Page 1 of 1

Kualifikimet per Boterorin e 2006-s

Posted: Tue, 06 Sep 2005 , 13:35
by vllaznia1919
Nëntë skuadra presin biletat për Botërorin 2006

Të djelën mbrojtësi i titullit kampion botëror dhe ekipi rekord i këtij kampionati, Brazili, siguroi pjesëmarrjen. Edhe Gana pothuajse e ka të sigurt pjesëmarrjen si vendi i parë nga Afrika. Më parë u kualifikuan edhe Argjentina, dy herë kampion bote nga Amerika e Jugut, Japonia dhe Korea e Jugut si përfaqësuese e Azisë, Irani dhe Arabia Saudite, Ukraina si përfaqësuese e Evropës dhe SHBA. Gjermania si vendi organizator i kampionatit, është automatikisht pjesëmarrëse. Por tani që kanë mbetur edhe 279 ditë nga hapja e kampionatit, Kombëtarja gjermane pësoi një humbje të turpshme në ndeshjen me Sllovakinë, me rezultatin 0:2. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Jyrgen Klinsman, nuk mundi ta rimarrë veten pas barazimit jo fort dinjitoz në ndeshjen dy javë e gjysmë më parë me Holandën, që përfundoi 2:2. Trajneri Klinsman megjithatë ka shpresa: "Ne nuk kemi arsye ta humbasim entuziazmin, kur humbasim një ndeshje. Natyrisht që jemi të zhgënjyer, veçanërisht për lojën në pjesën e parë. Por ekipi me mjaft angazhim u mundua të fitojë ritmin që u ndërpre prej një penalltie. Pas kësaj ne bëmë disa gabime, që nuk duhej t´ia lejojmë vetes herë tjetër. Ndaj kemi shumë punë përpara."

Posted: Fri, 09 Sep 2005 , 13:35
by vllaznia1919
Meksika, bileta e radhës për në Gjermani

Meksika arriti të kualifikohej për në finalet e Kupës së Botës, pasi shkatërroi 5-0 Panamanë, të enjten në mëngjes, ndërsa Kosta Rika do edhe një pikë për sigurinë matematike, pas fitores 2-0 ndaj Trinidadit. Skuadra e Lavolpes u kualifikua dje dhe festa në Meksiko filloi kur në minutën e 30-të, sulmuesi Luis Perez shënoi golin e parë, nga pesë gjithsej të realizuar në fitoren e djeshme ndaj Panamasë. Ndërkohë, shpresat e Guatemalës për kualifikim direkt u shuan, teksa kjo skuadër barazoi 0-0 në fushën e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas tetë ndeshjesh kualifikuese, SHBA-ja dhe Meksika komandojnë grupin eliminator të Amerikës së Veriut, me nga 19 pikë secila. Këto skuadra ndiqen nga Kosta Rika me 13 pikë, Guatemala me tetë dhe Trinidadi me shtatë pikë. Panamaja renditet e fundit me dy pikë. Kosta Rikës i duhen edhe dy pikë për t'u bërë skuadra e tretë pjesëmarrëse në Gjermani 2006, nga zona e KONCACAF-it. Kanë mbetur edhe dy ndeshje. Kosta Rika duhet të fitojë ndaj SHBA-së në ndeshjen e ardhshme, në fushën e tyre, sepse më pas e pret transferta e vështirë në Guatemalë. Këta të fundit duket se do të sfidojnë Trinidadin për vendin e katërt. Vend që fiton të drejtën të luajë në "play off" në muajin tetor, ndaj të pestës në Azi që do të vendoset nga përballja Uzbekistan-Bahrein. Kalendari favorizon Trinidadin, sepse Guatemala do të udhëtojë në Meksikë dhe do të presë Kosta Rikën, ndërsa Trinidadi do të udhëtojë në fushën e Panamasë së vendit të fundit dhe do të presë Meksikën e kualifikuar, në ndeshjen përfundimtare. Guatemala dhe Trinidadi synojnë pjesëmarrjen e tyre të parë në finalet e një kampionati botëror.

