Bashkia premtim për ndërhyrjen në infrastrukturë
Posted: Mon, 26 Jun 2006 , 16:34
Në takimin e fundit që ka pasur me donatorët e Vllaznisë si dhe me gazetarët, kryetari i Bashkisë së Shkodrës ka bërë të ditur se institucioni që ai drejton do të ndërhyjë sa i takon përmirësimit të infrastrukturës sportive në qytet. Sipas z. Haxhi vëmendja do të përqendrohet pikësëpari në rregullimin e kushteve të stadiumit “Loro Boriçi” , kryesisht për mirëmbajtjen e tij. Po ashtu pas dore nuk do lihet as ndërhyrja për rehabilitimin dhe vënien në funksion të fushës sportive të lëkurë-këpucëve. Për këtë arsye, falë bashkëpunimit me dy provinca italiane, brenda pak kohësh do nisin punimet për ta bërë atë gati për stërvitjen e ekipit të të rriturve si dhe për ekipet e moshave. Projekti në fjalë mendohet të përfundojë brenda këtij viti ndërkohë që po shikohet mundësia edhe për sigurimin e ndonjë terreni tjetër sportiv. Kësisoj institucioni i qeverisjes vendore përveçse u angazhua tërësisht për zgjidhjen e krizës presidenciale të skuadrës së Vllaznisë, po punon edhe për rregullimin e infrastrukturës sportive të qytetit. Lajme të mira këto që tregojnë se kryebashkiaku Haxhi e ka prioritet të punës së tij edhe sportin.Gjergj KOLA