Page 3 of 160

Posted: Thu, 04 Aug 2005 , 13:18
by vllaznia1919
Vllaznia thërret ukrainasin Romanishin

Futbollisti ukrainas, Sergei Romanishin, i cili u bë i njohur kur u shpall kampion i Shqipërisë me Dinamon tri sezone më parë, por që ka luajtur edhe me Vllazninë e Besën, mund të rikthehet në kampionatin tonë. Dhe skuadra që interesohet për të është sërish Vllaznia. Shkodranët e kanë gati ofertën për mesfushorin ukrainas, që aktualisht aktivizohet më një skuadër të ligës së dytë në kampionatin e vendit të tij. Pra, lojtari në fjalë është në aktivitet dhe mund të jetë gati për ekipin kuqeblu. Kontaktet Vllazni-Romanishin tashmë kanë filluar, por në gjurmët e ukrainasit duket se është edhe Elbasani, madje nënkampionët mund të favorizohen nga fakti se aty mesfushori i qendrës do të gjejë disa prej ish-shokëve të skuadrës, si Bejzade, Osja etj. Në këto kushte, ajo që do të vendosë mund të jetë oferta e financiare, por i rëndësishëm është fakti se Romanishini mund t'i rikthehet së shpejti kampionatit shqiptar, të cilin e njeh mjaft mirë.

Posted: Thu, 04 Aug 2005 , 13:20
by vllaznia1919
Bejzade: Ja pse i thashë "jo" Vllaznisë

Ndryshe nga ç'pritej, Skerdi Bejzade nuk ka preferuar të luajë me Vllazninë në sezonin e ardhshëm, por do të qëndrojë edhe për një vit në Elbasan. Këtë e ka pohuar edhe vetë lojtari, ndërkohë që një lajm i tillë natyrisht nuk kishte si të kalonte pa zhurmë në opinionin sportiv shkodran. Ky i fundit e mirëpriste ardhjen e Bejzades dhe Ndrekës te Vllaznia, duke i konsideruar blerje të rëndësishme, por pa kaluar 24 orë, vjen lajmi tjetër. Nga vendimi që ka marrë Bejzade, natyrisht që shkodranët kanë mbetur të zhgënjyer, ashtu sikurse dhe zëvendëspresidenti Valter Fushaj, i cili po merrej vetë me çështjen. "Ne i bëmë ofertën tonë dhe parimisht kishim rënë dakord me Bejzaden, por në fund ai zgjodhi Elbasanin dhe kjo është e drejta e tij," thotë numri 2 i klubit shkodran. Ndërkohë, arsyet e vërteta të përgjigjes negative për Vllazninë i ka dhënë vetë protagonisti i kësaj çështjeje, Skerdi Bejzade, kur është shprehur: "Të them të drejtën, nuk e kisha të lehtë të vendosja mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Para dy ditësh, së bashku me Ndrekën, ishim në Shkodër dhe biseduam me zëvendëspresidentin Fushaj, duke marrë ofertën financiare nga ana e tij, që për mua ishte shumë e kënaqshme. Por më pas, biseda me presidentin e Elbasanit më bëri të vendos për të luajtur me këtë skuadër në sezonin e ri. Firmë ende nuk kam hedhur, por çdo gjë është mbyllur me presidentin Laze. Pse i thashë "jo" Vllaznisë? Arsyeja e vërtetë nuk janë paratë, për këtë duhet të më kuptojnë të gjithë shkodranët, madje mund të them se te Vllaznia do të merrja më tepër se te Elbasani. Për të mos thënë që drejtuesit e Vllaznisë, kur u thashë që do të luaja me Elbasanin, e ngritën edhe më tepër ofertën e tyre financiare. Por ato që vendosën në këtë mes ishin arsyet e mia familjare. Nga Elbasani edhe vitin e kaluar e kam bërë çdo ditë rrugën drejt Tiranës, ndërsa në Shkodër do të isha i detyruar të qëndroja gjithë javën aty, larg familjes sime. Kjo është e vetmja arsye që nuk zgjodha Vllazninë për sezonin e ardhshëm, pavarësisht se me të mund të merrja më tepër para."
Në këtë mënyrë, çështja "Bejzade" merr fund ende pa nisur mirë për kuqeblutë. Një "jo" që, ashtu si dhe në sezonet e tjera, evidenton faktin që në qytetin verior të Shqipërisë, futbolli i tij vazhdon të vuajë problemet sociale. E ndërsa për Bejzaden ky kapitull tashmë është mbyllur, pritet me shumë interes edhe çështja e mbrojtësit Ndreka. Edhe ai dy ditë më parë ishte në Shkodër dhe bisedoi me drejtuesit e Vllaznisë, por tani pritet përgjigjja e tij, nëse do të pranojë apo jo të vishet kuqeblu.

Posted: Fri, 05 Aug 2005 , 13:36
by vllaznia1919
Ndreka: Përmes Vllaznisë, te kombëtarja

