Page 1 of 1

Shqiperi - Turqi

Posted: Mon, 10 Oct 2005 , 17:34
by eri
te merkuren luhet ndeshja kombetare e futbollit mes ekipit ton kombetar dhe atij turk .
eshte nje ndeshje qe per ne nuk ka ndonje rendesi te vecante pos asaj te rritjes se kuotes se pikeve , kuot te cilen nuk e kemi arritur ndonjeher me perpara ... por nga ana tjeter kemi nje turqi e cila vjen me e mobilizuar se kurre , me e perqendruar se kurre ne shqiperi e vendosur per te marre tri piket te cilat do ta conin ate drejt playoffit. eshte shansi i fundit i turqve dhe ata do te bejn te pamunduren te marrin tri piket ashtu sic ka then edhe trajnjeri fatih terim nese do te jet nevoja do te lem edhe kembet ne fushe . Pra Turqia vjen ne shqiperi me nje presion te madh mbi vehte me presionin e marrjes se tri pikeve me presionin e fitores i cili eshte i vetmi rezultat qe i shpeton ata ne rrugen drejt boterorit te Gjermanise.
Nga ana tjeter jemi ne pa ndonje pretendim te madh , pa ndonje presion mbi lojtaret tone te cilet do te luajn per te treguar nje futboll te bukur , per te treguar se kush eshte shqiperia dhe them se nqs do te jete vertet keshtu pra nuk do te ket asnje leshim vertet do te shohim nje loje te bukur .
shpresojm te fitojm ne por nese fitojn turqit hallall ... ishalla kalojn me sukses edhe playoffin pastaj .

suksese Shqiperia.

p.s mund te shprehni mendimet tuaja per kete ndeshje shum te rendesishme per grupin ton ndonese per ne jo dhe aq .

Posted: Tue, 11 Oct 2005 , 13:10
by vllaznia1919
Ndeshja duhet fituar sezban.Nuk ja kena kerkuj borxh me i lane ndeshje.Nuk na ka lane kurr kerkush ndeshje ne.Per ma teper qi flitet per Turqine qe "ndoshta" na kan nej san borxh ata ne,e ja na atyne.

Posted: Tue, 11 Oct 2005 , 13:17
by vllaznia1919
Murati: S'na intereson fati i Turqisë

"Nuk na intereson Turqia, por fitorja e ndeshjes me kundërshtarin e radhës." I këtij mendimi është mesfushori i ekipit tonë përfaqësues Murati, sipas të cilit ekipi kombëtar duhet që të respektojë tifozerinë dhe të mbyllë me sukses dhe ndeshjen e fundit të këtyre eliminatoreve. Loja e mirë dhe barazimi me Ukrainën, sipas Muratit, ka rritur moralin e ekipit përfaqësues që tani në ndeshjen me Turqinë kërkon të përmirësojë imazhin e tij. Më tej, Murati do të komentonte:
Cili do të jetë objektivi në ndeshjen me Turqinë?
Objektivi do të jetë i pandryshueshëm në fushën tonë. Duhet që ta fitojmë këtë ndeshje, ndonëse kemi një kundërshtar të fortë si Turqia, që në takimin e fundit miqësor mundi edhe vendin organizator të botërorit, Gjermaninë.
Trajneri Brigel ka kërkuar nga skuadra maksimumin në këtë ndeshje?
Sigurisht që po. Neve nuk na interesojnë objektivat që ka Turqia, por përmirësimi i kuotës së pikëve dhe i imazhit të futbollit shqiptar në Europë. Do të respektojmë tifozerinë në fushën e lojës dhe veten tonë. Nëse e marrim këtë 3-pikësh në shtëpinë tonë, do të jetë fantastike dhe një mbyllje e bukur e eliminatoreve të botërorit.
A mund t'i shërbejë barazimi në Ukrainë ndeshjes me Turqinë?
Kuptohet që vijmë me një moral më të lartë. Para ndeshjes me Ukrainën nuk kishim asnjë lloj presioni. Askush nuk priste që të arrinim këtë rezultat, por ekipi tregoi mobilizim dhe moral. Meritonim më shumë se 1 pikë. Po të fitonim, do të ishte shumë më mirë renditja në FIFA se tani. Sidoqoftë, pika që morëm na shërbeu për të qenë në një grup tjetër në shortin e ardhshëm. Mos harroni se luajtëm me ekipin që kryeson grupin dhe që kishte hyrë në fushë për të fituar ndeshjen dhe për të festuar kualifikimin. Ne arritëm të frenojmë një ekip që ka futbollistë fantastikë, si Shevçenko, që janë në majë të futbollit botëror. Ata kishin raste, por edhe ne kishim raste dhe ishim pranë fitores.
Si ndihet Murati para këtij takimi?
Jam në formë të mirë dhe shpresoj që të bëj më të mirën për kombëtaren.
Sa mund të ndikojë negativisht fakti që ekipi nuk ka motiv sa ka Turqia?
Nuk mendoj se jemi të pamotivuar. E thashë dhe më parë që duhet të rrisim kuotën e pikëve, por edhe dinjitetin e skuadrës. Në fushën e lojës nuk hyhet me mendimin për ta humbur ndeshjen, por për ta fituar.
Çfarë do t'u thoshit tifozëve në "Qemal Stafa"?
Duhet të na mbështesin, sepse edhe ne nuk do t'i zhgënjejmë.
A do të jeni i kënaqur edhe me një pikë me Turqinë?
Çdo rezultat, veç humbjes, është pozitiv, por qëllimi është të fitojmë ndeshjen.

