Page 1 of 9

Peshengritje

Posted: Tue, 25 Jan 2005 , 14:25
by vllaznia1919
Trajneri Çela: Çështja "Trasha" u keqinterpretua

Pajisja me pasaporta greke e dy peshëngritësve elbasanas Gerti dhe Theoharis Trasha, sipas trajnerti të tyre, Ilir Çela, nuk ka përse të keqinterpretohet, por duhet parë si diçka normale për kohën në të cilën jetojmë. Në një intervistë, trajneri i dy peshëngritësve sqaron situatën e krijuar me deklaratet e peshëngritësve për largimin nga Shqipëria dhe lëkundjen e tyre pas afrimit të disa biznesmenëve për t'i mbështetur financiarisht. - Z. Çela, si do t'i komentonit deklaratat më të fundit të dy peshëngritësve të ekipit tuaj, Gerti dhe Theoharis Trasha? - Po të ishte për mua si trajner, mendoj se këta sportistë i meritojnë të gjitha privilegjet, sepse kanë kontribuar për sportin e peshëngritjes dhe kanë nderuar Shqipërinë si në garat kombëtare ashtu dhe në ato ndërkombëtare. Sukseset e tyre janë të pranishme dhe kudo që shkoj kam kënaqësinë si trajner të deklaroj se, çfarëdo që të ndodhë, unë do të ruaj marrëdhënie të shkëlqyera njësoj si me peshëngritësin tjetër Luan Shabani, që prej vitesh konkurron me Greqinë. - Pra, ju mendoni se vëllezërit Trasha tashmë e kanë vendosur largimin? - Duke u rikthyer te çështja "Trasha", nëse ikin apo qëndrojnë në Shqipëri, mund të them se personalisht kjo situatë më ka krijuar atë brengën e madhe si trajner që i kam rritur dhe stërvitur këta djem. Por më tepër kjo brengë vjen si rrjedhojë e largimit të talenteve të tilla në sportin e peshëngritjes. Aktualisht mendoj se situata nuk është e tillë që sportistët elitarë të Shqipërisë të nxitojnë për t'u larguar nga vendi, ashtu siç ishte koha kur ikën peshëngritësit e tjerë, si Luan Shabani apo Pirro Dhima. Tani është shumë më ndryshe. Shoqëria shqiptare po përgatitet të integrohet në Europë jo vetëm në aspektin sportiv, por dhe në atë ekonomik, çka duhet t'i bëjë optimistë peshëngritësit. Unë mendoj se ata e kanë kuptuar këtë. - Me sa duket, vëllezërit Trasha nuk janë aspak optimistë në këtë drejtim... - Vëllezërit Trasha kanë fituar tituj e medalje dhe kam rastin të theksoj se ata kanë pasur një mbështetje të pazakontë morale dhe janë nderuar për suksesin e tyre edhe nga personalitete të larta të shtetit shqiptar. Një gjë e tillë nuk ndodh më sportistë të tjerë të shquar në botë. Gjatë takimit me ekipin shqiptar në Olimpiadën "Athinë 2004", kryeministri shqiptar Fatos Nano pati një takim vërtet të ngrohtë me vëllezërti Trasha, gjë që është vlerësuar dhe është shumë domethënëse për ta. Jo vetëm kaq, por edhe nga pushteti vendor i qytetit të Elbasanit janë bërë të gjitha përpjekjet për t'i ndihmuar financiarisht këta peshëngritës. - Por me sa duket, kjo nuk është e mjaftueshme për dy vëllezërit e peshëngritjes... - Nga bisedimet që kam pasur me të dy, mund të theksoj faktin se ngrohja shpirtërore që ata kanë pasur në mjedisin sportin në vendin tonë i ka vënë para dilemës për dëshirën që ata kanë për të pasur të ardhura ekonomike të pazakonta, por me kusht që të jenë sportistë të një shteti tjetër. Por që ata të mos shkojnë deri atje, duhet që shteti dhe sponsorë privatë të tregojnë më shumë vëmendje ndaj sportit të peshëngritjes dhe sportistëve elitarë të këtij sporti. - Mendoni se ata do të largohen nga Shqipëria? - Unë u sugjeroj që të vazhdojnë të konkurrojnë për Elbasanin dhe Shqipërinë. Këtë nuk e bëj vetëm unë, por edhe miqtë tanë të peshëngritjes, si Luan Shabani, Viktor Mitro, Agim Xhelili, Fidel Ylli, Esat Ademi etj. Kur ata ishin të vegjël, janë edukuar me frymën që të bëhen kampionë Europe dhe bote, duke ecur në gjurmët e peshëngritësve si Luan Shabani, por gjithmonë duke përfaqësuar ngjyrat e flamurit kuqezi. Ata nuk duhet të tundohen nga ofertat e majme, por të tregohen të duruar. Unë jam i bindur se ata do ta gjejnë forcën për ta kapërcyer momentin tundues, pasi ka disa ditë që biznesmenë të fuqishëm po tregojnë interes për t'i mbështetur financiarisht dy vëllezërit Trasha, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë në sportin e peshëngritjes.

Posted: Wed, 02 Mar 2005 , 14:42
by vllaznia1919
Bullgaret e Dinamos dhe Vllaznia, kampionët e vitit

