Kur luan Shqipëria, zhduken kufijtë
Nga ROD CURTIS
Ndërsa shëtisja nëpër kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në
prag të ndeshjes eliminatore për Botërorin “Afrika e Jugut
2010”, të shtunën mbrëma, mendoja se një kombëtare
futbolli përbëhet nga njerëzit e po atij vendi. Mirëpo, duket
se në Ballkan ujërat janë më të turbullta. Këtu, një
kombëtare u përbëka nga një komb, pa marrë parasysh
adresën. Zbulova se në skuadrën kombëtare të Shqipërisë
në futboll luanin pesë shqiptarë nga Kosova, pavarësisht
faktit që muajin shkurt Kosova ka deklaruar pavarësinë e
saj. Njohja e shtetit nga 46 vende, përfshirë SHBA-në dhe
Australinë dhe mosnjohja nga 36 vende, përfshirë Rusinë
e Kinën, e bën megjithatë të pavarur. Kjo pavarësi, të jemi
të sinqertë, nuk është e asaj natyre që do të krijonte
mundësinë e paraqitjes në fushë të një kombëtareje në
kohë shumë të shpejtë. Pra, çfarë të bëjnë pesë futbollistët
nga Kosova? Të mos luajnë fare? Të luajnë për Serbinë?
Mundësi e mirë. Ata luajnë për Shqipërinë, pasi edhe vetë
janë shqiptarë, në fund të fundit, sikurse banorët e Zelandës
së Re, që janë australianë. Çfarë do të ndodhë kur Kosova
ta ketë kombëtaren e saj? Njëherë Debatik Curri pati
deklaruar se do ta veshë fanellën kuqezi, për arsye nderi:
një kombëtare e fortë është më e mirë sesa dy të dobëta.
U fokusova një grimë në këtë çështje, pasi bileta ime më
thoshte se duhej të ulesha në radhën e tretë nga e para,
në tribunat anësore, në mes të tifozëve ultras të Kosovës.
Ata duartrokitën me finesë kur gjatë këndimit të himnit
kombëtar të Suedisë - nuk kishte ovacione në stadium dhe
me krenari valonin flamurin e tyre të ri të kaltër me ngjyrë
ari.

Ata u ulën dhe filluan të përtypnin fara të zeza luledielli,
derisa vendi u shtrua në një qilim lëvozhgash dhe filluan
një breshëri abuzimesh ndaj “tradhtarit” Zllatan Ibrahimoviç,
boshnjakut të lindur e të rritur në Malmo, që mbron ngjyrat
e Kombëtares së Suedisë. Më quani radikal, mirëpo mund
të them se kjo e bën atë më shumë suedez, sesa e bën
shqiptar një person që ka kaluar tërë jetën e tij në Kosovë.
Kur kosovarët, të ulur së bashku në një bllok tribunash
filluan të talleshin me shqiptarët e Shqipërisë, për përkrahje
të dobët, me të vërtetë u bëra konfuz. Pastaj, grumbulli i
shqiptarëve nga Maqedonia, i ulur në të majtë filloi t’iu
drejtohej shqiptarëve të tjerë me fjalët: “Ne flemë me motrat
tuaja!”. Gjë që nganjëherë mund të jetë e vërtetë, pasi të
gjithë i kalojnë pushimet në të njëjtin bregdet.
Të gjithë
ishin të veshur kuqezi, mirëpo mund t’i dalloje shqiptarët që
vinin nga Shqipëria. Ata nuk e shfrytëzuan gjithë kohën e
ndeshjes për t’u treguar të tjerëve se sa shqiptarë ishin.
Dhe ky duhet të jetë mësim. Vetë takimi ishte i barabartë.
Dyshja sulmuese e Suedisë, Henrik Larson dhe Ibrahimoviç
nuk ishin të efektshëm, ndërsa Shqipëria e drejtuar nga Ari
Han ishte mjaft mirë e organizuar, u angazhua shumë dhe
krijoi disa raste. Gjithashtu, u zbulua një hero i ri,
këmbëshpejti, që ngjante në Lionel Mesin, 20-vjeçari Jahmir
Hyka, që rregullisht i shmangej kundërshtarit për të dërguar
krosime të rrezikshme nga ana e majtë. Pas vërshëllimës
së fundit të gjyqtarit, suedezët nuk ishin të lumtur, portieri
flaku topin tutje në shenjë pakënaqësie. Ky është çmimi që
u desh të paguanin pasi u mbrojtën tërë natën, duke kërkuar
shpëtim në kundërsulme. Për shqiptarët, kosovarët,
maqedonasit, malazeztë, barazimi ishte fitore për t’u festuar.
Në ndeshjen e parë të fushatës kualifikuese ata fituan një
pikë, por humbën tjetrën.
Marrë nga gazeta australiane “The Age”
Shkrim shume i quditshem, do tme interesonte, sa te verteta jane keto qe shkrun ky tifozi australian.