Posted: Wed, 12 Oct 2005 , 13:37
by vllaznia1919
Terim: Fitoren e bazojmë te këmbët tona

I mbërritur në Tiranë që ditën e hënë, delegacioni turk është sistemuar në hotel "Sheraton", nën masa të rrepta sigurie. Ndeshja e sotme me Shqipërinë është cilësuar prej turqve vendimtare për të marrë pjesë në finalet e botërorit "Gjermani 2006". Vetëm fitorja u jep mundësi djemve të Fatih Terimit për të luajtur dy ndeshje shtesë në play-off. Pengesa e radhës për të kuqtë e Bosforit mban emrin Shqipëri, ekip që për këto eliminatore e ka siguruar plotësisht vendin e pestë në grup. Barazimi 2-2 i arritur në Ukrainë, e ka rritur shumë moralin e kombëtares sonë, që sot ndaj turqve do të luajë një 90-minutësh luksi. Këtë e pranon edhe vetë trajneri i kombëtares së Turqisë, Fatih Terim, i cili e ndien më shumë se kurrë rrezikun e ndonjë surprize, por që i bindur pranon se nëse nuk kalohet Shqipëria, s'duhet të pretendohen finalet e botërorit. Në një konferencë për shtyp, të organizuar dje në mesditë në ambientet e hotelit "Sheraton", i ashtuquajtur "Perandori i Bosforit" ndihet i shqetësuar për disa lojtarë të dëmtuar, por edhe terrenin jo të mirë të stadiumit "Qemal Stafa".
Formacioni, në momentet e fundit
I pyetur nga gazetarët turq në lidhje me formacionin, i cili do të zbresë sot në fushë, në orën 18:00, ish-trajneri i Gallatasarait, Milanit dhe Fiorentinës u shpreh: "Nuk mund t'ju them asgjë, pasi edhe vetë nuk jam i qartë në lidhje me ata lojtarë që do të zbresin fillimisht në fushë. Hëpërhë jemi duke vuajtur dëmtimet e Emresë, Okanit, Hyseinit, Serkanit dhe Nihatit, që kanë disa probleme të ndryshme dhe deri në momentet e fundit do t'i kem në mëdyshje, ku përfundimisht do të jetë stafi mjekësor ai që do ta thotë fjalën e fundit,"- komenton Terim.
"S'mund të agjërojmë në këtë takim"
Në lidhje me një çështje shumë të përfolur ditët e fundit si rrjedhojë e muajit të Ramazanit, trajneri turk Fatih Terim bëri të ditur se nuk është momenti që lojtarët e tij të agjërojnë. "Perandori i Bosforit" e ndien rrezikun e ndonjë surprize nga ana e Shqipërisë dhe për këtë u ka bërë të qartë lojtarëve të ushqehen mirë gjatë këtyre ditëve, derisa të kalohet sfida me "arnautët". "Pavarësisht traditës sonë, e konsiderojmë veten profesionistë dhe kurrsesi nuk mund të agjërojmë para një takimi kaq të rëndësishëm që na pret. Që të japim maksimumin në fushë, lojtarët janë të ndërgjegjshëm se duhet të ushqehen mirë dhe kjo s'ka asnjë lloj dyshimi."
"Qemal Stafa" mund t'i ndryshojë taktikën
Kur e shkeli dje për herë të parë stadiumin "Qemal Stafa", trajneri turk Terim mbeti jashtëzakonisht i pakënaqur me gjendjen e fushës. Sipas tij, një terren kaq i rënduar është një tjetër arsye më shumë që Turqia të vuajë për të marrë fitoren ndaj Shqipërisë. Janë të gjitha gjasat që Fatih Terim të ndryshojë edhe taktikën e lojës vetëm për shkak të fushës. "E pashë me imtësi fushën dhe mund t'ju them se ishte plotësisht e papërshtatshme për lojën tonë me shumë pasime. Ne kemi një skuadër që ka një përgatitje të mirë tekniko-taktike dhe normalisht sot do të kenë të vështirë për t'i shprehur të gjitha aftësitë e tyre. Nuk e përjashtoj mundësinë që në stërvitjen e fundit të ndryshojmë edhe taktikën tonë të lojës,"- vazhdon më tej idenë e tij Terimi.
"Nuk presim që Shqipëria të na tolerojë"
Ndonëse tri ditë më parë Fatih Terim për median turke kishte deklaruar: "Është Ramazan, kohë për bamirësi", ku nënteksti ishte Shqipëria, që edhe mund të mos luajë në 100 % të mundësive të saj, në konferencën e djeshme për shtyp ai u shpreh: "Nuk presim që Shqipëria të na tolerojë. Jemi përgatitur që ta fitojmë këtë takim vetëm në sajë të këmbëve tona. Të gjithë lojtarët duhet të ndërgjegjësohen që kjo nuk është një ndeshje normale dhe për këtë duhet të lënë edhe këmbët në fushë nëse kërkojnë të luajnë në play-off. Për fatin tonë të keq, Shqipëria do të luajë një ndeshje luksi, ndërkohë që ne do të jemi gjatë gjithë kohës të stresuar për të arritur te fitorja."
Mesfusha kuqezi, frikë për "Perandorin"
Në lidhje me lojën e kundërshtarit, trajneri Terim shprehet se e njeh mjaft mirë. Fakti që lojtarët shqiptarë luajnë të gjithë në Europë, ia bën edhe më të vështirë detyrën atij për t'i mposhtur në të gjitha drejtimet. "Ekipin e Shqipërisë e njohim në detaje, ashtu si çdo kundërshtar tjetër të grupit. Dyshja Tare-Bogdani mund ta vërë në vështirësi mbrojtjen e çdo skuadre, ndërkohë që mesfusha përbëhet nga elementë cilësorë. Shqipëria ka bërë hapa përpara dhe po të shikosh lojtarët e saj, të gjithë pothuajse luajnë në Europë." Për sa i takon faktit që lojtarë si Jupi, Duro apo Bushi njohin mentalitetin turk, Terimi përgjigjet: "Njohja është e përbashkët. Ashtu si shqiptarët na njohin ne, ku madje trajneri Brigel ka punuar në Turqi, edhe nga ana jonë jemi të informuar në detaje për gjithsecilin."
"Asgjë nuk i prish marrëdhëniet tona"
Në ndeshjen e sotme Shqipëri-Turqi janë në lojë të tri rezultatet. Pra, me një fjalë, nuk përjashtohet mundësia që kuqezinjtë tanë të arrijnë një fitore historike ashtu si më 4 shtator ndaj Greqisë. Nëse Shqipëria e realizon një objektiv të tillë, kjo absolutisht, sipas Fatih Terimit, nuk mund të prishë marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis të dy popujve. "Do ta përgëzojmë Shqipërinë në rast fitoreje ndaj nesh. I fituari asnjëherë nuk mund të gjykohet dhe për këtë nuk është çudi nëse ju arrini të merrni tri pikët. Këtu bëhet fjalë vetëm për një lojë futbolli, që do të thotë se marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes nesh nuk ka pse të prishen. Lojtarët e mi e kuptojnë shumë mirë se, nëse nuk fitojnë ndaj Shqipërisë, s'kanë se si të pretendojnë të luajnë në finalet e botërorit. Për ne është e rëndësishme të kalojmë një herë Shqipërinë dhe më pas të mendojmë për kundërshtarin e ardhshëm në play-off."
"Trajneri Morten Olsen, ky i papunë!"
Fjalëve të dashurisë së trajnerit të Danimarkës, Morten Olsen, se shqiptarët janë popull fisnik, njëshi i stolit turk u është përgjigjur: "Me sa po shoh, Olseni ka mbetur pa punë, ndaj dhe lëshon fjalë të tilla në adresë të shqiptarëve. Më parë se të pretendojë te forca e Shqipërisë për ta na mundur ne, ai duhet të fitojë një herë në Kazakistan. Ne, si turq, e quajmë fyerje t'u bëjmë shqiptarëve komplimente në prag të një ndeshjeje të tillë, ndonëse i njohim shumë mirë vlerat tuaja,"- komenton Terimi.
I pyetur në lidhje me shkrimet e gazetave daneze, se shqiptarët e kanë shitur ndeshjen dhe turqit e kanë blerë, ish-trajneri i Milanit u përgjigj: "Pyesni më mirë shqiptarët nëse e kanë bërë një gjë të tillë."

