontribuar në mënyrë të përkryer në mbarëvajtjen e rezultateve të saj. Pikërisht për këtë qëllim, Vasil Bici do të vazhdojë të jetë sërish pranë klubit tonë, tashmë në rolin e konsulentit, ndërkohë që do t'i njihet kontrata që ka firmosur me ne dhe, si rrjedhojë, do të vazhdojë të jetë i pranishëm me kontributin e tij për Vllazninë si me seancat stërvitore, ashtu edhe në ndeshjet e saj," - është shprehur me siguri Agron Çela, presidenti i klubit të Vllaznisë.Fushaj: Objektivat nuk ndryshojnë "Tifozëria jonë duhet ta ketë të qartë se edhe pas këtyre lëvizjeve të trajnerëve do të jetë sërish me ato objektiva që ka qenë. Objektivat tona tashmë janë të njohura dhe i premtojmë tifozërisë sonë se do të bëjmë maksimumin për të fituar kupën dhe se nuk do të biem nga vendi i tretë në kampionat," - ka pohuar zëvendëspresidenti i klubit kuqeblu, Valter Fushaj. Bici: E përkrah trajnerin e ri "U përmbahem sërish atyre që kam thënë pas ndeshjes me Teutën. Kam vendosur të largohem nga Vllaznia, por pas një bisede të gjatë me drejtuesit e Vllaznisë, ne gjetëm një emërues të përbashkët për të qenë në dispozicion të klubit deri në fund të kontratës që kam me të. Prandaj do të bëj maksimumin për të përkrahur kolegun dhe mikun tim, Agim Medja, në mënyrë që Vllaznia të arrijë objektivat që ka, si mbajtjen e vendit të tretë, që është komod për të, ashtu edhe për fitimin e kupës," - deklaron trajneri Vasil Bici, që do të vazhdojë të jetë pjesë e stafit të Vllaznisë. Medja: Presidenca veproi mirë me Bicin "Së pari, do të përshëndesja vendimin e presidencës, ndoshta jo i zakonshëm ky për futbollin shqiptar, për ta pasur sërish pranë Vasil Bicin. Njëkohësisht, do të falënderoja presidencën edhe për besimin që tregoi ndaj meje, për të më besuar drejtimin e ekipit deri në fund të sezonit. Për rrjedhojë, do t'u kërkoj futbollistëve angazhim maksimal, që klubi të arrijë objektivat që ka," - ka folur menjëherë pas zgjedhjes Agim Medja, trajneri i ri i Vllaznisë.

Posted: Thu, 24 Mar 2005 , 14:43
by vllaznia1919
Sinani: Vllaznia është brenda objektivave

Ngjarjet e fundit në radhët e Vllaznisë nuk është se i kanë bërë shumë përshtypje atij. Kjo për vetë faktin që Vioresin Sinani, në karrierën e tij, ka ndërruar disa trajnerë. Megjithatë, për Bicin, sulmuesi i njohur ruan respekt për punën e bërë prej tij. Ai e konsideron normale largimin e një trajneri, ashtu si dhe atë të sportistëve nga njëri ekip te tjetri, pasi ky është futbolli. Nga ana tjetër, golashënuesi më i mirë në gjithë historinë e klubit Vllaznia, i uron mirëseardhjen trajnerit të ri, duke i premtuar se skuadra do të bëjë sërish maksimumin për të arritur objektivat që ka. "Largimi i trajnerit Bici, për mendimin tim, është një çështje normale për futbollin, pasi si çdo trajner tjetër, duke parë që diçka nuk shkonte, vendosi të largohej. Kur thashë normale, kisha parasysh faktin se në futboll si lëvizjet e trajnerëve, ashtu edhe ato të sportistëve, janë të shpeshta dhe të shumta. Nga ana tjetër, unë do t'i uroja mirëseardhjen edhe trajnerit të ri, Medja, me të cilin shpresojmë të arrijmë objektivat që ka klubi,"ka thënë Sinani. Në shumë raste, kur një trajner largohet, fakti i parë për të cilin aludohet është ai i krisjes së marrëdhënieve lojtar?trajner. Por në rastin e fundit të Bicit, nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë. Këtë e thotë edhe njëri prej titullarëve të formacionit kuqeblu, pikërisht Sinani, i cili shprehet: "Nuk mendoj se në këtë rast bëhet fjalë për një problem të tillë. Marrëdhëniet me trajnerin Bici kanë qenë më se normale për të gjithë sportistët, prandaj dhe e hedh poshtë këtë version. Bici ka punuar shumë mirë me ne dhe e përsëris se shkaku i largimit të tij nuk jemi ne." Ndërkohë, kuqeblutë vazhdojnë stërvitjen. Nën drejtimin e trajnerit të ri, Agim Medja, ata janë duke u marrë me përgatitjet anti-Dinamo. Në kampin shkodran, kjo ndeshje konsiderohet shumë e rëndësishme për vetë faktin se blutë e Canajt kanë objektiv të vetëm vendin e tretë në renditje. Diferenca me Vllazninë është ngushtuar në 4 pikë dhe Sinani e kupton fare mirë se në ndeshjen direkte me këtë skuadër nuk bëhet fjalë për lënie pikësh. "Kemi një ndeshje shumë të vështirë përpara. Dinamo e ka treguar se është një skuadër me lojtarë të mirë dhe pikësynime të qarta, por edhe ne jemi të vendosur për të mos e lëshuar vendin e tretë. Na duhet medoemos të fitojmë në këtë ballafaqim të drejtpërdrejtë dhe besoj se do t'ia arrijmë,"do të thoshte në fund të prononcimit të tij Viori. Në radhët e skuadrës shkodrane duket një mobilizim i madh për vetë faktin që tashmë në krye të saj është edhe një trajner i ri. Megjithatë, për të fituar një sfidë nuk mjafton një emër i ri në stol dhe këtë kuqeblutë duket se e kanë të qartë.