Më në fund është bërë realitet ardhja te Vllaznia e njërit prej mbrojtësve më të mirë të kampionatit tonë, Henri Ndrekës. Dje në drekë, ai ka hedhur firmë në kontratën e afruar nga drejtuesit e klubit shkodran. Lojtari i njohur është shfaqur i kënaqur me marrëveshjen e arritur me zëvendëspresidentin Fushaj dhe njëkohësisht ka shprehur hapur edhe objektivin që kërkon të arrijë, duke luajtur në "Loro Boriçi". "Përveçse të fitojë trofe me Vllazninë, objektivi im personal është për të rikapur kombëtaren,"ka thënë ai në intervistën e tij menjëherë pas firmosjes së kontratës me ekipin shkodran.
Henri, më në fund pranuat të hidhnit firmë për Vllazninë. A jeni i kënaqur për këtë?
Natyrisht që jam i lumtur që ndodhem pranë këtij klubi me traditë futbollistike në Shqipëri. Shpresoj që me ardhjen time dhe të disa lojtarëve të tjerë, Vllaznia t'i arrijë objektivat që ka caktuar presidenca dhe stafi drejtues i saj.
Shkodranët ju kanë kërkuar edhe disa herë të tjera, ndërkohë që vetëm tani pranuat të vishnit fanellën kuqeblu. Pse ky hezitim?
Po, është e vërtetë. Vllaznia më ka kërkuar disa herë, duke nisur nga ish-presidenti Myftar Çela, për të vazhduar më këta presidentë që janë sot. Por për arsye të ndryshme, kjo gjë nuk u bë realitet deri tani, madje dua të them se edhe kësaj here unë kam pasur disa oferta të tjera, por insistimi i vazhdueshëm i mikut tim, zëvendëspresidentit Fushaj, bëri të mundur gjithçka.
A jeni stërvitur gjatë kësaj periudhe?
Po. Kam qenë një muaj në Rusi, ku jam stërvitur rregullisht, ndërsa ditët e fundit jam stërvitur në Lezhë me Besëlidhjen. Nuk jam 100% në formë. Megjithatë, mendoj se me stërvitjen që do të bëj me ekipin në Mal të Zi, do ta kap shpejt formën time më të mirë.
Kur do të bashkoheni me skuadrën tuaj të re në stërvitje?
Këtë gjë do ta bëj nesër (sot).
Ju do të luani në mbrojtje. A mendoni se edhe me lojtarët e tjerë që ka ky repart aktualisht mund të quhet i kompletuar?
Dy apo tre lojtarë që luajnë në këtë repart i njoh mjaft mirë dhe besoj se kemi për të bërë gjëra të mira. Natyrisht që është në dorën e trajnerit mënyra se si do të vendosemi në fushë, por mendoj se do të bëjmë më të mirën, në mënyrë që skuadra të mos ketë probleme.
A besoni se do të keni një ecuri të mirë me kuqeblutë?
Patjetër, jam i bindur se me Vllazninë kam për të realizuar një nga sezonet më të mira të karrierës sime. Shpresoj të kthehem aty ku kam qenë, në kombëtare.
E mendoni veten me ndonjë trofe këtë sezon?
Kënaqësia do të ishte shumë e madhe nëse do të realizohej kjo dhe besoj se do t'ia arrij.
Së fundi, publiku shkodran e mirëpret ardhjen tuaj. Keni ndonjë mesazh për të?
Patjetër. Vllaznia ka një publik tepër të zjarrtë, që e meriton të përgëzohet. Dëshiroj të kemi sa më shumë publik në stadium këtë sezon, në mënyrë që të gjithë së bashku të gëzojmë me ndonjë trofe.

Posted: Sat, 06 Aug 2005 , 14:36
by vllaznia1919
Një malazez tjetër dështon në provën kuqeblu

Megjithëse po tenton shumë në tregun malazez të futbollistëve për të gjetur një sulmues cilësor, Vllaznia ende nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë. Pas Vukeviçit, Nikiçit dhe Xhallacit, në miqësoren që kuqeblutë kanë zhvilluar ndaj KOM it, trajneri Haxhiosmanoviç ka provuar për disa minuta edhe një tjetër sulmues nga vendi i tij. Ai ka hyrë në fushë në fillim të pjesës së dytë, por prova e tij nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta. Ajo çfarë ai ka paraqitur në fushën e lojës ka mjaftuar për t'i dhënë përgjigje negative. Në këtë mënyrë, largohet edhe lojtari i 4-t që kërkon të zërë një vend përkrah Sinanit, duke lënë shpresa të pakta për gjetjen e një sulmuesi cilësor në Mal të Zi.

Posted: Sat, 06 Aug 2005 , 14:38
by vllaznia1919
Kuli: Vllaznia, "piaca" e karrierës sime

Shkodranët kanë bërë realitet edhe blerjen e tyre të dytë, pas asaj të Ndrekës. Bekim Kuli, kavajasi i njohur i kampionatit tonë, ka biseduar dje gjatë me drejtuesit e Vllaznisë dhe më pas e ka bërë zyrtare veshjen e tij kuqeblu për sezonin e ardhshëm. Menjëherë ai është nisur drejt Malit të Zi, për t'iu bashkuar në stërvitje ekipit të tij të ri. Natyrisht që tek lojtari që ka luajtur me disa skuadra në kampionatin tonë shihej kënaqësi për zgjedhjen që kishte bërë, gjë që vërtetohet edhe nga fjalët e tij për "Sportin shqiptar". "Në radhë të parë, veshja e fanellës së Vllaznisë është privilegj për mua. Në radhë të dytë, është një mundësi e mirë për karrierën time, sepse Vllaznia është "piaca" më e mirë për t'ia arritur qëllimit, prandaj dhe e zgjodha. Kisha oferta nga Lushnja dhe Teuta, por preferova Vllazninë, sepse pretendimet e mia ishin për të gjetur një ekip pretendent, ku dhe loja ime të dilte sa më shumë në dukje," - tha Kuli.
Ardhja e Kulit te kuqeblutë duket se do të mbyllë edhe boshllëkun që ekzistonte në vijën e sulmit. Megjithatë, kavajasi që ka luajtur në Turqi, por edhe me disa skuadra të kampionatit tonë, thotë se mund të luajë në disa pozicione në fushë, duke e mirëpritur edhe një aktivizim përkrah Sinanit në sulm. "Gjatë karrierës sime nuk është se kam luajtur vetëm si sulmues i mirëfilltë, por edhe në mesfushë, apo dhe pas dy sulmuesve. Për mua nuk ka rëndësi pozicioni, sepse atë e di më mirë trajneri," shpjegon futbollisti 23-vjeçar. Gjatë sezonit të kaluar, Kuli ka ndërruar tri ekipe. Ai e ka filluar sezonin me Partizanin, vazhdoi me Egnatian dhe e përfundoi me Lushnjën. Pikësynimi kryesor i këtij lojtari është që me Vllazninë të nisë dhe të përfundojë një sezon të suksesshëm. "Nëse deri tani kam pasur oshilacione në karrierën time, kjo ka ardhur ngaqë kam ndërruar shpesh skuadër. Në Shkodër vij për të pasur një sezon të suksesshëm, për të marrë eksperiencë, megjithëse u bënë kaq vjet që luaj futboll. Para së gjithash, vij për të marrë ndonjë trofe," shton më tej blerja e fundit e kuqebluve. Nga ana tjetër, Bekim Kuli jep dhe vlerësimin e tij për ekipin aktual shkodran. "Vllaznia, në sezonin që, shkoi pati probleme, që i lindën para se të fillonte kampionati dhe që u pasqyruan edhe në rezultatet e saj. Kjo skuadër asnjëherë nuk ka rënë më poshtë se vendi i tretë, por mendoj se këtë vit do jetë shumë më ndryshe. Nga sa kam dëgjuar, do të vijnë edhe lojtarë të tjerë cilësorë. Ky është një lajm i mirë edhe për tifozët e zjarrtë shkodranë, të cilët mezi e presin rikthimin e skuadrës së tyre të zemrës në vendin që i takon," thotë në fund sulmuesi i ri i Vllaznisë, Kuli.