Posted: Wed, 12 Oct 2005 , 13:38
by vllaznia1919
Gravesen në Tiranë, heton Shqipëri-Turqi

Një nga futbollistët më të famshëm të Danimarkës, mesfushori Tomas Gravesen, i cili është lojtar i Realit të Madridit, me të gjitha gjasat do të jetë sot i pranishëm në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" për të vëzhguar nga afër ndeshjen Shqipëri-Turqi. Lajmi është bërë i ditur dje nga italiania "La Gazzetta dello Sport". Sipas kësaj gazete, Federata Daneze e Futbollit do të dërgojë në Tiranë Gravesenin, i cili do të vëzhgojë ndershmërinë e ndeshjes së kuqezinjve me turqit. Danezët i druhen një pazari mes Shqipërisë dhe Turqisë. Madje, sipas shkrimit, Gravesen do të shohë nga afër nëse me të vërtetë turqit e kanë blerë fitoren në Tiranë. Gravesen, i cili është skualifikuar për ndeshjen me Kazakistanin, do të jetë në Tiranë si një gazetar danez i akredituar në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" për ndeshjen Shqipëri-Turqi.

Posted: Wed, 12 Oct 2005 , 13:39
by vllaznia1919
Edhe tifozët kosovarë kundër Turqisë

Tifozët kosovarë nuk do të mungojnë as në ndeshjen e fundit kualifikuese të kombëtares shqiptare kundër Turqisë, megjithëse Shqipëria ka kohë që i ka humbur gjasat për kualifikim në finalet e Kampionatit Botëror "Gjermani 2006".
Rreth 200 "dardanë" dhe 100 "tifozë kuqezinj" do ta kërkojnë fitoren kundër Turqisë, në ndeshjen për të cilën ka kohë që flitet se do të luhet për hesapin e Turqisë apo të Danimarkës.
"Për ne, pak rëndësi ka me kë luajmë. Do të jemi aty si në çdo ndeshje dhe shkojmë për të fituar. Nuk na intereson kush shkon ose kush nuk shkon në botëror, neve na intereson vetëm fitorja e Shqipërisë,"- thotë Tomor Pozhegu, përfaqësues i "TKZ"-së nga Gjakova. "Dikush thotë se Shqipëria do të fitojë kundër Turqisë për t'u kualifikuar Danimarka, disa e thonë të kundërtën. Ne po shkojmë edhe ta kritikojmë federatën për skandalet e shitjes së ndeshjeve që i kemi dëgjuar kohët e fundit. Prandaj duam fitore edhe kundër Turqisë,"- thotë Gazmend Dalipi, udhëheqës i grupit të tifozëve "Dardanët", që ka lindur nga bashkimi i shumicës së tifozërive të skuadrave kosovare.

Posted: Wed, 12 Oct 2005 , 13:40
by vllaznia1919
Kombëtarja, stërvitje me dyer të mbyllura

Seanca e fundit stërvitore e ekipit tonë para ndeshjes me Turqinë është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e medias shqiptare dhe të huaj. Stadiumi është izoluar nga forcat e rendit, të cilat ishin njoftuar më parë. Nga ana tjetër, çdo element i stërvitjes ka qenë "top secret". Burime konfidenciale nga stafi kuqezi kanë bërë të ditur se trajneri Brigel ka zhvilluar një stërvitje të karakterit taktik, ku është provuar formacioni që do të zbresë në fushën e lojës kundër Turqisë. Po sipas këtyre burimeve konfidenciale, bëhet e ditur se në fushën e lojës pritet që të zbresë pothuajse i njëjti formacion që luajti në ndeshjen me Ukrainën. Ndryshimi i vetëm do të jetë vetëm në mënyrën e lojës që do të aplikojë gjermani për takimin me Turqinë. Për sa i përket Lorik Canës, ai ka bërë stërvitje të lehtë pjesërisht individualisht dhe pjesërisht me ekipin, gjë që do të thotë se shanset e Lorikut për t'u aktivizuar në ndeshjen me Turqinë janë të mëdha. Menjëherë pas stërvitjes së pasdites në stadiumin "Tofik Jashari" të Shijakut, ekipi është drejtuar në hotel "Adriatik" në plazhin e Durrësit. Eshtë për t'u evidentuar fakti se ditën e martë ekipi zhvilloi vetëm një seancë stërvitore, në një kohë që paradite futbollistët kanë bërë shëtitje në plazh dhe më pas kanë parë me kujdes në një nga dhomat e hotelit kasetën e ndeshjes që ekipi i Turqisë ka zhvilluar në Ukrainë. Brigeli u ka dhënë futbollistëve rekomandimet përkatëse.