Posted: Sun, 09 Oct 2005 , 14:14
by vllaznia1919
Kameruni dhe Nigeria, jashtë botërorit

Angola është kualifikuar për herë të parë në finalet e Kupës së Botës, të shtunën pas fitores 1-0 në Ruandë. Skuadra afrikane shënoi dhjetë minuta nga fundi, me një gol nga kapiteni Akva. Kështu, Angola u shpall fituese në grupin 4, duke nxjerrë të pavlefshme fitoren e Nigerisë 5-1 ndaj Zimbabves. Nigeria ka golaverazh më të mirë, por Angola e ka kaluar në ndeshjen direkte. Ashtu siç ishte parashikur, edhe Gana ka fituar të drejtën për të luajtur në Gjermani. Edhe për ganezët, fitues të grupit 2 në zonën e Afrikës, kjo do të jetë pjesëmarrja e parë në një veprimtari të këtij niveli. Skuadra e tretë afrikane që do të luajë për herë të parë në botëror, është Togo, pas fitores drithëruese 3-2 në Kongo. Ndërkohë, surpriza më e madhe në zonën e Afrikës ka ardhur nga eliminimi i Kamerunit. "Luanëve", për t'u kualifikuar, u duhej fitorja në fushën e tyre ndaj Egjiptit, por kjo ndodhi deri në minutën e 90-të, kur miqtë, pa pretendime për kualifikim, barazuan rezultatin. Dramë në Kamerun dhe skuadra e udhëhequr nga sulmuesi i Barcelonës, Samuel Eto, nuk do të ketë mundësi të luajë në finalet e Kupës së Botës. Kjo në favor të Didië Drogbasë, i cili me Bregun e Fildishtë, pas fitores 3-0 në Sudan, u shpall fitues i grupit 3. Pra, pesë skuadrat afrikane që do të marrin pjesë në kampionatin botëror Gjermani 2006, janë: Angola, Gana, Tunizia, Bregu i Fildishtë dhe Senegali.

Posted: Sun, 09 Oct 2005 , 14:16
by vllaznia1919
Azi

Uzbekistani barazon me Bahreinin

Uzbekistani ka barazuar 1-1 me Bahreinin, në ndeshjen e parë të "play-off"-it, të vlefshme për kualifikimet e Azisë në Kupën e Botës. Të dyja ekipet kanë bërë ndeshjen e parë më datë 3 shtator, të cilën e fituan uzbekistanasit me rezultatin 1-0, por ajo u anulua nga FIFA për shkak të gabimeve të shumta që kishte bërë arbitri. Në barazimin 1-1 të ndeshjes, vendësit barazuan me Maksim Shatskik në minutën e 19-të, dy minuta pasi Bahreini shënoi golin e kryesimit me Talal Jusuf. Tashmë Bahreini, në ndeshjen e dytë, do të ketë favorin e golit të shënuar në fushën e kundërshtarit. Ndeshja e parë midis këtyre dy skuadrave, e cila u anulua, ishte një skandal i vërtetë për sa u përket vendimeve të arbitrit Toshimitsu Joshida. Ekipi që do të fitojë këtë sfidë, do të ndeshet me atë që del në vendin e katërt në grupin e CONCACAF-it, dhe ekipi që fiton, kualifikohet në botëror.

Posted: Sun, 09 Oct 2005 , 14:17
by vllaznia1919
Holanda, në botëror me madhështi

Holanda ka siguruar pjesëmarrjen në Gjermani 2006, falë fitores 2-0 ndaj Çekisë në ndeshjen e luajtur dje për grupin 1. Rafael Van der Vart dhe Berri Opdam shënuan në pjesën e parë dhe pasi Van der Sar neutralizoi 11-metërshin e Rozickit, trajneri i "tulipanëve", Marko Van Basten, mund të festojë rezultatin e tij të 15-të radhazi pozitiv në stolin e përfaqësueses holandeze. Pra, Holanda nuk ka humbur asnjë takim me të si trajner. Kjo skuadër siguroi vendin e parë, pas 31 pikëve të grumbulluara në 11 ndeshje. "Kjo është një arritje e madhe dhe jam i kënaqur me kualifikimin e parakohshëm, - tha Van Basteni. Nga ana tjetër, Çekia, në kuotën e 24 pikëve, duhet të fitojë në Finlandë për t'u kualifikuar drejtpërdrejt në Gjermani, si e dyta më e mirë. Skuadra e drejtuar nga Brunker duhet të kalojë Rumaninë, e cila ka 25 pikë pas fitores së sotme 1-0 në Finlandë.
"Kur e filluam këtë aventurë, nuk e dinim si do të shkonte, - vazhdoi Van Basten. - Fatmirësisht nuk kemi gabuar shumë dhe me pak fat mund të festojmë pjesëmarjen në finalet e Kupës së Botës. Në Pragë treguam se jemi një skuadër e fortë që mund të fitojë kudo. Në pjesën e parë treguam pjesë të një futbolli të shkëlqyer, të cilin dua ta shoh sa më shpesh nga skuadra. Në pjesën e dytë, loja erdhi duke rënë, por kjo si pasojë e avantazhit të dyfishtë dhe kualifikimit të siguruar." Holanda, në ndeshjen e fundit eliminatore, të mërkurën, do të ndeshet me Maqedoninë në Amsterdam. Këtu pritet edhe festa për kualifikimin e nëntë radhazi të holandezëve në finalet e Kupës së Botës.

