Page 3 of 86
Posted: Fri, 24 Jun 2005 , 14:07
by vllaznia1919
Ja lista e lojtarëve për në turneun e Amerikës
I.Lika, A.Mustafa, E.Billa, E.Xhafa, B.Kuli, D.Bylykbashi, A.Belisha, J.Driza, A.Teli, P.Dhëmbi, E.Alikaj, Gj.Muzaka, P.Xhihani, V.Sinani, S.Lici, Rr.Hallaçi, K.Xhyra, Xh.Sukaj, A.Gallo, L.Pinari, A.Beqiri
Posted: Fri, 24 Jun 2005 , 18:02
by Ks-Besa
Di njeri ku do luhet ndeshja ne USA , ne cfare vendi?
Posted: Fri, 24 Jun 2005 , 19:41
by vllaznia1919
Michigan dhe New York!
Posted: Sat, 25 Jun 2005 , 06:39
by Ks-Besa
Shume mire
Po per datat?
Posted: Sat, 25 Jun 2005 , 20:16
by vllaznia1919
3 Korrik - Michigan
10 Korrik - New York
Posted: Sat, 25 Jun 2005 , 20:18
by vllaznia1919
Por ka dale nje problem,ja artikulli ne vijim:
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë nuk u jep vizën të paktën 6 futbollistëve të kombëtares shqiptare, të cilët kanë aplikuar në zyrën konsullore të këtij institucioni. Burime të sigurta pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dje janë shprehur se Estraf Billës, Johan Drizës, Luan Pinarit dhe Dorian Bylykbashit u është refuzuar viza nga ana e amerikanëve gjatë intervistës së djeshme, ndërkohë që edhe dy të tjerë, jo plotësisht të konfirmuar, kanë pasur të njëjtin fat. Sipas informacionit zyrtar të bërë publik nga FSHF-ja, amerikanët kanë refuzuar të japin vizë për këta futbollistë, pasi, sipas tyre, nuk janë kontigjent i kombëtares, ose të paktën kanë shumë kohë që nuk aktivizohen në skuadër.
Turneu, i dështuar në këto momente
Turneu i Amerikës, në të cilin do të merrte pjesë kombëtarja "e sajuar" shqiptare, duket se nuk do të zhvillohet. Kjo sepse në këtë moment që flasim kuqezinjtë e Brigelit nuk mund të udhëtojnë drejt Amerikës. Faktikisht, skuadra jonë është minus 6 lojtarë dhe duke futur edhe dinamovitët, numri i tyre shkon në 14 lojtarë, pra jo të mjaftueshëm. Dje, në dyert e federatës, për të marrë vizën mësohet se nuk janë paraqitur as Amarildo Belisha dhe Admir Teli, të cilët janë grumbulluar me Elbasanin në Pogradec dhe janë shprehur se nuk do të grumbullohen me ekipin kombëtar. Ndërkohë, dje janë hapur fjalë se turneu i Amerikës është anuluar. Këtë gjë nuk e ka pranuar zëdhënësi i shtypit në FSHF. Sipas tij, ka akoma shpresa që të merren vizat nga këta lojtarë. Gjithsesi, vetë zyra e shtypit në federatë ka pohuar se në këtë moment që flasim turneu me kaq lojtarët nuk mund të zhvillohet dhe mund të konsiderohet i dështuar.
Posted: Sun, 26 Jun 2005 , 04:16
by Ks-Besa
Shume faleminderit Vllaznia
E lexova artikullin e gazetes Sporti Shqiptar dhe shpresoj ta kene gabim
Po u luajt me 10 korrik ndeshja ne zonen e New Yorkut do bej cmos te shkoj
Gjithe te mirat
Posted: Mon, 27 Jun 2005 , 20:33
by vllaznia1919
Ishalla do te luhet dhe te uroj qe te mund te shohesh ndeshjen!
Tung!
Posted: Tue, 05 Jul 2005 , 14:37
by vllaznia1919
Trajneri Brigeli, më 7 korrik në gjyq.