Posted: Wed, 12 Oct 2005 , 13:42
by vllaznia1919
Turqit agjërojnë, Terimi përgënjeshtron

Vazhdon të agjërojë kombëtarja turke në prag të sfidës së sotme me Shqipërinë? Është pikërisht kjo dilema e shtypit shqiptar, i cili ka nisur investigimet brenda hotelit "Sheraton". Në lidhje me këtë çështje, trajneri turk Fatih Terim përgënjeshtron gjithçka, ndërkohë që, sipas burimeve brenda stafit të hotelit, bëhet e ditur se dje lojtarët janë ngritur në orën 04:00 të mëngjesit për të ngrënë. Ajo që duhet theksuar është fakti se i gjithë delegacioni turk është i mbikëqyrur në masa të rrepta sigurie, për të mos dalë asnjë lloj burim informacioni. Edhe dje, në konferencën e shtypit, trajneri Terim doli i vetëm, kur dihet që gjithmonë ai duhet të jetë i shoqëruar nga kapiteni i ekipit.

Tifozët turq: Na ndihmoni vëllezër shqiptarë!
Pasditen e djeshme, rrugëve të kryeqytetit tonë janë parë grupe tifozësh turq, të cilët kanë mbërritur në Tiranë për ta ndjekur "live" kombëtaren e tyre. Të kontaktuar nga gazeta, ata u shprehën se sot duhet të fitojnë me rezultatin 2-0, për ta pasur të sigurt pjesëmarrjen në play-off. "Vëllezër shqiptarë, sot na duhet patjetër të fitojmë për të pretenduar më pas finalet e botërorit. Shpresojmë te bujaria e shqiptarëve, për të cilët kjo ndeshje ka vlera statistikore, ndërkohë që për ne konsiderohet takimi i jetës. Duam me çdo kusht fitoren 0-2, për ta pasur të sigurt pjesëmarrjen në play-off,"- i tha dje gazetës një tifoz me emrin Mehmet Okçyn.

Posted: Wed, 12 Oct 2005 , 13:44
by vllaznia1919
Brigeli: Shqipëria nuk bën dhurata

Trajneri i ekipit tonë përfaqësues, Hans Peter Brigel, një ditë para takimit të fundit eliminator për Botërorin e 2006-s, ka dhënë një konferencë për shtyp, ku ka bërë një panoramë të gjendjes aktuale të ekipit, objektivave, dyshimeve dhe detaje të tjera para një ndeshjeje tepër delikate si ajo me Turqinë. Sipas trajnerit gjerman, ndeshja me Turqinë ka një rëndësi të veçantë, gjë që reflektohet edhe në faktin se takimi do të transmetohet nga disa televizione të vendeve të ndryshme europiane. Bëhet fjalë për një vend play-off-i dhe të gjithë, sipas tij, sytë do t'i kenë në Tiranë. Sipas Brigelit, ne do të kemi si synim që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe ta fitojmë atë. Duke iu referuar kundërshtarit, Brigeli ka deklaruar se Turqia ka një skuadër të mirë, gjë që e tregoi dhe në fitoren e fundit me Gjermaninë. "Ne jemi "të armatosur" mirë dhe do të luajmë mirë, ashtu si dhe në ndeshjen me Ukrainën,"është shprehur gjermani.
Duke u kthyer deklarimeve aludive në lidhje me lëshime apo qëllime për të luajtur për një skuadër apo tjetrën, që mund të bëjë ekipi ynë përfaqësues, Brigeli ka shtuar se ekipi do që të fitojë dhe se Shqipëria luan vetëm për veten e saj, pa pasur menduar se ç'dëshirojnë të tjerët. Për sa i përket lojës së skuadrës, Brigeli ka thënë se është përpjekur t'i tregojë skuadrës që të luajë lirshëm dhe shpreson që sot këtë gjë ta tregojë në fushën e lojës. "Qëllimi ynë është që t'u bëjmë një mbyllje të mirë eliminatoreve të kampionatit botëror të futbollit. Për më tepër, ndeshja e fundit është para tifozerisë sonë,"ka vijuar më tej gjermani. Në lidhje me pyetjen nëse ka pasur disa lidhje telefonike ditët e fundit me trajnerin e Danimarkës, Morten Olsen, Brigeli ka thënë se është e vërtetë që ka pasur vetëm një lidhje telefonike me trajnerin danez Olsen. "Ai më ka pyetur nëse ia vlen që të shkojnë në Kazakistan dhe unë i jam përgjigjur që qëllimi ynë është që të fitojmë ndeshjen e radhës me Turqinë,"është shprehur gjermani i stolit kuqezi. Ndërsa në lidhje me informacionet sipas të cilave Brigeli është shprehur se do të ndihmojë Danimarkën të kualifikohet, trajneri gjerman është shprehur se këto fjalë janë vetëm spekulime. Brigeli, nga ana tjetër, është shprehur se 13 pikë janë një kuotë e mirë dhe se sot në "Qemal Stafa" ekipi do të mundohet të bëjë më të mirën për ta rritur këtë kuotë.
"Sikur të mos kishim pasur dëmtime dhe të mos kishim lënë pikë që mund t'i merrnim rrugës, mund të kishim qenë pretendentë për t'u kualifikuar. Dëmtimet dhe kartonët e verdhë na kanë dëmtuar,"ka shtuar më tej Hans Peteri.
Në lidhje me të ardhmen e tij në ekipin përfaqësues, Brigeli ka deklaruar se ka në program që të zhvillojë pas eliminatoreve disa takime miqësore dhe grumbullime, në një kohë që më pas do të bisedojë me presidentin e FSHF-së në lidhje me të ardhmen e tij në ekipin përfaqësues të Shqipërisë. Brigeli nuk ka bërë komente për pikat e dobëta të kundërshtarit. Gjermani gjithashtu ka konfirmuar se edhe me Turqinë, ashtu si dhe me Ukrainën, ekipi do të zhvillojë lojë sulmuese, duke luajtur përpara, me një sistem tjetër nga ai nga krahët. Për aktivizimin e Lorik Canës në ndeshjen me Turqinë, Brigeli ka bërë të ditur se shpreson që masazhatori Bulinger të bëjë një tjetër mrekulli, që kosovari të jetë në fushën e lojës.