Posted: Sun, 07 Aug 2005 , 19:27
by vllaznia1919
Shumica e lojtarëve të ardhur te kluqeblutë luajnë në prapavijë

Nëse ka ndonjë repart për të cilin drejtuesit e skuadrës shkodrane nuk qahen më, ai pa dyshim që është mbrojtja. Kjo sepse ardhjet e fundit në ekip, në shumicën e rasteve, i kanë takuar këtij reparti. Siç e kemi përmendur shpesh, presidenca kuqeblu që në momentet e para të merkatos kërkoi rregullimin e repartit difensiv, që paraqiti aq shumë probleme gjatë sezonit të kaluar. Para se të fillonte "meremetimi" i tij, donatorët e skuadrës kanë rikonfirmuar në portë durrsakun Orges Shehi, duke garantuar edhe katërkëndorin e saj. Më pas kanë ardhur goditjet e tjera me malazezët Radusinoviç dhe Çetkoviç, të cilët firmosën shpejt. Gjërat filluan të marrin zgjidhje dhe pa kaluar shumë kohë, firmosi edhe Kapaj, një lojtar që luan mirë jo vetëm në mesfushë, por edhe në krahun e majtë të mbrojtjes. Trajneri Haxhiosmanoviç ndihet më i sigurt, pasi në ekip kthehet edhe Teli, pas aventurës me Elbasanin në Kupën UEFA. Në këtë mënyrë, numri i lojtarëve në dispozicion të trajnerit malazez u rrit ndjeshëm. Përveç kësaj, ai ka si alternativë për mbrojtjen edhe Doçin, një lojtar të fuqishëm që është provuar edhe në sezone të tjera në këto detyra. Nga ana tjetër, pas u mësua se Osja nuk do ishte pjesë e skuadrës, "Deda" ka provuar në krahun e djathtë të mbrojtjes Erion Hotin, 22-vjeçarin që ka treguar siguri në lojën e tij. Ndërkohë, ardhja së fundi e Ndrekës, e ka "blinduar" mbrojtjen dhe tashmë trajneri Haxhiosmanoviç do ta ketë më të lehtë përcaktimin e lojtarëve dhe vendosjes në fushë. Nga sa kuptohet, Vllaznia në sezonin e ri do të luajë me këtë katërshe në mbrojtje: Ndreka në krahun e djathtë, dyshja Teli-Radusinoviç në qendër dhe Çetkoviç në të majtë. Me këta lojtarë, tekniku malazez i kuqebluve duket se do ta ketë më të lehtë edhe aplikimin e lojës në vijë të drejtë në mbrojtje. Përveç tyre, janë të gatshëm edhe Hoti, Doçi dhe Kapaj. Në këtë mënyrë, shkodranët prapa duken shumë të sigurt. Merkatoja e tyre ka qenë shumë efikase sa i takon këtij reparti dhe ndër më të rëndësishmit lojtarë që është bërë pjesë e Vllaznisë, pa dyshim që është malazezi 21-vjeçar Igor Radusinoviç. Ky i fundit, në të gjitha ndeshjet miqësore që Vllaznia ka zhvilluar kohët e fundit, është dalluar nga të tjerët, duke dhënë shenjat e një lojtari me shumë vlera. Ajo që pritet tashmë është që presidenca e klubit të jetë po kaq aktive në përpjekjet e saj për të fuqizuar edhe dy repartet e tjera, mesfushën dhe sulmin. Kuptohet që koha në dispozicion nuk është shumë e madhe, megjithatë, nëse shpejtohet, edhe mund të gjenden ata lojtarë që nevojiten.

Posted: Thu, 11 Aug 2005 , 13:26
by vllaznia1919
Merkato, fjala që "hallakat" kuqeblutë

Vllaznia është sërish e destinuar të afrojë lojtarë të rinj nga merkatoja. Çdo ditë që kalon, në media përmenden emra lojtarësh që pritet të vishen kuqeblu, por në të vërtetë, në Cetinjë vazhdon të jetë po ai kontigjent lojtarësh. Burime pranë presidencës së klubit kanë bërë të ditur dje se i vetmi lojtar me të cilin drejtuesit shkodranë kanë kontaktuar ka qenë Saimir Patushi. Madje këtë e ka konfirmuar edhe vetë presidenti Agron Çela, i cili ka shpjeguar se ka pasur një bisedë telefonike me lojtarin në fjalë dhe vetëm kaq. Pra, nuk dihet nëse ish-lojtari i Tiranës do të vijë apo jo te Vllaznia, ndërsa për të tjerët nuk ka asgjë konkrete. As për Qorrin dhe emra të tjerë që mund të jenë lakuar ditët e fundit. Pra, ajo që shpresohet tashmë në kampin shkodran është që Patushi të joshet nga oferta e presidencës së Vllaznisë, duke vendosur të rikthehet në "Loro Boriçi". Këtu ai u shpall kampion para 4 vitesh. Ardhja e këtij lojtari natyrisht që do të ishte e mirëpritur edhe për trajnerin Haxhiosmanoviç, i cili e ka pasur matjanin në ekip pikërisht në sezonin e suksesshëm 2000-2001. Nga ana tjetër, siç është vërejtur edhe nga takimet e fundit miqësore në Mal të Zi, nevoja emergjente është për një sulmues cilësor. Vërtet në këto miqësore, krahas kapitenit Sinani, është duke luajtur me sukses edhe Doçi, por kjo nuk është garanci e plotë. Ashtu si nuk është forma jo e duhur sportive e Kulit, të cilit i duhet edhe njëfarë kohe për të qenë gati për lojë. Pikërisht duke u ndalur te loja e kavajasit, apo dhe ajo që është duke demonstruar Ndreka në këto miqësore, vërehet qartë diferenca që këta dy lojtarë kanë me ata që e kanë zhvilluar fazën përgatitore që nga fillimi. Prandaj dhe vetë trajneri Haxhiosmanoviç, herë pas here kërkon ta evidentojë këtë fakt, në mënyrë që lojtarët që mund të vijnë në skuadër, duhet patjetër të jenë të stërvitur. Ndryshe nuk mund të jenë të gatshëm që në fillim si titullarë. Por Vllaznia ka nevojë për të tillë lojtarë dhe prandaj presidenca e klubit është vënë në lëvizje për ta realizuar këtë gjë. Thuhet se do të vijë edhe një sulmues cilësor nga jashtë, pritet Patushi, ndërkohë që presidenti Çela shprehet se kontaktet vazhdojnë me disa lojtarë të tjerë që mund të vijnë nga lëvizjet e fundit në merkato. Megjithatë, realisht Vllaznia dhe trajneri Haxhiosmanoviç po i bëjnë planet pa këta lojtarë. Ose thënë më mirë, edhe po të vijnë ata, nuk dihet ende se në çfarë gjendjeje do të jenë dhe "Deda" nuk beson kollaj në formën e tyre.