Kampionët sipas peshave Femra 48kg Donika Nikolli Juvenilja 58kg Fetie Kasaj Juvenilja 63kg Simona Galboroba Dinamo 69kg Blerina Bici Tirana 75kg Romiana Petkova Dinamo +75kg Gordianka Apostolova Dinamo Meshkuj 56kg Arjan Breshanaj "Ismail Bej Vlorës" 62kg Gerti Trasha Elbasani 69kg Erkand Qerimaj Vllaznia 77kg Endri Haxhihyseni Tirana 85kg Ilir Tafarani Dinamo 105kg Isa Bala Vllaznia Sportistja më e mirë: Romana Petkova Sportisti më i mirë: Endri Haxhihyseni Renditja ekipore Femra Dinamo Juvenilja Tirana Meshkuj Vllaznia Dinamo Elbasani Në pallatin e sportit "Ramazan Njala" të qytetit të Durrësit është zhvilluar kampionati kombëtar i peshëngritjes për femra dhe meshkuj. Në kampionatin e organizuar nga Federata e Peshëngritjes, kanë marrë pjesë stangistëve më të mirë nga i gjithë vendi. Garat i kanë hapur shtangistet femra, ku vlen të theksohet pjesëmarrja për herë të parë në një aktivitet kombëtar të peshëngritjes edhe e peshëngriteseve bullgare të ekipit Dinamo. Ishin këto peshëngritëse që i dhanë dhe titullin kampion për femra ekipit Dinamo. Pjesëmarrja në numër e femrave në këtë kampionat ka qenë më e madhja deri tani. Një tjetër fakt është se në kampionatin e sivjetshëm nuk u regjistrua asnjë rekord kombëtar për meshkuj, ndërkohë që krejt e kundërta ka ndodhur me peshëngritëset femra. Në garat e peshës 48 kg për femra, kampione doli Donika Nikolli e ekipit privat Juvenilja, e cila ngriti përkatësisht në stilin e shtytjes dhe të shkëputjes 47,5 kg-60kg, duke grumbulluar në dygarësh 107,5 kg. Në peshën 58 kg, kampione doli Fetie Kasaj e Juveniljes me 80kg-100 kg dhe 180 në dygarësh. Në vend të dytë në këtë peshë doli bullgarja dinamovite Irena Mitkova. Në peshën 63 kg, në vend të parë doli përsëri bullgarja Simona Galboroba e Dinamos me 82,5 kg-102,5 kg. Në vend të dytë u rendit Romela Begaj e Juveniljes me 80kg-87,5 kg. Në peshën 69 kg, në vend të parë u rendit Blerina Bici e Tiranës me 42,5-55kg. Në peshën 75 kg në vend të parë u rendit Romiana Petkova e Dinamos me 100 kg-125 kg. Në peshën +75 kg, në vend të parë u rendit bullgarja Gordianka Apostolova e Dinamos. Si ekip, në vend të parë për femra u rendit Dinamo, e ndjekur nga Juvenilja dhe Tirana. Sportistja më e mirë u shpall bullgarja Romiana Petkova e Dinamos. Në garat e femrave u thyen dy rekorde kombëtare nga Gerta Suli me 97,5-100 dhe nga Romela Begaj me 80 kg në shkëputje. Por garat e meshkujve ishin ato që u karakterizuan nga një rivalitet i fortë pothuajse në të gjitha peshat. Në peshën e parë, atë të 56 kg kampion, u shpall Arjan Breshani i "Ismail Bej Vlorës" me 90kg-115 kg dhe në vend të dytë në këtë peshë Klajdi Baku i Elbasanit me 92,5kg.112,5 kg. Në peshën 62 kg, në vend të parë u rendit Gerti Trasha i Elbasanit me 115kg-135kg. Në peshën 69 kg, në vend të parë u rendit Erkand Qerimaj i Vllaznisë me 130kg-160 kg. Në vend të dytë, bullgari Atanasov i Dinamos me 110kg-140 kg. Në peshën 77 kg, kampion u shpall Endri Haxhihyseni i Tiranës me 147,5kg-172,5kg. Në vend të dytë, Kreshnik Shkurti i Partizanit me 125kg-160 kg. Në peshën 85, kg kampion u shpall Ilir Tafarani (Kafarani) i Dinamos me 150kg-190kg dhe në peshën 105 kg kampion u shpall Isa Bala i Vllaznisë me 162kg-190 kg. Si renditje për meshkuj, ekip kampion u shpall Vllaznia, e ndjekur nga Dinamo dhe Elbasani. Sportisti më i mirë i aktivitetit u shpall Endri Haxhihyseni i Tiranës.

Posted: Thu, 17 Mar 2005 , 13:56
by vllaznia1919
Vllaznia, 85 milionë për një palestër gjysmake

Ka marrë fund historia e ndërtimit të palestrës së peshëngritjes së klubit "Vllaznia". Pak ditë më parë, drejtuesit e ekipit të peshëngritjes kanë marrë në dorëzim sallën, e cila do t'u shërbejë peshëngritësve shkodranë si palestër. E premtuar nga krerët e lartë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (pas shpalljes kampion Europe të peshëngritësit shkodran Erkand Qerimaj në Kampionatin Europian U-17), ndërtimi i palestrës së re ka zgjatur plot 2 vite kalendarike. Për të janë shpenzuar plot 85 milionë lekë të vjetra, akorduar nga ministria përgjegjëse për sportet. Edhe pse pak ditë më parë është bërë zyrtarisht dorëzimi i palestrës, punimet në të nuk kanë përfunduar plotësisht. Ajo çfarë bie në sy është mungesa e bazës materiale. Po ashtu vihen re edhe shumë defekte gjatë punës nga firma ndërtuese. Por pavarësisht këtyre problemeve, sportistët dhe trajnerët e Vllaznisë duken të kënaqur, pasi më në fund po "marrin frymë lirisht". Trajneri i ekipit Vllaznia, Genc Barkiçi, e vlerëson këtë palestër si më të mirën aktualisht në Shqipëri për sa i takon hapësirës dhe konstruktit të saj, por për punimet që janë bërë në të ai nuk është aspak i kënaqur. "Mendimi i të gjithëve është që kjo është palestra më e mirë në vendin tonë. Kjo sa i takon konstruktit dhe hapësirës që ajo afron. Kjo e fundit bën një kontrast të dukshëm me mjedisin brenda e, për mendimin tim, faji është i atyre që e kanë projektuar dhe ndërtuar këtë sallë. Nuk ma merr mendja se gjendet kund tjetër ambient me banjo pa derë! Po ashtu, megjithëse është ndërtuar dhoma e saunës, ajo është e papërfunduar. Me një menaxhim më të mirë të fondeve, do të kishte dalë një palestër moderne. Mendoj se sipër palestrës mund të ishin ndërtuar edhe disa dhoma hoteli, apo një mensë për sportistët,"thotë trajneri i njohur shkodran. Historia e ndërtimit të kësaj palestre është një çështje më vete. Për vitin 2003, MKRS-ja akordoi një shumë prej 50 milionë lekësh të vjetra për ndërtimin e një palestre për peshëngritjen. Hapësira poshtë shkallëve të stadiumit "Loro Boriçi" të Shkodrës u konsiderua e përshtatshme për ngritjen e kësaj palestre. Por viti 2003 u mbyll dhe palestra nuk mbaroi, edhe pse ishte punuar dhe ishin hedhur 50 milionë lekë. Edhe nga fondi i vitit 2004, ministria u tregua sërish dashamirëse për të akorduar edhe një herë tjetër një shumë prej 50 milionë lekësh. Nga tenderi i zhvilluar për fondin e dytë të 50 milionë lekëve rezultoi që firma fituese i mbaronte punimet me 35 milionë lekë. Për rrjedhojë, 15 milionë lekët e mbetur u kthyen në destinacion, në llogarinë e ministrisë. Një fakt i tillë të çudit, sepse tani del e nevojshme që të bëhen edhe disa punime të tjera për ta përfunduar sallën plotësisht. Punimet elektrike janë të papërfunduara, mobilimi i palestrës ka filluar të bëhet nga vetë sportistët dhe familjarët e tyre. Po ashtu, duhet punuar edhe për vënien në funksion të saunës dhe të gjitha këto janë shpenzime që duhen bërë. Por, duan s'duan sportistët dhe trajnerët e peshëngritjes, firma ndërtuese i ka larë duart nga palestra dhe zyrtarisht ajo quhet e përfunduar, ndërsa ekipi Vllaznia ka filluar stërvitjen. Tashmë ata janë në pritje të pedanave të premtuara nga drejtuesit e Federatës së Peshëngritjes. Megjithatë, e rëndësishme është që tani Shkodra ka edhe një ambient sportiv më shumë.