Posted: Sun, 09 Oct 2005 , 14:19
by vllaznia1919
Festë në Palermo, Italia në botëror

As Toti, as Toni dhe as Xhilardino. Ka mjaftuar një gol me kokë i mbrojtësit të djathtë Kristian Zakardo, që Italia të kualifikohet në Botërorin e 2006-ës. Një kualifikim që ka ardhur me një ndeshje para kohe. Në të vërtetë është një rezultat minimal, por skuadra e Lipit ka mbizotëruar gjatë gjithë ndeshjes (12-0 goditjet në portë). E gjithë skuadra ka luajtur mirë. Të mërkurën është ndeshja e fundit në grup ndaj Moldavisë në Leçe.
Misioni u përmbush. Duhej vetëm një pikë, por erdhën tri. Italia ka mundur 1-0 Slloveninë dhe që mbrëmë ndodhet me "sy e veshë" në Gjermani. Një paraqitje e shkëlqyer e "axurrëve" në Palermo. I vetmi që bëri ndryshimin gjatë gjithë ndeshjes, ishte Françesko Toti, që e ngriti në delir stadiumin "Renxo Barbera", me formën e tij të shkëlqyer: vertikalizime topash me "sy mbyllur", krosime, pasime të sakta, që gjithsesi Xhilardino, Toni dhe Vieri nuk ishin të aftë t'i shfrytëzonin.
Por një paraqitje e bukur ka dashur patjetër të shoqërohej të paktën me një gol. Dhe në një pikë të ndeshjes, Marçelo Lipi bën lëvizjen e duhur: në minutën e 61-të largon Xhilardinon dhe fut në lojë palermitanin Zakardo, që shënon golin vendimtar për Italinë.
Ka qenë një gol i nisur nga këmbët e Kamoranezit, që "peshkon" në krahun e majtë anësorin Groso, i cili ka krosuar në shtyllën e dytë për shokun e skuadrës, i cili me kokë ka shënuar golin e fitores. Një kënaqësi e dyfishtë për Palermon, që përveç se ka shijuar fitoren e kualifikimit në qytetin e vet, ka festuar edhe për golin e Zakardos, që realizoi pikërisht para publikut të tij.
Mbrëmje e një feste të madhe me Italinë e kualifikuar në botëror dhe Lipin, që duke filluar nga ndeshja me Moldavinë (më 12 tetor), duhet të mendojë për organikën e 23 lojtarëve që do të shkojnë drejt Gjermanisë. E vetmja notë negative e mbrëmjes i ka takuar Luka Tonit. Sa herë që "bomberi" i Fiorentinës prekte topin, dëgjoheshin vërshëllimat e publikut të Palermos, të pakuptueshme deri në njëfarë aspekti, pasi mbrëmë sulmuesi mbante veshur fanellën "axurre" dhe jo atë vjollcë. Megjithatë, kur është zëvendësuar në minutën e 87-të me Vierin, përveç disa vërshëllimave ka pasur edhe shumë duartrokitje.