Posted: Thu, 13 Oct 2005 , 13:22
by vllaznia1919
Shqipëri-Turqi, mbrëmë fitoi miqësia

Shqipëria ka humbur ndeshjen e fundit të eliminatoreve të vlefshme për Botërorin "Gjermani 2006" kundër Turqisë 0-1, e zhvilluar dje në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Kështu, në përfundim të këtyre eliminatoreve, skuadra jonë ka merituar vendin e pestë në këtë grup, duke grumbulluar 13 pikë, si kurrë më parë në historinë e saj. Ukraina është kualifikuar direkt për në Botërorin e Gjermanisë dhe Turqia do të ndeshet në play-off për një vend në veprimtarinë më të madhe futbollistike të globit.
Ndeshja e djeshme ka qenë shumë luftarake dhe Shqipëria ka treguar një formë shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë, kur ishte zotëruese e gjithë fushës. Rastet e shumta nuk konkretizohen nga sulmuesit tanë dhe portieri i Turqisë, Volkan Demirel, ka qenë me shumë fat. Kombëtarja jonë e nis takimin me një skemë tipike 4-3-1-2, ku Skela kishte për detyrë furnizimin e vijës së sulmit të përbërë nga Tare e Bogdani. Formacioni kuqezi nuk ndryshonte aspak nga ai i katër ditëve më parë në Ukrainë. Në portë Lika, në mbrojtje kuarteti Dallku-Beqiri-Hasi-Aliaj, në mesfushë Haxhi-Cana-Lala-Skela dhe në sulm dyshja shtatlartë Tare-Bogdani. Skuadra jonë vihet menjëherë në kontroll të lojës dhe tregon se në këtë takim nuk ka aspak ndër mend të tolerojë. Rastet rrjedhin njëri pas tjetrit, por duket se Zoti në këtë takim është me Turqinë. Nga ana e saj, Turqia nuk rrezikon thuajse fare portën e Likës dhe ua lë në dorë goditjeve standarde peshën kryesore të mësymjes. Kuqezinjtë janë të kthjellët dhe kombinojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Bogdani, ashtu si dhe në ndeshjet e fundit, është në një formë shumë të mirë fizike. Rasti i parë i artë i takon pikërisht shtatlartit të Sienës, i cili gjuan fort, por topi devijohet në këndore nga Volkan. Në krahun e djathtë të mesfushës, ndryshe nga zakonisht, Armend Dallku kryen një volum të madh pune, duke rikuperuar shumë topa, madje duke sulmuar e harkuar rrezikshëm. Mesfusha është në lartësinë e duhur dhe rikuperon shumë topa. Tare kërcënon me kokë ashtu si edhe Bogdani. Rasti më i pastër i krejt takimit i takon sërish Erion Bogdanit, i cili nuk arrin të përfitojë nga një gabim foshnjarak i portierit Volkan. Kjo do të ishte dhe panorama e 45 minutave të para të takimit, e cila ka parë një Shqipëri të hedhur para në sulm dhe shumë të kujdesshme pas, por që fatkeqësisht nuk arriti të shënojë golin e avantazhit. Nga ana tjetër, u pa qartë se Turqia nuk dëshironte të shpenzonte energji, pasi edhe varianti taktik i propozuar nga Terimi në fraksionin e parë nuk të jepte përshtypjen e një formacioni sulmues, pasi Halil Altintop ishte sulmues i vetëm.
Pjesa e dytë nis më e balancuar dhe miqtë fillojnë të fitojnë pak e nga pak terrenin e lojës. Madje, ata fillojnë e shfaqen rrezikshëm përpara Likës, por mbrojtja tregohet e vëmendshme. Nga ana tjetër, loja e skuadrës sonë është konfuze në sulm, por kjo edhe nga lodhja, pas një volumi të madh të kryer në pjesën e parë.
Turqit do të përfitojnë nga ky moment i kuqezinjve dhe do të shënojnë në minutën e 58-të të takimit me anë të Metinit, duke përfituar nga momenti i vetëm i hutimit në mbrojtjen tonë. Ky gol do të rezultojë shumë deciziv në përfundim të takimit. Ndeshja shpesh merr nuanca të ashpra, teksa nuk kursehen as ndërhyrjet brutale, të cilat bëhet shkak për një numër të madh kartonësh. Megjithatë, kuqezinjtë nuk dorëzohen. Brigeli nxjerr nga fusha të dëmtuar Haxhin për Muratin dhe krahu i majtë merr sërish frymë. Gjithashtu futet Jupi në vend të Dallkut. Forcat e freskëta balancojnë sërish takimin, por në këtë pikë turqit duket se nuk kanë ndër mend aspak të rrezikojnë dhe mbrohen me forca të shumta. Përfundimisht, ndeshja përfundon me fitoren e ngushtë të Turqisë 1-0 në "Qemal Stafa".
Nga ky rezultat i arritur Turqia siguron një gjysmëbiletë, teksa i duhet të presë një tjetër rival që do të dalë nga shorti i pak ditëve më vonë. Ndërkohë, ajo që u cilësua në fillim të eliminatoreve favoritja e grupit, Danimarka, do të detyrohet ta shohë botërorin nga shtëpia, teksa fitorja e Turqisë ndaj Shqipërisë e ka bërë të pavlefshëm rezultatin pozitiv të marrë në Kazakistan ndaj vendësve me shifrat përfundimtare 2-1. Megjithatë, është për t'u nënvizuar fakti se kampionia e Europës, Greqia, dhe Danimarka u kujtuan shumë vonë për të hyrë në lojë, kur Ukraina e kishte siguruar biletën e saj dhe Turqia ishte në një pozicion më komod.
Shqipëria e mbyll me një humbje aventurën e saj, aventurë e cila ka qenë mjaft e bukur, sidomos pas atij fillimi shpërthyes.