Posted: Wed, 23 Mar 2005 , 14:37
by vllaznia1919
Femrat, protagonistet e rekordeve

Fituesit e ditës së parë Meshkuj 56 kg Arjana Breshanaj I.B Vlora 62 kg Gerti Trasha Elbasan 69 kg Taulant Qerepi Elbasan Femra 48 kg Donika Nikollovski Juvenilja 59 kg Fetije Kasaj Juvenilja 63 kg Gerta Suli Tirana Në pallatin e sportit "Tomorr Sinani" të qytetit të Elbasanit kanë filluar dje garat e kampionatit kombëtar për kategorinë e të rinjve dhe të rejave. Për meshkuj u përfaqëusan në këtë aktivitetet këto ekipe: Tomori, Teuta, Peqini, Skënderbeu, Apolonia, Vllaznia, Dinamo, Tirana, Partizani, Shtërmeni, Ismail Bej Vlora dhe Elbasani. Ndërsa për femra u përfaqësuan dy ekipe, Tirana dhe Juvenilja. Sikurse ishte konfirmuar, nuk munguan në garat e kampionatit sportistët që konsiderohen të perspektivës në sportin e peshëngritjes. Në përfundim të kampionatit kombëtar, garat e të cilit do të vazhdojnë edhe sot, do të përcaktohen edhe sportistët që do të formojnë bërthamën e ekipit tonë kombëtar të peshëngritjes, që do të përfaqësohet në Kampionatin Botëror të të Rinjve që zhvillohet në Bursan të Koresë së Jugut, më 25 maj 2005. Dita e djeshme ka pasur si personazh peshëngritëset femra, ku pas garave u shpallën dhe kampionët e vitit. Ekipi privat Juvenilja shpallet ekipi kampion për të reja, ndërkohë që sportistja e këtij ekipi, Fetije Kasaj, shpallet peshëngritësja më e mirë femër e aktivitetit, me koeficient sinklariteti prej 302.795 pikësh. Fetije Kasaj vendosi në garat e djeshme 3 rekorde kombëtare për këtë kategori moshe, ku dy i ka shënuar në stilin e shtytjes dhe një në dygarësh me 107 kg. Një prezantim teknikisht të mirë ka bërë edhe peshëngritësja Gerta Suli, e cila arrin të përmirësojë 5 rekorde, nga të cilat 3 në dygarësh.

Posted: Mon, 04 Apr 2005 , 13:28
by vllaznia1919
Europiani, Shqipëria përfaqësohet e cunguar

Ekipi kombëtar Meshkuj 77 kg Endri Haxhihyseni 85 kg Ilir Tafarami +105 kg Isa Bala Femra 53 kg Fetije Kasaj Datat e konkurrimit ë 19 prill ora 10.30 53 kg Fetije Kasaj 22 prill ora 17.00 77kg Endri Haxhihyseni 23 prill ora 15.30 85 kg Ilir Tafarami 24 prill ora 12.30 +105 kg Isa Bala Nga data 18-24 prill, në Sofje të Bullgarisë, zhvillohet Kampionati i 84-t Europian për meshkuj dhe i 18-ti për femra. Në këtë aktivitet do të përfaqësohet edhe Shqipëria, por tashmë jo me ekip të plotë, por me individë që pretendojnë të hyjnë në zonën e medaljeve. Konkretisht, në përbërje të ekipit tonë do të jenë vetëm 3 peshëngritës dhe 1 peshëngritëse, të përzgjedhur nga garat e kampionatit kombëtar të zhvilluar ditën e parë të marsit në qytetin e Durrësit. Përfaqësimi i peshëngritjes në kampionatin europian është më i rëndësishmi i vitit për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, e cila ka konfirmuar në komitetin organizator edhe emrat e peshëngritësve që do të jenë pjesë e ekipit tonë kombëtar. Për Kampionatin e 84-t Europian të Peshëngritjes për meshkuj, Shqipëria do të përfaqësohet vetëm në tri pesha. Konkretisht, në peshën 77 kg, me peshëngritësin e ekipit të Elbasanit, Endri Haxhihysenin, në peshën 85 kg me peshëngritësin e Dinamos, Ilir Tafaramin (Kafarani) dhe në +105 kg me peshëngritësin Isa Bala. Për Kampionatin e 18-të Europian për femra, Shqipëria do të përfaqësohet vetëm me peshëngritësen Fetije Kasaj e ekipit Juvenilja, e cila konkurron në peshën 53 kg. Haxhihyseni dhe Kasaj u shpallën dhe sportistët më të mirë të kampionatit kombëtar të zhvilluar në Durrës. Por fillimisht për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë europian u hodhën dy propozime për sa i përket përfaqësimit: me ekip të plotë dhe përfaqësim si individë. Këto propozime të këshillit të trajnerëve u diskutuan në kryesinë e federatës, e cila vendosi përfundimisht që Shqipëria të përfaqësohet në këtë aktivitet me individë. Kandidaturat e propozuara, të cilat tashmë janë hedhur poshtë nga kreysia e federatës janë: për peshën 56 kg të Arjan Breshanaj i ekipit të Ismail Bej Vlorës dhe Klajdi Baku i ekipit të Elbasanit, në peshën 62 kg Gerti Trasha i Elbasanit, në peshën 69 kg Erkand Qerimaj i Vllaznisë dhe Taulant Qerepi i Elbasanit. Gjithashtu, ishin propozuar edhe sportistet femra në peshat 63 kg Romela Begaj e Juveniljes dhe Gerta Suli e Partizanit. Bërthama e ekipit u përzgjodh pas garave të kampionatit kombëtar të peshëngritjes për të rritur. Më të mirët e kampionatit ishin kandidatura për t'u përfaqësuar në Kampionatin Europian që zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, nga të cilët u zgjodhën vetëm katër peshëngritës, 3 për meshkuj dhe 1 për femra. Ky reduktim i ekipit tonë bëhet për arsye financiare. Garat e kampionatit do të startojnë më 19 prill. Më datën 18 zhvillohet kongresi i Federatës Europiane të Peshëngritjes, ku do të jenë edhe zyrtarët e federatës shqiptare. E para në pedanë për ekipin tonë do të ngjitet Fetije Kasaj, e cila konkurron më datën 19 prill, në orën 10.30.

Posted: Wed, 06 Apr 2005 , 13:25
by vllaznia1919
Faruk Kalleshi përjashtohet nga shtanga

Me motivacionin "Për shkelje të rëndë të etikës sportive", trajneri i njohur Faruk Kalleshi merr dënimin maksimal nga kryesia e FSHP-së, duke u përjashtuar përgjithmonë nga radhët e peshëngritjes. Kryesia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e përbërë nga presidenti i saj, Esat Ademi, dhe anëtarët Përparim Ferunaj, Asim Belinova, Agron Haxhihyseni, Ymer Ferhati dhe Genc Barkiçi, janë mbledhur të hënën për të diskutuar për disa shkelje të etikës sportive të trajnerit të ekipit privat të femrave Juvenilja, Faruk Kalleshi. Pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit dhe fakteve të sjella në federatë nga ankuesit për trajnerin e njohur të peshëngritjes, Faruk Kalleshin, të gjithë anëtarët e kryesisë kanë marrë unanimisht vendimin për përjashtimin e tij përgjithmonë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, duke pasur parasysh edhe disa shkelje të disiplinës sportive gjatë viteve të fundit. Ky dënim kapital i marrë ndaj trajnerit Faruk Kalleshin e privon atë që të ushtrojë profesionin e trajnerit, pavarësisht karrierës së tij në sportin e peshëngritjes. Vendime të tilla janë raste të rralla në sportin e peshëngritjes, por duket se kryesia e FSHP-së kësaj radhe ka qenë më se bindur, pasi pa përjashtim të gjithë anëtarët e saj kanë votuar pro përjashtimit të Kalleshit. Faruk Kalleshi, një ish-sportist i elitës së peshëngritjes, ka vite që ushtron profesionin e trajnerit. Sukseset e tij më të fundit si trajner i përkasin peshëngritëses Fetije Kasaj, e cila nën drejtimin e trajnerit Kalleshi shpallet nënkampione e Europës në kampionatin europian të të rejave, zhvilluar një vit më parë.