Posted: Thu, 11 Aug 2005 , 13:26
by vllaznia1919
Radojeviç, malazezi i radhës te Vllaznia

Ka mbërritur ditët e fundit në kampingun e shkodranëve në Cetinjë edhe malazezi Dushan Radojeviç, një futbollist që do të provohet nga trajneri i Vllaznisë. Nga të dhënat e para që merren vesh për këtë lojtar, mësohet se ai është 29 vjeç dhe luan në rolin e mesfushorit të djathtë. Më parë, ai ka luajtur me ekipet e Sutjeskës, Mogrenin, Zetën, Javorin, Kazarën, po edhe në Greqi me Etnikos Asterasin dhe Anagenis Kardicën. Sezonin e fundit, Radojeviçi ka luajtur në Serbi me ekipin e Zemunit. Trajneri Haxhiosmanoviç e ka aktivizuar atë në miqësoren e fundit me Mlladostin gjatë 45 minutave të para, duke krijuar përshtypje përgjithësisht të mira. Megjithatë, burime pranë stafit drejtues të Vllaznisë bëjnë të ditur se Radojeviçi do të qëndrojë edhe disa kohë të tjera në provë. Mendimi i përgjithshëm është që ai të jetë pranë skuadrës, ndërsa për kontratën financiare çdo gjë të lihet e hapur, duke parë edhe rendimentin e tij në vazhdim. Radojeviçi është i teti futbollist malazez që provohet këto ditë te Vllaznia dhe, nëse qëndron, do të jetë i katërti që do të firmosë për të, pas Radusinoviçit, Çetkoviçit dhe Radonjiçit.

Posted: Thu, 11 Aug 2005 , 13:28
by vllaznia1919
Haxhiosmanoviçi largon të riun Kuçi

Në ndeshjen e fundit miqësore që ekipi shkodran ka zhvilluar në Mal të Zi, ka ndodhur edhe "incidenti" i parë mes trajnerit Haxhiosmanoviç dhe futbollistëve. Bëhet fjalë për të riun Kuçi, i cili është larguar nga ana e trajnerit malazez. Gjithçka ka nisur në minutat e fundit të miqësores me Mlladostin, kur "Deda" i ka aktivizuar të gjithë lojtarët që ka pasur në dispozicion, por me të riun Kuçi nuk ka ndodhur kështu. Duke parë se trajneri i tij nuk kishte ndër mend ta aktivizonte, rreth 15 minuta para mbarimit të ndeshjes, lojtari ka braktisur nxehjen dhe ka nxituar të vishet. Kjo gjë nuk i ka shpëtuar trajnerit, që me të marrë vesh këtë veprim të futbollistit, e ka përjashtuar atë nga skuadra. Kujtojmë këtu që sulmuesi i ri Argent Kuçi është nga lojtarët e rinj të cilësuar të perspektivës, që para pak kohësh firmosën kontrata pesëvjeçare me klubin shkodran. Por tashmë ai ka provuar edhe ndëshkimin e trajnerit Haxhiosmanoviç, që e ka larguar.

Posted: Thu, 11 Aug 2005 , 13:36
by vllaznia1919
Patushi: Më erdhi keq që ika nga Tirana

Saimir Patushi po largohej dje pasdite drejt Shkodrës për të biseduar me presidentin Çela. Synimi i këtij udhëtimi nuk ishte i rastësishëm, sepse, sipas tij, po shkonte për të firmosur një kontratë me Vllazninë. Mirëpo ai komenton largimin e tij nga Tirana, duke shprehur para sa gjithash keqardhje që po largohej nga ky grup futbollistësh. "Jam larguar dhe më vjen më shumë keq për tifozët me të cilët kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Por ishim edhe një grup i mirë lojtarësh, ndaj nuk ndihem mirë tani që nuk bëj më pjesë në të. Për mënyrën e largimit dua të them se të paktën donatorët të na kishin takuar. Megjithatë, pas largimit, kam oferta të tjera dhe më konkretja është kjo e Vllaznisë, e cila më ka ardhur dhe pres ta shqyrtoj tani, bashkë me presidentin e Vllaznisë," - shprehet Patushi.

Posted: Fri, 12 Aug 2005 , 13:28
by vllaznia1919
Bejzade, gati për Vllazninë

Futbollisti ka pranuar se është vënë në kërkim të një skuadre tjetër, që mund të jenë kuqeblutë
Bejzade lë Elbasanin për Vllazninë