Posted: Thu, 13 Oct 2005 , 13:24
by vllaznia1919
"Skaneri" i kuqezinjve

Ilion Lika
Disa momente pasigurie gjatë pjesës së parë, që mund të na kushtonin shumë, kanë treguar se Lika nuk është në formën e tij më të mirë. Megjithatë, ai është përmirësuar me kalimin e minutave, duke fituar sigurinë në vetvete. Nuk mund të quhet fajtor për rastin e golit, pasi lojtari turk gjuajti nga një distancë e afërt dhe topi kaloi në cepin më të largët, ku ai nuk mund të arrinte.

Armend Dallku
Një pjesë e parë mjaft e mirë për futbollistin kosovar, që tani aktivizohet në kampionatin ukrainas. Dy krose mjaft të bukur nga krahu i djathtë i sulmit, sidomos ai që përfundoi në kokën e Tares, por ky i fundit nuk u tregua i saktë. Një ndeshje pozitive për Dallkun, i cili ndihmoi shumë në mbrojtje dhe në sulm, megjithëse u dëmtua në dorë që në minutat e para.

Elvin Beqiri
Mbrojtësi shkodran mbetet gjithmonë konstant në lojën e tij dhe mjaft i qetë në veprimet mbrojtëse. Shumicën e rasteve ka qenë i saktë në ndërhyrjet e tij dhe i vëmendshëm në kundërsulmet e kundërshtarit.

Besnik Hasi
Falë përvojës së tij të madhe, Hasi ka qenë vendimtar në disa raste gjatë ndeshjes së djeshme, por nuk është e vështirë të kuptohet se lojtari i Anderlehtit nuk është më ai i dikurshmi. Hasi është edhe një trajner i skuadrës sonë në fushë, por tashmë duhet menduar për zëvendësuesin e tij.

Adrian Aliaj
Jemi mësuar ta shohim Aliajn të shënojë dhe presim shumë prej tij, por aktualisht ai nuk është në formën e tij më të mirë, ndaj dhe nuk është shfaqur rrezikshëm, qoftë në rastet e goditjeve standarde, qoftë me krosimet nga krahu i majtë.

Lorik Cana
Duke qenë lideri i mesfushës sonë, është munduar të krijojë një volum të madh loje, duke thyer fillimisht aksionet e kundërshtarit dhe duke ndihmuar më pas sulmin, por jo gjithmonë ka qenë i saktë në pasimet e tij. Gjithsesi, mbetet një nga pikat më të forta të skuadrës sonë.

Altin Lala
Një nga lojtarët më agresisë të ekipit tonë në fushë, ndoshta dhe pak nervoz në momente të caktuara, por mjaft i rëndësishëm për formacionin kuqezi. Në ndeshjen e djeshme ka ndikuar edhe lodhja që shkaktoi ndeshja e pak ditëve më parë me Ukrainën, ndaj nuk pritej më shumë prej Lalës.

Altin Haxhi
Si gjithmonë, mjaft elegant dhe i zgjuar me veprimet e tij teknike. Disa të tilla i kreu në pjesën e parë, në një prej të cilëve mund të kishte pasuar më mirë për dy sulmuesit tanë, që ndodheshin brenda zonës. Edhe këtë herë, shkelmat e kundërshtarit nuk e kanë lejuar ta përfundojë të gjithë ndeshjen.

Ervin Skela
Ndryshe nga ndeshja me Ukrainën, Skela është përpjekur më shumë dje, duke lëvizur më shumë në fushë për të krijuar hapësira për dyshen sulmuese Tare-Bogdani. Madje ka provuar të befasojë portierin turk me një gjuajtje nga distanca, por pa rezultat.

Igli Tare
Pjesa e parë ka qenë e mirë për sulmusin shtatlartë të Lacios, i cili duket se po e përmirëson ndjeshëm formën e tij. Në ndeshjen e djeshme pati një mundësi të mirë për të shënuar, por gjuajtja e tij me kokë nuk ishte e saktë.

Erion Bogdani
Këtë herë nuk ka shënuar, por sërish ka qenë lojtari më i mirë në fushë për skuadrën kuqezi. Gjatë gjithë 90-minutëshit ka qenë rreziku numër 1 për portën e Turqisë. Provoi disa herë të shënonte, madje iu krijua një mundësi e mirë nga gafa e portierit turk, por ai nuk mundi ta çonte topin në rrjetë. Tashmë nuk ka asnjë dyshim që Bogdani është lideri i sulmit kuqezi.

Edvin Murati
Pas futjes së tij në fushë në vend të Haxhit, në krahun e majtë u organizuan thuajse të gjithë sulmet e kombëtares shqiptare, por për fat të keq, asnjë prej tyre nuk u finalizua saktë. Murati provoi edhe vetë të kërcënonte portën turke nga pozicione jo të favorshme, por pa arritur të shënojë.

Redi Jupi
Iu krijua ndoshta mundësia më e mirë për të barazuar, kur u gjend i lirë brenda zonës, por u vonua në gjuajtje. Një lojë e mirë e mesfushorit që luan në kampionatin turk gjatë minutave që u aktivizua.