Posted: Tue, 12 Apr 2005 , 13:49
by vllaznia1919
Federata "zbut" dënimin për Faruk Kalleshin

Kryesia e Federatës së Peshëngritjes është mbledhur dje për të diskutuar për ekipin kombëtar që do të përfaqësohet në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes si dhe për çështjen më të fundit të ndodhur në këtë federatë, përjashtimin nga sporti i trajnerit Faruk Kalleshi. Për sa i përket pikës së parë, në mbledhjen e djeshme të kryesisë u diskutuan kandidatët e mundshëm që do të jenë në përbërje të ekipit tonë kombëtar që do të përfaqësohet në kampionatin botëror. Kandidaturat e paraqitura janë: Erkand Qerimaj, Gerti Trasha, Endri Haxhihyseni, Theoharis Trasha, Taulant Çerepi, Ilir Tafarami dhe Isa Bala. Ndërkohë, për pikën e dytë, kryesia e federatës, bazuar në nenin 17 të statutit, ka marrë edhe një herë në shqyrtim vendimin për përjashtim të trajnerit Faruk Kalleshi. E njëjta kryesi, dje, ka anuluar vendimin e parë për përjashtimin e tij, duke e zbutur dënimin me "pezullim për një afat të papërcaktuar". Sipas sekretarit të FSHP-së, Ilir Kraja, dokumentacioni që federata disponon për çështjen "Kalleshi" do t'i kalojë prokurorisë dhe organeve kompetente. Deri në zgjidhjen e këtij problemi, Faruk Kalleshi është i pezulluar, ndërkohë që një vendim përfundimtar do të merret pasi organet kompetente të zbardhin gjithë çështjen. U diskutua edhe problemi i peshëngritëses Fetije Kasaj, e cila nuk pranon të shkojë në garat e kampionatit europian pa trajnerin e saj, Faruk Kalleshi. Kryesia e mbledhur dje i kërkoi peshëngritëses që të rishikojë vendimin e saj. Nëse Kasaj thyen statutin dhe rregulloren e federatës, duke mos u përfaqësuar në garat e europianit, atëherë kryesia do të mblidhet sërish për të marrë vendim, për dënimin sipas statutit të peshëngritëses, ndërsa në mbledhjen e djeshme ajo vetëm e ka këshilluar Kasajn.

Posted: Tue, 23 Aug 2005 , 13:12
by vllaznia1919
Ademi: Në europian jemi për medalje

Pasditen e së hënës, ekipi ynë përfaqësues për të rinj në peshëngritje ka mbërritur në Sofje të Bullgarisë, ku deri në fundjavën e ardhshme do të zhvillohet kampionati europian. Në këto gara, ekipi ynë drejtohet nga trajnerët Kastriot Ruka dhe Leonard Toska, ndërsa sportistët që do të garojnë janë Erkand Qerimaj dhe Gerald Toska në peshën 69 kg, Mahir Nezini dhe Endri Karina në peshën 62 kg si dhe Briken Calja në peshën 56 kg. Ekipi ynë do të konkurrojë së bashku me 46 shtete të tjera me nivel të lartë në këtë sport, ku synimi i tyre mbetet që në këtë aktivitet tepër të rëndësishëm të arrijë rezultate të larta. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, në një prononcim para nisjes për në Sofje të Bullgarisë, u shpreh se peshëngritësit tanë do të dinë t'i tregojnë vlerat e tyre në kampionatin europian për të rinj. "Nga peshëngritësi i Vllaznisë Erkand Qerimaj presim përmirësim të rekordit europian dhe fitimin e titullit të kampionit të Europës, por edhe nga të tjerët shpresat për medalje dhe rekorde janë të shumta. Mirëpo rezultatet e larta të peshëngritësve tanë është e nevojshme të shoqërohen me një trajtim më të mirë financiar dhe me përmirësimin e infrastrukturës. Ajo duhet të shoqërohet me një kujdes të veçantë edhe të qeverisë së re, që pritet të shpallet së afërmi. Sportet e elitës e meritojnë të kenë një suport të madh nga shteti për të shënuar një hop tjetër cilësor në të arddhmen,"- ka qenë deklarata e presidentit të peshëngritjes Ademi. Ndërsa trajnerët K.Ruka dhe L.Toska janë shprehur se një problem ende shqetësues mbetet mungesa e bazës materiale për stërvitje, por megjithatë të pestë peshëngritësit që do të konkurrojnë në kampionatin europian të Sofjes për ngjyrat e Shqipërisë janë përgatitur mjaft mirë. Ruka dhe Toska janë të bindur se peshëngritesit Qerimaj, Toska, Mezini, Karina dhe Calja do të përpiqen për një përfaqësim sa më dinjitoz në Sofje. Edhe në këto gara parashikohet të ketë një konkurrencë të fortë, ku peshëngritësit shqiptarë ndihen të sigurt për të korrur suksese të tjera të rëndësishme. Peshëngritësi Erkand Qerimaj, kur ka mbetur pak kohë që të zhvillohet gara, beson se suksesi i tij do të jetë i padiskutueshëm. Për herë të parë, në radhët e ekipit tonë mungojnë disa sportistë të shquar, sikurse është Gerti Trasha.

Posted: Fri, 02 Sep 2005 , 13:29
by vllaznia1919
Prokuroria e Tiranës ka dërguar dje në FSHP shkresën e pushimit të hetimeve

Çështja “Kalleshi” përfundoi zyrtarisht

Faruk Kalleshi ka rezultuar i pafajshëm ndaj akuzave “të turpshme” të bëra muaj më parë nga një peshëngritëse. Fakti nuk u vu ndonjëherë në dyshim, gjithsesi deponimi i vajzës bëri që për një farë kohe FSHP të pezullonte nga puna trajnerin, Mjeshtër të Merituar. Më pas do të ishte vetë sportistja që do të tërhiqte akuzat. Pafajësia e ish-peshëngritësit rekordmen do të vëretohej shumë shpejt, gjithsesi organi i akuzës vetëm dje ka mundur të dërgojë në Federatë shkresën zyrtare. Që prej Lojrave Mesdhetare trajneri i është kthyer punës dhe ka vijuar i qetë stërvitjen me vajzat që kanë ngritur lart flamurin shqiptar nëpër Evropë dhe Botë. Kujtojmë që trajneri Faruk Kalleshi deklaroi pafajësinë e tij në një intervistë për gazetën “Dita”, menjëherë pas denoncimit të vajzës, e cila do të tërhiqte vetë akuzat pak ditë më vonë. Aktualisht Kalleshi bën pjesë në treshen e trajnerëve të ekipit kombëtar dhe do të përgatisë sportistët e tij për evenimente të rëndëshme, siç është evropiani për të rinj i Sllovakisë.

Posted: Sat, 01 Oct 2005 , 20:17
by vllaznia1919
Peshëngritja niset në sfidën europiane

Ekipi kombëtar
4 tetor
Ora 8.00-10.00
56kg: Arjon Breshanaj, Briken Calja
62kg: Gerti Trasha, Enrik Rrapi
Ora 14.00-16.00
53kg: Fetije Kasaj Gerta Suli
5 tetor (ora 12.00-16.00)
58kg: Romela Begaj
69kg: Erkand Qerimaj
77kg: Endri Haxhihyseni, Endri Karina
6 tetor (ora 16.00-18.00)
85kg: Marjan Bregu
Zyrtarë: Ilir Kraja sekretar, Ilir Çela, Faruk Kalleshi dhe Genc Barkiçi trajnerë. Diana Çela doktor dhe Elvis Vulka fizioterapist.

