Page 1 of 1

Minifutboll

Posted: Sun, 19 Feb 2006 , 12:00
by vllaznia1919
Flet ish-futbollisti i përfaqësueses shqiptare dhe Vllaznisë, Edi Martini

“Përse zgjodha karrierën në minifutboll”

Edi Martini, ish-futbollist i Besës së Kavajës deri në fund të vitit 2005 ka preferuar të lërë Superligën, duke nisur një karrierë të re në minifutboll. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” Martini ka treguar se përse ka zgjedhur të lërë futbollin në një moshë ende të re. “Jeta ime ka qenë e lidhur gjithmonë me futbollin, kështu që nuk mund të imagjinoj një largim total nga ky sport, kështu që preferova të filloj një karrierë në minifutboll”, ka thënë ish-futbollisti i ekipit përfaqësues dhe i Vllaznisë. Pas largimit nga Kavaja, Martini ka pasur edhe disa kontakte me drejtuesit e kuqebluve në Shkodër, për një rikthim tek kjo skuadër, por ky i fundit nuk ka preferuar të bëhet pjesë e Vllaznisë më të keqe, sipas tij, në 20 vitet të fundit.
Jeni larguar nga futbolli në një moshë relativisht të re. Përse një vendim i tillë?
Kam luajtur deri në fund të vitit 2005 me skuadrën e Besës së Kavajës, por arsye familjare u largova drejt vendlindjes. Me këtë rast do të desha të falënderoj për mirëkuptim edhe presidentin Bizhdili me të cilin arrita të gjej gjuhën e përbashkët për largimin tim dhe u ndamë shumë miqësisht. Kur u ktheva në Shkodër mora kontakte me presidencën shkodrane. Por këtu nuk rashë dakord për të nënshkruar një kontratë, të paktën deri në fund të sezonit. Megjithatë i falënderoj edhe këta të fundit, sepse do të më kishte ardhur shumë keq të isha pjesë e Vllaznisë më të keqe të 20 viteve të fundit.
Përse mendoni se ky është ekipi më e keq i 20 viteve të fundit?
Mjafton të shikosh lojën dhe rezultatet e kësaj skuadre. Gjendja aktuale e ekipit lë shumë për të dëshiruar. Skuadra nuk ka gjetur ekuilibrat e duhur në fushën e lojës edhe pse janë shpenzuar shumë para për futbollistët. Sipas meje, shkaku kryesor është blerja pa kriter i futbollistëve, ku shumë prej tyre nuk meritojnë aspak të veshin fanellën e kuqeblu. Natyrisht përgjegjës për këtë janë ata që kanë bërë këto blerje. Megjithëse presidenca ka bërë shumë shpenzime, njerëzit, të cilët janë caktuar për drejtimin e ekipit nuk kanë justifikuar aspak atë për të cilën është investuar. Megjithatë Vllaznisë i uroj të shkojë në Kupat e Evropës, ku e vetmja rrugë është fitorja e Kupës së Shqipërisë. Sepse kampionati tashmë është një kapitull i mbyllur.
Keni zgjedhur një karrierë në minifutboll, përse?
Me minifutbollin kam filluar thjesht për kënaqësi. Jeta ime ka qenë e lidhur gjithmonë me futbollin, kështu që nuk mund të imagjinoj një largim total nga ky sport. Kështu që preferova të filloja një karrierë në minifutboll. Jam i kënaqur që mora këtë vendim. Aktualisht jam një nga futbollistët e skuadrës së Vllaznisë në minifutboll, e cila për momentin ndodhet në vendin e tretë në këtë kampionat.
Cili është objektivi i këtij ekipi për këtë sezon?
Viti i parë që jam në këtë skuadër, por sinqerisht shikoj një rritje të dukshme, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në renditje. Për këtë duhet falënderuar edhe trajneri Kujtim Shaba, i cili ka bërë një punë shumë të mirë me këtë ekip. Objektivi ynë është titulli kampion dhe besoj se do të luftojmë për trofe deri në fund të kampionatit. Edhe pse besoj se nuk do të jetë aspak e lehtë për faktin se ndeshjet direket me dy kryesueset, Flamurtarin dhe Tiranën do t’i luajmë në fushat e këtyre dy të fundit.
Pra, besoni ende në titull?
Sigurisht që po. Me afrimin e sponsorizuesit të ri, zotit Lefter Sota, i cili ka ofruar ndihmën e tij financiare për këtë skuadër për fazën e dytë, besoj se gjërat do të shkojnë akoma më mirë. Me këtë rast do të kisha dëshirë që ta falënderoja për ndihmën që po i jep kësaj skuadre. Natyrisht ne do të bëjmë më të mirën tonë për të kërkuar rezultat edhe në ndeshjet në transfertë.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Shumë shpejt do të filloj me një grup shokësh ish-futbollistë të Vallznisë trajnimin e fëmijëve të moshave të ndryshme në Shkodër, të cilët kanë dëshirë të bëhen një ditë futbollistë. Shikoj që ka një interes shumë të madh jo vetëm të fëmijëve, por edhe të prindërve, të cilët janë të interesuar për të filluar stërvitjen në akademinë tonë “Kompleksi 10-ta”.
Pse pikërisht ky emër?
Sepse gjithë karriera ime sportive ka qenë e lidhur me këtë numër, pra 10-ën. Idhulli im ka qenë Diego Armando Maradona, aq sa edhe djali im i lindur para 5 muajve quhet Diego.
Mendoni se edhe djali juaj do të vazhdojë një karrierë në futboll?
Besoj dhe shpresoj që djali im të vazhdojë traditën dhe të ketë shumë herë më shumë se unë sukses në futboll. Ëndrra ime është të shoh një ditë djalin tim që jo vetëm të mbajë të veshur bluzën me numër 10-të, por edhe ta meritojë atë denjësisht.

Skeda
Emri: Edi
Mbiemri: Martini
Datëlindja: 02/01/1975
Vendlindja: Shkodër
Shtetësia: shqiptar
Gjatësia: 1.75 cm
Pesha: 78 kg

Titujt
91 – 92 Kampion i Shqipërisë me Vllazninë
01 – 02 Kampion i Shqipërisë me Vllazninë
2002 Fitues i Superkupës së Shqipërisë me Vllazninë
92 – 93 golashënuesi më ri shqiptar (18 vjeç) me Vllazninë 14 gola

Karriera
91 – 93 Vllaznia/ Shqipëri
93 – 94 Lubjanë/ Slloveni
94 – 95 SAK Klagenfort/ Austri
95 – 96 Vllaznia/ Shqipëri
97 – 99 Eintracht Frakfurt/ Gjermani
99 – 00 Luftëtari/ Shqipëri
00 – 04 Vllaznia/ Shqipëri
04 – 05 Flamurtari i Prishtinës/ Kosovë
05 – 06 Besa, Kavajë/ Shqipëri