Page 1 of 1

Thojne per Vllaznine.....

Posted: Tue, 27 Sep 2005 , 12:43
by vllaznia1919
Canaj: Dinamo, më e fortë se Vllaznia

Fitorja ndaj Vllaznisë, më shumë për nga rezultati i arritur, duket se ka ngritur adrenalinën te futbollistët dhe tifozët kavajas. Kjo nuk i ka pëlqyer trajnerit Agim Canaj, i cili e sheh euforinë baraz me dështimin. Canaj u ka thënë futbollistëve të tij ta harrojnë Vllazninë, pasi Dinamo është jo vetëm më e fortë, por edhe kundërshtar tepër i vështirë për traditën mes këtyre dy ekipeve. Të mos harrojmë se Canaj, më mirë se kushdo, e njeh "dhëmbë e dhëmballë" ish-ekipin e tij. Për më gjerë, ne i morëm atij këtë intervistë:
- Një fitore e pamenduar, të paktën në shifrat që u arrit, apo jo? - Nuk jam as i pari dhe as i fundit që ju kujtoj se futbolli nganjëherë të jep atë rezultat që s'e ke çuar në mendje në daç për mirë, në daç për keq. Në këtë sens, vërtet që më ka befasuar dhe njëkohësisht kënaqur ajo fitore plotësisht e merituar. Para takimit kisha bindjen se mund të dilnim edhe me një barazim, pasi dihet se Vllaznia, pavarësisht humbjes, mbetet ekip i elitës së futbollit tonë. Ndodhi që futbollistët, falë djersës së tyre, më befasuan mua dhe tërë opinionin. Ishte një fitore që tregoi forcën reale që ka Besa, gjithnjë nëse angazhohet maksimalisht në lojë.
- Grupin e futbollistëve tuaj e rrethon një ambient i tërë me lavdata. Si e gjykoni këtë situatë?
- Meqë luajtëm me Vllazninë, po ju kujtoj shprehjen "mendja e madhe, e zeza e të zotit". Me këtë dua të them se, pavarësisht meritave dhe suksesit të arritur, kampionati vazhdon. A nuk ishte kjo Besë që për pak rrezikoi me Shkumbinin e vendit të fundit?
Duhet të rrimë "me këmbë në tokë". Besa nuk e ka luksin për të shitur mend, por vlerat e saj duhet të vijnë në rritje nga takimi në takim. Kanë kaluar vetëm pesë javë dhe ka ende "rrugë" të gjatë për të bërë. Do të përpiqem që fitoreve t'u marrim moralin dhe besimin më të madh dhe jo vetëkënaqësinë.
- Filluat përgatitjet anti-Dinamo. Mos vallë përsëri mundet që kjo Besë të marrë një rezultat pozitiv?
- Së pari, dihet që takimi nuk i ngjan takimit. Po kështu, edhe kundërshtarët kanë veçoritë e veta. Nëse Vllaznia vërtet të lë të luash, Dinamoja është krejt diçka tjetër. Jo më kot e kanë quajtur "nëndetëse". Ndaj është herët të parashikohet që sot rezultati. Të mërkurën kemi kupën dhe nuk i dihet se çfarë ndodh. Mund të ketë ndonjë dëmtim, mundet që një futbollist tjetër të ketë formë më të mirë dhe të tjera. Me një fjalë, ne këtë javë do të vazhdojmë përgatitjet për të përballuar një kundërshtar, që për mua është nga më të mirët e kampionatit. Gjendja te Dinamoja nuk është më ajo e tri javëve të para. Kjo kërkon vlerësim dy herë më të madh se ndaj Vllaznisë. Këtë po bëjmë dhe fusha e lojës do ta tregojë gjendjen e ekipit. Shpresoj të paktën të kem në dispozicion të gjithë futbollistët, ku, siç e dini, ndaj Vllaznisë ishin të dëmtuar Abdulla dhe Babaj. Optimizmi mbizotëron në ekip dhe kjo është pozitive, por kërkohet vetëm punë e djersë dhe sa më pak eufori e gabime.