Nga data 1-8 tetor, në Trencin të Sllovakisë zhvillohet Kampionati i 30-të Europian për të Rinj dhe i 8-ti për të Reja në Peshëngritje.
Ekipi ynë përfaqësues ka udhëtuar sot drejt Sllovakisë në linjë tokësore, ku një autobus komod është vënë në dispozcion të ekipit kombëtar. Konkurrimi në europian fillon më 4 tetor, ku të parët në pedanë për ekipin tonë kombëtar do të ngjiten 6 peshëngritës: Fetije Kasaj, Gerta Suli, Gerti Trasha, Briken Calja, Arjon Breshanaj dhe Enrik Rrapi.
Duke folur sekretari Kraja thotë se peshëngritësit tanë janë grumbulluar 1 muaj para fillimit të aktivitetit për të kryer fazën përgatitore për këtë konkurrim.
"Peshëngritësit tanë do të marrin pjesë në këtë aktivitet pothuajse në të gjitha peshat. Mendoj se ata janë përgatitur për t'u përfaqësuar denjësisht në këtë aktivitet. Duke u nisur nga përvoja e viteve më parë, kam mendimin se disa nga peshëngritësit tanë janë pretendentë për medalje. Më konkretisht janë: Erkand Qerimaj, Gerti Trasha, Endri Haxhihyseni, për meshkuj. Ndërsa për femra Fetije Kasa, Gerta Suli dhe Romela Begaj. Kjo nuk do të thotë se nga peshëngritësit e tjerë nuk presim rezultate pozitive."
Sipas sekretarit Kraja, në ditën e parë, sipas kalendarit, në kampionat do të konkurrohet në disa pesha si për meshkuj ashtu dhe për femra. Më interesant pritet të jetë konkurrimi në peshën në 53 kg i Gerta Sulit dhe Fetije Kasës dhe i peshës 62 kg i Gerti Trashës.

Posted: Tue, 11 Oct 2005 , 13:20
by vllaznia1919
Qeveria, 15 milionë për medalistët e europianit

Një ditë e ngjeshur takimesh ka qenë ajo e djeshmja për 7 peshëngritësit e rinj, që dhuruan medalje në Kampionatin Europian të të Rinjve në Peshëngritje, që u zhvillua në Trencin të Sllovakisë. Krerët më të lartë të shtetit, Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu, dhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, rezervuan një takim të veçantë në rezidencat e tyre për delegacionin shqiptar të peshëngritjes.
Kryeministri garanton...
Takimi i parë me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha, me medalistët Fetije Kasaj, Romela Begaj, Gerta Suli, Gerti Trasha, Erkand Qerimaj, Arjon Breshanaj, Endri Haxhihyseni, trajnerët Faruk Kalleshi, Ilir Çela, Genc Barkiçi, Agron Suli, dhe drejtuesit e FSHP-së, Esat Ademi dhe Ilir Kraja, si dhe me nënkampionin e botës, Ilirjan Suli, kaloi si një takim mes miqsh. Delegacioni shoqërohej nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Bujar Leskaj. Kryeministri Sali Berisha falënderoi medalistët shqiptarë për 15 medaljet e dhuruara kombit. "Ju pres me shumë kënaqësi juve që i keni bërë një nder kombit. Fitorja juaj në Sllovaki është një fitore e pashembullt në historinë e sportit shqiptar. Ajo përbën një krenari legjitime, së pari, sepse dhurohet nga të rinjtë dhe çdo gjë e të rinjve ka më shumë vlera dhe, së dyti, për sportin shqiptar. Ju falënderoj,"- iu drejtua ndër të tjera Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, medalistëve shqiptarë, duke i garantuar se qeveria e tij do ta mbështesë fuqishëm jo vetëm peshëngritjen, por gjithë sportin shqiptar në përgjithësi. "Unë dua t'ju garantoj mbështetje të plotë si sporti i rezultateve të shkëlqyera, por garantoj gjithashtu mbështetje për sportin në përgjithësi. Do të përpiqem që sportistët shqiptarë të shkëlqejnë këtu në Shqipëri dhe jo të kërkojnë hapësira të huaja për të konkurruar. Për rezultatet e arritura në Sllovaki do të akordojmë një shpërblim që është simbolik në krahasim me mbështetjen që qeveria që unë drejtoj do t'i japë sportit të tërësi,"- tha Kryeministri i Shqipërisë.
Nga ana e tij, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Bujar Leskaj, ishte shumë konkret në deklaratat e tij për sa i përket mbështetjes që ministria e tij do t'i japë sportit shqiptar. "Z. Kryeministër, kemi një projekt për sportin elitar, që së shpejti do të mbërrijë për miratim në zyrat tuaja. Kam ngritur një grup pune që do të merret me hartimin e këtij projekti, që ndër të tjera parashikon ngritjen e një qendre sportive për ekipet kombëtare, lidhjen e një page mujore për sportistët e elitës, shmangien e disa procedurave burokratike për sportistët e elitës, siç është p.sh., pajisja e tyre me viza për jashtë shtetit. Ne kemi menduar që këtyre sportistëve t'u krijohet mundësia për t'u pajisur me pasaporta shërbimi etj. Ndërsa konkretisht për rezultatet e arritura në Sllovaki ne premtojmë një shpërblim për këta sportistë,"- tha Leskaj. Shpërblimi i parashikuar për 15 medaljet e dhuruara nga 7 peshëngritësit tanë, sipas vetë ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, është 15 milionë lekë (të reja).
Presidenti premton...
Në orën 18.30, delegacioni i ekipit kombëtar të peshëngritjes u prit në Pallatin e Kongreseve edhe nga Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu. "Ju i keni bërë një nder të madh kombit me përfaqësimin tuaj në Sllovaki. Ju përgëzoj për të gjitha medaljet që i dhuruat Shqipërisë. Peshëngritja është një sport që na ka nderuar gjithmonë në arenën ndërkombëtare dhe e ka ngritur lart imazhin e Shqipërisë. Ju premtoj që do t'ju mbështesim në të ardhmen për t'ju krijuar kushte sa më optimale që ju të mos largoheni, por ta ngrini flamurin vetëm për Shqipërinë,"- tha ndër të tjera në takimin me medalistët Presidenti i Shqipërisë. Në takimin me Presidentin, trajneri Faruk Kalleshi propozoi që Federata e Peshëngritjes të dekorohet për arritjet e deritanishme të peshëngritjes në arenën ndërkombëtare, propozim që u mirëprit nga Presidenti z. Alfred Moisiu.
Medalistët, hapet drita jeshile
Medalistët shqiptarë duken tepër të kënaqur nga takimet e djeshme me krerët e shtetit jo vetëm për vlerësimin që iu bë, por sidomos për premtimet që vetë Kryeministri i Shqipërisë lëshoi në adresë të tyre. Konkretisht, shpërblimi prej 100 mijë dollarësh hapi dritën jeshile se dhe premtimet e tjera do të mbahen nga qeveria "Berisha".
"Nëse gjithçka plotësohet, ne garantojmë nga ana jonë se do ta ngremë akoma më lart flamurin shqiptar, që nga unë i pari,"- iu drejtua Kryeministrit shqiptar peshëngritësi Gerti Trasha, i cili që prej fillimit të këtij viti ka deklaruar disa herë se mund të largohet nga Shqipëria, nëse shteti nuk u plotëson kushtet minimale peshëngritësve. Ndërsa një tjetër medalist, Erkand Qerimaj, do të kërkonte më shumë se një projekt qeveritar: "Z. Kryeministër, ne do të jemi shumë të kënaqur sikur trajtimi i sportistëve elitarë të parashikohej me ligj, sepse qeveritë shkojnë e vijnë dhe për ne do të ishte një garanci më shumë që të mbroheshim nga ligji." Në këtë takim, medalistët morën edhe premtimin se në projektet e qeverisë "Berisha" do të jetë edhe rishikimi i ligjit për sportin, një temë mjaft e debatuar kjo në sferat sportive.

