Tërbohet Laçi: Flamurtari na donte jashtë Europe!
Presidenti Pashk Laska vendos skuadrën në “regjim kazerme” dhe kërkon vetëm fitore të hënën
Kurbinasit zbulojnë prapaskenën me “qitje të largët” të vlonjatëve:
Ata paguan Tiranën të na mundte, që ta na gjente pa asnjë objektiv në javën e 30 të.
“Flamurtari t’i bëjë mirë llogaritë kësaj here në Laç. Dhe po ia themi drejtpërdrejt, jo sikurse kanë bërë drejtuesit e kuqezinjve të Vlorës, që përmes prapaskenash shumëfishe kanë investuar që skuadra jonë të dilte jashtë pretendimeve për Kupat e Europës.
Sepse kështu, sipas tyre, do të luanim sa për të kaluar radhën ndaj Flamurtarit. Shqipëria është e vogël dhe, sado që marrëveshjet, edhe me shuma parash brenda, mundohen të bëhen nën rrogoz, merren vesh.
Edhe ne jemi informuar për lojën që ka bërë Flamurtari, që Laçi të dilte jashtë objektivave që i kishte vënë vetes.
Duke stimuluar financiarisht Tiranën për ndeshjen e javës së 27 të, që të na mundte neve, sepse kështu nuk kishim më shanse për Europën, i ka bërë gropën vetes, për ndeshjen e javës së 30 të.
Kur vlonjatët do të vijnë të luajnë në Laç, aty ku i pret vetëm humbja, si sezonin e shkuar. Ta harrojnë rezultatin e fazës së dytë të këtij kampionati, kur fituan 1 0 në Laç, dhe të përgatiten për një nga ndeshjet më të vështira të tyre.”
Kjo ka qenë pak a shumë “besëlidhja” që kanë konkluduar dje të gjithë në kampin kurbinas, lojtarë president staf teknik, në lidhje me ndeshjen e së hënës, ndaj Flamurtarit.
Duke startuar në këtë mënyrë edhe përgatitjet e kurbinasve për këtë ndeshje, e cila konsiderohet nga vendësit “pë jetë a vdekje”, pavarësisht daljes nga objektivat, pjesëmarrjes në Kupat e Europës.
Duke qenë se në këtë dështim të tyrin konstatojnë edhe një “stërkëmbësh” të Flamurtarit, kurbinasit thonë se është momenti për t’ia kthyer “reston” skuadrës vlonjate. Në fushën e lojës, me futboll të pastër, burrëror dhe që synon vetëm fitoren, përtej dhuratave që mund të pretendojë apo hamendësojë ndokush.
Laska: Pa asnjë diskutim, fitore me Flamurtarin
Në këtë linjë të gjërave është pozicionuar edhe presidenti Pashk Laska, i cili ka organizuar dje një mbledhje urgjente me skuadrën, së cilës i ka komunikuar edhe urdhrin: “Me Flamurtarin duhet të fitoni patjetër!” Në funksion të këtij qëllimi, Laska ka dhënë edhe direktivat e tij, të cilat kanë sjellë “regjimin e kazermës” për të tijtë.
Kështu, që nga dita e djeshme, Laçi do të qëndrojë i grumbulluar, i monitoruar rreptësisht nga presidenca kurbinase dhe stafi teknik, në mënyrë që askujt të mos i shkojë mendja për “ta dredhur”.
Pas kësaj mbledhjeje me dyer të mbyllura, Pashk Laska ka pohuar për “Sporti shqiptar”: “U takova me skuadrën dhe stafin drejtues për t’u dhënë mbështetjen time si president në këtë fundkampionati, por edhe për t’u kujtuar disa detyra.
Kampionati nuk ka mbaruar, kështu që skuadra duhet të vijojë të luajë fort, ndershëm dhe me tërë potencialin e vet në katër javët e fundit. Nuk kemi pse bëhemi pjesë e lojës së askujt, qofshin pretendentë për titull, qofshin skuadra që rrezikojnë mbijetesën.
Ne luajmë për veten tonë, për t’u renditur sa më lart në klasifikim. Askush nuk e ka vënë dorën në zemër për Laçin, përkundrazi, ka ndonjë që ka bërë çka pasur në dorë për të na nxjerrë jashtë luftës për Kupat e Europës.
Megjithatë, kjo s’më intereson shumë, pasi Laçi është mbështetur gjithmonë në forcat e veta. U kërkova lojtarëve që të fitojnë ndeshjen me Flamurtarin, pa asnjë diskutim, sepse kështu i shërbejnë xhepit të tyre, sa i takon marrjes së kësteve të kontratave dhe premiove.
Dhashë urdhër që skuadra të qëndrojë e grumbulluar deri të hënën, kur do të presim në shtëpi vlonjatët, për të evituar kështu çdolloj hallakatje, apo ndërhyrjeje të aktorëve të tjerë, që në këtë fundkampionati i kanë lëvizur dhe po i lëvizin të gjithë gurët për interesin e tyre.
Me Laçin nuk do t’u ecë kjo gjë, ndaj të jenë të sigurt se pikët me ne mund t’i marrin vetëm në fushën e lojës, me futboll të pastër, jo jashtë saj.
Të gjithë të tjerët, që do të tentojnë rrugë ekstra, të cilët janë investuar pas kuintave, që Laçi të dilte jashtë luftës për zonën europiane, do të marrin përgjigjen tonë me futboll burrëror dhe të ndershëm, ashtu siç kemi bërë edhe deri më tani.
Për këtë gjë kemi lidhur besën me lojtarët dhe stafin teknik, gjë e cila do të funksionojë për ndeshjen e radhës, me Flamurtarin.”