Edmond Kapllani
Pak minuta edhe në këtë ndeshje për sulmuesin e Karlsruhes në Bundesligën 2, por që nuk i dhanë mundësinë të rrezikojë asnjëherë në portën e Turqisë.

Posted: Thu, 13 Oct 2005 , 13:27
by vllaznia1919
Prononcime të futbollistëve kuqezinj

Edmond Kapllani
Si të gjithë lojtarët e ekipit kombëtar, i mërzitur për humbjen ka qenë edhe Edmond Kapllani. Sulmuesi durrsak, i cili edhe në këtë takim luajti disa minuta, është shprehur se skuadra kuqezi bëri maksimumin, por nuk arriti të fitonte apo të barazonte në ndeshjen e fundit eliminatore.
"Më vjen shumë keq. Ju e patë ndeshjen, ne dhamë çfarë kishim në fushën e lojës. Gjatë takimit humbëm shumë raste. Ose më saktë dy-tre raste dhe, në qoftëse loja do të kishte shkuar 1-0 për ne, fundi i lojës do të fliste ndryshe. Turqit patën dy raste dhe në njërin shënuan. Eshtë shumë e thjeshtë, shfrytëzuan rastet dhe fituan takimin. Kapllani gjithashtu ka hedhur poshtë aludimet për direktiva në fund të pjesës së parë. "Ne kishim hyrë dhe hymë në fushën e lojës për të dhënë maksimumin dhe lojtarët e bënë atë. Dhamë maksimumin në fushën e lojës, duke u treguar të gjithëve se nuk bëhet fjalë për ndonjë shitje ndeshjesh."


Elvin Beqiri
Mbrojtësi Elvin Beqiri, pas ndeshjes me Turqinë është shprehur se kuqezinjtë kanë zhvilluar një takim dinjitoz. Gjithsesi, skuadra nuk ka mundur të fitojë në ndeshjen e fundit për fushatën e eliminatoreve për botërorin e 2006-s. "Ky është futbolli. Mund të luash mirë dhe të mos fitosh. Ishte një ndeshje e mirë për ne. E kishim vlerësuar në maksimum. Mund të merrnim ndonjë pikë. Por gjithçka rezultoi e kotë, pasi Turqia pjesën e dytë luajti më mirë se ne dhe e arriti fitoren. I uroj Turqisë suksese nëse kualifikohet për në botërorin e 2006-s,"është shprehur Beqiri. Shkodrani gjithashtu ka dhënë edhe një vlerësim për këto eliminatore për botërorin e 2006-s. "Për mendimin tim, ka qenë një sezon i suksesshëm në këto eliminatore, pavarësisht disa momenteve jo të mira që patëm për shumë arsye subjektive."


Erion Bogdani
Edhe në këtë takim ka qenë një nga më të mirët në fushën e lojës. Ka pasur në dorë disa raste për të shënuar. Gjithsesi, ai është mundur të shënojë golin e tij të 5-të në 4 ndeshje eliminatore për botërorin e 2006.s, por nuk ia ka arritur. Bogdani pas ndeshjes ka thënë se kuqezinjtë mund ta kishin fituar takimin dhe se skuadra jonë është treguar profesioniste deri në fund. "Nuk diskutohet, luajtëm mirë. Jemi profesionistë dhe në fushë them se e demonstruam, pavarësisht se ekipi turk në pjesën e dytë dha diçka më shumë për arsye se donte të shkonte në kampionatin botëror. Megjithatë, them se këtë sezon kemi luajtur shumë mirë. I kemi merituar pikët. Vitin tjetër, kur të nisin eliminatoret për Europianin e 2008-s, ka mundësi që Shqipëria mund të bëjë një hap më të madh. Për sa i përket rastit kur portierit i iku topi nga dora, unë po e ruaja. Të them të vërtetën, e gjuajta shumë shpejt dhe ai e kapi. Duke lënë pas të gjitha këto, them se Shqipëria luajti shumë mirë dhe u treguam profesionistë. Gjithsesi, Turqia kishte një objektiv tjetër për të arritur. Për golat them se për mua është një kënaqësi e madhe, por them se formën që kam tani që luaj me Sienën ta mbaj dhe ta shfrytëzoj edhe në ekipin kombëtar gjatë kësaj kohe,"është shprehur Bogdani.

Lorik Cana
"Për mendimin tim, ka qenë një ndeshje e mirë. Gjithsesi, jam i dëshpëruar me rezultatin. Jam i dëshpëruar që kemi humbur. Nga ana tjetër i uroj Turqisë që të kalojë në kampionatin botëror. Ne kemi bërë lojën tonë dhe fatkeqësisht ne kemi humbur, por them se duhet të shohim gjërat e mira që kemi bërë në këtë ndeshje. Këto eliminatore kanë anët e mira dhe të këqija. Dëshirën që kishim nuk e kemi arritur. Megjithatë këto pluset që kemi arritur duhet t'i marrim për sfidat e ardhshme."

Ardian Aliaj
"Ishte një ndeshje pa asnjë stres, pa asnjë objektiv nga ana jonë. Ishte problemi i tyre që duhet të fitonin. Ne donim të fitonim, ata donin të fitonin, kjo ishte gjithë diferenca. Mendoj se luajtëm mirë. Një pjesë shumë e parë shumë e mirë nga ana jonë me disa raste. Vetëm goli mungoi. Nëse do të shënonim në pjesën e parë, rezultatin dhe fitoren ata do ta kishin më të vështirë. Futbolli ky është. Le t'u urojmë turqve fat të mbarë në play?off-in e botërorit. Për sa i përket këtij edicioni, ne ia arritëm qëllimit dhe jemi të kënaqur. Eshtë një nga më të mirët. Ne këtë kualitet kemi. Herën tjetër shpresoj që të jemi më mirë."