Posted: Sun, 09 Oct 2005 , 14:21
by vllaznia1919
Fiton Spanja, por feston Serbia

Dy gola në dy minuta nga Ferrnando Torres e mbajnë Spanjën ende në lojë për një vend të dytë në grup. Skuadra e drejtuar nga Aragones fitoi në Belgjikë ndaj vendësve, shpresat e të cilëve janë shuar plotësisht. Fatet e ndeshjes i vendosi aktivizimi i Hoze Antonio Rejesit. Sulmuesi i Arsenalit ishte protagonisti kryesor në të dy golat e shënuar nga sulmuesi i Atletikos së Madridit. Fillimisht krosoi për Torresin vetëm pak sekonda pas aktivizimit, duke i dhënë mundësinë sulmuesit 24-vjeçar të shënojë fluturimthi. Më pas, dy minuta më vonë, ka krosuar sërish në gjysmëlartësi, duke i dhënë Torresit mundësinë e një gygolëshi, që i jep Spanjës sigurinë e pjesëmarrjes në "play off". Të mërkurën ndaj San Marinos, të besuarit e Aragonesit do të luajnë ndeshjet e fundit për këto eliminatore. Pas ndeshjes, trajneri i kombëtares iberike tha: "Si duket, situata do të na duhet të luajmë në "play off", por nuk është fundi i botës. Edhe në europianin e kaluar në këtë mënyrë u kualifikuam. Skuadra luajti mirë në Belgjikë, sidomos në 45 minutat e dyta. Torres? Eshtë një futbollist i rëndësishëm për ne dhe shpresoj që me këto dy gola të gjejë entuziazmin e duhur për të bërë mirë me fanellën e përfaqësueses." Në grupin 7 kryeson Serbia me dy pikë më shumë se Spanja, me një ndeshje nga fundi. Skuadra e drejtuar nga Petkoviç ka arritur një fitore të rëndësishme dje në Lituani, duke bindur për forcën e saj. Serbia do të fitonte të drejtën për të luajtur në Gjermani edhe në rast se do të barazonte të mërkurën në Beograd ndaj Bosnjes. "Ishte një test i vështirë psikologjik për ne, - tha trajneri Ilia Petkoviç, pas fitores në Vilnius, - të cilin e kaluam me sukses. Luajtëm mirë dhe si rrjedhojë fituam. Tani jemi vetëm një hap larg pjesëmarjes në botëror." Serbia dominoi ndeshjen që në fillim dhe kaloi në avantazh me Mateja Kezhmanin, në çastet e fundit të pjesës së parë. Zvonimir Vukiç shënoi golin e dytë dhe përfundimtar në minutën e 88-të. Në ndeshjen tjetër të grupit 7, ashtu siç ishte parashikuar, Bosnja fitoi lehtësisht ndaj San Marinos me rezultatin 3-0. Teorikisht, boshnjakët shpresojnë ende në një mrekulli. Duhet të humbasë Spanja me San Marinon dhe ata të mos humbasin në Serbi. Bosnja shpërdoroi një "mal" me raste në pjesën e parë dhe gjeti avantazhin vetëm falë golit të Boliçit në minutën e 47-të. Sulmuesi shënoi me kokë brenda zonës. Në minutën e 61-të, Boliçi do të shënonte golin e dytë dhe dhjetë minuta më vonë të tretin. Tripletë për 27-vjeçarin dhe fitore për Bosnjen, e cila ngjitet në kuotën e 16 pikëve dhe shpreson ende.

Posted: Thu, 13 Oct 2005 , 13:29
by vllaznia1919
Suedia në botëror, Kroacia ruan kreun