Posted: Sat, 15 Oct 2005 , 10:27
by vllaznia1919
Peshëngritësja Fetije Kasaj me sponsor zyrtar

"Alban Sport", distributor ekskluziv i "Adidas"-it në Shqipëri, deklarohet zyrtarisht sponsor i kampiones së trefishtë të Europës për të reja, Fetije Kasaj. Në konferencën e shkurtër për shtyp zhvilluar dje në hotel "Tirana Internacional", përfaqësuesi i "Alban Sport"-it, z. Gentian Bushati, konfirmoi mbështetjen që kjo kompani i ka dhënë dhe do t'i japë në të ardhmen peshëngritëses shqiptare. "Ne dëshirojmë të jemi partnerë të sportit shqiptar. Kemi një listë të sportistëve elitarë dhe jemi njohur me ta. Por me Fetijen mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur,"- tha ndër të tjera përfaqësuesi i "Alban Sport"-it, z. Bushati. Peshëngritëses Fetije Kasaj "Alban Sport" dhe "Adidas" i janë gjendur pranë në momentet e saj më të vështira.
Ndërsa për trajnerin Faruk Kalleshi kjo është një mbështetje që e motivon atë dhe peshëngritësen Kasaj për rezultate të tjera dhe për të ngritur lart flamurin shqiptar.
Sponsorët, asgjë konkrete për kontratën
Asgjë konkrete nuk u deklarua nga përfaqësuesit e "Alban Sport"-it për kontratën mes kësaj kompanie dhe peshëngritëses shqiptare.
E vetmja mbështetje konkrete e dhënë nga kjo kompani e prezantuar para mediave ishte çeku prej 2000 eurosh si dhuratë për peshëngritësen dhe trajnerin e saj, Faruk Kalleshi.
Çeku i dizenjuar në një copë me përmasa 50x100cm kishte të shkruar emrin e peshëngritëses Fetije Kasaj, shumën prej 2000 eurosh dhe motivin: dhuratë.
"Kjo është një dhuratë simbolike për peshëngritësen Fetije Kasaj dhe trajnerin, Mjeshtrin e merituar Faruk Kalleshi,"- tha përfaqësuesi i "Alban Sport"-it. I pyetur konkretisht për kohëzgjatjen e kontratës mes dy palëve dhe shumën e sponsorizmit për Kasajn, përfaqësuesi Gentian Bushati dha një përgjigje përgjithësuese, duke mos preferuar të ndalej në detaje. "Kjo kontratë është një stimul më shumë për peshëngritësen dhe trajnerin e saj. Mund të them që ne kemi bërë një marrëveshje 2 ditë para nisjes së peshëngritëses Fetije Kasaj për në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të rinj dhe kohëzgjatja do të shihet edhe nga rezultatet,"- ishte shpjegimi i përfaqësuesit të "Adidas"-it në Shqipëri për kontratën e sponsorizimit me peshëngritësen Fetije Kasaj.

Posted: Mon, 14 Nov 2005 , 14:34
by vllaznia1919
Ministri Leskaj i uron Sulit sukses ne Boteror

Ilir Suli, ish-nenkampion i botes dhe i Europes ne peshengritje, eshte pritur dje nga Ministri i Kultures, Turizmit, Rinise e Sporteve, Bujar Leskaj, ne prag te perfaqesimit te tij ne Kampionatin Boteror. Leskaj i dhuroi Sulit nje tufe me lule dhe i ka uruar suksese ne garen qe zhvillohet ne Doha te Katarit. Ministri shprehu besimin se nje demtim i Sulit ne dore, nuk do ndikoje ne perfaqesimin e tij ne kampionat. Ministri njoftoi se tashme eshte ekzekutuar shperblimi i dhene nga qeveria per kampionet per te rinj, qe fituan nje numer te konsiderueshem medaljesh ne Sllovaki (Europiani). Ai perseriti premtimin se, se shpejti, trajtimi i sportisteve cilesore do te rregullohet me ligj te vecante.

Posted: Tue, 21 Mar 2006 , 14:41
by vllaznia1919
Qerimaj: Fjala ime, shtanga

Shkodrani Erkand Qerimaj vazhdon te terheqe vemendjen e peshengritjes shqiptare. Peshengritesi i talentuar i Vllaznise, Erkand Qerimaj, vazhdon te befasoje jo vetem trajnerin e tij, Genc Barkici, por dhe drejtuesit me te larte te FSHP se. Peshengritesi Qerimaj eshte shpallur rreth 15 here kampion kombetar ne skuadren Vllaznia, me paraterinj, te rinj e te rritur. Ne aktivitet kombetare Erkandi ka arritur, deri tani, plot 40 rekorde shqiptare. Nderkohe shkodrani i shtanges shqiptare, ka nje biografi te pasur ne arenen nderkombetare, gje qe e ka zili cdo sportist shqiptar ku me te drejte mburret me kete sportist te niveleve te larta europiane, metropoli i veriut, duke e konsideruar peshengritesin e saj, Qerimaj, si simbol i qytetit te Shkodres. Nderkaq, Erkandi ne aktivitetet nderkombetare ka arritur te fitoje plot tete kupa nderkombetare, dy here kampion dhe dy here nenkampion i Europes(nje vend te trete) pa harruar kater rekorde evropiane. Ne koleksionin “Qerimaj” ndodhen 20 medalje euopiane ku “shkelqejne” 5 medalje ari, 5 argjendi dhe 4 medalje bronzi. Erkand Qerimaj, edhe pse ne moshe te re ka marre pjese ne gjashte aktivitete te rendesishme nderkombetare. 18 vjecari Erkand Qerimaj, ne Kampionatin Kombetar te Peshengritjes per te rritur, i zhvilluar te shtunen e kaluar, ne daten 4 mars 2006, ne qytetin e Durresit, konkurroi ne peshen 77 kg, duke ngritur ne stilin e shkeputjes 145 kg, ne stilin e shtytjes 177 dhe ne dygaresh 322 kg. Gazeta “Sport Ekspres”, menjehere pas aktivitetit te pare te peshengritjes per kete vit, kontaktoi me kampionin e Europes, Erkand Qerimaj, i cili se pari falenderoi presidentin e Federates se Peshengritjes, Esat Ademi, klubin shumesportesh “Vllaznia” dhe drejtorin Gezim Mema dhe, ne vecanti, Birren “Tirana”, si sponsor te tij.

Erkand, para pak ditesh ne Kampionatin Kombetar per te rritur, Vllaznia u shpall nenkampione, ndersa ju, si zakonisht, bete detyren duke u shpallur kampion.