Vazhdojnë problemet gjyqësore për trajnerin e kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel. Gjermani i stolit kuqezi, më 7 korrik, duhet të paraqitet para një gjykate gjermane për të dëshmuar rreth të kaluarës së tij tek ekipi i Kaizerslauternit. Brigeli akuzohet nga drejtuesit e skuadrës gjermane për përfshirje të tij në disa afera ekonomike në një transferim të zviceranit Çiriako Sforca në vitin 1997. Në atë kohë, Brigeli ishte drejtor sportiv i Kaizerslauternit. Trajneri i kombëtares pritet që të japë shpjegime në lidhje me disa përfitime që ai dhe drejtues të lartë të kësaj skuadre kanë bërë gjatë transferimit të lojtarit. Nuk dihet me saktësi se si është problemi, por trajneri i kombëtares sonë prej kohësh akuzohet për evazion fiskal. Madje ai është gjobitur edhe nga gjykata gjermane për këtë çështje. Pak kohë më parë, një ish-drejtues i lartë i Kaizerslauternit u detyrua të paguante rreth 530.000 euro për përfitime të paligjshme në këtë çështje. Gjasat janë që edhe trajneri Brigel të mos ia hedhë lehtë këtij procesi gjyqësor që po zhvillohet prej kohësh në Gjermani. Kujtojmë që në fillimet e tij si trajner i Shqipërisë është përfolur shumë për këtë çështje kaq delikate, që ai ka me drejtësinë gjermane dhe klubin e Kaizerslauternit.
Posted: Fri, 08 Jul 2005 , 10:34
by futbollist
Konfirmohet ndeshja miqsore Shqiperi - Azerbajxhan me 17gusht ne Qemal Stafa.Besoj se do shkoj me e pa se ate kohe kam me kene ne Tirane
......dihet qe ska me kene me ndonje interres fort te madh se shumica kane me kene lojtare kampionatit por prap lezet me i pa.
Posted: Tue, 16 Aug 2005 , 14:47
by vllaznia1919
Kombëtarja, "epidemi" dëmtimesh në sulm
Ekipi kombëtar ka zhvilluar 2 seancat e para përgatitore në kuadër të ndeshjes miqësore me ekipin e Azerbajxhanit. Seanca e parë stërvitore është zhvilluar në stadiumin e futbollit "Niko Dovana " të Durrësit. Në dispozicion të trajnerit Brigel ka qenë i gjithë grupi i futbollistëve, me përjashtim të futbollistëve të tillë si Bogdani, Myrtaj, Hasi, Lala dhe Tare. Sipas burimeve nga stafi i ekipit tonë përfaqësues, sulmuesi i Lacios dhe kapiteni i përfaqësueses, Igli Tare, ka mbërritur në hotel "Adriatiku" për
t'u bashkuar me ekipin tonë, por për shkak të një tërheqjeje muskulare nuk ka marrë pjesë në stërvitje. Grupi tjetër i futbollistëve ka zhvilluar një stërvitje të karakterit shkrydhës dhe taktiko teknik. Lika, Hidi, Beqiri, Haxhi, Osmani, Dallku, Sina, Murati, Canaj, Skela, Shkëmbi, Jupi, Bushi, E.Kapllani dhe Duro kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore, e cila ka zgjatur rreth 2 orë. Gjatë seancës stërvitore, i gjithë kontigjenti i futbollistëve ka zhvilluar stërvitje së bashku, në një kohë që asnjë prej futbollistëve nuk ka zhvilluar stërvitje të diferencuar. Sipas masazhatorit Asllan Kasa, asnjë prej futbollistëve nuk ka pasur probleme. "Përjashtim bën vetëm Igli Tare, sepse ka probleme muskulare dhe për këtë arsye duhet të bëjë seancë fizioterapie dhe ka qëndruar në hotel," është shprehur Asllan Kasa. Nga ana tjetër, me dyshen e portierëve, Lika dhe Hidi, ka punuar trajneri i portierëve, Vladimir Ajazi, sipas të cilit gjendja e tyre është e mirë dhe se do të jenë të gatshëm për ndeshjen miqësore me ekipin e Azerbajxhanit. Ajazi nuk ka bërë komente në lidhje me faktin se cili do të jetë portieri që do të mbrojë portën në ndeshjen me ekipin e Azerbajxhanit. Në orën 17.30, ekipi ynë përfaqësues ka zhvilluar dhe seancën e dytë stërvitore në fushën e stadiumit të futbollit "Niko Dovana". Në këtë seancë janë bashkuar me grupin edhe Tare Bogdani, Myrtaj dhe Hasi dhe Lala, në një kohë që Brigeli ka zhvilluar një stërvitje të karakterit tekniko taktik. Stërvitja është zhvilluar kryesisht në njërën pjesë të fushës në "Niko Dovana". Stërvitje të diferencuar pasdite ka zhvilluar Tare, Myrtaj dhe Bogdani. Të tre kanë probleme muskulare dhe me siguri do të mungojnë në takimin e së mërkurës. Nesër, ekipi ynë përfaqësues pritet të zhvillojë dy seanca stërvitore në plazhin e Durrësit dhe në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Ndërkohë, në orën 12.00, trajneri Hans Peter Brigel do të japë edhe një konferencë për shtyp në hotel "Adriatik". Interesant është fakti se gjatë qëndrimit të ekipit në një hotel me 5 yje në plazhin e Durrësit, futbollistëve u është dhënë mundësia që në orët e mbrëmjes të shëtisin në plazh apo dhe të pinë një kafe me të afërmit që vijnë për t'i takuar. Edhe kuzhina që u ofrohet futbollistëve është e përcaktuar me një dietë fikse, me kuzhinierin e rekomanduar nga vetë stafi drejtues.