Ndërsa përditë radhët e Elbasanit shtohen me futbollistë të ndryshëm të superliges shqiptare, si dhe me të huaj, dje kanë filluar të qarkullojnë zëra edhe për largime të mundshme.
Burime të sigurta konfirmuan se Skerdi Bejzade është i pari që thuajse e ka bërë fakt të kryer largimin nga ekipi verdheblu. Vetë Bejzade, nëpërmjet linjës telefonike, nuk ka dhënë shumë detaje për këtë vendim të marrë nga ana e tij, por ka pranuar se shumë gjëra midis tij dhe klubit elbasanas nuk shkojnë siç duhet. Kujtojmë që Bejzade i është bashkuar Elbasanit që në fillim të sezonit të kaluar, ndërkohë që për qëndrimin e tij te ky ekip ka këmbëngulur së tepërmi presidenti Arben Laze, madje gjatë kësaj vere, falë marrëveshjes me të, Bejzade refuzoi oferta të shumta. Kështu, është mjaft e vështirë të gjendet shkaku i vërtetë i çarjes midis futbollistit Bejzade dhe presidencës verdheblu. "Kam komunikuar së fundi me zëvendëspresidentin Çërraga, te cilin e kam vënë në dijeni për vendimin që kam marrë. Në seancën e fundit stërvitore nuk mora pjesë dhe me keqardhje dua të them se me Elbasanin thuajse çdo gjë është mbyllur me kaq. Tani më duhet të mendoj për ekipin me të cilin do të luaj në kampionatin e ri. Drejtuesit e Elbasanit, sapo kanë mësuar se do të largohem nga ekipi i tyre, kanë këmbëngulur që të ndryshoj mendje," tha Bejzade, i cili theksoi më pas se arsyet e largimit nga Elbasani janë personale. "Respekti im për ekipin dhe të gjithë drejtuesit e Elbasani është maksimal, por më së shumti borxhli e ndiej veten ndaj tifozerisë së mrekullueshme elbasanase. Largimi im nuk është dhe aq i lehtë nga ekipi ku luajta sezonin e kaluar, megjithatë nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t'i uroj suksese Elbasanit dhe shokëve që kisha aty," - pohoi lojtari kryeqytetas. I pyetur për kontratën që ka me këtë klub, ai ka deklaruar se kjo nuk e pengon të kalojë në ekipet e tjera.
Ky largim i papritur i Bejzades duket se ka të bëjë me afrimitetin e krijuar prej tij së fundi me drejtuesit kuqeblu. Pra, skuadra e re e Bejzades duket se do të jetë Vllaznia. Pra, një rikthim i tij në Shkodër. I pyetur për një fakt të tillë, vetë presidenti kuqeblu, Agron Çela ka thënë: "Po, kemi biseduar me Bejzaden dhe thuajse kemi rënë dakord për çdo gjë. Mbetet për t'u zyrtarizuar kalimi i tij te Vllaznia. Sot Bejzade do të vijë në Shkodër dhe nuk do ta lëmë më të ikë pa e veshur kuqeblu."
Por përveç Bejzades ka pasur zëra për të tjera largime nga Elbasani, megjithëse askush nuk e beson se mund të ketë lojtarë nga radhët e verdhebluve që mund të largohen vullnetarisht. Presidenca e Elbasanit deklaron se afron kushte të shkëlqyera ekonomiko?financiare.

Posted: Fri, 12 Aug 2005 , 13:30
by vllaznia1919
Mesfushori i Tiranës, sot do të jetë në Shkodër, me shumë mundësi për t'u bërë pjesë e kuqebluve

Mesfushori matjan duket se ka vendosur të rikthehet te skuadra ku u shpall kampion vite më parë
Saimir Patushi, sot firma për Vllazninë
Një tjetër blerje e rëndësishme po bëhet realitet nga drejtuesit e Vllaznisë. Saimir Patushi, pas largimit të papritur nga Tirana, duket se e ka gjetur menjëherë "strehën" e re. Ajo do të jetë skuadra shkodrane, që e ka mirëpritur këtë rikthim të futbollistit matjan në radhët e saj. Një lajm i tillë është pohuar dje nga vetë futbollisti, i cili është shprehur:
"Kam biseduar dhe kam rënë dakord me drejtuesit e Vllaznisë për të luajtur me këtë skuadër në sezonin e ri. Pra, me 99% do të luaj me këtë skuadër. Firmë ende nuk kam hedhur, por një gjë të tillë do ta bëj sot ose nesër." Në këtë mënyrë, nisur edhe nga deklarata e Patushit, duket qartë se çështja është mbyllur. Lojtari ka qenë në Shkodër pasditen e së mërkurës dhe ka biseduar gjerë e gjatë me presidentin Çela dhe drejtues të tjerë të Vllaznisë. Por nga ana tjetër, presidenca shkodrane nuk ka dashur të bëjë shumë "shou" me këtë çështje, ndoshta nga frika se, duke vepruar ndryshe, gjërat mund të ngatërroheshin. Presidenti Çela, paraditen e djeshme u shpreh shkurtimisht se shpresonte që çështja të mbyllet në favor të Vllaznisë. Megjithatë, vetë deklarata e lojtarit, që nuk linte vend për ekuivoke të tjera, i ka thjeshtëzuar gjërat. Kështu, zëvendëspresidenti Valter Fushaj ka konfirmuar gjithçka, duke thënë: "Patushi do të jetë nesër (sot) në Shkodër për të firmosur kontratën. Me të kemi përfunduar çdo gjë."
Në këtë mënyrë, skuadra shkodrane gradualisht po i mbush radhët e saj. Me ardhjen e Patushit, përveçse sigurohet një lojtar i aftë, mbi të gjitha qetësohet trajneri Haxhiosmanoviç. Ai e ka pasur shumë merak gjetjen e një lojtari cilësor për repartin e mesfushës dhe Patushi për të është njeriu i duhur. Kjo pasi të dy ata kanë qenë bashkë te Vllaznia edhe në sezonin 2000-2001, duke u shpallur kampionë me të. Në të vërtetë, me mbërritjen e lojtarit matjan, është kënaqur edhe tifozeria kuqeblu. Ajo gjithmonë e ka vlerësuar Patushin për lojën e tij me nivel të lartë në repartin e mesfushës. Tashmë që Patushi do të jetë në skuadrën shkodrane, kuptohet që kënaqësia është më e madhe. Pritet që blerja më e fundit e Vllaznisë të mbërrijë sot në Shkodër për të firmosur edhe kontratën zyrtare të bashkëpunimit me kuqeblutë. Pra, po bëhen realitet një nga një edhe blerjet e premtuara nga presidenca e klubit, të cilat duken vërtet të goditura. Me ardhjet e Ndrekës, Kulit, Patushit apo dhe të ndonjë tjetri që mund të vijë gjatë ditëve të ardhshme, kuptohet qartë që kjo skuadër hyn në garën e pretendentëve për trofe.

Posted: Fri, 12 Aug 2005 , 13:31
by vllaznia1919
Vllaznia, ikën edhe malazezi Radojeviç

Nuk ka zgjatur shumë qëndrimi i futbollistit malazez Radojeviç. Vetëm pas dy ditësh qëndrimi në kampingun kuqeblu, mesfushori malazez është larguar andej nga kishte ardhur. Një vendim të tillë e ka marrë vetë trajneri Haxhiosmanoviç, i cili ia ka komunikuar atë lojtarit menjëherë pas stërvitjes të së mërkurës. Pas kësaj,
29-vjeçari që kishte një CV të pasur, është detyruar të lërë Cetinjën dhe t'i japë fund aventurës me shkodranët. Dushan Radojeviç, që luante në krahun e djathtë të mesfushës, kishte luajtur 45 minuta edhe në miqësoren ndaj Mlladostit dhe kishte lënë përshtypje deri diku të mira. Por Haxhiosmanoviçi ka vërejtur tek ky lojtar shenja të një forme jo të mirë fizike. Por shkodranët nuk kanë nevojë për lojtarë të tillë dhe prandaj e kanë larguar. Nga ana tjetër, një nga arsyet kryesore që kanë kushtëzuar largimin e këtij lojtari mund të ketë qenë edhe fakti tjetër që te Vllaznia do të vijë Patushi.

Posted: Sat, 13 Aug 2005 , 15:02
by vllaznia1919
Bejzade: Të hënën në stërvitje me Vllazninë

Emri tjetër i lakuar për t'u veshur kuqeblu është edhe ai i Skerdi Bejzades. Lojtari që vetëm pak ditë më parë i dha përgjigje negative ekipit shkodran, duke preferuar Elbasanin, duket se tani ka ndërruar mendje. Kështu të paktën të krijohet mendimi, teksa dëgjon thënien e tij se ka dëshirë të luajë në Shkodër sezonin e ri. Por ajo që e pengon duket se është ndonjë pretendim i presidentit Arben Laze të Elbasanit, që dëshiron ta mbajë në skuadër këtë futbollist. Megjithatë, mbrëmë vonë, Skerdi, pasi nuk ka arritur të komunikojë dot gjatë ditës së djeshme me numrin 1 të klubit verdheblu, është shprehur kështu: "Dëshira ime është të luaj për Vllazninë në sezonin e ri. Do të bisedoj me presidentin Laze, që besoj se do të më mirëkuptojë në zgjedhjen time. Një gjë e tillë shpresoj të mbarojë këto dy ditë dhe unë të jem të hënën në Shkodër për të filluar stërvitjen." Në këtë mënyrë, duhet pritur e hëna për të mësuar më konkretisht nëse kuqebluve do t'u shtohet edhe një tjetër lojtar cilësor apo jo.

Posted: Sat, 13 Aug 2005 , 15:06
by vllaznia1919
Merkatoja shkodrane, me sa duket, sivjet nuk do të ketë të sosur, pas ardhjeve të ditëve të fundit, Ndrekës, Kulit dhe Patushit. Ky i fundit është mirëpritur nga të gjithë, ndërsa firmosja e kontratës është bërë në ambientet e hotel "Colosseu"-t, ku kanë marrë pjesë zëvendëspresidentët Fushaj dhe Amuli, si dhe dy drejtuesit e klubit, Hoxha e Mustafaraj. Patushi nuk ka ngurruar të firmosë menjëherë të 4 kopjet e kontratës të vëna përpara nga noteri Arben Kopliku. Në këtë ceremoni nuk ka asistuar presidenti Çela, i cili për arsye pune ndodhej në Mal të Zi. Por lajmi tjetër i rëndësishëm që u mësua në ato momente, ishte prania në Shkodër edhe e ish futbollistit tjetër të Tiranës, Ardi Behari. Ai është shprehur për "Sportin shqiptar" se kishte ardhur për të biseduar me drejtuesit e Vllaznisë rreth mundësisë së firmosjes së ndonjë kontrate me këtë ekip. "Jam këtu për të biseduar me drejtuesit e Vllaznisë. Ishte vetëm biseda e parë me ta dhe në ditët e ardhshme do të mësohet më tepër nëse do të firmos për këtë skuadër apo jo. Dëshira ime është e madhe që kjo të ndodhë, sepse pas atij largimi të papritur nga Tirana, dua të gjej një ekip tjetër pretendent. Dhe besoj se më mirë se në Shkodër nuk kam ku të gjej ekip tjetër. Mjafton të luash para atij publiku të mrekullueshëm dhe ke arritur gjithçka. Megjithatë, më mirë do të flas pasi të kem mbaruar çdo gjë me drejtuesit shkodranë, bisedë që besoj se do të bëhet mjaft shpejt, sepse tani nuk ka më kohë në dispozion," është shprehur vlonjati që dëshiron ta vazhdojë karrierën në "Loro Boriçi". Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti Fushaj është shprehur për të tjera blerje që ai dhe kolegët e presidencës kuqeblu mund të bëjnë në ditët e ardhshme. "E rëndësishme është që bëmë realitet edhe blerjen e Patushit, një lojtar ky që ka qenë gjithnjë i mirëpritur te Vllaznia. Me ardhjen e tij besoj se janë mbyllur edhe problemet që skuadra mund të ketë pasur në mesfushë," ka thënë numri 2 i presidencës shkodrane. Ai ka komentuar edhe ardhjen e mundshme të Bejzades në Shkodër, duke thënë: "Edhe Skerdi ka qenë i mirëpritur në skuadrën tonë. Nëse ai dëshiron të luajë me Vllazninë, për të do të ketë gjithnjë një vend bosh." Po ashtu, ndonëse nuk ka dhënë detaje të tjera, zëvendëspresidenti Fushaj ka shpjeguar se te Vllaznia në ditët e ardhshme mund të vijë edhe një tjetër sulmues cilësor. "Vazhdojmë të jemi në bisedime për të sjellë edhe një tjetër sulmues cilësor në skuadër dhe shpresoj që brenda pak ditësh edhe kjo gjë të realizohet. Do të ndërtojmë një skuadër që do të jetë e frikshme për të gjithë," ka thënë ai në përfundim të fjalës së tij.

Posted: Sun, 14 Aug 2005 , 19:32
by vllaznia1919
Kuqeblutë, "tender" për partnerin e Sinanit

Drejtuesit e skuadrës shkodrane janë të vendosur për t'i gjetur një partner ashtu si duhet kapitenit Sinani në vijën e parë të sulmit. Mungesa e një lojtari të tillë aktualisht te kuqeblutë, i ka vënë në lëvizje pjesëtarët e presidencës së klubit. Ata janë duke tentuar në pista të ndryshme për të gjetur pasuesin e Abilios, që mendohej të ishte përkrah Sinanit këtë sezon. Pavarësisht se trajneri Haxhiosmanoviç ka në dispozicion edhe kavajasin Kuli, kjo gjë nuk e ka mbyllur mundësinë e gjetjes së një sulmuesi tjetër cilësor. Madje edhe një ardhje e mundshme e Bejzades, sërish duket se nuk i kënaq shkodranët. Kjo sepse të dy këta futbollistë, si Bejzade ashtu edhe Kuli, nuk janë lojtarë të mirëfilltë goli. Ata mund të luajnë edhe në sulm, megjithëse pozicioni i tyre i preferuar është në mesfushë apo më mirë pas dy sulmuesve. Duke qenë kështu, Vllaznia e ka kthyer në "tender" problemin e gjetjes së një lojtari cilësor për vijën e parë. Deri para pak ditësh është përmendur një sulmues kroat. Me këtë çështje është marrë zëvendëspresidenti Fushaj, i cili kërkon të bëjë realitet një tjetër blerje të bujshme të ekipit shkodran. Megjithatë, ditët e fundit, një tratativë e tillë duket se ka hasur në një pengesë, që ka të bëjë me menaxherin e lojtarit. Kjo ka bërë që shkodranët ta hedhin vështrimin tek të tjerë lojtarë goli. Lajmi më i fundit që bëhet i ditur është ai që në vëmendjen e shkodranëve është edhe një sulmues nga Argjentina. Këtë e ka bërë të ditur vetë zëvendëspresidenti Fushaj, i cili ka sqaruar se priten ditët e ardhshme për të mësuar më tepër. Por pista e huaj duket se nuk është e vetmja për kuqeblutë. Burime pranë presidencës bëjnë të ditur se po ndiqet me shumë interes edhe një lojtar shumë cilësor i kampionatit tonë. Emri i tij, si zakonisht, nuk bëhet i ditur nga krerët shkodranë, të cilët po ndjekin politikën e mbylljes së gjërave në fshehtësi të plotë. Në këtë mënyrë, mes këtyre tri kandidaturave që përmendëm më lart, pritet të dalë edhe kolegu i ardhshëm në vijën e parë të sulmit të Vllaznisë. Nuk përjashtohet mundësia që, nisur edhe nga vrulli që ka marrë ditët e fundit merkatoja, në ekip të vijnë dy nga sulmuesit e kërkuar. Pra, "thesi është hapur" për Vllazninë dhe me siguri skuadra që kemi për të parë më 27 gusht kundër Tiranës do të jetë vërtet një "skuadër ëndrrash".

Posted: Sun, 14 Aug 2005 , 19:32
by vllaznia1919
Çështja "Bejzade", kuqeblutë jashtë saj

Klubi shkodran nuk ka dashur të përzihet aspak në çështjen e hapur për futbollistin tiranas, Skerdi Bejzade. Ky i fundit, pas fjalës së dhënë elbasanasve për të luajtur edhe një sezon të dytë me ta, ditët e fundit ka ndërruar mendje, duke e shfaqur hapur dëshirën për të ardhur te Vllaznia. Por në të vërtetë kjo gjë ka hapur polemika mes tij dhe presidentit elbasanas, Arben Laze, që pretendon se Bejzade ka hedhur firmë për skuadrën e tij. E ndërsa lojtari thotë të kundërtën, klubi shkodran, me gjithë dëshirën për ta pasur në radhët e tij këtë futbollist, ka qëndruar jashtë kësaj çështjeje. Sipas presidentit Çela, zëvendësit të tij Fushaj, kjo është një çështje që i takon vetë lojtarit për ta zgjidhur. "Ne nuk mund të ndërhyjmë. Bejzade ka qenë gjithnjë i mirëpritur në skuadrën tonë dhe i tillë është dhe tani. Por para se të vijë, natyrisht duhet të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet që mund të ketë me skuadrën e Elbasanit,"janë shprehur ata. Në këtë mënyrë, ndonëse vetë lojtari ka deklaruar se të hënën do të jetë në Shkodër për të filluar stërvitjen e parë me Vllazninë, atij më parë i duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet e lindura me verdheblutë.

Posted: Mon, 15 Aug 2005 , 19:47
by vllaznia1919
Vllaznia, sot priten surpriza të reja

Fillimi i stërvitjes në Shkodër për ekipin e Vllaznisë mund të shoqërohet me të tjera surpriza. Kështu, nuk është çudi nëse në orën 09.30, kur të nisë stërvitja në fushën sportive të Shtojit, para trajnerit Haxhiosmanoviç, përveç Patushit, të jenë edhe lojtarë të tjerë. Ka shumë të ngjarë që edhe Behari të jetë i pranishëm në këtë seancë, çka do të thotë që ai mund të vishet kuqeblu. Deri dy ditë më parë, një hipotezë e tillë nuk ishte shumë e pranueshme, pasi Vllaznia ka disa lojtarë të krahut të majtë, ku luan edhe vlonjati. Megjithatë, nga sa mësohet nga burime pranë klubit shkodran, në skuadër do të ketë ndryshime ditët e ardhshme. Nuk përjashtohet mundësia për t'u larguar e ndonjërit prej lojtarëve të ardhur gjatë merkatos së verës, pasi nuk e kanë justifikuar fanellën kuqeblu, të paktën në miqësoret që janë zhvilluar. Në këtë logjikë, kjo javë duket shumë interesante sa u takon zhvillimeve tek skuadra shkodrane. Bejzade ka ripërsëritur dje faktin që do të jetë sot në stërvitje në Shkodër dhe bashkë me të mund të jetë edhe ndonjë lojtar tjetër i kampionatit tonë. Në këtë mënyrë, tifozerisë shkodrane i duhet të presë edhe disa ditë për të mësuar përfundimisht se cilët do të jenë emrat që do të përfaqësojnë Vllazninë në sezonin e ri.

Posted: Tue, 16 Aug 2005 , 13:19
by vllaznia1919
“Zhduket” Bejzade, Vllaznia zhgënjehet

Sulmuesi tiranas i Elbasanit, pasi ka bërë “Show”-n e merkatos te Vllaznia, rikthehet në Elbasan.

Për skuadrën e Vllaznisë, një ndër transferimet më të diskutueshme gjatë javës së kaluar, përsa i përket merkatos së futbollistëve, ishte ajo e sulmuesit të Elbasanit, Skerdi Bejzade. Pas refuzimit të disa ditëve më parë të ofertës së drejtuesve të Vllaznisë, sulmuesi tiranas ndërroi përsëri mendje, duke parë mundësinë e rikthimit të tij edhe një herë pranë skuadrës së Vllaznisë. Ndonëse, ishte dëshira e vetë futbollistit në fjalë, për t’u veshur kuqeblu dhe çdo dukej punë e kryer, në fund pengesë duket se ka dalë ekipi i Elbasanit, i cili pretendon se ka një kontratë 1-vjeçare me Bejzaden. Ka qënë përsëri vetë futbollisti që ka deklaruar disa ditë më parë se nuk ka asnjë kontratë me ekipin e Elbasanit dhe se ditën e hënë ai do të jetë në stërvitje me ekipin e Vllaznisë, por realisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Është pritur me interes dje në Shkodër ardhja e Bejzades që në seancën stërvitore të paradites, të zhvilluar nga ana e Vllaznisë, por sulmuesi nuk është dukur. E njëjta gjë edhe pritur edhe dje pasdite, por në fushën e stërvitjes, përsëri sulmuesi nuk është paraqitur. Drejtuesit e Vllaznisë vazhdojnë të shprehen se nuk do të përzihen në këtë çështje me ekipin e Elbasanit, duke e lënë zgjidhjen në dorë të vetë futbollistit. Kështu, që duhet të presin ditën e sotme, për të parë të tjera zhvillime, në lidhje me këtë çështje. Ajo që karëndësi për momentin, është se Bejzade nuk ka ardhur në Shkodër, dje, ashtu siç kishte deklaruar vetë futbollsitë, ndonëse burime pranë vetë futbollistit shprehen se Bejzade po bën të gjitha përpjekjet, për t’u shkëputur nga ekipi i Elbasanit, ku dhe ka pasur edhe një takim për këtë problem, dje me presidentin Laze. Gjithsesi, dje skuadra dhe tifozeria shkodrane kanë mbetur të “zhgënjyer” nga pritja e tyre gjatë dhe e kotë, për të parë se çfarë vlera të reja do të sillte Bejzade, në këtë rikthim te skuadra e Vllaznisë. Në orët e vona, dje nëpërmjet linjës telefonike, Bejzade ka deklaruar për gazetën “Metropol Sport” se do të mbetet në skuadrën e Elbasanit. “Bisedova me presidentin Arben Laze dha ai i plotësoi të gjitha kushtet dhe kërkesat e mia ekonomike. Por, duke qënë se kisha edhe një kontratë gojore me të, nuk munda që ta “tradhëtoja” për këtë sezon”, - përfundon deklarimin e tij sulmuesi i Elbasanit, Skerdi Bejzade. Kjo ndoshta duket si një lojë, por ka ndodhur te Vllaznia, nga ku ajo duhet të nxjerrë “mësime” nga “ligjet” e forta të merkatos.

Posted: Wed, 17 Aug 2005 , 11:31
by vllaznia1919
Kuqeblutë, merkato deri më 31 gusht

Ardhja së fundi e Patushit nuk e ka mbyllur serinë e blerjeve për Vllazninë. Kështu deklarojnë pjesëtarë të klubit shkodran, sipas të cilëve po synohet arritja e marrëveshjeve edhe me disa lojtarë të tjerë cilësorë. Këtu bëhet fjalë për lojtarë të kampionatit tonë, por edhe të huaj. Pikësynimi kryesor natyrisht që është gjetja e një lojtari për sulmin. Megjithëse para pak ditësh deklarohej se shkodranët ishin në tratativa me disa lojtarë të këtij reparti, ku përflitej një shqiptar, një kroat dhe një argjentinas, sërish deri dje asgjë nuk ka përfunduar me asnjërin prej tyre. Pista më e mundshme ndër ta ka qenë ajo e lojtarit të kampionatit tonë, teksa thuhej vetëm që ishte një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim. Por vetëm kaq, pasi çdo gjë duket se është duke u bërë në fshehtësi të plotë. Nga ana tjetër, dështimi i tratativës me Bejzaden ka lënë një shije aspak të mirë për Vllazninë. Ajo për të disatën herë i kishte bërë një vend në skuadër lojtarit nga kryeqyteti, por ky i fundit ka preferuar të luajë sërish në Elbasan. Kuptohet, gjërat këtu janë ngatërruar disi, pasi edhe trajneri Haxhiosmanoviç pati filluar ta planifikonte këtë lojtar në formacionin e tij. Ndërkohë, presidenca e klubit edhe në këto ditë të fundit bëhet e ditur se i ka vazhduar me të njëjtin intensitet bisedimet. Duke qenë kështu, skuadra është në pritje të të ardhurve të rinj. Ata priten çdo ditë nga tifozëria shkodrane që të bashkohen me ekipin në stërvitje dhe për këtë arsye numri i tyre në këto seanca ka qenë shumë i madh. Ajo që mbetet është dëshira për të ndërtuar atë skuadër që dëshirojnë të gjithë. Donatorët e skuadrës kanë vendosur ta zgjidhin mirë "qesen" këto ditët e fundit dhe, për të ndërtuar Vllazninë kampione, pa dyshim që nuk do t'u dhimbsen edhe pak miliona më shumë, me të cilat do të sigurohej e ardhmja e të paktën dy lojtarëve cilësorë. Haxhiosmanoviçi vazhdon të bëjë punën e tij me atë kontigjent lojtarësh që ka në dispozicion. Atë nuk e kanë çoroditur as lajmet që qarkullojnë për ardhjen e këtij, apo atij lojtari. Për të, skuadra e ndeshjes anti Tirana është kjo që është. Nëse vijnë lojtarë të tjerë, planet duhen bërë ndryshe, megjithëse nuk priten ndryshime të mëdha. Malazezi ka lënë të kuptojë dje se ai formacion që do të hedhë në fushë sot në miqësoren kundër Besës, apo edhe në atë të së shtunës kundër Dinamos, do të jetë më 27 gusht edhe ndaj kampionëve në fuqi. Megjithatë, numri një i stolit shkodran nuk është kundër këtyre ardhjeve, përkundrazi. "Dëshira ime si trajner është të kem sa më shumë lojtarë cilësorë në dispozicion. Vetëm kështu do të shtohej konkurrenca dhe do të krijohej ajo skuadër që dëshiroj. Por, kuptohet, nuk mund të pres shumë gjatë për ardhjen e këtyre lojtarëve të rinj. Sezoni është në prag dhe skuadra duhet të jetë gati," thotë "Deda". Pavarësisht nga kjo, pjesëtarë të presidencës shkodrane kanë bërë të ditur se te Vllaznia mund të priten lojtarë deri në ditën e fundit të mbylljes së merkatos.