Eshte shperblimi i nje pune te kryer me nje perkushtim te jashtezakonshem per te arritur rezultate teper te larta. Ky kampionat ishte i vecante per mua ne krahasim me kampionatet e kaluara, pasi edhe pse jam 73 kg tentova te thyej rekordet e peshes 77 kg. Arrita te ngre 135 kg ne proven e pare ne shtytje, ne te dyten 177 kg. Ne proven e trete, tentova te thyej rekordin e peshengritesit Theodhori Trasha, pjesemarres ne Lojerat Olimpike ”Athine 2004” duke vendosur mbi bosht 183 kg, por per disa gabime te miat minimale nuk ia arrita ta thyej kete rekord kombetar. Do te provoj ta arrij kete peshe me se pari ne kampionatin europian, qe do te zhvillohet ne Poloni. Pesha 183kg perben gjithashtu edhe rekordin europian aktual per te rinj. Do te ishte e mrekullueshme sikur ta thyeja kete rekord, nderkohe qe te njejten gje e kam bere me rekordin e paraterinjve te cilin e kam thyer nje viti me pare, si ne shtytje, ashtu dhe ne dygaresh. Me nje program te ngjeshur stervitor, si gjithmone me trajnerin tim, Genc Barkici, mund te arrijme rezultate akoma me te larta. Nderkohe, deshiroj te falenderoj presidentin e FSHP se, Esat Ademi, qe ka bere nje pune mjaft te mire ne peshengritjen shqiptare dhe me ka dhene nje ndihmese te pakursyer qe te arrij keto rezultate te larta.

Sa kilograme kane ngritur krahet e Qerimajt?

Ne garen e fundit arrita te ngre 145 kg, ne shtytje 177 kg dhe ne dygaresh 322 kg. Arrita koeficientin 409 te sinklaritetit qe eshte nga me te lartit, sepse arrita t’i ngre me nje peshe trupore shume te lehte prej 73 kg.

Cfare premton Qerimaj?

Peshengritesit jane fjalepak ne premtime. Ne stervitemi per te arritur rezultate dhe medalje. Kenaqesia me e madhe eshte kur ekzekutohet dhe ngrihet jashte Shqiperise flamuri kombetar. Deshiroj qe ngjyrat kuqezi te jene sa me lart ne Evrope.

Ke konsideroni rivalin me te forte?

Rivalin tim me te forte konsideroj vetem shtangen, sepse puna ime eshte e lidhur vetem me te. Une shikoj vetem rezulatet e mia.

Erkand, se fundmi dicka per peshengritesit e tjere shkodrane te Vllaznise...

Kemi dhe dy peshengrites te tjere mjaft cilesore, te cilet jane: Elis Lishi dhe Marjan Bregu, qe, nese kryejne stervitje sistematike, mund te arrijne dhe ata rezultate evropiane. Une i shikoj mundesite e tyre cdo dite ne stervitje. Jam i bindur se nje dite ata do te arrijne suksese, ashtu sic kambere edhe une.

Posted: Tue, 21 Mar 2006 , 14:42
by vllaznia1919
“Hekurat”, gati per aktivitet

Presidenti i Federates Shqiptare te Peshengritjes, Esat Ademi, dje ne mesdite, ne zyren e tij prane institucionit me te larte te “hekurave”, pati nje takim pune me trajnere e sportiste. Ne te eshte diskutuar edhe nje here puna e trajtimit ushqimor, per me teper qe ka pasur nje ngritje zeri ne kete drejtim, edhe nga trajneri Agron Suli, ndersa tashme gjithcka eshte rritur. Madje ka marre forme te prere edhe kur i eshte vene “vula” nga kryesia e FSHP se, qe, sipas Ademit, ka bere rritjen e trajtimit ushqimor per sportiste cilesore. Mbi te gjitha, gjithnje sipas informacionit qe ka dhene presidenti Ademi, jane vleresuar trajnere e sportiste, kur gjithcka eshte marre nga fondi grant, per rezultatet e tyre. Te sportistet bie ne sy vleresimi i vecante per Erkand Qerimajn, Fetije Kasajn dhe Endri Haxhihysenin. Pa harruar ketu dhe Begajn, Trashen, Kovacin dhe Shahinin. Gjithashtu jane vleresuar dhe trajneret Hektor Shaqiri, Agron Suli, Faruk Kalleshi, Genci Barkici, Ilir Cela e Kolea, per rezultateve e sportisteve te tyre ne Trencin te Sllovakise, si dhe per kampionatin e fundit ne Durres, ku dhe u thyen 32 rekorde kombetare. “U diskutua nga trajnere per pjesemarrjet ne Kampionatin Europian te Polonise (Kasa e Qerimaj) dhe te Boterorit, ne San Domingo, per te rritur dhe ne Kine per te rinj. Ka nje kerkese me te madhe per aktivitete te tjera nderkombetare, gje qe eshte shume e mire, sepse keshtu do t’i japim nje nxitje me te madhe sportit te peshengritjes”, perfundoi Ademi, ne nje kohe qe me 25 mars, ne Elbasan, do te zhvillohet Kupa Nderkombetare per te rritur me pjesemarrjen e Shqiperise, Italise, Bullgarise, Frances e Spanjes.

Posted: Wed, 31 May 2006 , 13:54
by vllaznia1919
Erkand Qerimaj, kampioni shqiptar i botës

Emri: Erkand
Mbiemri: Qerimaj
Datëlindja: 10.8.1988
Vendlindja: Shkodër
Sporti: Peshëngritje
Pesha: 69kg
Karriera: Kampion i trefishtë Europe në peshën 50 për U-17, viti 2002. Kampion i trefishtë Europe në peshën 56 kg për U-17 për vitin 2003, medalje bronzi në europianin e vitit 2004 në peshën 62 kg. Nënkampion Europe në peshën 69 kg për U-17 dhe për të rinj në vitin 2005. Kampion bote në stilin e shtytjes dhe nënkampion në dygarësh në Kampionatin Botëror të të Rinjve, viti 2006.