Azerbajxhanasit mbërrijnë në Tiranë
Edhe ekipi i Azerbajxhanit ka mbërritur dje paradite në Tiranë. Skuadra nga Kaukazi është akomoduar në hotel "Tirana International" në prag të miqësores së 17 gushtit. Skuadra kundërshtare e kuqezinjve dje ka zhvilluar një stërvitje në kompleksin "Dinamo", ndërkohë që sot do të stërviten në orën 19.00 në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa".
Ndeshja në orën 19.00 në "Qemal Stafa"
Takimi miqësor mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, siç është përcaktuar, do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Ndeshja është lënë që të luhet në orën 19.00 me drita. Gjyqtarë të takimit do të jenë një treshe nga Turqia.
Ndeshja, 1000 lekë të reja bileta
Gjithashtu, po dje janë marrë vesh edhe çmimet e biletave për ndeshjen me Azerbajxhanin. Sipas zëdhënësit të shtypit në federatë, çmimet e biletave nuk do të jenë shumë të larta për këtë takim. Kështu, tribuna kushton 3000 lekë të reja, ndërsa karshia 1000 lekë. Burime konfidenciale në federatë bëjnë të ditur se parashikojnë një fluks jo të madh tifozësh në stadium të mërkurën.
Posted: Wed, 17 Aug 2005 , 11:42
by vllaznia1919
Brigeli "liberalizon" kombëtaren
Trajneri Hans Peter Brigel ka dhënë dje në sallën e konferencave të hotel "Adriatikut" në plazhin e Durrësit një konferencë për shtyp, ku ka prezantuar jo vetëm gjendjen e ekipit para ndeshjes miqësore me Azerbajxhanin, por dhe strategjinë e rinovimit të kombëtares shqiptare, ku çdo gjë do të fillojë pas eliminatoreve të Botërorit 2006. Në konferencën për shtyp para gazetarëve, Brigeli ka theksuar se përpara kemi një takim miqësor me Azerbajxhanin dhe tri takime zyrtare me Kazakistanin, Ukrainën dhe Turqinë, ku takimi i fundit mund të jetë përcaktues për vendin e dytë në grup.
"Vetëm pas përfundimit të eliminatoreve të Botërorit të Gjermanisë, - ka theksuar Brigeli, - do të fillojmë punën me futbollistët e rinj dhe zboret me futbollistët e perspektivës, që do të jetë edhe strategjia për rinovimin e kombëtares shqiptare. Këtë edicion do ta përfundojmë me këta futbollistë që kemi, me ndonjë përjashtim të mundshmëm, ndërsa pas eliminatoreve do të punojmë me futbollistët e rinj."
Duke iu referuar ndeshjes miqësore me Azerbajxhanin, Brigel ka theksuar: "Azerbajxhani ka karakteristika që i afrohen skuadrës së Kazakistanit, me të cilin do të ndeshemi në fillim të shtatorit në Tiranë. Nuk ka vend për nënvlerësim të kundërshtarit, por ne duhet të jemi të motivuar në këtë ndeshje, edhe pse është miqësore. Skuadra duhet të luajë me 100% të mundësive të saj."
Për sa i përket formacionit të parë, Brigeli ka deklaruar: "Në formacionin e parë ndoshta nuk do të jenë një pjesë e futbollistëve të zakonshëm, në një kohë që në pjesën e dytë do të ketë sërish ndryshime."
Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje
me dëmtimet në vijën sulmuese dhe mungesën e Rrakllit, trajneri Brigel ka deklaruar: "Myrtaj dhe Bogdani do të jenë nga një pjesë loje, në një kohë që çdo futbollist i ka të hapura portat e kombëtares. Pra, gjithçka varet nga paraqitja dhe motivacioni i secilit futbollist që dëshiron të bëhet pjesë e kuqezinjve."