Redi Jupi
"Ah, sikur ta kisha shënuar atë gol! Pas ndeshjes, Skela më tha që duhet t'ia kisha pasuar atij topin, pasi ndodhej i lirë, por të them të vërtetën nuk e pashë fare. Në ato momente nuk u mendova dy herë, por e godita menjëherë topin, i cili, për fatin e keq, u përplas në këmbët e mbrojtësit turk. Gjithsesi, me atë se çfarë dhamë në fushë, rezultati më i drejtë do të ishte barazimi. Në pjesën e parë luajtëm mirë, por në të dytën patëm vështirësi, sepse kundërshtari u forcua shumë pas futjes në lojë të Emresë dhe Nihatit, të cilët janë futbollistë të kalibrit ndërkombëtar. Në këtë aspekt patëm vështirësi dhe turqit na goditën me një gol, që mund të evitohej."

Altin Haxhi
"Kemi bërë një lojë mjaft të mirë, madje kemi krijuar disa raste të pastra shënimi, që, po të ishin realizuar, do të sillnin një tjetër përfundim të takimit. Me lojën e zhvilluar u kemi treguar të tjerëve që ne nuk bëjmë pazare, por ka qenë fati që na ka ndëshkuar, duke ndihmuar kundërshtarët. Vendin e 5-të thuajse e kishim siguruar, por ndonjë pikë më shumë do të ndikonte në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Gjatë këtyre eliminatoreve kemi pasur gjëra negative dhe pozitive, por pozitivet kanë qenë më të shumta. Të shpresojmë që në edicionet e tjera të paraqitemi më mirë, duke e rritur imazhin e kombëtares sonë."

Armend Dallku
"As nuk mund të mendohet se ka pasur marrëveshje në këtë takim. Ne kemi krijuar disa raste shënimi, por fati nuk na ka ndihmuar për t'i kthyer në gola. Ndërsa kundërshtarët tanë ishin me fat që arritën të shënonin. Në pjesën e parë duhet të kishin kaluar ne në avantazh, por futbolli i tillë është. Në pjesën e dytë turqit bënë dy zëvendësime të rëndësishme në mesfushë, çka solli dhe ndryshimim taktik të lojës sonë. Lojtarët e futur në lojë ishin të feskët dhe me përgatitje të lartë teknike. Edhe përgatitja fizike ndikoi në lojë në pjesën e dytë, ku turqit ishin më të freskët."

Posted: Thu, 13 Oct 2005 , 13:38
by vllaznia1919
Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Brigel, denononcon sjelljen

“Turqit, poshtërsira në dhomat e zhveshjes”

Trajneri i ekipit kombëtar shqiptar, Hans Peter Brigel, nuk e ka pëlqyer aspak sjelljen e lojtarëve turq në përfundim të ndeshjes. Gjermani i përfaqësueses kuqezi ka denoncuar publikisht gjestet poshtëruese të futbollistëve miq në dhomat e zhveshjes. “Kur hymë në dhomat e zhveshjes, lojtarët turq filluan të bënin disa shenja tepër poshtëruese për shqiptarët. Në të gjithë karrierën time sportive nuk kam hasur ndonjëherë sjellje të kësaj natyre. Ishte vërtetë një poshtërsi. Nuk e përjetova aspak mirë këtë. Kush ishin? Portieri dhe një prej mbrojtësve”, u shpreh Hans Peter Brigel. Ndonëse arritën të fitonin në një fushë, ku Greqia është eliminuar për shkak të pikëve të lëna aty, miqve nga Turqia duket se nuk u ka mjaftuar kjo. Gjithsesi, futbollistët kuqezinj nuk kanë pasur asnjë reagim që mund të shkaktonte konflikt me ta. I pyetur për këtë çështje, trajneri i përfaqësueses turke, Fatih Terim, u shpreh: “Unë besoj se lojtarët e mi janë keqkuptuar. Edhe nëse ka ndodhur diçka, ajo mund të ketë ndodhur në gëzim e sipër, por asnjëherë me të keq. E përsëris, që mund të jetë ndonjë keqkuptim”, sqaroi “Perandori i Bosforit”. Përsa i përket ndeshjes, Brigel komentoi: “Në pjesën e parë ishim shumë herë më mirë, ndërsa ata na ndëshkuan vetëm me dy momente në pjesën e dytë. Ne i bëmë të gjitha përpjekjet për të fituar dhe më vjen keq që dy skuadra të njohura janë eliminuar. E kisha thënë edhe më parë që ne e donim fitoren, ndërsa turqve u duhej ajo”.

Posted: Fri, 21 Oct 2005 , 18:25
by eri
rendesi ka qe fitume nji here :D

Posted: Sat, 22 Oct 2005 , 13:34
by vllaznia1919
Rendesi ka qi pame tuj fitu!!!! :lol: :lol: :lol: :lol:

Posted: Mon, 24 Oct 2005 , 17:45
by Admin
eri wrote:rendesi ka qe fitume nji here :D
Hhahahahhaaha
O Eri e kena hup ndeshjen kundet Turqise ma , :lol: :wink:

Nejse , nejse .... Randsi ka qe nuk shkoi GReqia ne Botror ndoshta ke dasht me thane :roll: :lol:

P.S. O Raldi , kur e ke shkru e ke kthy ndoj dopjo aaaaa :lol: :wink:

Posted: Tue, 25 Oct 2005 , 13:56
by vllaznia1919
E ka ngatrru me filmin gol naqe,ose i kan pru raki prej Shkodret! :lol: :lol: :lol: :lol:

Posted: Thu, 27 Oct 2005 , 14:27
by futbollist
me e pa ne foto Dallkun fille mas golit tu qesh...aty bate MUU qe ja kishim lane lojen :lol: Po sa here delte Bogdani para portes tja fute jashte me qellim, demek se nuk kishte shanc :D

Posted: Fri, 28 Oct 2005 , 13:30
by vllaznia1919
Kja pune asht dite qysh para se me fillu neshja maj naqe.

Posted: Fri, 28 Oct 2005 , 16:22
by futbollist
kot skane thane kojshija i mire dera e xhenetit :lol: :lol: