INTERVISTA ME MARINEN:
Për shembull cila mund të jetë një pyetje e juaja?
Një pyetje e imja, mund t’i drejtohet një sportisti se si ai bën jetën e natës, pasi dihet që sportistët duhet të respektojnë regjimin.
Tashmë ju doni s’doni po identifikoheni si “Marina e sportit”. Si i keni pasur marrëdhëniet më parë me sportin?
Shumë të këqija, nuk ndiqja kurrë sport, por tani që kam hyrë në botën e tij kuptoj që qështë një botë shumë interesante.
Ju është dashur shumë punë për të kuptuar çfarë ndodh?
Më është dashur dhe më duhet akoma shumë punë. Mësoj përditë.
Cila është përshtypja që ju lënë sportistët, duke qenë se takon çdo të hënë sportistë të ndryshëm?
Them se janë intelektualë, në ndryshim nga ajo që kisha dëgjuar që sportistët janë pa nivel.
Pas njohjes nga afër në studio si sillen sportistët me ju? Përballeni me interesimin e tyre?
Interesim ndoshta jo, por dashamirësi.
Gjergj Muzaka, mesfushori 24-vjeçar i Partizanit ju dërgoi një tufë lule në “Top Channel”, ndoshta kjo nuk ishte thjesht dashamirësi?
Jo. Ai m’i dërgoi lulet pasi bazuar në skenar, unë pohova në emision që në Shqipëri kemi një Cristiano Ronaldo, ai është Gjergj Muzaka. Dhe ai në shenjë falenderimi, më dërgoi para emisionit atë tufë lule. Një tufë shumë e bukur dhe një veprim shumë i gjetur nga ana e tij.
Njiheshit më parë me Muzakën?
Absolutisht jo, por nuk e fsheh që m’u bë shumë qejfi pasi lulet janë fiksimi im, dhe për mua ishte një surprizë e bukur.
Marrëdhënia me motrën tuaj Luanën, velina e “Fiks”- it, cila është?
Unë jam një vit më e madhe se ajo, por jemi të dyja në një klasë maturante. Luana është tip ndryshe, më çapkëne, lozonjare, pak më agressive. Një shtëpi e thërrasim “mistrecja”.
Si ju duket bota e televizionit, a jeni trembur ndonjëherë sa keni menduar të hiqni dorë?
Në fakt e trembur mund të them kam qenë tre vite më parë, kur hyra në “Top Channel”. Tani kam kaluar disa eksperienca. Them se është botë e bukur, që më jep shumë kënaqësi, por ka dhe rrezikun brenda.
Ç’nënkuptoni me rrezik?
Po duke qenë e famshme shpesh mund të biesh pre e thashethemeve apo keqkuptimeve.
Keni filluar të ndjeni xhelozinë e kolegëve në “Top Channel”?
Jo, pasi unë kam filluar punë aty që kur isha 15 vjeç, dhe më kanë mbajtur shumë afër duke filluar nga Saimiri e Doktori, që gjithmonë më kanë thirrur bebi i “Top”-it, pasi isha ndër të vetmet që kisha hyrë në staf aq e vogël.
Nga një velinë e “Fiks Fare”, papritur u bëtë prezantuese.Kush ju zbuloi?
Po këtë ua di shumë për nder Manjola Hasanit dhe Ezdalin Goranit, koreografëve të “Fiks”-it, të cilët evidentuan se unë kisha talent dhe elokuencë në prezantim. Më pas Bojken Lako më dha mundësinë të jem prezantuese në “Top select”, mund te themi me hapi dyert rreth kësaj rruge.
Si vajzë kaq simpatike sa jeni, patjetër keni një të dashur?
Preferoj të ruaj privatësinë time. Asnjëherë nuk do të flas në shtyp për jetën time private, pasi gjëja më e mirë që mund të bëjë një person i famshëm është të ruajë privatësinë e tij. Ka zgjedhur ai të jetë i famshëm por jo njerëzit që e rrethojnë.
Kuptojmë që ndjeni peshën e famës. Në fakt jeni vetëm 18 vjeç, si po e administroni këtë famë?
Gjëja më e zgjuar që mund të bëjë një person publik është aftësia që mund të ketë për të administruar famën.
Kush ju ndihmon?
Mamaja ime, ajo më këshillon për gjithçka.
Po paratë që fitoni, kush ua menaxhon?
Për moshën që kam nuk jam keq me paratë, por realisht nuk jam fare e aftë t’i adminstroj mirë, më saktë i keqadminstroj.
Dhe një pyetje e fundit, ju keni qenë brune por u bëtë bjonde për hir të ekranit. Do vazhdoni të mbeteni bjonde?
Po. Pasi kështu jam identifikuar, edhe pse e urrej mendimin që qarkullon për bjondet.