Në lidhje me mospërfshirjen në kombëtare të futbollistëve të tillë si Daniel Xhafa, Agoli dhe Salihi, që kanë formë të mirë, trajneri Brigel është shprehur: "Kur ne marrim 3 lotarë të rinj, në media thuhet se pse s'keni marrë tre të tjerë, duke harruar që ka edhe një limit në përzgjedhje."
Për sa i përket mungesës së tij në ndeshjet që ekipet shqiptare zhvilluan në kompeticionet europiane, në një kohë që kolegu i tij bullgar, Stoiçkov, e ndoqi CSKA në edhe në Tiranë, trajneri Brigel u përgjigj: "Stoiçkov kishte të drejtë që ta ndiqte takimin që zhvilloi CSKA-ja, pasi gjysma e këtij ekipi përbëhej nga futbollistë të përfaqësueses."
Në lidhje me modulin e lojës, Brigeli ka deklaruar se do të luajmë vetëm në sulm, pasi kundërshtari dihet se do të mbrohet. "Në radhë të parë duhet të luajmë mirë, pasi dhe me Ukrainën luajtëm në sulm, por pësuam dy gola. Shpresoj të kemi një mbrojtje të mirë dhe të shënojmë," - ka nënvizuar gjermani i stolit kuqezi.
Brigeli nuk ka bërë të ditur emrin e kapitenit të skuadrës, në kushtet kur në fushën e lojës mund të mungojë Tare, por ka thënë se "do të jetë kapiten ai futbollist që ka zhvilluar më shumë takime me ekipin përfaqësues."
Në lidhje me çështjen e shumëpërfolur "Berhami", Brigeli ka deklaruar: "Berhami do t'i shërbente shumë skuadrës përfaqësuese, por nëse ai do të luajë të mërkurën në ndeshjen miqësore me Zvicrën, duhet harruar çështja "Berhami". Një lojtar që nuk e ndien veten shqiptar, nuk mund të luajë me përfaqësuesen e Shqipërisë. Ai duhet të jetë krenar për vendin e tij. Unë si gjerman nuk do të ndihesha mirë nëse do të luaja për Zvicrën. Shqiptarët duhet të luajnë për Shqipërinë."
Në lidhje me situatën në grupin tonë kualifikues, Brigeli ka
diagnostikuar: "Megjithëse Danimarka është në vendin e katërt, ka shanse për t'u kualifikuar. Ata janë ekipi më i mirë në grup. Për fatin tonë të keq, kemi qenë në grupin më të vështirë, ku çdo skuadër do të ishte e denjë për t'u kualifikuar. Si Danimarka, Turqia apo Greqia mund të luanin në botëror. Danezët për mua janë ekipi më i mirë në grup dhe kanë shanse për të zënë vendin e dytë". Përsa i përket Haxhit dhe Muratit, Brigeli ka deklaruar se do të aktivizohen që të dy nga një pjesë loje. Në lidhje me ndonjë
lëshim të mundshëm në favor të Turqisë në ndeshjen e fundit eliminatore, Brigeli është përgjigjur prerazi dhe shkurt: "Nuk mund të imagjinohen gjëra të tilla në futbollin profesionist."
Posted: Thu, 18 Aug 2005 , 12:38
by vllaznia1919
Cana shpëton nderin e kombëtares
Nuk ka qenë as Tare, as Rraklli dhe as Bogdani, por pikërisht futbollisti energjik i PSG-it, Lorik Cana, ai që i ka dhënë fitoren kombëtares sonë përballë modestëve të Azerbajxhanit. Gjithkush mund të kishte menduar se do të ishte një fitore mjaft e lehtë e tanëve, pse jo edhe me një goleadë, por ka rezultuar e kundërta. Kuqezinjtë tanë kanë vuajtur në një pjesë të madhe të lojës dhe është dashur vetëm grinta e Lorik Canës, që më një shpërthim nga mesfusha ka arritur të shmangë këdo që i ka dalë përpara dhe në fund edhe portierin mik, i cili e ka pasur të pamundur të bëjë diçka para gjuajtjes së fuqishme të mesfushorit tonë, e cila përfundoi në trekëndëshin e majtë të portës. Ky ka qenë momenti më i mirë i ndeshjes së mbrëmshme, ku tanët arritën të mposhtnin jo pa vështirësi kombëtaren e Azerbajxhanit. Skuadra jonë e ka nisur shumë keq lojën, kur pa kaluar më shumë se dy-tre minuta është ndëshkuar nga një pakujdesi e mbrojtjes, pikërisht e Elvin Beqirit, i cili e la të lirë sulmuesin mik, që nuk e pati aspak të vështirë të shënonte përballë Hidit me një gjuajtje të fortë e të saktë. Trajneri Brigel kishte hedhur në fushën e lojës një formacion krejt të ri, ku në vijën e parë të sulmit rreshtohej Alban Bushi dhe sulmuesi i Karlsruhes, Edmond Kapllani, ndërsa mesfusha në pjesën e parë të takimit i ishte besuar Blendi Shkëmbit, Altin Lalës dhe Edvin Muratit, që, megjithëse punuan mjaft me topin, nuk arritën t'i japin rrezikshmëri sulmit tonë. Ndërsa Sina, me inkursionet e tij nga e djathta, krijoi pështjellim në mbrojtjen kundërshtare, por pa pasur rrezikshmërinë e duhur. Skuadra jonë, pas pësimit të golit, u mundua të merrte shpejt frenat e lojës, ku Lala, Cana, Hasi e Shkëmbi u munduan të krijonin aksione të njëpasnjëshme që nga mesfusha, por në fazën sulmuese e kishin të pamundur t'i finalizonin me sukses rastet e krijuara. Ndërsa kundërshtarët tanë, duke e ditur forcën e skuadrës sonë në mesin e fushës, ushtruan presion në gjysmëfushën e tyre, madje duke rrezikuar shpesh portën e Hidit, e cila mund të themi se ishte e pafat që nuk pësoi golin e dytë pak minuta pas të parit. Në këtë rast, portieri i kombëtares sonë ka qenë me fat, kur sulmuesi kundërshtar e dërgoi topin mbi traun e portës. Lojtarët tanë ushtruan presion gjatë gjithë kohës dhe vetëm në minutën e 37-të arritën të barazonin rezultatin. Pas një goditjeje të lirë në afërsi të zonës së portës mike, e ekzekutuar nga mesfushori i Hanoverit Altin Lala, topi ka përshkuar të gjithë zonën e portierit për t'u devijuar jo me fuqinë e duhur nga Kapllani, por Alban Bushi, i cili ndodhej aty pranë, nuk e ka pasur aspak të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. Goli i barazimit i dha më shumë besim skuadrës sonë, që në minutat e mbetura të pjesës së parë e kontrolloi më mirë lojën, por pa arritur ta dyfishojë rezultatin. Me këtë rezultat të barabartë ka përfunduar pjesa e parë e takimit, që gjithsesi ishte nën nivelin mesatar. Ashtu siç ishte parashikuar, në pjesën e dytë, trajneri ynë kryen zëvendësime të shumta, duke filluar që nga dushja e sulmit, ku në vend të Kapllanit dhe Bushit aktivizohen Myrtaj e Bogdani. Ndërsa në mesfushë i vjen radha Skelës, Haxhit dhe Jupit. Kjo pjesë fillon e vrullshme për tanët, që në minutat e para krijojnë disa raste të rrezikshme, por pa e gjetur rrugën e rrjetës. Sulmuesi i Katanxaros është shumë i lëvizshëm dhe u jep mundësi mesfushorëve tanë të gjejnë hapësira për të depërtuar deri në zonën kundërshtare, por është paksa i ngathët në lëvizjet me topin. Krosimet nga e djathta janë të gabuara dhe pa rrezikshmërinë e duhur. Në raste të veçanta, sulmuesit tanë janë të detyruar të ktheheh në mesin e fushës për të kërkuar pasimin e shokëve, duke i dhënë mundësi mbrojtjes kundërshtare ta kontrollojë siç duhet sulmin tonë. Atëherë kur kundërshtari dukej më i sigurt se kurrë në fazën mbrojtëse, vjen ndëshkimi i lojtarit energjik të PSG-së. Pasi ka rrëmbyer një top në afërsi të zonës kundërshtare, Cana ka depërtuar fuqishëm, duke shmangur dy mbrojtës dhe përballë portierit e ka dërguar topin fuqishëm në trekëndëshin e djathtë të portës kundërshtare. Avantazhi i krijuar nuk u shfrytëzua siç duhej nga futbollistët tanë, që duket se ishin të kënaqur me këtë rezultat. Kundërshtarët nuk u pajtuan me rezultatin e fiksuar në pjesën e dytë dhe kërkuan me ngulm barazimin. Megjithatë, sulmet e tyre ishin të pafuqishme dhe përmbylleshin jo në mënyrën e duhur. Hedhjen në sulm të azerbajxhanasve nuk e shfrytëzuan si duhet sulmuesit tanë, që në një rast arritën edhe të shënonin, por në pozicion jashtë loje. Nga fundi i takimit, trajneri Brigel kryen zëvendësimin e fundit, që është sa për statistikë, ku në vend të Sinës aktivizohet Dallku. Këta minuta krijuan njëfarë monotonie dhe asnjëra nga skuadrat nuk po arrinte të krijonte raste shënimi. Vërshëllima e gjyqtarit turk shënoi fundin e takimit, që gjithsesi, nuk u ngjit asnjëherë në nivele të larta, ndoshta kjo edhe për vetë faktin se futbollistët vijnë nga një periudhë e gjatë pushimesh dhe disa prej tyre nuk janë në formën e tyre më të mirë. Kjo ndeshje miqësore i paraprin takimit me Kazakistanin për eliminatoret e botërorit që do të zhvillohet në Gjermani. Një takim ky i lehtë për kombëtaren tonë, që e ka mundur kundërshtarin nga Azia edhe në takimin e parë të luajtur në trasfertë.
Posted: Sat, 27 Aug 2005 , 14:02
by vllaznia1919
Dje është shpallur lista e kuqezinjve që do të grumbullohen për ndeshjen e radhës me Kazakistanin. Ajo që të bie në sy është mungesa e Klodian Duros dhe afrimi i Agollit. I pari është ende në kërkim të një skuadre dhe mund të ketë qenë ky shkaku që trajneri i kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel, e ka lënë jashtë ndeshjes së radhës. Përsa i përket Ansi Agollit, forma e mirë që po tregon në kampionatin zvicerian ka bërë që të jetë pjesë e skuadrës kuqezi në ndeshjen e tre shtatorit. Gjithashtu, është afruar edhe Elvis Sina. Duket se paraqitja e tij në ndeshjen e fundit e ka bindur trajnerin gjerman që ta thërrasë nën armë kundër Kazakistanit. Ja lista e kombëtares për ndeshjen e datës 3 shtator:
Ilion Lika
Isli Hidi
Elvin Beqiri
Altin Haxhi
Tefik Osmani
Armend Dallku
Elvis Sina
Besnik Hasi
Ervin Skela
Edvin Murati
Lorik Cana
Altin Lala
Bledi Shkëmbi
Redi Jupi
Igli Tare
Alban Bushi
Florian Myrtaj
Erion Bogdani
Edmond Kapllani
Ansi Agolli
Posted: Tue, 30 Aug 2005 , 13:46
by vllaznia1919
Kombetarja, grumbullimi nis sot ne Durres
Perfaqesuesja shqiptare e futbollit do te nise grumbullimin sot ne oren 12.00 ne Hotelin "Adriatik", ne Durres. Te perzgjedhurit e trajnerit Hans-Peter Briegel do te grumbullohen "vale-vale", ne varesi te ndeshjeve qe do kene ne kampionatet ku luajne. Me shpejt do vijne futbollistet qe luajne ne Shqiperi si Hidi, Lika e Sina e me pas ata qe luajne jashte. Me me vonese do te jene Tare, Bogdani, Kapllani, Murati, Jupi e ndonje tjeter qe ka luajtur dje, perkatesisht ne kampionatin italan, gjerman apo grek.
Ja lista anti-Kazakistan
Portiere: Hidi (Tirana), Lika (Dinamo); Mbrojtes: Osmani (Metalurg Zh.), Dallku (Ukraine), E.Beqiri (Metalurg Donjeck), Sina (Tirana), Haxhi (Anorthosis); Mesfushore: Cana (Marseille), Hasi (Anderlecht), Skela (Kaiserslautern), Agolli (Neuchatel Xamax), Murati (Iraklis), Lala (Hannover), Shkembi (Metalurg Zh.), Jupi (Diyarbakirspor); Sulmues: Tare (Lazio), Bushi (Levadiakos), Myrtaj (Catanzaro), Bogdani (Reggina), Kapllani (Karlsruher SC)
Posted: Wed, 31 Aug 2005 , 14:09
by vllaznia1919
Kombëtarja “e zhytur” në anti-Kazakistanin
Ekipi ynë kombëtar është grumbulluar në hotelin “Adriatik” në plazhin e Durrësit. Dita e hënë ka qenë dita e mbërritjes së tyre. Pikërisht këtë ditë ishte menduar të zhvillohej një seancë stërvitore në stadiumin e Shijakut, gjë që nuk u realizua, pasi një pjesë e lojtarëve i janë bashkuar ekipit në orët e mbrëmjes. Por futbollistët e ndodhur prezentë kanë vrapuar në bregdetin e plazhit të Durrësit. Ndërkaq të martën ekipi kuqezi ka zhvilluar një seancë stërvitore në stadiumin e Shijakut, si dhe ka vijuar edhe me vrapimet në bregun e detit.
Posted: Thu, 01 Sep 2005 , 13:50
by vllaznia1919
Tare mungesa e mundshme e Brigelit
Sulmuesi i kuqezi nuk do të mundet të rekuperohet nga dëmtimi për ndeshjen e të shtunës kundër Kazakistanit
Igli Tare ka shumë mundësi të jetë jashtë ndeshjes që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë kundër Kazakistanit, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2006. Me 90% të mundësive sulmuesi, i cili militon në radhët e Lacios në Serinë A, do të jetë i detyruar që sërisht ta ndjekë skuadrën nga tribuna. Edhe pse sipas biondit nuk është marrë vendimi përfundimtar, në këtë konkluzion është arritur pas bisedës më të fundit që ai ka pasur me fizioterapistin e skuadrës kuqezi, Bulinger. “Kam shumë pak shanse për të qenë i pranishëm në ndeshjen me Kazakistanin. Akoma nuk e kam kuptuar këtë situatë që po kaloj. Pas konsultimeve që kam zhvilluar me mjekët e skuadrës, është parë e arsyeshme që të mos rrezikoj. Pra, mund të them se me 90% unë nuk do të jem në ndeshjen me Kazakistanin”, - ka deklaruar Tare. Me gjithë mungesën e tij në fushën e stadiumit “Qemal Stafa”, Tare e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm arritjen e trepikëshit përballë modestëve kozak, të cilët mbyllin edhe grupin e dytë eliminator me 0 pikë në 8 takime të zhvilluara gjithsej. “Është një ndeshje që nuk duhet nënvlerësuar aspak. Nuk është si ndeshja me Azerbajxhanin, ndonëse dy skuadrat kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën. Me Azerbajxhanin ishte një ndeshje modeste për ne dhe nuk kishte atë impenjimin e duhur. Ndryshon puna në ndeshjen me Kazakistanin, ku do të kërkojmë me çdo kusht të marrim tri pikët. Besoj se do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi kuptohet që skuadrat që janë më të vogla të hapin gjithmonë probleme”, - ka theksuar sulmuesi kuqezi.
Posted: Fri, 02 Sep 2005 , 13:28
by vllaznia1919
Trajneri Brigel pritet të shpallë formacionin e së shtunës
Mbërin Kazakistani, sot ndeshja e shpresave
Kazakistanasit kanë mbërritur dje në orët e para të mbrëmjes në kryeqytet. Miqtë kanë udhëtuar me një “çarter” që ka sjellë në Aeroportin e Rinasit dy ekipet, Kombëtaren A dhe shpresat, të cilët do të përballen sot dhe nesër me kuqezinjtë. Dita e sotme do të impenjojë fillimisht djemtë e Hasan Likës, pasi ekipet U-21 do të ndeshen sot në orën 17:00 në “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Ndërkohë Kombëtarja A do të zhvillojë sot një seancë stërvitore në “Qemal Stafa”, për t’u njohur me terrenin e lojës. Kundërshtarët e kuqezinjve janë akomoduar në ambientet e hotel “Tirana Internacional”.
Brigel, pritet konferenca për shtyp
Trajneri gjerman i kuqezinjve duhet të flasë sot për gazetarët nga qendra e Kombëtares shqiptare, hotel “Adriatik “ në Durrës. Trajneri pritet të mos anashkalojë detyrimin e zakonshëm, ndonëse nuk përjashtohet edhe ndonjë surprizë. Ai pritet të bëjë të qartë formacionin e takimit, si dhe të deklarojë përfundimisht nëse Tare do të mund të luajë ose jo. Për bjondin kuqezi, mundësitë më të mëdha janë që të shohë takimin nga tribuna. Për sot paradite është programuar seanca stërvitore e parafundit për kuqezinjtë, që do të zhvillohet në “Niko Dovana” të Durrësit.
Posted: Tue, 06 Sep 2005 , 13:47
by vllaznia1919
Nën drejtimin e trajnerit gjerman, Hans Peter Brigel, ekipi ynë kombëtar ka arritur të sigurojë një tri pikësh mjaft të vlefshëm ndaj Kazakistanit mbremjen e se Shtunes. Kjo ishte fitorja e katërt në ndeshjet për grupin e 2-të eleminator të Kupës së Botës 2006, ç'ka do të thotë 12 pikë dhe nje rekord ne historine e kombetares. Për trajnerin Brigel, kjo është fitorja e 10 në drejtimin e përfaqësueses shqiptare.
Golat e fitores për kuqezinjtë u shenuan nga Florian Myrtaj dhe Erjon Bogdani, i cili ka qenë dhe lojtari më i mirë në fushën e lojës, duke treguar dhe një here vlerat e tij në sulmin kuqezi. Në repartin e mesfushës, që përbehej nga pesë lojtarë, eshte vleresuar loja e Canes, Skelës dhe Lalës.
Tashmë kombetarja shqiptare ka për te zhvilluar edhe dy ndeshje, me Ukrainen dhe Turqine, per te mbyllur eleminatoret e Boterorit 2006.
Posted: Tue, 13 Sep 2005 , 13:28
by vllaznia1919
Kombëtarja, ja detajet e sfidave të tetorit
Kuqezinjtë, në fillim të muajit tetor do të zhvillojnë dy ndeshjet me Ukrainën dhe Turqinë, respektivisht më 8 tetor në Dnjepro dhe 12 tetor në Tiranë. Për të qenë të akomoduar sa më mirë në Ukrainë, për disa ditë shefi i sektorit të ekipeve kombëtare në FSHF, Besnik Çela, ka vizituar vendet ku do të luajnë dhe akomodohen skuadrat kuqezi. Sipas shefit të sektorit të ekipeve kombëtare, ai ka vizituar të gjitha ambientet ku do të qëndrojë dhe luajnë kuqezinjtë. Për ekipin e parë kombëtar, me trajner Hans Peter Brigel, është menduar që akomodimi në tokën ukrainase të bëhet në "Grand Hotel Ukraina" që ndodhet në Dnjepro. Ky hotel ndodhet 20 minuta larg nga aeroporti dhe stadiumi. Ndërkohë, gjatë ditëve që kuqezinjtë do të qëndrojnë në Ukrainë, stërvitjet do t'i zhvillojnë në fushën stërvitore të akademisë "Lubinjeni". Sipas Çelës, fusha e stadiumit të Dnjepros ishte e mirë. Ndërkohë, ekipi Shpresa do të luajë 100 kilometra larg qytetit ku do të akomodohet ekipi kombëtar. U?21 i Likës, ndeshjen e radhës për eliminatoret e europianit do ta luajë në Zaporozhje, në stadiumin "Zas", me një kapacitet prej 6000 vendesh. Akomodimin ekipi Shpresa do ta bëjë në "Inturist Hotel". Sipas informacioneve, ekipi kombëtar shqiptar do ta fillojë grumbullimin që më 3 tetor në Karlsruhe të Gjermanisë. Skuadra do të stërvitet 3 ditë në Karlsruhe dhe më 6 tetor do të udhëtojë drejt Ukrainës. Një ditë më pas, dy skuadrat kuqezi do të kthehen në Tiranë për ndeshjen e fundit të grupit 2 me Turqinë. Po sipas Çelës, grumbullimi do të bëhet në hotel "Adriatik" për ekipin kombëtar. Ndërkohë, stërvitjet do të zhvillohen në stadiumin e Durrësit "Niko Dovana". Takimi Shqipëri-Turqi do të zhvillohet në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" më 12 tetor, ora 20.00.
Ekipi Shpresa do të akomodohet po në Durrës, por në hotelin "Leonardo". Stërvitjen skuadra e Likës do ta zhvillojë në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Ndërsa ndeshjen zyrtare do ta luajë sërish në stadiumin "Roza Haxhiu" të Lushnjës më 11 tetor, ora 14.00. Për ekipet tona përfaqësuese, ndeshjet me Ukrainën dhe Turqinë do të jenë të fundit për eliminatoret e botërorit dhe europianit të 2006-ës për 21-vjeçarët. Në FSHF, po dje, janë shprehur se lista e të grumbulluarve për këto dy takime do të jepet vetëm në fund të muajit.