Suedia u bë skuadra e 25-të në rend kohor, që ka siguruar kualifikimin për në finalet e Kupës së Botës, vitin e ardhshëm. Nordikët fituan 3-1 në ndeshjen e fundit ndaj Islandës, duke përmbysur avantazhin fillestar të miqve. Suedia me këtë tripikësh e mbyll grupin 8 në vend të parë, pas barazimit 0-0 të Kroacisë në Hungari. Arnason u dha miqve avantazhin e përkohshëm, pasi dribloi portierin e Suedisë, Andreas Isakson, në minutën e 25-të. Sulmuesi i Juventusit, Zlatan Ibrahimoviç, barazoi rezultatin katër minuta më vonë me një goditje me kokë. Golin e dytë për vendësit e shënoi Henrik Larson. Sulmuesi i Barcelonës shënoi fluturimthi, pak çaste para përfundimit të kohës së rregullt. Suedia dominoi edhe në pjesën e dytë dhe gjeti golin e tretë pak minuta nga fundi, me Kallstromin. Kroacia është kënaqur me një barazim 0-0 në Budapest ndaj Hungarisë. Kroatët, që kanë filluar të mendojnë për finalet e Kupës së Botës, patën rastin më të mirë për shënim me Basko Balabanin në minutën e 44-t. Ndeshja e djeshme u ndërpre për pak çaste në minutën e 24-t, pasi tifozët kroatë hodhën fishekzjarre pas portës së Hungarisë. Hungaria, së cilës i mungoi fati kur sulmuesi i tyre Baranios u ndalua nga portieri kroat Butina në pjesën e dytë, e mbylli grupin tetë në kuotën e 14 pikëve, në vend të katërt. Surprizë mund të konsiderohet barazimi 1-1 i Bullgarisë në Maltë. Malta barazoi 12 minuta nga fundi i ndeshjes. Ky ishte barazimi i dytë në La Valeta për skuadrën modeste, pasi në muajin shtator frenoi Kroacinë. Bullgaria kaloi në avantazh me anë të Jankovit dhe shpërdoroi shumë raste për shënim. Berbatov dhe Petrov kishin disa mundësi dhe kanë përgjegjësi në këtë hap fals të përfaqësueses ballkanase. Skuadra e Stoiçkovit pajtohet me vendin e tretë në grupin 8, ndërsa Malta edhe këtë herë nuk arriti të evitonte vendin e fundit.

Sllovakia në "play off", Pauleta rekord

Sllovakia u bë ekipi i gjashtë pjesëmarrës në "play-off", pasi arriti të barazonte 0-0 ndaj ekipit të Rusisë në ndeshjen e luajtur në Bratislavë. Sllovakia arriti të renditej mbi Rusinë falë golaverazhit, pasi të dyja ekipet e përfunduan fazën eliminatore në kuotën e 23 pikëve. Portugalia, e cila e kishte siguruar kualifikimin direkt për në finalet e botërorit të vitit të ardhshëm, arriti një fitore 3-0 ndaj ekipit të Letonisë. Sulmuesi Pauleta shënoi një dygolësh në fitoren e djeshme, duke thyer rekordin kombëtar të Portugalisë, i cili mbahej nga sulmuesi legjendar, Eusebio. Portugalia, e cila vinte pas fitores 2-1 ndaj Litenshteinit, kaloi në avantazh që në minutën e 18-të të takimit, me anë të Pauletës, i cili shfrytëzoi saktë një pasim të mesfushorit Manike. Dy minuta më pas, sulmuesi i Paris San Zhermenit arriti të shënonte golin e tij të 42-të me kombëtaren e Portugalisë, pas asistit të marrë nga shoku i tij i skuadrës, Luis Figo. Hugo Viana vulosi rezultatin përfundimtar 3-0 në minutën e 85-të të takimit. Pas ndeshjes, Pauleta u shpreh entuziast për fitoren, duke lënë në plan të dytë thyerjen e rekordit të Eusebios: "Jam i lumtur për fitoren. Edhe pse e kishim siguruar kualifikimin për në botëror, është gjithmonë bukur të fitosh para publikut tënd. Rekordi i Eusebios? Shpresoj që rekordi im të mos zgjasë kaq shumë. Portugalia ka shumë sulmues cilësorë dhe jam i bindur që njëri prej tyre do të arrijë të shënojë më shumë se 42 gola me fanellën e kombëtares".

Posted: Thu, 13 Oct 2005 , 13:33
by vllaznia1919
Çekia në "play off"

Çekia do të luajë në "play off" me synimin e saj për të marrë pjesë në finalet e Kupës së Botës. Kjo, pasi skuadra e drejtuar nga Brukner fitoi 3-0 në Finlandë, duke zënë vendin e dytë në grupin 1. Sulmuesi Tomas Jun shënoi i pari në minutën e shtatë. Mesfushori Tomas Rozicki shënoi golin e dytë me një goditje nga 15 metra, ndërsa shifrat përfundimtare në 3-0 i vulosi goli i sulmuesit Marek Heinz. Çekia u rendit kështu para Rumanisë dhe ka një tjetër shans në muajin nëntor. Trajneri çek, Karel Brukner, pas ndeshjes tha: "Ishte një ndeshje e vështirë, në të cilën na duhej me çdo kusht fitorja. Ishim nervozë dhe vetëm pas golit të dytë e kuptuam se mund të luanim në "play off". Tani nuk mund të mendoj për asnjë kundërshtar të favorshëm në "play off"." Çekia, në ndeshjen e fituar në Helsinki, nuk kishte në radhët e saj sulmuesin Milan Barros, të dëmtuar. Sulmuesit Forsëll dhe Eremenko ishin mungesat për vendësit.

Serbia kualifikohet, Spanja e dyta

Serbia dhe Mali i Zi mundi rivalët e Bosnjes me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar në fillim të ndeshjes nga Mateja Kezhman, duke siguruar pjesëmarjen në finalet e Kupës së Botës, vitin e ardhshëm në Gjermani. Ballkanasit u shpallën fitues të grupit 7. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të flaktë prej 50.000 fansash në Beograd. Përpara dhe gjatë ndeshjes u regjistruan disa konflikte sporadike të tifozerisë boshnjake me policinë serbe. Vendësit kaluan në avantazh me golin e Kexhmanit, në minutën e shtatë. Sulmuesi i Atletikos së Madridit përfitoi duke dërguar në rrjetë topin e devijuar me kohë nga partneri i tij në sulm, Nikola Gigiç. Në pjesën e parë dhe në vazhdimin e lojës, Serbia pati edhe raste të tjera për shënim, por pa ditur t'i shfrytëzojë. Gjithsesi, duhet thënë se skuadra e drejtuar nga Petkoviç dominoi ndeshjen dhe nuk e vuri në diskutim fitoren. Me përjashtim të minutës së 60-të, kur portieri Dragoslav Jevriç bëri një pritje shpëtimtare, pas goditjes së bukur nga 30 metra të boshnjakut Vedin Musiç. Ndeshja ishte e tensionuar gjatë 90 minutave dhe Serbia i luajti gjashtë minutat e fundit me dhjetë futbollistë. Gjithsesi, në fund të takimit, futbollistët e të dyja palëve i shtrënguan dorën njëri-tjetrit. Serbia dhe Bosnja kanë zhvilluar një luftë të përgjakshme etnike në vitet 1992-95, ku nuk harrohet masakra e Srebrenicës, në të cilën humbën jetën rreth 8000 mijë ushtarë boshnjakë. Fitorja i dha Serbisë vendin e parë në grupin 7, duke e kualifikuar direkt për në botëror skuadrën e drejtuar nga Petkoviçi, ndërsa në "play off" do të luajë Spanja. Skuadra e Aragonesit fitoi 6-0 në ndeshjen e fundit eliminatore, zhvilluar dje në San Marino. Fernando Torres shënoi një trigolësh në ndeshjen ku Spanja kaloi në avantazh pas vetëm 53 sekondash, me anë të Antonio Lopezit. Torresi dhe Serxhio Ramos shënuan dy golat e tjerë që e mbyllën pjesën e parë 3-0. Në 45 minutat e dyta, përveç dy golave të tjerë të shënuar nga Torres, pesë gola në dy ndeshjet e fundit, për Spanjën shënoi sërish Serxhio Ramos. Qendërmbrojtësi i Realit të Madridit mund të festojë kështu dygolëshin e parë me fanellën e përfaqësueses. Pavarësisht goleadës së djeshme, Spanja rrezikon seriozisht pjesëmarjen në finalet e Kupës së Botës, ku nuk mungon që nga viti 1974.

Franca, goleada i jep botërorin

Franca arriti të siguronte pjesëmarrjen në botëror, pas fitores së djeshme 4-0 ndaj ekipit të Qipros. Ish-kampionët e Botës dhe të Europës ndodhen në krye të grupit 4, dy pikë para Zvicrës, e cila arriti të siguronte një barazim pa gola ndaj Irlandës. Kapiteni i ekipit të Francës, Zinedin Zidan, hapi serinë e golave për vendësit në minutën e 29-të të takimit, pas një kontrolli të përkryer të topit në zonën e rreptësisë. Sulmuesi i Lionit, Silvien Viltord, e dyfishoi rezultatin tri minuta më pas, duke lënë në vend portierin qipriot Mikalis Morfis. Mesfushori Vikashi Doraso shënoi golin e tretë të takimit, një mminutë para përfundimit të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, trajneri francez, Rejmond Domenek, hodhi në fushë mesfushorin e ekipit të Barcelonës, Ludovik Zhulinë, dhe ishte pikërisht ai që vulosi rezultatin përfundimtar 4-0, në minutën e 84-t të takimit. Pas kësaj fitoreje, Franca e përfundoi fazën eliminatore të botërorit në kuotën e 20 pikëve, pas 10 ndeshjesh të zhvilluara, ndërsa Zvicra arriti të siguronte vendin e dytë të grupit pas barazimit pa gola në Irlandë. Pavarësisht mungesës së dy sulmuesve kryesorë, David Trezege dhe Tieri Henri, ekipi i Domenekut arriti të bindte në ndeshjen e djeshme. Gjithashtu, për Francën kjo ishte fitorja e parë në stadiumin "Stade de France", që nga ardhja e trajnerit Domenek, dhe kualifikimi i parë i suksesshëm që nga viti 1986, ku francezët udhëhiqeshin nga sulmuesi i famshëm Mishel Platini. Pas ndeshjes, trajneri Domenek tha: "Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi na duhej të prisnim çdo lajm të mundshëm nga Irlanda dhe nuk mund të relaksoheshim për asnjë çast. Megjithatë bëmë detyrën tonë dhe fituam me meritë. Tashmë jemi të kualifikuar dhe kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi". Franca duhet të shënonte sa më shumë ndaj Qipros, për të kompensuar një fitore të mundshme të Zvicrës ndaj Irlandës. Qipro, e cila shpresonte të merrte të paktën një pikë në ndeshjen e djeshme, nuk mundi të bënte asgjë përballë "gjigantëve" të Francës. Mesfushori i Juventusit, Patrik Vieira, i cili luajti një nga ndeshjet e tij më të dobëta gjatë javës së kaluar në Zvicër, u zëvendësua gjatë pjesës së parë nga mesfushori i ekipit të Lensit, Alou Diarra. Ish-mesfushori i Arsenalit, i mërzitur me vendimin e trajnerit Domenek, e ndoqi pjesën tjetër të takimit nga dhomat e zhveshjes. Pas sigurimit të rezultatit, trajneri Domenek vendosi të aktivizonte edhe mbrojtësin veteran, Frank Jurieti, i cili luante ndeshjen e tij të parë me fanellën e kombëtares së Francës. Zvicra arriti të merrte një barazim të artë në Dublin ndaj ekipit të Irlandës së Jugut, duke siguruar një vend në "play-off". Ekipi i Zvicrës e përfundoi fazën eliminatore në kuotën e 18 pikëve, dy më pak se Franca. Në ndeshjen e djeshme, miqtë patën mundësi ta fitonin ndeshjen, por dy minuta para përfundimit të takimit, Trankuilo Bareta humbi një rast të volitshëm për të kaluar ekipin e tij në avantazh. Për Irlandën, rastin e vetëm për të shënuar e pati mbrojtësi Ian Hart, i cili nuk arriti të shënonte pas pasimit të saktë të mesfushorit të Totenhemit, Endi Reid.

Posted: Thu, 13 Oct 2005 , 13:39
by vllaznia1919
Skuadrat e kualifikuara

Gjermania, Ukraina, Hollanda, Portugalia, Franca, Italia, Anglia, Polonia, Serbia, Kroacia, Suedia.

Plej-of

Turqia, Çekia, Zvicra, Spanja, Sllovakia, Norvegjia

Posted: Mon, 12 Dec 2005 , 14:48
by vllaznia1919
U hodh die shorti i boterorit 2006 ne Lajpzig te Gjermanise, qe percaktoi 32 skudrat e 8 grupeve finaliste.

Ja skuadrat sipas shortit:
Grupi A- Gjermania, Kosta Rika, Poloni ,Ekuador

Grupi B- Angli, Paruguaj, Trinidad Tobago, Suedia

Grupi C- Argjentine, Bregu i Fildishte , Serbi Ma I Zi, Holland

Grupi D- Meksike, Iran, Angola, Portugali



Grupi E- Itali, Ghana, SHBA, Republika Ceke

Grupi F- Brazil, Kroaci, Australi, Japonia

Grupi G- France, Zvicer, Korea, Togo

Grupi H- Spanje, Ukraine, Tunizia, Arabia Saudite