Që me krijimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes më 1948 e deri më sot, asnjë peshëngritës shqiptar nuk ka arritur të sjellë titullin kampion bote në Shqipëri. Por pas 59 vjetësh këtë e bën Erkand Qerimaj i cili i sjell Shqipërisë titullin e parë "kampion bote". Një nga sukseset më të mëdha të peshëngritjes shqiptare, pas rekordit olimpik të të madhit Ymer Pampuri. Pikërisht dje, në Kampionatin e 32-të Botëror për të Rinj, që po zhvillohet në Kinë, peshëngritësi Erkand Qerimaj në konkurrimin e tij në peshën 69 kg në stilin e shtytjes kapi shifrat e 175 kilogramëve, duke u ngjitur në podin e fituesit të medaljes së artë dhe titullit kampion bote në këtë stil. Ai shpallet njëkohësisht edhe nënkampion bote në dygarësh me 311 kilogramë. Në stilin e shkëputjes ai humbet medaljen e bronzit vetëm për 10 gramë. Ky është suksesi më i madh i 18-vjeçarit Qerimaj në 5 vjet karrierë në sportin e peshëngritjes.
Erkand Qerimaj ka konkurruar në baterinë A të peshës 69 kg, ku janë përfaqësuar gjithsej 18 peshëngritës. Në stilin e shkëputjes Qerimaj ka ngritur 136 kg dhe ka humbur medaljen e bronzit vetëm për peshë trupore, medalje që i është rrëmbyer nga greku Vladimir Lazaridhis, i cili peshonte 10 gramë më pak se Qerimaj. Në stilin e shtytjes Erkand Qerimaj shpallet kampion bote me 175 kg dhe ka një diferencë prej 3 kg me vendin e dytë, peshëngritësi i Ekuadorit Rikardo Flores. Më 311 kg, në dygarësh, Erkand Qerimaj shpallet edhe nënkampion bote. Medalja e artë në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh shkon për shkollën kineze të peshëngritjes, përfaqësuar në këtë peshë nga i riu Goushun Zhong me 146 kg në shkëputje dhe 316 kg në dygarësh.
Po dje, në Kampionatin e 12-të Botëror për të Reja ka konkurruar edhe peshëngritësja Romela Begaj. Ajo ka konkurruar në baterinë A të peshës 58 kg, ku kanë marrë pjesë 16 peshëngritëse. Në stilin e shkëputjes, Begaj ka ngritur 91 kg dhe është klasifikuar në vendin e tretë me medalje bronzi. Në stilin e shtytjes ajo ka realizuar pas 3 provave 105 kg dhe është klasifikuar në vendin e 6 të, ndërsa në dygarësh me 196 kg Begaj klasifikohet në vendin e 5 të. Kampione e trefishtë e botës në peshën 58 kg për femra u rendit rusja Svjetllana Carukajeva, me 106 kg në shkëputje, 125 kg në shtytje dhe 231 kg në dygarësh.

Konkurrimi në peshën 62 kg për meshkuj
Stili i shkëputjes
1. Guoshun Zhong Kinë 146kg
2. Kuanish Rahatov Kazakistan 145kg
3. Vladimiros Lazaridhis Greqi 136kg
4. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 136kg
Stili i shtytjes
1. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 175kg
2. Rikardo Flores Ekuador 172kg
3. Guoshun Zhong Kinë 170kg
Dygarësh
1. Guoshun Zhong Kinë 316kg
2. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 311kg
3. Kuanish Rahatov Kazakistan 310kg

Posted: Thu, 01 Jun 2006 , 13:51
by vllaznia1919
Në vendlindjen e kampionit të botës Erkand Qerimaj


Atmosfera në qytetin e Shkodrës ka qenë vërtet entuziaste pas mësimit të lajmit se biri i këtij qyteti ishte shpallur kampion bote. Lajmi i mbërritur pasditen e së martës ka qarkulluar shumë shpejt nëpër të gjitha ambientet e këtij qyteti, në lokale, shtëpi e kudo tjetër. Të gjithë krenoheshin me Erkand Qerimajn, djalin 18- vjeçar të Shkodrës, që arriti suksesin më të madh në historinë e sportit shqiptar.
Klubi dhe bashkia, gati pritjen për kampionin
Në ambientet e klubit "Vllaznia" dje ka pasur shumë gjallëri. Të gjithë drejtuesit, por edhe punonjësit e tij, janë ndier shumë të gëzuar me suksesin e sportistit të këtij klubi. Njëkohësisht ata kanë marrë edhe shumë mesazhe urimi nga të gjithë qytetarët. Ndërkohë instancat drejtuese të sportit në bashki, por kryesisht në klubin shumësportësh "Vllaznia" kanë filluar menjëherë përgatitjet për pritjen e "heroit" të tyre. Kështu u pëlqente ta quanin Erkandin, që në botërorin e Kinës ka arritur një rezultat shumë të lartë sportiv. Për rrjedhojë, bashkia dhe klubi "Vllaznia" kanë menduar zhvillimin e një manifestimi shumë të bukur në qendër të qytetit me rastin e kthimit në qytetin e tij të kampionit të botës. "Është një sukses shumë i madh për sportin shqiptar, por edhe për klubin "Vllaznia". Ky është suksesi më i madh që ka arritur një sportist shqiptar dhe për rrjedhojë në bashkëpunim edhe me Bashkinë Shkodër po marrim të gjitha masat për t'i bërë pritjen e duhur këtij kampioni të botës. Kështu është menduar dhe planifikuar që pritja për Erkandin dhe trajnerin e tij Genc Barkiçi të bëhet ditën e shtunë, në orën 10.00 të paradrekes, në sheshin qendror të qytetit me anë të një manifestimi të madh, ku shpresojmë të jenë të pranishëm të gjithë qytetarët shkodranë, të cilët e kanë pritur më së miri këtë lajm," ka thënë drejtori i klubit "Vllaznia", Gëzim Mema.
Prindërit: Zemra gati sa s'na plasi
Emocionet më të mëdha natyrisht që i kanë pasur dy prindërit e Erkandit, babai Mehdija dhe nëna Fatbardha. Në veçanti i ati ka qenë në tension të madh në momentet kur djali i tij po konkurronte në botërorin e Kinës. Kontaktet telefonike me presidentin e federatës, Esat Ademi, kanë qenë të shpeshta, çdo 10 minuta gjatë garës së Erkandit. "Kam qenë në tension të madh. Nuk më zinte vendi. Hyja në shtëpi, dilja jashtë, por nuk kisha rehati kurrkund. Jam lidhur disa herë në telefon me presidentin Ademi dhe kam qenë gjithnjë në korent të konkurrimit të djalit. Kur kam marrë vesh suksesin, sa nuk më ka lënë zemra. Ka qenë gëzimi më i madh i jetës sime. Në të vërtetë, unë e kam pritur këtë rezultat. E kam ndjekur në stërvitje dhe kisha besim se do të hynte në zonën e medaljeve. Por të them të drejtën, nuk ua kisha besën kinezëve. Botërori zhvillohej në vendin e tyre dhe nuk kishim shumë dijeni se çfarë sportistësh do të merrnin pjesë. Megjithatë, ankthi mori fund tashmë dhe duhet t'i gëzohemi këtij suksesi," ka thënë Medi Qerimaj. Të njëjtat emocione ka provuar edhe Bardha, bashkëshortja e tij, e cila me trup ishte në Shkodër, por me mendje në Kinë. Me të marrë vesh lajmin, telefonatat në adresë të familjes Qerimaj kanë qenë të shumta. "Më kanë mbaruar tri bateri telefoni nga telefonatat e shumta që kam pasur. Sot ndërkohë e kam ndier veten më i qetë, jo si babai i kampionit të botës, por si shkodran. Jam ndier krenar që djali im bëri diçka të mirë për këtë qytet dhe këtë e justifikojnë urimet e shumta që kam marrë," thotë në përfundim babai i Erkandit.

Posted: Fri, 02 Jun 2006 , 01:54
by Admin
Hallall Arkand Qerimaj per fitoren e madhe qe ka arrit.
Sukse edhe ne te ardhmen, e ishalla shteti shqiptar e mbeshtet pak ma shume, sepse talente te tille s'duhet e i nenvlersu.
Urime edhe iher peshngritesit Arkand Qerimaj.

Posted: Fri, 02 Jun 2006 , 13:22
by vllaznia1919
Ah maj naqe ba me prite shtetin shqiptar Qerimaj cofe ujet.Edhe ata jane ma zi se presidentat tone. :lol:

Posted: Mon, 05 Jun 2006 , 11:45
by vvvllaznia
tamam hallall ka nderu Shkodren e gjith Shqiptarin ishallan sheti e perkrah dhe ja ploteson kushtet qe kerkon per stervitjeemrin e ka Erkand e jo arkand :D